Miranda Vickers: Ramiz Alia dhe revolucioni që nuk ndodhi
Në 1990 mediat europiane botonin në titujt kryesorë një fjali tejet dramatike: “Rrëzohet dominoja e fundit në Europën Lindore, Shqipëria në humnerë”. “Rrëzohet bastioni i fundit i stalinizmit”.
Mediat ndërkombëtare po paralajmëronin përhapjen e dhunës së përgjakshme për rrëzimin e regjimit të Ramiz Alisë brenda 6 javësh.
Revista amerikane, “Newsweek” shkruante se Shqipëria ishte në prag të revolucionit.
Siç e dimë tashmë, ky revolucion nuk ndodhi asnjëherë. Por, pse mediat perëndimore gabuan kaq shumë?
Së pari, Shqipëria ishte një entitet i panjohur jo si vendet e tjera të bllokut komunist, dhe së dyti, përveç disa grupe shqiptarësh në diasporë, nuk kishte ekspertë perëndimorë të informuar dhe të aftë për të bërë një koment të kujdesshëm për situatën e cila ndryshonte aq shpejt.
Ky fakt çoi drejt një konfuzioni dhe keqinterpretimi të asaj që po ndodhte vërtet në Shqipëri.
Në janar të 1990-s u regjistruan trazira në Tiranë, Kavajë dhe ndonjë qytet tjetër, por situata më serioze ishte ajo në Shkodër. Rreth 4 mijë persona, pjesa më e madhe studentë, rrëzuan një bust të Stalinit.
Duke pasur parasysh standardet e vendeve të tjera të Europës Lindore, këto trazira nuk ishin shumë të rëndësishme dhe në pamje të parë nuk kishte një lider të këtyre protestave dhe as objektiva. Po për Shqipërinë ishin të rëndësishme.
Pakënaqësia do të mjaftonte për të rrëzuar nga pushteti partinë që kishte drejtuar vendin për 46 vitet e fundit. Ramiz Alia ndërmori një program të kujdesshëm për reforma politike dhe ekonomike, të cilat nuk ranë aspak në sy jashtë Shqipërisë. Ato u pasuan nga një seri ngjarjesh të cilat shpesh nuk lidheshin me njëra tjetrën, por koha kur ndodhnin nuk ishte një rastësi.
Së bashku ato nënvizonin faktin se në Shqipëri nevojiteshin ndryshime të menjëhershme.
Alia u përball me rezistencën e radikalëve.
Radikalët, kryesisht intelektualë të rinj, mendonin se këto reforma ishin të pakta dhe të gabuara. Nga ana tjetër, ata që i përkisnin linjës së fortë fajësonin Alinë për trazirat.
Personalisht, unë kam hyrë në Shqipëri nga Hani i Hotit në 1990-ën, me një grup të vogël vizitorësh të huaj, një gjerman, dy francezë, një italian dhe tetë britanikë.
Fillimisht pjesëtarët e grupit dukeshin arkeologë, natyralistë apo turistë. Por në fund të javës u kuptua se të paktën katër prej tyre ishin gazetarë dhe të tjerët nëpunës të shërbimeve sekrete.
Dhe për habinë tonë vendi dukej pak a shumë i qetë. Dukej se nuk do të kishte një revolucion të stilit polak.
Shumë ambasada kritikuan intelektualët e vendit për faktin se s’ishin në gjendje të artikulonin kërkesa të qarta azili politik, siç kishin bërë Vaclav Havel dhe Aleksandër Solzhenicini për Çekosllovakinë dhe Rusinë.
I vetmi intelektual i famshëm që njihej dhe jashtë vendit shkrimtari Ismail Kadare, u largua nga vendi në tetor të 1990-ës, dhe deklaroi nga Parisi se “premtimet për demokraci kanë vdekur”.
Shumë të rinj, veçanërisht studentët, u ndjenë të tradhtuar nga vendimi i Kadaresë për t’u larguar.
Edhe pse ata kishin kuptuar se intelektualët ishin shumë të përçarë për të krijuar një front të përbashkët kundër Alisë, ata e shihnin Kadarenë si një simbol dhe largimi i tij shkaktoi trishtim dhe një ndjenjë izolimi.
Në tetor të vitit 1990 në Londër u mbajt një takim për të biseduar rreth Shqipërisë. Në tryezë u ulën përfaqësues të qeverisë britanike dhe akademikë si dhe ata pak gazetarë që mund të dinin diçka për Shqipërinë.
Pas një debati të nxehtë u arrit në përfundimin se për momentin pushteti komunist në vend kishte më shumë të ngjarë të ndodhte një revolucion nga lart, i cili do të ishte më i frytdhënës se sa një revolucion nga poshtë.
U ra dakord se ambasadat e huaja në Tiranë po luanin rolin e një valvule sigurie për të pakënaqurit dhe se Alia përpiqej të siguronte një të ardhme alternative për vendin. Disa javë më vonë do shënohej dhe fundi i një mosmarrëveshjeje të gjatë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, – pas mbytjes së një anijeje lufte britanike dhe konfiskimit të arit shqiptar, – kur ministria e jashtme britanike deklaroi se do të nisnin bisedimet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Disa analistë perëndimorë mendonin se Beogradi kishte një interes të veçantë në destabilizimin e Shqipërisë. Ndërsa të tjerë akuzonin Athinën se po shkaktonte tensione me Shqipërinë.
Por ndërsa viti 1991 tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare e cila u fokusua larg Europës Lindore, duke u drejtuar në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Ballkani u bë shumë shpejt lajmi kryesor dhe Shqipëria ishte larg vëmendjes europiane.
U hapën misione diplomatike ndërkohë misionarë, gazetarë dhe organizata të ndryshme vërshuan në vend.
Revolucioni nuk ndodhi.