Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Milkanët dhe zonja Shnajder

Një nga ngjarjet më të spikatura të jetës kulturore të kryeqytetit ka qenë padyshim filmi i Piro dhe Eno Milkanit, që vazhdon të shfaqet suksesshëm në kinema “Millenium”.
“Trishtimi i zonjës Shnajder”, një film me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 2007, me regji të Piro dhe Eno Milkanit, është bashkëprodhim shqiptaro-çek, ku përveç regjisorëve Milkani, bashkëproducente është edhe çekja Jana Tomsoven.
Filmi rrëfen historinë e brezit të viteve gjashtëdhjetë, që studiuan jashtë vendit, por pas izolimit të Shqipërisë nga ish-vendet komuniste, u detyruan të kthehen me forcë. Me skenar të Radek Shofr dhe Piro Milkanit, drejtorë fotografie Miro Gabor dhe Afrim Spahiu, filmi është prodhuar në gjuhën çeke, duke shënuar një ngjarje të veçantë për të dy vendet.
Producentja çeke, Jana Tomsoven, ka pohuar gjatë premierës së shfaqjes … se ky film është historik për kinematografinë çeke, pasi është i pari se si e shikojnë të huajt vendin e tyre. Në rolet kryesore interpretojnë aktorja çeke Anna Geslerova dhe Kreshnik Xhelilaj, student i dramës në Akademinë e Arteve në Tiranë, ndërsa në role të tjera interpretojnë aktorë çekë, sllovakë, shqiptarë dhe italianë, si Ondrej Moravec, Kamil Kollarik, Bara Shqepanova, Tomash Topfer, Michele Placido, Paolo Buglioni apo Arta Dobroshi.
Filmi ka marrë disa ftesa si në Romë, Austri, Francë, Amerikë dhe pas shfaqjes në kinema do të hidhet në treg me DVD, i dubluar në shqip, frëngjisht dhe anglisht.
Fabula e filmit
Tre studentë të regjisurës, mes tyre edhe një shqiptar (që luhet prej aktorit Nik Xhelilaj) shkojnë në një skutë fshati çek të quajtur Ceski Shternberk për të bërë një dokumentar mbi veprimtarinë e fabrikës së prodhimit të motorëve ESO. Eshtë një mjedis tipik i regjimit të kaluar, që po aq sa në Çeki e gjeje asokohe edhe në vendin tonë. Përgatitja e dokumentarit që është njëherësh tema e diplomës për tri studentët (çekut, sllovenit dhe shqiptarit) shkon përgjithësisht mirë, me përjashtim të një incidenti ku para kolektivit të fabrikës shfaqen pamjet nudo të vajzave të fshatit.
Një plan tjetër që spikat në film është edhe ajo e marrëdhënieve njerëzore që krijohen mes studentëve dhe banorëve të fshatit. Banori më i çuditshëm (në film luhet nga aktori i njohur italian Mikele Plaçido), është konti i kështjellës së shtetëzuar.
Skena të tjera janë raportet që krijojnë regjisorët e rinj në bujtinën e natës, marrëdhëniet e studentit shqiptar me gruan e trishtuar, bashkëshorte e të plotfuqishmit të policisë (Anna Geislerova), takimet intime me studenten për aktore (Arta Dobroshi) etj. Role episodike kanë në film edhe aktorët shqiptarë Niko Kanxheri dhe Violeta Manushi.
Tejkalimi i historisë personale
Shumëkush që e ka parë filmin, por që ka dëgjuar edhe shpjegimet e regjisorit Milkani, nuk e ka vështirë të kuptojë se në “Trishtimin e zonjës Shnajder” ka edhe elementë biografikë. Por më tepër se kaq autori rreket të tregojë dramën e një të riu që gjendet dyfish i izoluar: Në vendin ku ka shkuar për të studiuar dhe në atë të origjinës. Shqipëria del shumë pak me skenat e këtij filmi, por edhe aq pak sa del tregon mjaft për çfarë do të vinte pas viteve gjashtëdhjetë. Niku, shokët e tij të universitetit, edhe në atë pak “liri të lejuar” të kampit të paprishur socialist, do të ndeshej me shumë ndalime, që për pak mund t’i kushtonin edhe ndërprerjen e studimeve. Por akoma më vështirë e ka të ambientohet në atdheun e tij, një mjedis akoma më konservator dhe të hermetizuar në gjithçka. Pikërisht detajet e kursyera që japin regjisorët për këtë kohë postuniversitare janë mjaft domethënëse.
Përballja bashkëkohore
Piro Milkani ka një jetë të tërë me filmin. Në prodhimin më të fundit së bashku me djalin e tij, Eno Milkani, gjithashtu regjisor i talentuar, ka mundur të shënojë një kulm në karrierën e tij dhe për kinematografinë shqiptare. Dhe kjo jo thjesht sepse është një bashkëprodhim çeko-shqiptar, jo vetëm sepse mjediset janë në një vend të huaj dhe aq më pak që protagonistët e filmit bëjnë pjesë në disa shtete. Filmi, megjithëse i gjatë, ruan ritmin nga fillimi në fund, kamera rrëshqet lirshëm sa mes personazheve aq edhe në objekte që ndihmojnë zbërthimin e karaktereve.
Filmat e Piro Milkanit
Ngjyrat e moshës (1990)
Pranvera s’erdhi vetëm (1988)
Eja! (1987)
Në prag të jetës (1985)
Militanti (1984)
Fraktura (1983)
Besa e kuqe (1982)
Në kufi të dy legjendave (1981)
Një shoqe nga fshati (1980)
Ballë për ballë (1979)
Shembja e idhujve (1977)
Zonja nga qyteti (1976)
Çifti i lumtur (1975)
Një firmë e hekurt (1974)
Shtigje lufte (1974)
Festa e madhe (1973)
Kur zbardhi një ditë (1971)
Përse bie kjo daulle (1969)
Ngadhënjim mbi vdekjen (1967)
Një firmë e hekurt (1974)
Festa e madhe (1973)
Oshtimë në bregdet (1966)
Vitet e para (1965)
Vangjush Mio (1965)
Detyrë e posaçme (1963)
Djali nga Korea (1963)
Më shumë prodhime nga toka (1963)
Kalitja (1961)
13 mars 2008
Please follow and like us: