Albspirit

Media/News/Publishing

Skënderbeu dhe fisnikëria shqiptare në shek. XV-XVI

Ardian Muhaj

Shekulli XV është periudha kur të dhënat mbi familjet e mëdha shqiptare shtohen, duke na dhënë mundësinë të krijojmë një ide më të plotë rreth tyre dhe rolit që ata kishin në shoqërinë e kohës.

Shkërmoqja e shtetit serb pas vdekjes së Dushanit dhe kthimi gradual i shtetit bizantin, nga një perandori zulmëmadhe në një qytet, apo siç pohohet nga ndonjë autor, në një kryeqytet pa shtet, nxjerr në pah gradualisht rëndësinë e elementit lokal shqiptar.

Është e vështirë të krijohet një ide e qartë mbi fisnikërinë shqiptare në shekujt e mëhershëm, mbasi pushtetet politike mbizotëruese, pra ai bizantin, serb, bullgar apo norman-anzhuin, nuk lehtësojnë shquarjen e elementit fisnik shqiptar brenda strukturës politiko-administrative të këtyre pushteteve, apo edhe jashtë tyre.

Shekulli XV dhe shekulli XVI, në aspektin e konfigurimit politik të Ballkanit në përgjithësi dhe të trojeve shqiptare në veçanti, përbëjnë një periudhë kohore të dallueshme nga shekujt e mëparshëm.

Në këta dy shekuj, gjeopolitika ballkanike ka si aktorë dy njësi politike tërësisht të reja nga shekujt e mesjetës më të hershme: Venedikun dhe shtetin osman.

Asnjëri prej këtyre aktorëve mbizotërues politikë të shekujve në shqyrtim, nuk është i pranishëm në shekujt e mëparshëm të dominuar nga bizanti, serbët, bullgarët dhe francezët apo katalanët.

Ky ndryshim sjell në vend të anarkisë dhe paqëndrueshmërisë politike, një dikotomi të qartë politike në shekujt që na interesojnë. Kjo qëndrueshmëri e aktorëve politikë mbizotërues, reflektohet dukshëm edhe në një qëndrueshmëri në rritje të aktorëve politikë vendorë shqiptarë.

Në këtë aspekt familjet fisnike shqiptare që afirmohen në shek. XV, vazhdojnë të konsolidohen, pavarësisht transferimeve sporadike të mbipushtetit politik nga njëri aktor mbizotërues tek tjetri.

Madje, mund të thuhet se edhe e shfrytëzojnë rivalitetin e këtij çifti aktorësh politikë, në favor të forcimit të pozitave të tyre, në rrezen e e shtrirjes së pushtetit dhe ndikimit të tyre lokal në trojet shqiptare.

Rasti i Skënderbeut është shembulli më ilustrues i kësaj aftësie dhe kapaciteti të elitës fisnike vendase për të shfrytëzuar rivalitetin osmano-venedikas në drejtim të forcimit të ndikimit politik të tij në territoret shqiptare dhe në drejtim të autonomizimit gjithnjë e më të madh të tij nga aktorët e mëdhenj politikë rivalë.

Nuk është e rastit që Skënderbeu si prijësi shqiptar që ia doli në këta dy shekuj më shumë se cilido prijës e fisnik tjetër, të afirmojë pushtetin vendor shqiptar, e bëri këtë pikërisht në një territor me rëndësi strategjike, ku përplaseshin rivalitetet politike të tyre, situatë të cilën Skënderbeu e kuptoi dhe shfrytëzoi me aftësi dhe largpamësi.

Ndërsa, në se dalim jashtë kësaj zone të kontaktit në të cilën Skënderbeu ia del të afirmojë pushtetin vendor, dhe kalojmë më në brendësi të zonës së dominimit politik të Venedikut dhe shtetit osman, pamja na paraqitet e ndryshme.

Në zonën e dominimit osman në jug të Shqipërisë së sotme, fisnikëria e këtushme e kërcënuar nga pushteti politik osman, zgjedh në përgjithësi të përshtatet me këtë pushtet, duke ruajtur në vija të përgjithshme pozitat e veta, aty ku këto nuk cënonin njëtrajtshmërinë dhe mbizotërimin e këtij pushteti.

