Respublica: Kur vija editoriale katandiset në një episod “portokallie”
Sokol Balla ja doli që ta menaxhonte ikjen e vet nga Top-Channel si një lajm të trishtë për vetë gazetarinë. Lajm pas lajmi në portale miqsh e shokësh që përbëjnë tashmë klanin e mbyllur të gazetarëve që nisën rrugën profesionale në vitin 1991, ikja e Ballës, u transformua në një zhvillim mediatik që dëmtonte kanalin televiziv në fjalë. Nuk u dha asnjë arsye zyrtare për këtë largim që po lë pa gjumë vip-at e gazetarisë, që kanë 25 vjet që shesin ide dhe janë kthyer në ustallarë të kritikës koniunkturale.
Dje në mbrëmje Balla njoftoi në twitter largimin përfundimtar nga Top-Channel ku në fakt e kishin larguar edhe njëherë tjetër. Njësoj si kolegë të tjerë, ai ka lëvizur në disa televizione, duke lënë përherë gjurmën e dikujt që është ngritur në “maja” me ndihmën e dukurisë Berisha.
Pak rëndësi ka kjo. Në një vend ku edhe budallallëku mund të hyjë në modë si pa të keq, nuk është ndonjë çudi që inflacioni i ikonave të ketë arritur në përmasë industriale.
Ajo që ka rëndësi është ndjenja e humbjes që Top-Channel përjeton me këtë lëvizje, tempin mediatik të së cilës e tërheq Balla me shokët e tij në media.
Sot TCh – media kombëtare për të cilën kanë të drejtë të thonë diçka të gjithë – ka bërë diçka që të kap në befasi. Ka zgjedhur të mbrohet, madje të përmbajë veten me një shkrim të publikuar në gazetën “Koha Jonë”, i cili është huazuar nga një tjetër faqe.
Aty drejtuesit e këtij televizioni kanë gjetur arsyetimin e duhur për t’iu përgjigjur pabesisë së Ballës, duke pranuar edhe arsyen e shkarkimit të tij nga drejtor. Kjo është qoka e tij për Sajmir Tahirin, ndërkohë që në shkrim tirren edhe aspektet e një konkurence të padrejtë nga media të tjera që “marrin favore nga pushteti”.
Nuk dihet si mund të lexohet kjo avokati de facto e “Kohës Jonë”, një media e cila siç thuhet është pranë interesave të LSI-së.
Vendosja e shkrimit të saj në faqen online të TCH sugjeron shumë nënkuptime, por mes rreshtave lexohet premtimi për një opozitarizëm të fortë, por edhe afrimin e shpejtë të “një ikone të re të medias”.
Ky është dyfish gabim për një televizion që nisi duke promovuar figura të reja dhe përfundoi duke krijuar dhe mbarështuar deri në dhjamosje një kastë psedo-aristokratësh të medias që masturbonin “intelektualisht” përditë para njëri-tjetrit nën epshin e të qenit top-çinj.
Është qesharake dhe mjerane të shohësh sesi një televizion që dikur e kishte kompleks të citonte informacione edhe nga gazeta “Shqip”, të cilën e botonte e njëjta kompani, sot mbrohet dhe i hakërrehet një gazetari të ikur që rrit pazarin e vet gjetkë, me një shkrim të një gazete, apo një faqeje tjetër që është e përcaktuar politikisht.
Mesazhi në këtë rast nuk ka të bëjë aspak me Topin dhe vetëlegjendimin e drejtuesve për “perandorinë”, por me angazhimin në një luftë pushteti. Asgjë më shumë. Në fund duhen dhënë urimet më të mira për një media që e katandisi intuitën editoriale -që nuk e ka patur ndonjëherë edhe kështu të lartë – në një episod të Portokallisë.