Xhihadi: ISIS-i shqip, Ertugruli turqisht!
Romeo Hanxhari
Tashmë është hera e dytë që ISIS na përcjell mesazh shqip në festat e fundvitit. Nga vjet në sivjet, duket se ka një ndryshim jo të vogël. Fiks një vit më parë në këtë kohë mesazhi i ISIS-it ishte: “…vritini ata kudo që t’i gjeni, derisa mos të mbetet asnjë prej tyre…”. Ky ishte një mesazh përpunues i “publikut”. Ishte për t’u mbushur mendjen “myslymanëve të vërtetë” që të vrasin gjithë jo-myslymanët kudo që t’i gjejnë.
Dhe theksimi i një citimi të Kuranit (sipas tyre), synon t’i japë këtij urdhri të ISIS-it origjinë hyjnore, arsye për të cilën ai duhet zbatuar pa mëdyshje. Ndërsa këtë vit, konkretisht pak ditë më parë, ISIS nuk tentoi fare të argumentojë “drejtësinë” e aktit të vrasjes së jo-myslymanve nga myslymanët. Duket sikur mendon se e ka kaluar atë fazë. Sivjet ai jep mjetet dhe teknikat: “…deri për krishtlindje ti ke kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me makinë për t’i shtypur turmat e tyre, ose për të blerë një thikë për t’i goditur ata, ose për të mbushur pushkën tënde me armatim…”.
Pra, nga vjet në sivjet ISIS-i ka kaluar nga “mbushja e mendjes” tek “aftësimi teknik” për aktin. Natyrisht që e gënjen mendja… Sepse duke qenë se këto mesazhe i përcjell vetë ISIS-i, e cila njihet si organizatë djallëzore, ato nuk ngjisin fare tek ata që ai synon. Vetëm njerëzit e cekuilibruar mund t’u binden udhëzimeve të një organizate të cekuilibruar. Dhe kjo është cështje e organeve të sigurisë kombetare e ndërkombëtare… Nuk më shqetëson kjo. Të paktën për momentin…
Ajo që më shqetëson shumë mua tani është fakti se shoqëria jonë nuk ndalet fare. Nuk ndalet që të shohë apo të analizojë nëse këto lloj mesazhesh përcillen vetëm nga ISIS direkt dhe si të tilla refuzohen, apo përcillen edhe nga kanale të tjera komunikimi dhe sit ë tilla nënvlerësohen. Shqetësimi pra është për farat që hidhen sot, e që mund të zenë rrënjë të rrezikshme për nesër.
Unë po ndaj me shoqërinë shqiptare, së cilës i përkas, përvojën dhe ndjeshmërinë time. Mesazhe si ai “vritini ata kudo që t’i gjeni” nuk përcillen vetëm nga ISIS-i. Këtë mesazh e kam parë dhe dëgjuar personalisht në një televizion kombëtar, në orën më të ndjekur të darkës dhe në njërin nga filmat më të ndjekur të vitit të fundit: ERTUGRUL. Këtu duhet të ndalemi për arsyet pse një mesazh i tillë futet në një film i cili ndiqet nga e gjithë popullsia, dhe madje në një film që me siguri synon të ndërtojë modele heronjsh Osmanë për fëmijët e të sotmes dhe të nesërmes… Besoj askush nuk më kundërshton që filmi “Ertugrul” ishte kampion i shikueshmërisë, ashtu si Sulejmani, apo kështu si tani Kasemi e dreqi e di kush tjetër.
Nëse biem dakord për këtë, lexojeni atëherë mirë këtë mesazh: “…Vritini jo-myslimanët kudo që t’i hasni, derisa të mos mbetet asnjë prej tyre, ose deri sa të jenë bërë të gjithë Myslimanë…”. Ky është mesazhi i transmetuar nëpërmjet filmit të ashtuquajtur historik “Ertugrul” në serinë e datës 19 dhjetor 2016. Këtë mësim “fetar” e jepte personazhi që quhet Ibn al Arabi, i cili në film është simboli i diturisë, pra “frymëzuesi e ideologu i Ertugrulit”, sipas skenaristëve…Duke u vënë në gojën e një personazhi si Ibn al Arabi ky mesazh tentohet të përcillet si hyjnor dhe si i rëndësishëm për publikun, dhe do e analizojmë pse…
Por ky nuk është i vetmi mesazh. Mua më rastisi në 19 dhjetor 2016 të shoh episodin e sipërcituar dhe ngaqë m’u vështiros nga klishetë pro-osmane që ushqente, nuk e kam lejuar veten të shoh më shumë se 4 apo 5 episode pjesërisht, edhe ato rastësisht, nga disa qindra të atillë që janë transmetuar.
