Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Shqiptari më i ri Janullatos

1) Shqiptarët dhe grekët kanë në mes tyre një luftë nervash që shpesh ka konkluduar me ngjarje të dhunshme. Mos të shkojmë më larg se lufta e dytë botërore, kur luftës së tyre për të mos u pushtuar nga Italia, iu përgjigjën me monedhën e pushtuesit, fqinjit të tyre verior, ose shqiptarëve. Të gjitha konfliktet filluan nga aty deri sa prevaluan në genocide e zbrazje krahinash. Një strategji ushtarake e zgjedhur po prej fqinjësh, kësaj here osmallinjëve, shto edhe faktin e mërive dhe pabesive midis tyre që nga historia e Bizantit. Edhe pse në këtë hori kohërash kur kishin një të përbashkët me shqiptarët, lirinë karshi Turqisë perandorake…, zgjodhën dhunën e pushtuesve. Nga ana tjetër shqiptarët (kur them grekët apo shqiptarët kam parasysh qarqet që na kanë dominuar si popuj) i janë përgjigjur me një mëri gati vulgare politike deri në karshillëqe infantile me Turqinë a Italinë shto edhe besimin fetar. Kur fare mire mund të përzgjidheshin plot mënyra a plot forma të tjera. Dhe në kësi raste, diplomacia më e mire është ajo me mos solidarizimin e të të kënaqurit, kur njëri fqinj ia punon tjetrit dhe anasjelltas. Megjithatë në këtë kalvar urrejtje e përbuzje popujt mes tyre kanë plot të përbashkëta. Madje ato janë si malet… Aq sa në një mëngjes të kthjellët kushdo ka pak kohë e të kuptojë se si ai ajër mesdhetar bëhet pis nga nervat e nxehta.
2) Sapo shkruan diçka karshi kësaj vlertie popujsh, ne shqiptarët i kujtojmë njëri-tjetrit, andartët, kishën me helmimet, çështjen çame dhe plot të tjera. Biles nxjerrim arshivat deri nga Vatikani a Stambolli për të mbrojtur le të themi kishën a çështjen çame. Megjithëse kishës vet ia kemi bërë në kokë prej kohësh. Kurse çështjen çame e shkëmbëjmë me një marrëveshje politike që na jep kolltukun e bashkisë së Rrogozhinës. E thënë më thjesht, që, kur një mision shoqate, grupimi krahinor për shkak të vuajtjeve a reprezaljeve e kthejmë në parti politike, patriotizmi është një grafomani. Kështu edhe me kishat e besimin që për inat të grekut, serbit e përfitimit, iu qepëm ofertave të Turqisë aq sa sot qarqet mendje nxehta na identifikojnë plotësisht me orientin. Të paktën ne shqiptarët kurrë nuk e kuptuam se patriotizmi më i vlertë është të duam dhe të ndreqim vetveten për së pari, të rregullojmë jetën brenda vetes, brenda nesh, të ndërtojmë një shoqëri duke u lodhur me hallet tona dhe jo ato të botës. Sepse ishin pikërisht hallet tona ato që, që nga 1990-ta e këtej na çuan dhe vazhdojnë të çojnë drejt Greqisë. Ju e dini se ato male, ato rrëpira janë plot ngjarje e histori sakrificash. Po ashtu edhe rrugët e metropolove të vendit helen, por këto asesi nuk duhen të identifikohen në raportin midis të mires me të këqijat. Ne le të mjaftohemi me faktin e mire. Le të tregojmë sepse jemi të tille, sepse jemi të zotët dhe se çfarë është mirënjohja për strehën që na dhanë.
3) Aktualisht në Shqipëri po diskutohen kjo dhënia e nënshtetësisë shqiptare, Janullatosit. Plot njëzetë e pesë vite më pas. Ka pasur midis përplasje historianësh, rrymash dhe kore me tradhti. Një kalvar politik me monedhën e njëfarësojtë që edhe politika greke ka aplikuar karshi shqiptarëve që kërkojnë me të drejtë shtetësinë aty. Kanë vite përpjekje mes plot peripecish dhe për më tepër një lloj racizmi shtetëror i përftuar nga fakti që thamë më sipër. Se, si ne, si grekët jemi sunduar nga mëndjet e nxehta. Jo nga gjërat e vlerta, nga të përbashkëtat tona etj. I kemi lënë vlerat jetime dhe gojën plot benzinë. Eshtë alergjike për shqiptarët ngritja e një flamuri grek në një çati shtëpie minoritarësh, ashtu sikur gjëmë ngritja e një flamuri shqiptar në një shtëpi emigrantësh atje në Greqi. Janë detaje bajate. Sidomos për kohën. Frikë absurde që nuk e meritojmë ta posedojmë.
Megjithatë në këto diskordancat shtetërore të shtetit tonë, në raport me Greqinë dhe më tutje, ishte një vendim i drejtë. Dhe më vjen mire. Mes nesh, në politikën tonë ka shumë abuzime sa është e vështirë të pranosh si tillë, si veprim të duhur të një politikani. Siç është edhe në rastin në fjalë presidenti ynë, apo lideri në prapavijë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Kur thashë diskordancat, kam parasysh faktin se si një kryeministër nuk shkon në Greqi prej vitesh. Po kontradikton përmes fejbukut me fraza perandorësh edhe pse ka një ekonomi butaforike aty, dhe, me rrënjët në krahët e emigrantëve. Një fakt që vertetohet sot me kërkesat për politika afruese të këtij krahu. I cili normalisht, pas kaq vitesh ka ngritur jetën aty ku jeton. Nje poltikë duale që tjetër thotë dhe tjetër kërkon. Vendet e rajonit janë shumë të ndjeshëm karshi emigrantëve të tyre. Dhe sigurisht ndjekin politika afruese me vendet ku jetojnë ata. Dhe mire bëjnë.
Nuk dua të zgjatem më tutje, por e di që ka plot nga ata që do thonë, po, pse Anastasi lutjet i thotë në greqisht, kur salla është me shqiptarë? Unë fare thjesht, mund tu përgjigjem me konstatimin e Fan Nolit, ai le t’i thotë si dojë. Edhe ju i thoni si të doni, si tua ndjejë, se, atje sipër i rregullon Zoti vet.

Please follow and like us: