Ditmir Bushati: Çfarë presin shqiptarët nga BE në 2018?
Teksa po i afrohemi nisjes së presidencës bullgare të BE-së, e cila përkon me një intensifikim të marrëdhënieve midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor gjatë dy viteve të fundit, bëhet gjithmonë e më e qartë që kjo periudhë do të jetë vendimtare për shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim.
Në Shqipëri, ne kemi ndërmarrë me sukses disa hapa të rëndësishëm në 2017-n. Kaluam unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë një reformë të paprecedent në sistemin e drejtësisë, e cila ndryshon radikalisht Kushtetutën tonë, duke ngritur për herë të parë një procedurë të re vetingu për sistemin e drejtësisë.
Pavarësisht pengesave të shumta dhe një rezistence kokëfortë, nisëm zbatimin e reformës në drejtësi duke ngritur komisionet e vetingut, të ndihmuar edhe nga Bashkimji Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Unë besoj se ajo që kemi arritur deri më tani përfaqëson një platformë të rëndësishme për punën e mëtejshme në kornizën e bisedimeve të anëtarësimit, për kapitujt 23 dhe 24 dhe besoj se e gjithë kjo na bën të gatshëm për të ecur më tej në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Reforma në drejtësi do të ketë një ndikim të drejtëpërdrejtë në rendimentin tonë në fusha të tjera, si lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar.
Reforma të tilla të thella përballen shpesh me qëndresë dhe mosbesim. Por, përkundër të gjithë parashikimeve, ne jemi të vetëdijshëm që nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër. Shqipëria prej kohësh ka treguar një vazhdimësi dhe qartësi strategjike në orientimin e saj Euro-Atlantik. Mosshikimi i kësaj pikëpamje strategjike do të ishte një gabim fatal dhe thjesht, nuk mund të jetë një opsion.
Strategjia Globale e BE, e publikuar një vit më parë, njeh se një politikë zgjerimi e besueshme përbën një investim strategjik për sigurinë dhe mirëqenien e Europës. Në Ballkanin Perëndimor, kjo qasje ka ndikuar prej kohësh në stabilizimin, paqtimin dhe progresin e rajonit.
Nuk është idealizmi ai që i bën qytetarët e Shqipërisë entuzistë rreth Bashkimit Europian. Është realizmi, njohja e interesave tanë të përbashkët, perspektiva e një paqe, sigurie, mirëqënie dhe mirëqëverisje të qëndrueshme. Një bashkëpunim më i ngushtë midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor përbën garancinë më të mirë për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në këtë kënd të Europës.
Në Shqipëri, ne presim që BE të njohë potencialin tonë për të qenë partner, duke hapur bisedimet e anëtarësimit në pranverën e 2018-s.
Ne jemi të vetëdijshëm që hapja e bisedimeve do të jetë thjesht fillimi i një procesi mësimi të gjatë dhe sfidues. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që do të nevojitet ende kohë, kohë të cilën ne duam ta shfrytëzojmë për të transformuar më tej vendin tonë në çdo drejtim të mundshëm dhe për afrimin e qytetarëve tanë më pranë Europës. Nëse do të shtyjmë më tej hapjen e negociatave, do të jetë e vështirë që të bindim të rinjtë mbi përfitimet e integrimit europian; realisht do të nevojiten më shumë se pesë dekada për vendet e Bashkimit Europian për t’u ngritur në standardin e Europës Perëndimore dhe të rinjtë tanë, në mënyrë të kuptueshme janë të paduruar.
Megjithatë, nga Brukseli dhe rajoni në vetvete vijnë lajme të mira, të cilat na bëjnë të kemi arsye për optimizëm. Gjatë katër viteve të shkuara, të udhëhequr nga energjitë e investuara në Procesin e Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar për të rrëzuar çdo barrierë për tregtinë e lirë, duke nxitur zhvillimin e ekonomisë ndër-rajonale. Në korrik të këtij viti, në Trieste ne u dakordësuam për themelimin e Zonës Ekonomike Rajonale. Ne presim që ky hap të rrisë shkëmbimet tregtare, duke çliruar energji të ndrydhura në të mirën e të gjithë ekonomive tona.
Ne mirëpresim faktin që Bullgaria e ka cilësuar Ballkanin Perëndimor një përparësi kyçe të presidencës së saj të këshillit dhe besojmë se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë të një rëndësie vendimtare për ne. Komisioni Europian do të prezantojë strategjinë e tij të zgjerimit në shkurt 2018 dhe ne presim që ky dokument të paraqesë një vizion të qartë mbi atë që do të bëhet me Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti, me Shqipërinë.
Ne gjithashtu shpresojmë të marrim një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në raportin e prillit të Komisionit Europian dhe presim që Këshilli i ardhshëm i BE në muajin qershor të marrë vendimin për hapjen e bisedimeve. Çdo vendim i ndryshëm do të përfaqësonte një shans të humbur.
Disa muaj më parë, Presidenti Junker nisi fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e Unionit duke theksuar nevojën për një perspektivë të besueshme zgjerimi për Ballkanin Perëndimor, çka do të garantojë më shumë qëndrueshmëri në periferinë e BE-së.
Disa javë më pas, Presidenti Macron i bëri jehonë të njëjtës pikëpamje. Kemi mirëpritur ato deklarata, pasi mbetemi thellësisht të bindur se rigjallërimi i politikës së zgjerimit do të shërbejë si një katalizator për zhvillimin e mëtejshëm, e njëkohësisht do të përbëjë një deterrent për të kundërshtuar narrativën e dizintegrimit të nxitur nga idetë populiste dhe nga propaganda e aktorëve të tretë anti-europianë.
Ne i kemi mëshuar gjithmonë bindjes se secili vend duhet të jetë në gjendje që të ecë përpara me shpejtësinë e tij individuale drejt integrimit europian, në përputhje me kapacitetet, shpejtësinë e reformave dhe vazhdimësinë e përmbushjes së angazhimeve europiane. Ndaj, i kërkoj partnerëve europianë që të shohin progresin që Shqipëria ka bërë, duke na akorduar një përspektivë dhe një udhërrëfyes të qartë për integrimin tonë europian. Marrë nga Euractiv