Ai që djeg në Gjermani Yllin e Davidit nuk mbrohet nga liria e mendimit
Gjermania është një vend i hapur dhe tolerant. Por ai që do të jetojë në Gjermani duhet të bjerë dakord me konsensusin e vlerave tona. Këtu bën pjesë luftimi i antisemitizmit, mendon kryeredaktorja e DW, Ines Pohl.
E drejta për të demonstruar ka në Gjermani një mbrojtje shumë të madhe. Vetëm me kushte shumë të përcaktuara mund të kufizohet kjo e drejtë. Në përputhje me këtë, demokracisë sonë i duhet të durojë herë pas here që në rrugët e Gjermanisë lëshohen edhe parulla, të cilat në thelb janë antidemokratike. Për shembull “të huajt jashtë”. Përmes diktaturës naziste vendi ynë mësoi në mënyrë shumë të dhimbshme se ku mund të çojë situata kur shteti u mbyll gojën kritikëve të tij dhe kur thjesht e ndalon protestën në rrugë. Prandaj është një akt i vetëkuptueshëm kur demonstrojnë kritikë të qeverisë së Merkelit ose kur palestinezët në Gjermani lejohen të shprehin zemërimin e tyre për zhvendosjen e planifikuar të ambasadës së SHBA për në Jeruzalem.
Vendi i dorasve nuk duhet t’i mbyllë asnjëherë sytë
Por historia jonë nuk na vë si detyrim që të lejojmë pa kufi gjithçka. Përkundrazi. Gjermania është përgjegjëse për masakrimin e të paktën gjashtë milionë hebrenjve. Dhe pavarësisht sa kohë kanë kaluar nga Holokausti: në luftë kundër antisemitizmit Gjermanisë i duhet të përmbushë për të gjitha kohërat një detyrë. Vendi i dorasve nuk lejohet t’i mbyllë sytë asnjëherë. Askund dhe aq më tepër në Gjermani.
Prandaj nuk duhet pranuar në asnjë rrethanë që në Gjermani të digjen flamuj me Yllin e Davidit. Njerëzit që kërkojnë mbrojtje këtu, të cilët duan të gjejnë në Gjermani një atdhe të ri, duhet t’i përmbahen kësaj. Ka gur themeli të bashkësisë sonë të vlerave, për të cilat nuk negociohet.
Vendi i imigrantëve Gjermania
Në shoqëri të tjera mund të jetë e zakonshme djegia e flamujve, për të çnderuar kundërshtarin. Kushtetuta gjermane qëndron në këmbë nga respekti ndaj të tjerëve dhe nga mbrojtja e minoriteteve. Edhe nëse nuk futet në veprat penale, nuk duhet pranuar, kur digjen flamuj turq, rus, amerikanë ose të Arabisë Saudite. Pavarësisht sa të forta mund të jenë kritikat kundër qeverive të vendeve të veçanta.
Bashkëjetesa në një vend imigrantësh si Gjermania ka vetëm atëherë një të ardhme, kur nuk i harrojmë kurrë mësimet e historisë sonë specifike. Dhe ai që nuk ndihet i detyruar ndaj kësaj trashëgimie, nuk mund të gjejë këtu të ardhme. Kjo nuk është e negociueshme./DW/