Edhe osmanët nga ana e tyre, zgjedhin me kujdes mes elementëve të këtyre fisnikëve, ata të cilët paraqiteshin më të prirë për të pranuar pushtetin e tyre, se sa ata tek të cilët dyshohej mbi këtë gjë.

Pra, bëjnë një përzgjedhje, që rezulton në një rikonfigurim dhe rikompozim të brendshëm të këtyre familjeve. Të tillë janë Buashpatat, Muzakajt, Arianitët dhe Zenebishët të cilët nxjerrin njëkohësisht figura që i kundërvihen pushtetit osman dhe figura që përshtaten me të.

Kjo përshtatje, në fakt, nuk është dukuri vetëm e elementëve të islamizuar të këtyre familjeve, por edhe i atyre që nuk islamizohen.

Madje, duhet thënë se në këtë periudhë të hershme të pushtetit osman në trojet shqiptare, janë elementët e paislamizuar të këtyre familjve që bartin edhe vulën e vazhdimësisë së pushtetit vendor të tyre nën pushtetin osman.

Ndërsa elementët e islamizuar, rezultojnë të jenë më të integruar në sferat tejlokale të pushtetit osman, duke u bërë pjesë graduale e administratës dhe politikës qëndrore osmane.

Në zonën e dominimit venedikas situata qëndron ndryshe. Ashtu sikurse në pjesën e dominimit osman në jug, venedikasit gjetën një shtresë fisnike vendase të konsoliduar në nivelin e ndikimit dhe fuqisë politike vendore e krahinore, me përjashtim të Balshajve, të cilët tashmë mund të thuhet se shkojnë përtej këtij niveli, duke hyrë në atë të pushtetit mbikrahinor e shtetëror.

Të dhënat tregojnë se edhe në rrafshin e pushtetit politik të qyteteve autonome të njohura të zonës, si Durrësit, Shkodrës, Drishtit, Lezhës, shtresa e fisnikërisë vendase ishte e konsoliduar në periudhën e vendosjes së dominimit përtej adriatikas.

Në Drisht përmenden një numër familjesh, të cilat kishin njëfarë autoriteti më të spikatur në bashkësinë qytetare, se sa të tjerat. Pra edhe në zonën e dominimit venedikas, shtresa fisnike vendase ishte e formuar dhe e profilizuar.

Mirëpo, karakteri i pushtetit politik në shtetin venedikas, ishte i ndryshëm nga ai në shtetin osman. Venedikasit nuk e ndjenin nevojën të shërbeheshin politikisht nga aristokracitë lokale. Venediku ishte një republikë aristokratësh, ku pushteti ndodhej me shekuj në duart e një dyzine familjesh të mëdha aristokratike dhe dhjetra familje të tjera më pak të rëndësishme venedikase.

Për këtë arsye, fisnikëria lokale shqiptare në sferën e dominimit politik venedikas, u ndodh përballë faktit të përjashtimit të plotë nga pjesmarrja, në cilëndo hallkë të pushtetit politik.

Kjo qasje përjashtuese ndaj fisnikërisë vendore shqiptare, në fakt nuk ndodhte vetëm në Shqipërinë venedikase. E njëjta gjë ndodhte edhe në Egjeun venedikas, në Korfuzin venedikas, dhe në krejt kolonitë venedikase në Mesdhe.

Kjo natyrisht, në aspektin afatshkurtër ishte në disfavor të fisnikërisë shqiptare, mbasi përjashtimi nga pushteti politik, nënkuptonte përjashtimin edhe nga ai ekonomik.

Por, në aspekt afatgjatë, rezultoi po aq me pasoja edhe për vetë Venedikun, sepse Venediku nuk e shfrytëzoi fuqinë e kësaj fisnikërie në funksion të vet, dhe për pasojë edhe shkoi vetëm duke humbur territor politik përballë rivalit të tij osman.

Kështu në se i hedhim një sy listës së familjeve fisnike të Drishtit, vërejmë se lista është mjaft e gjatë, me familje që kanë pasur një rol të dukshëm në jetën e bashkësisë drishtjane.

Nga ana tjetër, në se shohim listën e administratës venedikase të qytetit që nga fundi i shek. XIV e deri në fundin e shek. XV, shohim se këto familje fisnike drishtjane, janë të përjashtuara tërësisht nga çdolloj roli në administrimin dhe pushtetin e qytetit të tyre.

E njëjta situatë është në Shkodër dhe Lezhë, që mund të grupohen kronologjikisht në të njëjtën kategori me Drishtin, për shkak të kronologjisë së sundimit venedikas mbi to. Mirëpo, nuk ka ndryshim edhe për Durrësin, që qëndron nën sundimin venedikas dy dekada më shumë dhe as për Tivarin e Ulqinin, që përbëjnë qytetet shqiptare që njohin praninë më të gjatë të sundimit venedikas, për rreth dy shekuj, ose përgjatë krejt shtrirjes së periudhës së marrë në shqyrtim.

Pra, siç shihet kontrolli dhe kufizimi i ndikimit dhe pushtetit të aristokracisë vendase në rastin e dominimit venedikas, zgjidhet në mënyrë radikale, përmes përjashtimit të plotë të saj.
Nga ana tjetër, edhe osmanët megjithë qasjen e ndryshme dhe prirjen për t’i integruar shtresat e larta të shoqërisë shqiptare në administrimin dhe pushtetin politik vendor, kishin edhe ata mekanizmat politikë për kufizimin dhe mbajtjen nën kontroll të këtij pushteti dhe ndikimi vendor.

Rezultati i kësaj politike kufizimi dhe kontrolli në shekujt XV-XVI, është që familjet fisnike shqiptare të zonës së dominimit osman, shkojnë duke e bjerrë gradualisht pushtetin dhe ndikimin e tyre, derisa nga fundi i shek. XVI, nuk kemi asnjë nga familjet fisnike të shekullit XV që vazhdon të mbajë pozitën e vet dhe madje treten, për t’i lënë vendin daljes së një shtrese të re fisnikërie të shek. XVII, e cila i detyrohet kushteve të ndryshme historike dhe mund të themi se përbën një aristokraci të re, prejardhja e së cilës nuk na çon tek asnjë prej familjeve të mëdha të shek. XV-XVI.

Këtë e ilustron rasti i Dukagjinëve, të cilët vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre deri në gjysmën e dytë të shek. XVI, qoftë në zonën e dominimit osman, qoftë në zonën e dominimit venedikas. E njëjta gjë vlen edhe për Buashpatat, apo Muzakajt.

Strukturalisht, kemi të bëjmë me dy fenomene me zanafillë të ndryshme. Aristokracia shqiptare e shek. XV-XVI, është pjesë e një historie negocimi dhe përshtatjeje lokale, me një fuqi politike në eskpansion dhe fuqizim të vazhdueshëm, në të cilën aristokracia shqiptare integrohet duke ndjekur njëkohësisht dinamikën e këtij fuqizimi politik.

Me përjashtim të Skënderbeut, që e qendërzon horizontin e vet politik në dheun e të parëve, aristokracia shqiptare e kësaj periudhe, synon të shfrytëzojë ndikimin vendor për të ndarë trofetë e zgjerimit politik dhe ekonomik osman.

Duket se nuk kemi të bëjmë me zhdukjen e tyre, por me shkrirjen graduale në universin perandorak osman, jashtë e larg trojeve shqiptare.

Natyrisht, kjo i detyrohet edhe politikës osmane, që synonte çrrënjosjen e aristokracive lokale përmes ngritjes së tyre në hierkarkinë sociale të shtetit, por njëkohësisht përmes mekanizmit të qarkullimit të kësaj elite në zona të ndryshme, me synim moslejimin e ngulitjes së tyre në një territor të caktuar.
Gjatë gjithë shek. XVI, por edhe më parë në shek. XV, osmanët kishin tashmë në zbatim një sistem të mirëdefinuar qarkullimi dhe kalendarizimi të elitave, që përbën një element të rëndësishëm të kontrollit social në shtetin osman.

Qarkullimi apo riciklimi i zyrtarëve, e shumëfishonte pushtetin shtetëror mbi shoqërinë. Duke i lëvizur dhe transferuar vazhdimisht elitat e veta, shteti osman shkëpuste rrjetet lokale të solidarizimit social, që mund të shndroheshin në bazë kundërshtie politike.

Përmes kësaj shkërmoqjeje të lidhjeve lokale, zyrtarët dhe popullsia ishin të përqëndruar drejt qendrës si burim dhe përcaktues i autoritetit.