Nga këto pak episode që kam ndjekur, këtu po citoj disa mesazhe të tjera të Ibn al Arabit. Njëri mesazh thotë: “…për sa kohë do të kemi kësi trimash që e shohin të qenit dëshmor si një shpërblim prej Allahut, askush nuk do të na ndalojë në rrugën e përparimit të Islamit, as këta gjakprishurit e pafe’ , e askush tjetër”. Këtë unë e lexova si mesazh që i josh kamikazët me premtimin se Zoti do t’i shpërblejë në parajsë, duke nxitur kështu rënien dëshmor për Islamin. E keni parasysh?…E ky nuk është problem që ka të bëjë vetëm me periudhën e Ertugrulit. Është shumë më aktual sot.
Tjetri mesazh i Ibn Al Arabit në film: “…ditën e kiametit ju jo-myslymanë do të ringjalleni të verbër e të shurdhër, dhe xhenhnemi do të bëhet shtëpia juaj”. Këtë mesazh unë e lexova si nxitje të urrejtjes dhe përbuzjes ndërfetare, dhe si justifikim të radikalizmit dhe supremacisë fetare. Nuk kam të drejtë të paragjykoj, por nisur nga probabiliteti, kam siguri të mjaftueshme se ka patur edhe shumë mesazhe të tjera problematike.
Tani, a janë këta mesazhe xhihadiste?! Dhe, a është kjo e rastësishme? Ja ta gjykojmë. Për këtë duhet të kuptojmë fare shkurt c’është Ertugruli dhe c’është Ibn al Arabi. Ibn al Arabi është një dijetar i mirënjohur historikisht, që ka jetuar në kapërxyellin e 1200-ës. Ai ka qenë i famshëm në kohën kur ka jetuar. Për atë ka kronika të bashkëkohësve të cilat rrëfejnë jetën dhe veprën e tij. Ndërsa Ertugruli? Ertugruli ka qenë askushi në kohën që ka jetuar.
Nga një kërkim i thjeshtë për Ertugrulin mësohet se “…asgjë nuk dihet me siguri të plotë nga jeta e Ertugrulit. Për të dihet vetëm që ka jetuar. Dhe dihet vetëm që ka qenë babai i Osmanit. Osmani ishte i pari që drejtoi shtetin e vogël që më vonë do të bëhej Perandoria Osmane. Historianët për Ertugrulin janë të detyruar t’u referohen shkrimeve që janë bërë për të 100 vjet pasi ai jetoi, dhe këto shkrime nuk është se janë shumë të besueshme”. Pra, shihet që filmi për Ertugrulin është një fiction, pra është një sajim total televiziv, i bazuar thjesht në imagjinatë artistike. Por në film, në fakt gjërat më të rëndësishme, pra ato për të cilat filmi me sa duket është financuar, nuk janë vetëm ngjarjet apo aventurat e Ertugrulit. Më të rëndësishmet janë mesazhet që për mua janë 3 llojesh:
vizuale, simbolike, dhe tekstuale. Për këto mesazhe dhe për rëndësinë e tyre për shoqërinë shqiptare sot e nesër mund të shkruajmë herë tjetër nëse do të jetë e nevojshme, por kësaj rradhe do ndalemi vetëm tek mesazhet tekstuale si ato të cituara më sipër. Pra tek mesazhet e fjalës. Nëse e cojmë fare pak mendjen tek filmi, do të kuptojmë se mesazhet më të forta të fjalës nuk i ka Ertugruli. Mesazhet më të forta i ka Ibn al Arabi. E bukura është se nuk ka asnjë fakt historik që tregon se ky dijetar i famshëm dhe i mirënjohur islam, qenka takuar ndonjëherë me personazhin periferik Ertugrul.
Për më tepër që ky i fundit ka qenë shumë i ri , gati kalama, gjatë kohës që dijetari ishte në vitet e fundit të tij. Pra, duket qartë se futja e Ibn al Arabit në film si një personazh i përhershëm në jetën e Ertugrulit është thjesht një truk skenari. Prania e dijetarit islam është një gjetje e qëllimshme për të transmetuar mesazhe të forta, të llojit “Daiu” tek seriali tjetër i famshëm “Ezel”, që prekin publikun. Pra mesazhe fjale. Por kësaj rradhe jo fjalë filozofike për jetën e për dashurinë, si ato të Dajos. Kësaj rradhe vendosen fjalë me bazë thjesht fetare, dhe shpesh ekstremiste. Nga ana tjetër, ky është një truk për të rritur solemnitetin dhe shikueshmërinë. Për t’i dhënë përpjekjes “historike” të Ertugrulit, sipas filmit, një veshje hyjnore, pra si një lëvizje të nxitur nga Zoti.
Atëherë pyetja është: nëse qëllimi i filmit do të ishte vetëm mburrja dhe ekzaltimi i trimërisë së imagjinuar Osmane, c’ishte e nevojshme që të sajoheshin seanca fetare me mesazhe ekstreme të vëna artificialisht në gojën e një dijetari fetar që në fakt ka ekzistuar por në tjetër vend e në tjetër kohë?! Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mbase na shërben pyetja tjetër, në të kundërt të logjikës të së parës: nëse filmi do të ishte vetëm mbi jetën e Ibn al Arabit, pra për të përcjellë tek shikuesit trashëgiminë e tij fetare, a do të kishte ai film kaq popullaritet dhe përhapje kaq të gjerë gjeografike në gjithë Ballkanin? Kësaj të fundit unë i përgjigjem: sigurisht që jo. Pra taktika e marketingut është e qartë: mesazhet ekstremiste në një film me shpata, kuaj, dhe aventura, është e mundur që të ndiqen nga publiku pa problem.
Sepse publiku mendon se Ibn al Arabi ia ka thënë vërtet ato fjalë Ertugrulit, dhe kështu e përjeton mesazhin ekstremist si pjesë të historisë. E ngaqë i pëlqen aventura, publiku nuk e mendon fare se këta dy personazhe as janë takuar ndonjëherë me njëri-tjetrin në jetën e tyre. …Nga gjithë kjo, kuptohet se sa të rëndësishme janë mesazhet gjoja të dijetarit në këtë film. Mesazhet aty janë thelbi. Pra, taktika e marketingut është e qartë, por është motivimi i marketingut ai që më shqetëson…
…Duke bërë këtë analizë, dua në parantezë të bashkëlargohem nga emri i madh e i merituar i televizionit që e transmeton. Kjo s’ka të bëjë me të. Le t’i japë filma të tillë, pa problem, përderisa ka milet që i ndjek. Por ama, edhe nëse familjeve shqiptare iu dashka patjetër të shohin trimëritë imagjinare të Ertugrulit, ashtu sic shikonin dikur trimëritë po aq imagjinare të Herkulit, heqja apo prerja e mesazheve ekstremiste fetare nuk do ia zbehte fare kuriozitetin televiziv pjesës në fjalë.
Madje duhet të kujtojmë se heqja e tyre është edhe detyrim ligjor… Jetike është që të funksionojë më mirë filtri AMA, si një parapritë e fortë, pra si një instrument ligjor censure. Jo shumë kohë më parë filtrat kanë funksionuar në mënyrë autonome nga operatorët. Psh, e sigurt është se në vitet 2006-2007 seriali turk “Lamtumirë Rumeli”, shumë i suksesshëm në Turqi, u tentua të sillej për t’u transmetuar në Shqipëri por RTSH nuk pranoi ta transmetonte.
Kjo sepse, pavarësisht se artistikisht ai ishte film shumë tërheqës për tregun, skenari i tij e paraqiste si dicka “të padrejtë” tërheqjen e trupave pushtuese turke nga Ballkani në vitet 1912-1914, kohë kur edhe Shqipëria shpalli pavarësinë: pra i binte që shikuesit shqiptarë të qanin e të vajtonin me lot se pse ushtarët turq u dëbuan nga Shqipëria e nga Ballkani që kishin pushtuar 500 vjet më parë. Pra, artistikisht mund të qëndrojë filmi, por mesazhet që përcjell mund të jenë të dëmshme, dhe atëherë refuzohet. Filtri pra duhet. Madje jo një por disa…
E pra, për t’u rikthyer së fundi sërish tek thelbi: në qoftë se ato mesazhe të filmit “Ertugrul” na tingëllojnë si ekstremiste, sic në fakt më tingëllojnë mua, atëherë le të kuptojmë mirë se mesazhet e ISIS nuk kanë qenë të parat që na kanë transmetuar dhunë fetare në shqip brenda në shtëpitë tona. Jo! Mesazhet e ISIS thjesht kanë pasuar ato të mëparshmet, por kësaj rradhe në turqisht. E ndërkohë që ne të gjithë biem dakord që mesazhet e ISIS nuk duhet të gjejnë terren dëgjimi tek të rinjtë e fëmijët tanë, nga ana tjetër lejojmë pa dashje të njëjtat mesazhe t’u drejtohen atyre.
Le të tregojmë pra kujdes. Thjesht kujdes: dukja jo gjithmonë e tregon përmbajtjen. …Thjesht kujdes, që nesër mos të themi “nuk e kishim mendjen”…