Albspirit

Media/News/Publishing

Mekanizmi i ri mbrojtës i BE

23 shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë vendosur që t’i japin jetë Permanent Structured Cooperation (PESCO) në fushën e mbrojtjes. Bëhet fjalë jo vetëm për një gjest politik dhe simbolik, por për një akt që hap një proces institucional dhe ligjërisht detyrues drejt një bashkëpunimi dhe integrimi më të madh në këtë aspekt.
Të gjithë shtetet anëtare aktuale të Bashkimit Europian, përveç Britanisë së Madhe, Irlandës, Danimarkës, Portugalisë dhe Maltës kanë njoftuar synimin për të aderuar në PESCO, lançimi i të cilit do të vendoset zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm i 11 dhjetorit. Aktivizimi i këtij modaliteti me integrim të diferencuar, parashikuar nga Traktati i Lisbonës nga viti 2009, përbën parasëgjithash një përgjigje politike si ndaj kërkesës për siguri më të madhe nga ana e qytetarëve europianë, ashtu edhe ndaj tendencave centrifugale dhe shpërbërëse që kanë pasur shprehjen e tyre maksimale me referendumin e Brexit-it.
Fakti që shumica dërrmuese e shteteve anëtare ka aderuar në iniciativë e forcon këtë valencë politike. megjithatë, aderimi në PESCO i qeverive si ajo hungareze apo polake, që deri më tani kanë demonstruar skepticizëm, në mos kundërshti, ndaj një forcimi të Bashkimit Europian, mund t’i detyrohet më shumë frikës se mos mbeten jashtë bërthamës së fortë të mbrojtjes europiane sesa një aderim të bindur ndaj këtij projekti politik.
Lidhur me numrin e vendeve aderuese në PESCO, kanë ndikuar impenjimet e nevojshme për t’u marrë për hyrjen në iniciativë, për një kohë të gjatë e negociiuar midis idhtarëve kryesorë të projektit, domethënë midis Parisit, Brukselit dhe Romës. Nga njëra anë Franca donte kritere më impenjuese, një “biletë hyrjeje” më të kushtueshme për të siguruar që PESCO të ishte një iniciativë vërtet ambicioze, në gjendje që të sigurojë një autonomi strategjike në përdorimin e forcës së armatosur dhe në zhvillimin e në prodhimin e pajimeve ushtarake të nevojshme – pavarësisht nga furnitorët joeuropianë, në radhë të parë amerikanë. Nga ana tjetër, Gjermania ka këmbëngulur në fakt mbi karakterin përfshirës të PESCO-s, në bashkëpunim edhe me institucionet e Bashkimit Europian, dhe mbi mundësinë politiko–strategjike për të mos përjashtuar vendet e Europës Qendrolindore nga procesi i integrimit në mbrojtje.
Pika e ekuilibrit është dashur të gjendet midis këtyre dy vizioneve, ka mundësi më afër me Berlinin sesa me Parisin dhe jo rastësisht “ambitious and inclusive” është binomi që ndeshet në dokumentat zyrtare që krijojnë PESCO-n. Dokumenta që bashkë me njoftimin e aderimit shikojnë një aneks të parë lidhur me parimet bazë të iniciativës, një i dytë lidhur me impenjimet detyruese të marra nga shtetet aderuese dhe një i tretë lidhur me qeverisjen e vetë PESCO-s.
Pikërisht karakteri institucional e diferencon PESCO-n nga pozicionimet e mëparshme politike në favor të Europës së mbrojtjes. Faktikisht në këtë rast zbatohen dispozitat e Traktatit të Lisbonës që parashikojnë impenjime detyruese, mekanizma verifikimi të impenjimeve të marra dhe mundësinë (e largët) e përjashtimit nga klubi PESCO i shteteve që nuk respektojnë kërkesat e fiksuara.
