Sali Berisha: Edi Rama, mos luaj me Shkodrën!
Së pari, njëriu që në çdo fjalë një gënjeshtër nxjerr, doli këtu dhe tha se nuk i kemi kërkuar ndihmë NATO-s. Këtu kam dokumentin dërguar NATO-s, në të cilën qendrës së emergjencës i kërkohen ndihma të ndryshme nga pompat, tek çadrat, deri te pampersat e fëmijëve. Pasi nxora dokumentin tha se e kishte fjalën për ushqimin.
Edvin, a mund të më thuash pak çfarë janë këto që do lexoj: ushqime të konservuara, fruta të thata, ushqim për bebet, qumësht për bebet, pampers për bebet dhe ushqim për kafshët shtëpiake. Po ky (Rama) as nuk skuqet, as nuk zbehet, as nuk zverdhet. Ka vetëm një parim; të nxjerrë në çdo fjalë një gënjeshtër.
Përsëri jam tek çështja që ngriti këtu, në mënyrën më absurde dhe idioteske. Jo për të bërë Kasandrën, por kjo që pamë me Vjosën është lule nga ç’mund të shohim nga përmbytjet në këtë vend. Sado që ishte përmbytje e egër, por vendi ka zona të tjera, njëra prej tyre është Vjosa, e përmbytjeve më të mëdha në rajon. Për atë Bypassin që e ke kapur për shkak të xhepit tënd, po ju them ju dhe qytetarëve të Shkodrës.
Shkodra përjetoi gjatë mandateve të qeverisë tonë tre përmbytje. Njëra prej tyre po shkonte thuajse drejt apokaliptikes, sepse në njërën prej tyre, në pothuaj gjysmën e qytetit ujërat arritën deri në 2 metra lartësi. Dhe dije o injorant, që nuk u hapën digat, se digat e shpëtuan Shkodrën nga apokalipsi.
Sepse Shkodra u përmbyt nga liqeni, sepse liqeni mblidhte nga alpet e Malit të Zi të Shqipërisë, jo të Drinit, 9000 metër kub në sekondë. Kurse liqeni i Fierzës ishte nën kuotë, ato e mbrojtën deri në fund të asaj jave. Se po të mos ishte liqeni dhe po të hapeshin portat, e cila është e detyrueshme, hapja e portave është detyrë sine qua non e autoriteteve, Shkodra do të njihte një gjëmë të madhe. Por falë mobilizimit të shkëlqyer të atij kryetari bashkie (Lorenc Luka) Shkodra nuk pati asnjë viktimë.
Vijmë te diga. Janë marrë në Shqipëri tre grupe, më të shquarat në Europë për ujërat. Sollën në Shqipëri kryeinxhinierin e ujërave të Hollandës. Qeveria britanike nëpërmjet një kompanie solli këtu ish presidentin e digave të Britanisë së Madhe. Italia mike solli gjithashtu autoritetin kryesor të digave për këto probleme.
Ti je një njëri që sdi as çështë diga, as çështë uji, as çështë qeverisja, di vetëm të vjedhësh dhe të gënjesh nga mëngjesi deri në darkë. Ka konkluzione nga ata, dhe në këto konkluzione dy ishin jetike. E para ndërtimi i asaj që ti quan digë, bypassi pra, dhe që i ke ndërprerë dhe financimin. Ndërtimi i saj ishte kushti i kushteve për të mbrojtur Shkodrën nga mbytja që mund ti sjelli liqeni. Shko merr të dhënat.
Liqeni fryhej çdo ditë me disa centrimetra. By passi, sipas tre grupeve kryesore ishte e vetmja mënyrë për të mbrojtur në shkallën më të lartë përmbytjen nga liqeni. Dhe për shkak të lartësisë që bypassi fiton edhe në hyrje të Shkodrës për t’u përmbytur nga fryrja e Bunës.
Çfarë bëre ti? Erdhe dhe ndërpreve financimin në aktin më të parë. Bypassi Shkodrës, i cili shkon nga 40-60 milionë euro me gjithe sistemin e pompave dhe sistemin tjetër, s’është aspak një vepër e preferueshme. Bypassi Shkodrës, në projektin e parë nuk ishte digë por ishte thjesht një autostradë që anashkalonte Shkodrën dhe e lidhte me Hanin e Hotit nga hyrja e Shkodrës. Bypassi u shndërrua në digë sepse ky ishte sugjerimi i tre grupeve të fuqishme për të mbrojtur Shkodrën.
T’a dinë shkodranët se përveç mbajtjes së argjinaturave ekzistuese, ne kishim thellimin e Bunës. Jo, thanë ata, thellimin e Vilunit. Sugjerimi tretë ishte heqja e pengesave që janë në fillim te Buna. Këto tre masa, merr raportin po ti sdi të lexosh. Çështja e përmbytjeve është një çështje shumë e rëndësishme, është jetike. Mos luaj me Shkodrën, sepse Shkodra është nën rrezik më shumë se çdo qytet tjetër në Ballkan për përmbytjet.
*Nga fjala e mbajtur sot në Kuvend