Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj, dokumentar in memoriam për Xhanfize Kekon

Çerçiz Loloçi

Dhjetë vjet pas ndarjes nga jeta, regjizorja e famshme e filmave për fëmijë Xhanfize Keko rivjen sërish pranë shqiptarëve në një dokumentar mjeshtëror, realizuar nga Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj, të titulluar “Koha e pelikulës”.

Autorja e rreth njëzet e pesë filmave ku spikasin “Taulanti kërkon një motër” (1984), “Një vonesë e vogël” (1982), “Kur xhirohej një film” (1981), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Pas gjurmëve” (1978), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Tinguj lufte” (1976), “Beni ecën vetë” (1975), “Mimoza llastica” (1973), “Kryengritje në pallat” (1972) etj, duke u fokusuar vetëm të fëmijtë arriti të shënojë një majë kinematografike, e pangjashme me kolegët e tjerë dhe me një galeri të madhe personazhesh që të emocionojnë edhe në ditët e sotme.

Jeta intime e Xhanfizesë, që nga lidhja me kineastin Enri Keko, raportet me fëmijët e vet, Ilirin dhe Teodorin, punët e para në Kinostudio e deri te fokusimi në regjinë e filmit vijnë natyrshëm dhe pa kërcitje në dokumentar.

Një jetë e tërë kushtuar kinematografisë, Xhanfizeja vetërrëfen vetveten, si e gjente subjektin e filmit, si i përzgjidhte fëmijët-aktorë, si i ndiqte në xhirime dhe në jetën personale dhe si i përjetonte emocionet pas shfaqjes së filmit në kinema. Përveç saj në dokumentar flasin edhe disa kineastë dhe kritikë të huaj që shpalosin kështu vlerat e saj artistike dhe që shikojnë anë të tjera të mjeshtërisë së saj.

Shqipëria e sotme nuk ka qenë kështu edhe dyzet e ca vjet më parë kur nisi karrierën regjizoriale Xhanfize Keko duke iu përkushtuar një lloj arti të veçantë ku edhe në botën perëndimore dominojnë burrat.

Xhanfize Keko ishte  e para regjisore shqiptare e montazhit, e para regjisore e filmit dokumentar, e para regjisore grua në filmin artistik dhe veçanërisht regjisorja e parë e filmit për fëmijë.

Zonja Keko, film pas filmi arriti të diferencohej me tema pikante nga bota e fëmijëve dhe pavarësisht se në shumë prodhime kinematografike ka gjithmonë edhe një skenarist ajo përballonte thuajse gjithçka: edhe tekstin, edhe përzgjedhjen e aktorëve, montazhin dhe shumë aksesorë të tjerë që finalizojnë një krijim artistik.

Për t’u përmendur është se ajo ishte një lloj akademie teksa duke aktivizuar fëmijë fare të vegjël ose personazhe që nuk vinin nga karriera aktoreske u përcaktonte njëheri edhe të ardhmen e tyre, pranimin në Institutin e Arteve pas përvojës në filmat e realizuar prej saj.

Bashkëkohës të saj, regjisorë e kineastë, vendas dhe të huaj janë rimarrë në dokumentar për të zbërthyer një personalitet kompleks ku gërshetohen vajza adoleshente, studentja në Moskë të ish Bashkimin Sovjetik, fejesa, martesa, fëmijët dhe natyrisht më kryesorja përkushtimi në regjinë e filmit.

Bashkëmoshatar me një prej djemve të saj shkrimtar, Dorin, ndarë nga jeta në moshë të re (vetëm një nënë si Xhano e di dhimbjen për humbjen e e parakohshme të tij), më ka rastisur të takohem disa herë me të dhe gjithherë kam parë një grua të thjeshtë, e aftë për të të përfshirë si një të rritur dhe me një mirësi që i buronte si përbrenda.

Ndoshta nuk kam qenë i vetmi sepse shtëpia e Xhanos ishte po ashtu një minikinostudio ku gjeje përherë miq, artistë dhe shumë dashamirës të saj.

 

Please follow and like us: