Shtetet e BE vendosin Bashkimin Evropian të Mbrojtjes
Politika e mbrojtjes bënte pjesë prej kohësh në fushat, në të cilat shtetet e BE e kishin shumë të vështirë të bashkëpunonin. Tani u mor një vendim, që do të nisë një epokë të re.
Shtetet e BE ranë dakord për herë të parë për një bashkëpunim të përhershëm ushtarak. Në të do të marrin pjesë, krahas Gjermanisë, 24 shtete të tjera të BE. Bashkëpunimi do të çojë në plan afatmesëm në krijimin e një Bashkimi evropian të Mbrojtjes. Një nga synimet në këtë kuadër është që BE të bëhet më i zhdërvjellët dhe më i pavarur nga SHBA.
Fillimisht udhëheqje gjermane
Bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar, i cili u vendos formalisht në një takim të ministrave të Jashtëm të BE do të nisë me 17 projekte konkrete. Nën udhëheqjen gjermane do të ngrihet një komandë sanitare, kryqëzime logjistike si dhe një qendër trajnimi për pedagogët ushtarakë. Veç kësaj janë parashikuar për shembull edhe një mbikqyrje më e mirë e detit dhe zhvillimi i prototipave të automjeteve për këmbësorinë. Do të merren masa që në të ardhmen BE të dërgojë në raste krizash më shpejt trupa. Për këtë është e interesuar para së gjithash Franca.
Disa vende nuk marrin pjesë
Guri i themelit për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes u hodh muajin e kaluar në një takim të përbashkët të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE. Në atë kohë, shtetet e interesuara e informuan zyrtarisht BE se duan të themelojnë një PESCO. Ky është shkurtim i “Permanent Structured Cooperation” – në shqip “Bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar”. Në këtë bashkëpunim nuk marrin pjesë Danimarka, Britania e Madhe dhe Malta. Danimarka nuk merr pjesë tradicionalisht në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes të BE, kurse Britania e Madhe do të dalë më 2019 nga BE. Malta me sa duket nuk donte t’i plotësonte kriteret e anëtarësimit, që parashikojnë ndër të tjera një rritje të rregullt të shpenzimeve të mbrojtjes.
Mundësia e krijimit të një bashkëpunimi të përhershëm të strukturuar midis shteteve të BE u krijua në 2009 me marrëveshjen e Lisbonës të BE. Britania e Madhe e pati bllokuar prej kohësh këtë bashkëpunim. Përballë daljes nga BE, Londra tani nuk ka më argumenta kundër këtij bashkëpunimi.