Kush mund (duhet) të quhet “dhjetorist”?
Megjithëse për shumëkënd, sot pas 27 vitesh, do të ishte e pakuptimtë që të jepen pa pasur arsye të forta kontributi, të tilla emërtesa- tituj-medalje, jemi të mendimit se do duhej të kishim dhe një përkufizim të qartë, arsye cilësimi, motivacion për t’u quajtur i tillë.
Ende, për arsye për ne të qarta, ajo që ndodhi dhe Historia që pasoi, nuk është pasqyruar drejt e me fakte në shtypin tonë. Ka shumë gjoksrrahësa, shumë kalorësa të mllefit apo të smirës që shajnë apo mburren, por rrallë jepen fakte apo gjykime bazuar në to, për atë që pjesëmarrësit e publiku panë me sytë e tyre, e aq më pak për çka u bë prapa perdeve (para e pas ditëve të dhjetorit).
Në pritje të saj, një gjë është e sigurt…socializmi falimentoi e u shemb në Tiranë, sepse u shemb dhe jo vetëm këtu tek ne, por dhe si sistem botëror. Çdo akuzë që ju bëhet atyre që kontribuuan për të rrëzuar kufomën që po qelbej, të komunizmit specifik shqiptar, është absurde, me sa duket për nostalgji për jetën e shkuar kot e turpshëm, për mungesë kuraje, për harakiri e pendesë, sepse ajo që ndodhi është pjesë e historisë e nuk kthehet prapa, por edhe nuk duhet të harrohet.
Qysh nga rrëzimi i Murit të Berlinit, vrasja e Çausheskut e deri në dhjetor ’90, Ramiz Alia u përpoq të dredhonte e t’i bënte bisht realitetit ekonomik e politik të vendit. Injoroi presionin nga jashtë dhe përbuzi ëndrrat e kërkesat e shqiptarëve për ndryshim (një shembull ambasadat).
Për bindjet e mbrapshta dhe interesat, apo edhe siç thonë të tjera nga mos pasja e kurajës për t’u ndeshur me ata që i quante konservatorë. Ai nuk dëshironte ta bënte burrërisht lëvizjen e ndryshmit dhe pas dështimit të një tentative në shtator me studentët e Mjekësisë, luajti teatër me studentët e Inxhinierisë, duke vënë krerët e organizatës së rinisë të vinin një “fletë rrufe” me kërkesa ekonomike: ngrohje, batanije e përmirësim të ushqimit.
Kjo ndenji nja dy javë varur deri sa u përgjigj Qeveria dhe drejtuesit e rinisë në qendër dhe u bë një takim i parë që vijoi po me Ramiz Alinë. Po atë mbrëmje u fikën dritat e pati trazira e protesta nga studentët te konviktet, u rrah nga policia një vajzë dhe të nesërmen studentët marshuan deri tek Liceu Artistik, që ishte një vijë e kuqe e caktuar nga Partia për “drejtuesit” e protestës, të cilën e kapërcyen një grup studentësh e për pasojë protesta u bë mbarëqytetare. Sheshi i sotëm Demokracia u bë ato ditë të ftohta dhjetori arena e protestave të studentëve e qytetarëve të Tiranës në mbështetje të tyre.
Më datë 10, më aktivët dhe me bindje kundër regjimit, vunë një Fletë Rrufe ku kërkonin dhe ndryshime thelbësore politike: pluralizëm politik dhe krijimin e Organizatës së Pavarur Demokratike të Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj çka tregon se diçka po lëvizte kundër regjimit. Të nesërmen Ramiz Alia u trimërua, bëri një Plenum, largoi disa nga drejtuesit dhe “lejoi” … në dobi të pluralizmit organizatat politike të pavarura.. (fjalën PARTI nuk e gëlltisnin dot).Më darkë Ai u takua me një delegacion studentësh e pedagogësh, ku ndër të tjera i nxiti për atë organizatë (për të cilën ai kishte filluar përgatitjet kohët e fundit). Është mjaft kuptimplotë të shënojmë se atë natë, kur në shesh përpara dhjetëra- mijëra studentësh e qytetarësh të Tiranës, u dëgjua biseda e takimit, atyre që brohorisnin e kërkonin Parti Demokratike ju tha haptazi: “kush do parti tjetër të shkojë në vend tjetër”.
Të nesërmen më 12 Dhjetor, intelektualë e studentë, në kushte legaliteti, themeluan një parti; e quajtën demokratike pas debateve, një emër me simbolikë të qartë dhe e shpallën në mitingun historik të studentëve dhe qytetarëve të Tiranës. Ata që e festojnë më 11 janë thjesht falsifikatorë të historisë, por jo pa qëllim në këtë sjellje apo pa interesa të tyret.
Kjo histori tashmë dihet dhe është e dokumentuar: në fjalime, në dokumente të PPSH-së e të Qeverisë Çarçani, në programe të PD-së, në kujtime të protagonistëve, por sigurisht, pavarësisht këtyre ka vend edhe për kërkime të mëtejshme.
Ka përherë në çdo fundviti shtrembërim të së vërtetës, fshehje e mohim të ndodhive, heronj e bajlozë të rremë, shpifje e fyerje, kur gjithçka u bë sheshit e dihet, e dëshmitarët janë ende gjallë, ani pse sot nuk e thonë gjithë të vërtetën e vetëm atë. Sigurisht që pati të infiltruar qysh nga fundi i nëntorit, gjatë protestave, pas krijimit të PD-së, pati udhëzime dhe presione nga PPSh e njerëzit e saj, dhe kjo është histori…ashtu dhe ….që dëmtoi e deformoi tranzicionin e që brenda pak viteve e ktheu në zvarritje.
Le të kthehemi te arsyeja e këtij shkrimi, pra: kush mund të quhet, sidomos sot, dhjetorist?
Përgjigjja e parë është: ai/ata, që u vetngritën ato ditë për të ndryshuar vendin, për të përmbysur diktaturën, jo vetëm ato ditë, por që për një farë kohe vazhduan, për aq sa duhej, që të bëhej realitet kjo gjë. Nëse të gjithë ata që dolën në shesh ato ditë heroike do të quhen të tillë, janë aq shumë sa që nuk ka më vlerë si cilësor; është i panevojshëm dhe, nëse do i caktojnë Qeveritë (aq më tepër sot pas 27 vitesh) është qesharake…sidomos kur në mendjen e tyre ëndërrojnë e imitojnë diktaturën. Kjo do të mund të kuptohej veç si një përpjekje e qëllimtë për tëpërdhosur “dhjetorin” nga mllefi për të.
Ata që u përpoqën në atë Dhjetor për ndryshimin e madh njihen e dihen. Nuk mund të jenë dhjetorista ata që adhurojnë kohën e Ramiz Alisë e që zhgënjyen njerëzit që u shkuan pas në dhjetor.
Pastaj, mjaft më me tituj…dekorata, .se për shqiptarët janë pa asnjë vlerë morale, pikërisht për faj të atyre që i japin në mënyrë kaq dorëlëshuar. Sot janë nder i kombit edhe skënderbegas, shqiponja e flamurtarë etj., edhe njerëz të nderuar e atdhetarë, por edhe vrasës e spiunë. Shumë prej këtyre që nuk meritojnë të përmenden e të nderohen njihen; emrat e tyre u janë vënë shesheve, rrugëve, shkollave dhe u ngrihen buste e shtatore (por pa u vënë revolet). Nuk janë të pakët dhe prej tyre nuk ta bën zemra të nderosh edhe ata që e meritojnë këtë, pse ranë e punuan për Atdhe e përparim e për njerëzit.