Kështu, struktura shtetërore u konsolidua përmes përdorimit të kalendarizimit të kontrollit social, duke kufizuar mundësinë e elitave lokale për veprim politik autonom. Ky rregull i transferimit apo qarkullimit të zyrtarëve lokalë, prekte të gjithë pa përjashtim, deri në shek. XVII.

Nga ana e tyre, timarmbajtësit të cilët synonin zotërime gjithnjë e më të mëdha, e perceptonin këtë sistem qarkullimi e transferimi, si meritokratik më tepër se sa kontrollues. Për këtë arsye timar mbajtësit e preferonin, madje e kërkonin trasferimin me dëshirë, me shpresën që timari i radhës do të ishte më i madh.

Për sa kohë, sheti osman shkoi duke u zgjeruar, këto pritshmëri në shumicën e rasteve plotësosheshin. Defteri i Sanxhakut shqiptar, i vitit 1431, si një nga regjistrat më të hershëm të njohur, dëshmon se sistemi i timarit u aplikua menjëherë, duke e transformuar gjendjen pronësore të feudalëve në këto zona, shumica e të cilëve ishin të krishterë.

Nevoja për të zgjeruar sa më shumë pronësinë shtetërore mbi tokën, e shtyu shtetin që të motivojë në mënyra të ndryshme feudalët e krishterë për të braktisur të drejtat e tyre pronësore në këmbim të sistemit të ri.

Pjesë e këtij kompromisi, ishte edhe ai që feudalët që u shndrruan në timar-mbajtës, të mund të vazhdonin të mbeteshin në fenë e krishterë. Mehmetit I iu desh të bënte kompromise të mëdha me këto dinasti lokale turke apo ballkanike, mbasi autoriteti i tij ishte dobësuar gjatë periudhës së interregnumit. Por, Mehmeti II (1451-81) dhe Selimi I (1512-20), që të dy e shndrruan qarkullimin në politikë shtetërore. Pati natyrisht, edhe përplasje e pakënaqësi që shpërthyen në mesin e anëtarëve të klasës feudale trashëgimtare dhe Mehmetit II në lidhje me këtë politikë të qarkullimit.

Aty ku shteti hasi në kundërshtimin e elitave feudale të fuqishme, u detyrua të bënte kompromis, duke i ndarë të ardhurat e këtyre pronave me zotërinjtë lokalë, por aty ku shteti ishte i fortë dhe elitat lokale më pak të rrënjosura, pronësia e dyfishtë nuk u zbatua.

Ky sistem i qarkullimit u bë mbizotërues në pjesën më të madhe të Ballkanit dhe Anadollit, duke e shndrruar një elitë autonome dhe me prona të trashëguara në pjesë të administratës shtetërore apo shërbëtorë të shtetit, edhe pse në shumicën e rasteve me zgjerim të pronave.

Në se analizojmë veprimin apo reagimin e fisnikërisë shqiptare ndaj një politike të tillë qarkullimi periodik elitash, vërejmë se mundësia e tyre për ta sfiduar këtë ishte e pakët dhe e pafryt.

Këtu bën përjashtim një figurë, e cila jo më kot ka tërhequr vëmendjen dhe interesin e autorëve të ndryshëm në shekujt e mëvonshëm, por edhe të bashkëkohësve, pra Skënderbeu.

Ajo që e bën të dallueshëm Skënderbeun në mesin e bashkëkohësve të tij, është pikërisht sfida që i bën kësaj politike të shtetit osman. Është ky qëndrim centrifugal, që rezultoi i suksesshëm për 24 vjet, që e shndërron Skënderbeun në një figurë historike që i qëndron edhe dekonstruksionit më të thellë.

Një studiues dekonstruksionist, apo më saktë e shqip, shprishës, mund të shprishë imazhin e Skënderbeut si atlet i një feje të caktuar, mund ta shprishë imazhin e tij si mbrojtës i Europës, mund ta shprishë edhe imazhin e një prijësi që u përpoq për një shtet kombtar si anakronizëm, por nuk mund ta shprishë faktin historik të qëndrimit të tij në të njëjtin territor, sikurse paraardhësi i tij.

Please follow and like us: