Zbulohet korrespondenca mes Kamysë dhe Pasternakut
“Eshtë e pavërtetë të thuhet se kufijtë nuk ekzistojnë. Ata ekzistojnë, përkohësisht. Por në të njëjtën kohë ekziston një forcë e krijimtarisë dhe së vërtetës që na bashkon, në përulësi dhe në krenari njëkohësisht”
Disa muaj pasi Alber Kamy (7 nëntor 1913 – 4 janar 1960) mori çmimin Nobel në letërsi në vitin 1956 – i cili e shtyu t’i dërgonte një letër të bukur mirënjohjeje mësuesit të tij të fëmijërisë – ai i shkroi poetit dhe përkthyesit të madh sovjetik, Boris Pasternak (10 shkurt 1890 – 30 maj 1960).
Kamy ishte rritur i magjepsur me veprën e Pasternakut, për shumë arsye – elegancën intelektuale, mendimin kritik, një shpirt të pavarur – që e kishte bërë qeverinë sovjetike të ruante një sy censure mbi shkrimtarin, si dhe të kërcënonte vazhdimisht liritë e tij civile.
Duke qenë i njohur me miqësitë e pazakonte, Kamy po shtrinte dorën e tij përtej Perdes së Hekurt, përtej barrierave të gjuhës, kulturës, politikës dhe moshës, me një dhuratë bujare vlerësimi dhe inkurajimi, për një njeri, të cilin nuk e kishte takuar kurrë, por që e ndiente, thellë brenda tij, si një shpirt të ngjashëm. Pasternak, pothuaj një çerek shekulli më i madh se Kamy, iu përgjigj me një pasqyrim po aq bujar admirimi.
Korrespondenca e tyre të kujton rrethin virtuoz të vlerësimit reciprok mes Tomas Manit dhe Herman Heses.
Në 9 qershor 1958 – pak pasi botimi në frëngjisht i Doktor Zhivagosë së Pasternakut, dhe vetëm disa muaj pasi vetë Pasternaku kishte marrë edhe ai Çmimin Nobel në Letërsi, që Partia Komuniste e poshtëruar e Rusisë e detyroi të mos e pranojë – Kamy shkruan:
“I dashur Boris Pasternak,
René Char, që është miku im, më dha adresën tuaj, sepse ai e njeh miqësinë dhe admirimin që unë kam ndjerë prej një kohe të gjatë, për veprën tuaj, si dhe njeriun që ndihet se jeton brenda saj. Doja vetëm të të dërgoja një tekst të shkurtër, rëndësia e vetme e të cilit është ajo e një shenje të largët, por besnike, vlerësimi për ju. Pak prej nesh në Francë ju njohin, që ndajnë jetën tuaj, në një farë kuptimi. Unë, që nuk do të isha asgjë, pa shekullin e nëntëmbëdhjetë të Rusisë. Unë gjej tek ju, edhe një herë, Rusinë që më ushqeu dhe më dha forcë. Eshtë e gënjeshtërt të thuhet se kufijtë nuk ekzistojnë. Ata ekzistojnë, përkohësisht. Por në të njëjtën kohë, ekziston një forcë krijimi dhe e të vërtetës, që na bashkon të gjithëve, në përulësi dhe krenari njëkohësisht. Kurrë nuk e kam ndjerë më shumë këtë gjë, se sa kur kam lexuar veprën tuaj, dhe do të doja të shprehja mirënjohjen dhe solidaritetin tim. Ju dërgoj përshëndetje të ngrohta ju dhe familjes tuaj, për veprën tuaj dhe kombin tuaj të madh. Ju shtrëngoj dorën.
Alber Kamy
…
Shtatëmbëdhjetë ditë më vonë – një hapësirë e tillë kohe për shkak të mbikëqyrjes së fortë të korrespondencave të huaja në Rusinë sovjetike – Pasternaku e sheh bujarinë e Kamysë dhe e ngre atë në një letër të bukur që e la të pafirmosur, në rast se ajo bie në duart e censuruesve të qeverisë:
“I dashur Z. Kamy,
E kam të vështirë t’u besoj syve që po ju shkruaj ju, Z. Kamy. Një faqe e re është hapur në jetën time, ajo e të fituarit të pretekstit, të drejtës, mundësisë, që t’ju tregoj ju kënaqësinë dhe mirënjohjen time, për nuancën speciale në lojën e mendimit të sotëm universal, t’ju them pra, se për këtë ju detyrohemi vetëm ju.
[…]
Rrallëherë kam kohën të lexoj atë që më pëlqen dhe më intereson. Kafka, Faulkneri, ende të palexuar, presin për mua që t’i marr nga rafti i librarisë. “Kujtimi i gjërave të shkuara” është grisur në fundin e “Sodomës dhe Gomorrës”. Unë ngazëllehem. Ju përgëzoj që shkruani një prozë, leximi i të cilës shndërrohet në një udhëtim të vërtetë: vizitoj vendet që ju përshkruani, përjetoj situatat e lidhura me to, i ndiej ato njësoj si personazhet kryesorë… Miqësia ime e re, nëse më lejoni ta them këtë, me ju… është një lumturi e parrëfyeshme, dhe një magji, një përrallë. Unë rrok frymëmarrjen e pakapshme të kopshtit në agim. Unë dua të ndiej misterin e eklipsit të gjelbër të gjethnajës së dendur, dhe mendoj për René Char, që është të gjitha këto. Ose përndryshe, meditoj për origjinalitetin absolut të një arti, dhe të asaj që është detyra e artit, jo filozofi – rrokja e esencës së jetës dhe shprehja e qartë e saj… Dhe ju jeni në ankth për atë që mund të më ndodhë mua, dhe harroni se asnjë çmim nuk është i mjaftueshëm për këtë miqësi të re, e cila është pafundësisht me vlerë të jetohet, e madje edhe të vuash për të. Faleminderit, faleminderit për gjithçka.
Kur Pasternak vdiq nga kanceri në mushkëri dy vjet më vonë – më pak se pesë muaj pasi Kamy ndërroi jetë në një aksident rrugor me një biletë treni të papërdorur në xhepin e xhaketës – funerali i tij u shpall përmes postimeve ilegale në metronë e Moskës. Admiruesit e shumtë rrezikuan edhe telashet me KGB-në dhe ushtarakët sovjetikët, vetëm që të udhëtonin për në funeralin që do të zhvillohej në kasollen e Pasternakut në fshat./Përgatiti: Bota.al/