Veç kësaj, PESCO integrohet me institucionet ekzistuese, duke ua marrë forcën dhe duke i forcuar anasjelltas në një kuadër politiko–ushtarak më të qëndrueshëm, më unitar dhe më jetëgjatë. Përfaqësuesi i Lartë dhe Zëvendëspresidenti do të jetë plotësisht i përfshirë, edhe me përgjegjësinë e vlerësimit vjetor lidhur me ecurinë e PESCO-s. European Defence Agency (EDA), Shërbimi Europian i Aksionit të Jashtëm (SEAE), EU Military Committee – ky i fundit i kryesuar nga viti 2018 prej Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes italiane Claudio Graziano – do të shërbejnë si sekretariat për PESCO-n, ndërsa Komiteti Politik dhe i Sigurisë dhe Këshilli Europian do të mblidhen edhe në “format PESCO”.
Një inkuadrim i tillë institucional shërben pozitivisht qysh atëhere, duke shmangur që iniciativa të venitet nëse do të duhej të ndryshonin disa prej rrethanave politike që e kanë favorizuar. Dhe, gjëja më e rëndësishme, shërben si motor, me një shtytje të ndërthurur politike e teknokratike drejt integrimit më të madh, siç është eksperimentuar jo vetëm në aspekte të tjera, me logjikën funksionaliste, por edhe në fushën e mbrojtjes me procesin e përpunimit dhe zbatimit të EU Global Strategy – i të cilës PESCO është një prej fryteve më të rëndësishme.
Pikërisht pse PESCO është thellësisht e futur në kuadrin institucional të Bashkimit Europian, në konceptimin e saj sanksionohet lidhja e tij me dy iniciativa të tjera të rëndësishme në zhvillim. Nga njëra anë, Coordinated Annual Revieë of Defence (CARD), domethënë mekanizmi i koordinimit midis ministrave të Mbrojtjes së Bashkimit Europian për planifikimin e kapaciteteve ushtarake kombëtare, parashikuar nga EU Global Strategy dhe që do të zbatohet në 2018 me mbështetjen e EDA-s. Nga ana tjetër, European Defence Fund (EDF) i lançuar nga Komisioni Europian në fundin e vitit 2016 për të financuar kërkimin në fushën ushtarake brenda Bashkimit Europian, për herë të parë në historinë e këtij të fundit, dhe për të bashkëfinancuar projektet bashkëpunuese të zhvillimit dhe blerjen e pajisjeve që shikojnë pjesëmarrjen e të paktën dy shteteve anëtare. Disponimi i kombinuar i fondeve të Bashkimit Europian, i koordinimit ministror në kuadër të EDA-s dhe i shtytjes institucionale e politike PESCO përfaqëson vërtet një rrugëtim të ri e të përshkueshëm drejt mbrojtjes europiane.
Por një rrugëtim që ka nevojë për hapa konkretë që të realizohet. Bashkë me lançimin zyrtar me 11 dhjetor, hapat e ardhshëm do të jenë përpunimi i planeve kombëtare të zbatimit të PESCO-s dhe nisja pasuese e projekteve të përbashkëta për zhvillimin e kapaciteteve të reja ushtarake dhe/ose vënia në sistem e atyre ekzistuese.
Këtu do të jetë vendimtare të shmanget që PESCO të kufizohet në limitet e një kontenitori të thjeshtë projektesh të shtyra nga grupe të ndryshme shtetesh anëtare të koordinuar dobët midis tyre: rezultat që nuk do ta zgjidhte nevojën e forcave të armatosura europiane dhe as kërkesën për siguri të qytetarëve apo projektin politik e një Europe të mbrojtjes. Do të shërbejë për të paraqitur projekte serioze e ambicioze dhe për t’i ndërtuar përreth konsensusin e nevojshëm me qëllim që tërësia e vendeve më të mëdha të marrë pjesë me shumicë dërrmuese të projekteve. Me fjalë të tjera, do të shërbejë si një qendër graviteti për PESCO-n – ka shumë të ngjarë midis Parisit, Berlinit, Brukselit e Romës – dhe lidershipit politik për ta formuar, menaxhuar dhe evoluar në mbrojtjen europiane.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Please follow and like us: