Albspirit

Media/News/Publishing

DEKLARATA E PRESIDENTIT TRUMP PËR JERUZALEMIN

-Pyetja e fundit që mund të bëhet për deklaratën e Presidentit Trump është se a  mundet që  kjo deklaratë të prodhojë më shumë terrorizëm se më parë?/

 

NGA ASLLAN BUSHATI/

Para disa ditësh, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ritheksoi  e firmosi (në mënyrë identike) një deklaratë të Presidentëve të mëparëshëm amerikan: Klinton, Xhorxh  W  Bush dhe Obama se: SHBA-ja, do ta trasferojë selinë e Ambasadës së SHBA-së  në Izrael ,nga  Telavivi për në Jeruzalem. Kjo sipas  Presidentit  Trump , do të bëhet  në një kohë të përshtatëshme pasi të jene  siguruar vendi, mjetet financiare  dhe ndërtimi i selisë. Firmosja e këtij akti (që nënkupton edhe  njohjen nga SHBA të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit), shkaktoi një “ furtunë” diplomatike dhe mediatike duke e quajtur atë nje herezi për të mos thënë  një “cmenduri” të Presidentit. Si shqiptaro-amerikan, si  vatran si opinionist në shtypin e përditshëm dhe si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare ndiej si  një detyrim moral të cfaq opinionin tim për këtë problem i cili mund të konsiderohet tashmë madhor.

Për të patur një qasje më të thjeshtë të shkrimit, do të preferoja  përdorimin e metodës  së katakizmit ku pyet vetë  dhe përgjigjesh  vetë. Kështu pyetja e parë që më vjen në mendje  është: kjo deklaratë dëgjohet tani për herë të parë, apo ishte thënë edhe herë të tjera? Përgjigja është: po ishte thënë  edhe më parë nga presidentët e përmendur më lart (të cilët nuk e bënë realitet), por edhe nga Presidenti Trump në fushatën elektorale të vitit 2016. Atëherë  sipas një llogjike të thjeshtë, Presidenti  nuk ka bërë asnjë “cmenduri”, por po mban një premtim electoral. Por këtu duhet theksuar  një gjë shumë specifike  madje dhe e rëndësishme se: Zoti Trump nuk erdhi  në krye të Shtëpisë Bardhë i formatuar e “stërvitur” nga asnjë lloji karjere politike, por erdhi si një President ndryshe e larg  formësimit  burrokratik. Ai pikrisht për këtë “President ndryshe” u votu nga elektorati amerikan,  sepse amerikanët ishin “ngopur” me rrumbullakosjet e veprimet brenda trasese politiko- diplomatike shumevjecare.

Pyetja e dytë mund të jetë: këtu brenda SHBA-së, firmosja e këtij dokumenti  tani , a ka ndonjë arsye tjetër?  Mendoj se po. Sepse në të dy krahët e politikës ka një komunitet të madh hebre, i cili luan një rol të rëndësishëm në biznes, Kongres, Senat, strukturat qëndrore  e lokale të shtetit. Ata  janë të interesuar për zbatimin e këtij dokumenti presidencial, sepse janë të zhgënjyer nga prentimet  boshe të  mëparshme. Kështu me këtë lëvizje Presidenti Trump, fiton pikë dhe  siguron më shumë garanci në Kongres e Senat për votimin e premtimeve të tjera elektorale.

Po Jeruzalemi cfarë përbën për botën, hebrejt, palestinezët etj ?  Për botën ai është  hapsira ku ndodhen  tri  vendeve më të shenjta të kulteve të njerëzimit. Si i tillë ai kërkohet që kjo pasuri botërore  e kulteve, të ruhet e administrohet  sa më mirë që të jetë e mundur. Por të  sherbej edhe si vend peleglinazhi,  në paqe të përhershme, në  cdo kohë e për gjithkënd.

Për hebrejt (izraelitët), Jeruzalemi ,dihet ( dhe pranohet  botërisht) se   si vendbanim njerëzish,  më së pari është  krijuar e formësuar  prej tyre , pra hebrejve. Por në  tri mijë vitet e fundit ai më pak ka qenë në paqe dhe më shumë në luftë. Pushtuesit kanë filluar  me egjiptianët …palestinezët,.. romaket… etj dhe në shekujt e fundit.., turqit, anglezët e izraelitët. Marrë shkas nga faktet historike të të qënit formues të këtij vendibanimi nga hebrejt, por edhe nga fakti se palestinezët jetojnë ne ato troje (edhe nën pushtimin e të tjerëve) për gati dy mijë vite,  OKB-ja  në 1947-tën vendosi për krijimin në atë hapsirë të Autoritetit  Palestinez dhe Shtetit të Izraelit.

Por harta  e vend banimeve të këtyre dy etnive, si rezultat i luftrave , cvendosjes dhe kolonizimeve ka ndryshuar disa herë deri tek gjendja aktuale.Në këto kushte të pas 70 viteve, Izraeli e njeh politikisht  Autoritetin Palestinez në klauzolat e shtetit indipendent, në se edhe  ata  në të njejtën kohë e njohin Izraelin si shtet independent dhe fqiun e tyre. Kurse  Autoritetit  Palestinezët nuk e njeh fare  ekzistencën e Izraelit  si shtet. Kjo ka bërë që  OKB-ja ta njoh  Izraelin si anetar të saj me të drejta të plota dhe Autoritetin Palestinez me statusin e vëzhguesit nën  përfqësimin e Organizatës për Clirimin e Palestinës (OCP), sepse shumica e antarve të OKB-së nuk e njohin  Autoritetin palestinez.

Parë më gjërë, e drejta historike dhe shtet formimet, nuk përkojnë me njera-tjetrën . Shtet formimi nuk njihet (prevalohet) mbi të drejtën historike, por mbi gjendjen aktuale të popullsisë së  vendbanimit. Aktualisht sot tre të katërtat (pjesa perendimore) e Jeruzalemit janë të banuara nga izraelitët  dhe një e katërta (pjesa lindore )nga palestinezët.

Po  vecmas për palestinezët cfarë është Jeruzalemi? Ai është  kryeqender e tyre dy mijë vjecare e njohur edhe me një dokument  të  OKB-së që  të vitit 1947-1948.  Por harta e vendbanimeve në ditët e sotme, (sic u përmend edhe më lart),  ka psuar ndryshime të mëdha demografike nga ajo e 1947-1948-tës. Realiteti në teren flet për një shtrirje të vendbanimeve izraelite  në përmasat që  nuk e pengojnë atë aspak ta shpall dhe ta bëjë realitet Jeruzalemin Perendimor  kryeqytet të Izraelit.

Atëherë a mund të ishte një zgjidhje e pranueshme që pjesa lindore e Jeruzalemit të shpallej dhe të pranohej nga të dy palët si kryeqytet i  Autoritetit Palestines dhe pjesa perendimore po ashtu  si kryeqytet i Izraelit? Pse jo. Aktualisht në pjesën perendimore janë të vendosura disa ministri dhe institucione të rëndësishme të Izraelit dhe cfarë do ti shtonte apo ti hiqte peshës së  ketij qyteti  lëvizja e Ambasadës Amerikane nga Telavivi në Jeruzalemin perendimor? Nga pikpamja formale asgjë. Nga pikpamja diplomatike po, sepse përfaqësitë diplomatike vendosen ne kryeqytetet e vendeve ku atashohen. Po praktikisht a mund të jetonin, të funksiononin dhe të punonin pa penguar njeri-tjetrin dy kryeqetete të dy etnive të ndryshme(izraelite e palestineze) në Jeruzalem? Prirem të besoj se në se do të vendoset paqe e qëndrueshme  dhe e garantuar nga OKB-ja, pse jo, madje të ishte një shembull i madh për civilizimin e ardhshëm botëror.

