Roli në rritje i Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis ndodhet në Lindjen e Mesme për bisedime të përqendruara në luftën kundër grupeve terroriste. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo, udhëtimi i shefit të Pengtagonit vjen nëdrsa zoti Mattis ndërmerr një rol më të rëndësishëm në politikën e jashtme të administratës së Presidentit Trump. Nuk është e pazakontë që një shef i mbrojtjes amerikane të takohet me udhëheqës e huaj. Por udhëtimi i fundit i zotit Mattis vjen ndërsa krahu diplomatik i qeverisë amerikane po dobësohet. Njoftimet e medias sugjerojnë largimin e Sekretari të Shtetit Rex Tillerson nga Departamenti i Shtetit. Kjo është goditja e fundit në një agjenci tashmë të dobësuar nga shkurtimet buxhetore ndërsa ngrirja e punësimeve ka dobësuar radhët e drejtuesve të lartë. Michael O’Hanlon është me Institutin Brookings. “Një administratë që dobëson qëllimisht krahun diplomatik të makinerisë së politikës së jashtëme, krijon në mënyrë të pashmangshme efekte të tjera”. Një prej këtyre efekteve mund të jetë edhe forcimi i mëtejshëm i rolit të zotit Mattis në politikën e jashtëme amerikane. Zoti Mattis shihet nga të huajt si një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë. Megjithëse i është dashur të manovrojë postimet ndonjëherë të paparashikueshme në Twitter të zotit Trump, deri tani duket presidenti e vlerëson sekretarin Mattis. Është një model për zotin Trump, i cili ka theksuar një politikë të jashtëme të udhëhequr nga një gjeneral ushtarak. Ish udhëheqës të tjerë ushtarakë mbajnë disa poste kryesore, përfshi këshilltarin e sigurisë kombëtare dhe shefin e kabinetit. “Shqetësohem se përpjekjet sistematike të administratës së Presidentit Trump për të dobësuar Departamentin e Shtetit nuk janë të arsyeshme”, thotë analisti Michael O’Hanlon. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë këmbënguli të enjten se zoti Tillerson ka besimin e Presidentit Trump.