Paulin Sterkaj, mundësi që u shpall 12 herë kampion në Shqipëri
Shumë e njohin vetëm si politikan, nga ata që e kanë elektoratin e vet, por Paulin Sterkaj ka qenë një nga sportistët më të mëdhenj në mundje. Padyshim që është një nga emrat më të mëdhenj të mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare. Në mundjen klasike, ai ka qenë absolut në peshat ku ka konkurruar dhe jo më kot është shpallur plot 12 herë kampion kombëtar. Pasioni i tij për këtë sport, ka qenë i madh. Madje që në moshë të vogël kur e ka nisur.
Në një rrëfim të tij të paradisakohshëm për gazetarin Gjergj Kola, ai u shpreh: “Mundja për mua është një sport që më ka joshur që në fëmijëri. Isha 6 vjeç dhe mundja të gjithë moshatarët e lagjes, madje edhe më të mëdhenjtë. Kur isha në klasë të gjashtë, më tërhoqi trajneri Naim Pepa në ekipin e pionerëve dhe pas tij, më stërviti trajneri i palodhur dhe plot pasion Xhevdet Elbasani.
Në aktivitetin e parë, në vitin 1975, në Shkodër zura vendin e tretë në Shqipëri. Ndeshjen e parë e humbas me një mundës nga Kukësi, Haxhi Belulin, por që nuk pata mundësi të ndeshesha më me të. Ai mbeti kampion i peshave të para ndërsa unë kapa kategori shumë më të larta. Në vitin 1976 dola kampion dhe u shpalla mundësi më i mirë, madje më dhanë edhe një kupë personale”.
Po cilat kanë qenë etapat që ai ka ndjekur më pas, për të hyrë në mes më të mirëve të vendit? Ecuria nuk ka patur nevojë për shumë koment…“Direkt nga pionerët, përfaqësova ekipin e të rriturve në peshën 57 kg në vitin 1977, ku fitova edhe kategorinë e parë sportive. Së bashku me trajnerin Naim Pepa, që kishte përgatitjet të lartë psikologjike e profesionale, u bë e mundur që Shkodra në ato vite të kishte një hop shumë cilësor në sportin e mundjes.
Nga 10 kampionë që kishte Shqipëria, 5 ishin nga Shkodra. Mund të përmend këtu mundësit Paulin Merla, Nikoll Grima, Iljaz Guri, Seit Fishta, Sandër Lela, Ali Amza, etj. Ajo që nuk mund të harroj unë është dashuria e sportdashësit shkodran dhe stimuli që të jepnin ata gjatë gjithë karrierës sportive”– vazhdon më tej Sterkaj.
Por karriera e tij nuk është përqendruar vetëm te Vllaznia, pasi ai ka konkurruar edhe për Partizanin e Dinamon, prandaj vetë shton: “Me Partizanin dhe Dinamon kam kaluar një periudhë jo të vogël të karrierës sime. Te Partizani kam kaluar 27 muaj dhe gjeta një ngrohtësi të madhe. Trajnerët Bashkim Lika dhe Abedin Lame kishin kërkesa të larta dhe më ndihmuan shumë në rritjen profesionale. Dinamo ishte vazhdimësi e karrierës sime, ku krahas saj fitova shkollën e lartë në IKLF dhe njëkohësisht u titullova oficer në repartet e gardës kombëtare. Me Dinamon fitova të drejtën dhe mundësinë për t’u ndeshur në takimet ndërkombëtare sepse kisha 10 vite që bëja mundje dhe nuk kisha dalë asnjëherë jashtë shtetit”.
Paulin Sterkaj do mbahet mend gjatë nga pasionantët e këtij sporti për atë se çfarë ka dhënë ai në tapetet e mundjes. Megjithatë, vetë Paulini, e kujton me shumë nostalgji ndeshjen e tij të parë: “Ndeshja ime e parë në tapet ka qenë ajo që kam zhvilluar në Tiranë me të rriturit për Kupën e Republikës. E fitova me pikë, në peshën 57 kg. Ndërsa ndeshja e parë ndërkombëtare ka qenë ajo e zhvilluar po në Tiranë më 1989 kundër ekipit kombëtar turk. Fitova me pikë 12-0 në peshën 100 kg. Ndërsa në Gjermani kam mundur një austriak, nënkampion olimpik me rezultatin 6-0”.
Për mjeshtrin e tapetit, karriera e bërë ka qenë një udhërrëfyes i mirë edhe në jetën e tij. Megjithatë, Sterkaj e kujton me shumë nostalgji titullin e parë të tij kampion, aty ku nisi rruga e tij drejt trofeve të ardhshme: “Titullin e parë kampion e kam fituar në vitin 1979. Kampionati zhvillohej në Vlorë dhe unë përfaqësoja Vllazninë. Dola në finale me Niko Zguron e Flamurtarit, i cili ishte jashtëzakonisht i pjekur nga pikëpamja tekniko-taktike dhe kishte një eksperiencë shumë të madhe. Fitorja ndaj tij më dha një kënaqësi shumë të madhe, por edhe një detyrim po aq të madh për ta mbajtur atë titull, sepse parimi i trajnerit tonë Naim Pepa ishte ‘të dalësh kampion është nder, ta mbash atë është vështirësi’.”
Ajo çfarë duhet përmendur në karrierën sportive të Paulin Sterkajt është edhe marrëdhënia mjaft e mirë që ai ka patur vazhdimisht me trajnerët e tij. Jo më kot, ai nuk ka arritur asnjëherë të veçojë asnjërin prej tyre, por i përmend të gjithë. “Kam kaluar shumë trajnerë por vlen për t’u përmendur Xhevdet Elbasani, Naim Pepa, Abedin Lame, Nikoll Grima, Fidel Ylli, si dhe trajnerët e kombëtares, R. Kola e M. Bega”- thotë 12 herë kampioni i vendit dhe fituesi i 11 Kupave të Republikës në peshat 74, 82, 90 dhe 100 kg.
Paulin Sterkaj njihet nga gjithë sportistët, gjyqtarët dhe tifozët edhe si mundësi që i mundte shpejt kundërshtarët e tij, madje edhe me tuç, brenda 20 sekondash. Por vetë Paulin thotë se kënaqësia më e madhe për të si sportist ishte kur i mundte kundërshtarët me pikë dhe me rivalitet.
“Kam fituar shumë ndeshje me tuç, por në fakt ato nuk i japin shumë kënaqësi një mundësi. Sipas meje, fitoret me pikë kanë më shumë vlera se sa ato me tuç, ndonëse unë kam fituar më shumë me tuç se me pikë. Kam pasur shumë ndeshje që nuk i kalonin shpesh 20 sekondat, madje edhe me mundës kampionë të kohës”- deklaron ish-mundësi shkodran.
Pas vitit 1991, Paulin Sterkaj ka jetuar tre vite në Gjermani ku e ka vazhduar sërish sportin e mundjes dhe në landin e Niderbajernit ka arritur të realizojë 36 fitore, duke u shpallur edhe 3 herë kampion i tij. Në vitin 1994 kthehet në Shqipëri për të punuar me forcat e “Briskut” dhe më vonë edhe me detyra të tjera në policinë e shtetit, ndërsa pas disa vitesh zgjodhi biznesin. Prej disa vitesh është edhe deputet i parlamentit shqiptar. Një deputet-mundës nga Shkodra dhe mbi të gjitha me një CV për t’u mbajtur mend gjatë nga të gjithë.
PASAPORTA SPORTIVE
Emri: Paulin
Mbiemri: Sterkaj
Datëlindja: 05.07.1961
Vendlindja: Shkodër
Klubet: Vllaznia 1977-1980, 1983-85, Partizani 1980-83, Dinamo 1985-91, Untergzbach (Gjermani) 1991-94.
Ndeshje ndërkombëtare: 38 (20 me përfaqësuesen)
Trofetë: 12 herë kampion i Shqipërisë (në peshat 74, 82, 90 dhe 100 kg), 11 herë fitues i Kupës së Republikës, medalje argjendi në Izrael, medalje bronzi në Athinë në 1991, 3 herë kampion i landit Niderbajern.
Titujt: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i sportit shqiptar”, “Nderi i sportit shkodran”.
Ndeshja më e bukur: Paulin Sterkaj- Ndriçim Spahiu 1979, ekipore Vllaznia-Partizani