Po europianët a friksohen dhe pse , nga deklarata e Presidentit Trump? Po. Ata realisht e kanë një arsye madhore me praninë  e shumë  refugjatëve nga lufta në Irak , Siri e Libi. Në këto kushte ata   mendojnë se mund të ketë trazira  të reja  në lindjen e mesme të cilat do të  prodhojnë  kontigjente të rinj refugjatësh dhe problemi  do të bëhej i pa përballueshëm për to. Kjo qëndron ,por pyeta shtrohet pse duhet të ketë trazira kur nga pikpamja formale asgjë nuk po  ndryshon. Trazirat nuk ja zgjidhin problemin as palestinezëve, as izraelitëve dhe as atyre që fishkëllejne  a bërtasin si spektatorë.

Po Rusia, Turqia dhe Irani, pse turfullohen kaq shumë për deklaratën e Presidentit Trump? . Mendoj se   së pari ata i bashkojnë disa interesa  të ngushta  anti amerikane në Lindjen e Mesme ,sepse secila vec e vec , por dhe në tërësi (si bashkësi në formim), duan ta dominojnë rajonin. Cdo përpjekje amerikane  për ta fuqizuar Izraelin ose vetëm thënia e idesë  se ceshtja e Kurdistanit ekziston dhe se heret a vonë do të bëhet nje realitet i prekshem sic u bë Izraeli para 70 viteve, atyre ju lëvizin “pllakat tektoinike”.

Po shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Maltë Zi, si ta  vlerësojnë  deklaratën e Presidentit Trump, në një kohë që kerkojnë ti bashkangjiten BE-së dhe kjo e fundit nuk e mbështet atë. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për rrugën dhe qëndrimin  pro amerikan. BE-ja ka punët e veta dhe vështirësitë e panumërta, sic shpesh është e pa zonja të marrë vendime të shpejta, të drejta e të bashkrenduara me të gjithë partnerët. Por BE-ja është hapsira të së cilës i përkasim, gjeografikisht, politikisht, kulturalisht etj, pra është shtëpia jonë natyrale. Kurse deklarata kundërvënëse që Kryeministri Edi Rama , i bëri BE-së se në qoftë se ju nuk na pranoni në gjirin tuaj, ka edhe opsione të tjera ruse, kineze a turke, në këndshikimin dhe gjykimin tim, është krejt e pa kuptimtë për të mos përdor ndonjë konotacion më negativ. Opsionet lindore  ne shqiptarët i kemi provuar dhe kanë rezultuar fatale si me turqit, rusër dhe kinezët.

Por shqiptarët janë me të drejtën e zotit t’ju bëjnë me dije izraelitëve se në kohërat më të vështira për ju, ne si komb ju kemi mbrojtur duke rrezikuar vehten dhe familjet tona. Tani është radha juaj të njihni pa asnjë  ekuivok pavarsinë e Kosovës. Po ashtu, lypset t’ju bëhet me dije palestinezëve, se për disa dekada në periudhën e  shtetit totalitar, ju kemi mbrojtur, ndihmuar, madje  kemi stërvitur ushtarakisht  kuadrot tuaj të “AL Fatahut” (ne kundershtim me te drejten nderkombetare). Tani është koha të reagoni dhe të njihni pavarsinë e Kosovës.

Pyetja e fundit që mund të bëhet për deklaratën e Presidentit Trump është se a  mundet që  kjo deklaratë të prodhojë më shumë terrorizëm se më parë? Mendoj se jo. Terrorizmi ka ekzistuar , ekziston dhe do të vazhojë të ekzistojë edhe një perudhë kohe, por intensitetit i tij mendoj se do të vijë duke u ulur. E them këtë se besoj shumë tek demokracia, prosperiteti, zhvillimi, qytetërimi e arsimimi i popujve, shoqërive, organizmave, organizatave e institucioneve të  ndryshme të cdo vendi. Shkurt besoj se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më  tolerante , agresiviteti e ekstremizmi  fetar do të  ulet dhe një shpërndarje më e mirë e të ardhurave do të bëhet i prekshëm për këdo.

Please follow and like us: