Albspirit

Media/News/Publishing

Në parathënien e Njeriut të Ri Shqiptar

Elona Caslli

Shpesh herë kam menduar për vlerën e një parathënieje. Cila është në të vërtetë vlera e asaj lënde të shkruar me të cilën takohemi pashmangshmërisht çdo herë që njihemi me një vepër letrare apo shkencore. Çfarë parathotë në të vërtetë parathënia? Përtej përkufizimit të përjetshëm i cili gjendet kryesisht nëpër fjalorë, kam besuar gjithmonë se parathënia parashikon me përafërsi se si do të zhvillohet marrëdhënia midis lexuesit dhe veprës. Duke qenë se parathënësi mbështetet në përjetimin e tij personal kur shkruan për marrëdhënien që ka ndërtuar me veprën, shpesh herë mund të lindë pyetja “ A do të zhvillohet marrëdhënia midis lexuesit dhe veprës në përputhje me parathënien e kësaj të fundit?”

Dhe teksa i rikthehem parathënies së Njeriut të Ri Shqiptar të autorit Albert P.Nikolla , shkruar nga Prof. Sami Repishti, kuptoj se Prof. Repishti ka qenë tejet i përpiktë në parashikimin e tij.
Udhëtimi antropologjik përgjatë kapitujve të Njeriut të Ri Shqiptar zhvillohet sipas hartës së paracaktuar nga Prof. Repishti. Do të ndalesh fillimisht tek thënia e intelektualit rus Solzenicyn që përbën gurin e themelit të këtij udhëtimi
….
e përditshme është gënjeshtra tek ne- jo tekë natyrash të prishura, por formë ekzistence, kusht i mirëqënies së përditshme të secilit. Gënjeshtra është e përfshirë në sistemin shtetëror, është shartesa e tij e parë (….) Gënjeshtra na rrethon në punë, gjatë rrugës, në kohën e lirë, në gjithçka shohim, dëgjojmë dhe lexojmë.

Solzenicyn (1974)

Dhe do t’i japësh të drejtë parathënësit teksa të parashtron qëndrimin e tij të drejtë lidhur me temën e “ Njeriut të Ri”.
“ Tema që trajtohet sistematikisht nga Dr. Nikolla , ashtë relativisht e pastudjueme dhe gjindet më shumti me në studime të shkurta me synime të kufizume”

Prof.Sami Repishti

Dhe do të kuptosh se togfjalëshi “synime të kufizume ‘’ nënkupton se ky udhëtim antropologjik nuk përmban çerek të vërteta por të vërteta të plota që i përkasin si të shkuarës ashtu dhe së tashmes së Shqipërisë.

Parathënia të sjell në vëmendje dikotominë fatale, plagën e pashërueshme të Shqipërisë.

“ Një qeveritar që nuk ka besim tek qytetari e një qytetar që nuk ka besim tek qeveritari. Kjo dikotomi fatale, po të vazhdojë do të sjellë vdekjen morale të shoqënisë civile shqiptare. Shenjat e para janë refuzimi ose indiferenca me votue për elementë që nuk gëzojnë besim.Gjindemi para një dileme ekzistenciale; ose një shoqëni civile autentike e fortë e një qeveri të dobtë, ose një qeveri të fortë dhe një shoqëni civile shqiptare të dobtë. Për sa kohë që nuk do të kemi fitoren e së parës- shoqënia autentike civile – njeriu i ri shqiptar nuk do të gjejë rrugëdalje të pranueshme. Ai do të detyrohet me pranue ose usurpimin e pushtetit ose nevojën urgjente me riformue raporte të reja pushtetar/ qytetar- ku qytetari merr përsipër përgjegjësinë për funksionimin e një shteti që shërben e jo që shfrytëzon qytetarët.”

Prof. Sami Repishti

Pse-të dhe sepse-të e kësaj dikotomie që kafshon të përditshmen e çdo individi që jeton brenda kufinjve të Shqipërisë do t’i përvetësosh në kapitujt e Njeriut të Ri Shqiptar të cilët përmes një rigoroziteti shkencor që nderon vetë autorin, kthjellojnë mjegullën e së shkuarës, vënë në dukje gjurmët e saj në të tashmen dhe njëkohësisht nënvizojnë përgjegjësinë historike që ka kombi shqiptar për të rindërtuar vetveten.

Dhe sikundër do të shprehej Prof.Albert.P.Nikolla në kapitullin e fundit të “Njeriut të Ri Shqiptar”

– Le të na lejojë lexuesi që në këtë pikë, t’i mbyllim reflektimet tona me fjalët e Kadaresë:

Lufta për shërimin moral të Shqipërisë së sotshme nuk është një çështje përsosmërie apo luksi kulturor. Ajo është bërë një kusht për ekzistencën tonë në vijim. E kritikuar në mënyrë të fortë nga komuniteti ndërkombëtar, për korrupsionin e saj, Shqipëria gjendet sot në nivelin më të keq të ndotjes morale që do mund të ketë pasur kurrë ndonjëherë. Në këtë gropë në të cilën ajo ka rënë ka dy zgjedhje, o ia del të dalë menjëherë ose fundoset përgjithmonë.Në këtë situate morale dhe të frikshme , Shqipëria nuk mund të quhet një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe sistemi i saj politik republikan nuk janë përveçse virtual. Breznisë së re të shqiptarëve i takon detyra historike që të bëjë të jenë reale këto vlera. Me pak fjalë; të bëjë të rilindë Shqipëria. Një fat historik që nuk i ndodh çdo breznie”

Ismail Kadare

Please follow and like us: