Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: Viti i nëntëmbëdhjetë me tri rrëfime mjegulle

Do të fryjë erë dhe do të bjerë shi mbi Kosovë më 2018, por nuk do të mjaftojë që të evidencohen viktimat e resë së madhe që qëndroi mbi kokat tona.

1.

Ky është një rrëfim që i ngjason atij që pason dhe që dallohet pak prej të tretit.

I pari është i një qyteze që quhet Donora, është në Pensilvani, SHBA, dhe si shumë qyteza të këtij shteti është i njohur për uzina çeliku.

Më 1948, qyteza u bë e njohur për shkak të një reje të madhe mjegulle që e mbuloi. Për katër ditë e katër net mjegullnaja e madhe mbuloi dritën e 14 mijë banorëve të Donorës. Njëzet banorë vdiqën gjatë atyre katër ditëve, edhe nja 50 të tjerë vdiqën pas një muaji, e llogaritet se gati gjysma e banorëve të qytezës patën pasoja shëndetësore.

Ditën e pestë ra shiu dhe e largoi mjegullën. U shtrua një pyetje, brenda qytezës e jashtë saj, se si erdhi kjo mjegull vrastare.

– Është një akt i Zotit, tha përgjegjësi i Uzinës së Çelikut dhe Zinkut.

Shkencëtarët besimtarë, që nuk dyshuan se Zoti ndonjëherë ndërmerr veprime të këtilla, shtuan edhe disa sqarime. Ato ditë tetori nuk frynte era mbi Donora, ajri i ngrohtë sipër qytetit e shtypte atë të ftohtë përfundi dhe ajri i ftohtë ishte si një tavan i ulët që nuk lejonte që çdo gjë që dilte nga tymtarët e uzinave dhe të shtëpive të vazhdonte rrugën tutje për në qiell. Të mbytura nën tavanin e ajrit të ftohtë ishin grimcat e karbonit, vajtimet e qytetarëve, dyoksidi i karbonit dhe shprehjet e shpresës se do të bëhet më mirë.

2.

Në rrëfimin e dytë një re e madhe smogu (fjalë që kombinon në anglishte smoke dhe fog, tym dhe mjegull) mbuloi Londrën. Qenë katër ditë të dhjetorit të vitit 1952 që nuk lejuan depërtimin e dritës së diellit. Diku mes këtyre datave, katër mijë njerëz vdiqën nga sëmundjet e frymëmarrjes të shkaktuar nga reja e madhe e smogut. Kur ra shiu dhe u largua mjegullnaja e madhe u konstatua se një mijë tonë grimcash tymi, 140 tonë acid hidroklorik, 14 tonë të përbërësve fluori dhe 370 tonë të dyoksidit të squfurit, që mund të jenë shndërruar në 800 tonë të acidit të squfurit, u emetuan në katër ditët e dhjetorit të vitit 1952.

– Është punë moti, tha me mungesë emocioni kryeministri britanik Winston Churchill.

Qe punë moti, u pajtuan shkencëtarët. Një mungesë ere dhe një anticiklon që mbante kapakun e ajrit të ngrohtë mbi atë të ftohtë, sikur në Donora, nuk lejonte që çdo gjë që dilte prej tymtarëve të termocentraleve dhe të shtëpive (grimca solide, dyoksid i karbonit e kështu me radhë) të vazhdonte rrugën për në qiellin e hapur.

3.

Rrëfimi i tretë nuk ka të bëjë me Obiliqin, ka të bëjë me një re që rri mbi Kosovën tashmë 18 vjet, e tash po hyjmë në vitin e nëntëmbëdhjetë.

Reja nuk i lejon qytetarët që të marrin frymë. U erdhi ditën kur u çliruan nga një re tjetër e rëndë dhe e madhe, ajo e okupimit. Qytetarët u gëzuan, fryni një erë e fortë, ra një shi i mirë, dhe për një ditë, për disa ditë me radhë, që të gjithë përjetuan çlirimin.

Pastaj erdhi reja. Solli pushtetin e njerëzve që u legjitimuan me dhunë,mungesë edukate dhe tepri ambicieje.

Është një re mjegulle që rri mbi Kosovë. Bëhet viti i nëntëmbëdhjetë që rri kështu. Është më e rëndë se ajo e Donorës dhe e Londrës. Në Donora e në Londër, për katër ditë me radhë, qytetarët u fshehën me shpresë se reja e madhe nuk do t’i gjente. Në Kosovë nuk kishte vend për t’u fshehur, reja e madhe kishte mbuluar dhe mbulon çdo sipërfaqe: nxënësit nuk kuptojnë atë që lexojnë, femrat kanë aq gjasa për punësim sa ato në Afganistan e Palestinë, shpresa më e madhe e rinisë është që të liberalizohen vizat për në BE, që të mundë të ikin nga ky vend.

Në 19 vjetët e ekzistencës reja ka prodhuar të vrarë në konflikte partiake, të sëmurë nga mungesa e përkujdesjes mjekësore, të syrgjynosur nga besimi i thellë se mungon perspektiva e çfarëdo ardhmërie normale.

Kosova është e mbuluar nga një re e pushtimit të ri, të pushtetit të injorancës.

4.

Është i lehtë arsyetimi. Në Donora ishte Zoti, në Londër Natyra, në Kosovë të paarsimuarit.

Por kur fryu era dhe ra shiu në Donora dhe në Londër, doli se kishte më shumë se Zot e Natyrë në ato ditë mjegulle. Në Donora ishin uzinat e çelikut dhe të zinkut që e ndotnin qytetin, në Londër ishin të gjitha ato termocentrale, përfshirë atë të Battersea-s (e famshme nga kopertina e albumit “Animals” të Pink Floyd) që mbushnin qytetin me grimca tymi dhe dyoksid karboni e ndotës të tjerë) – anticiklonet vetëm e vërtetuan në katër ditët se sa dëm mund të prodhojnë.

Problemi i Kosovës, natyrisht, është se ende nuk ka fry era dhe nuk ka ra shi. Nëse e marrim analogjinë e resë së Donorës e atë të Londrës, anticikloni i Kosovës përbëhet prej shtresës së ajrit të ngrohtë me emër Bashkësia ndërkombëtare, që i rri mbi kokë ajrit të ftohtë me emër Elitat politike të vendit. Që të dyja, ajri i ngrohtë me të ftohtin, Bashkësia ndërkombëtare me Elitat politike, përbëjnë një kapak të betonuar që nuk lejon që çfarëdo të dalë nga oxhaqet e shtëpive të këtij vendi: që të gjitha që prodhon shoqëria kosovare-në politikë,ekonomi, shëndetësi, arsim e kulturë – shndërrohen në një re të madhe ndotjeje që rri mbi qytetarët e vendit.

5.

Do të fryjë erë dhe do të bjerë shi mbi Kosovë më 2018.

Por nuk do të mjaftojë, si në Donora e Londër, që të evidencohen viktimat e resë së madhe që qëndroi mbi kokat tona.

Sikur në Donora e Londër, ku duhej evidencuar uzinat e termocentralet që shkaktuan atë ndotje dhe ku duhej vendosur masat që kjo gjendje të mos përsëritej, do kërkuar në Kosovë se çka, saktësisht, duhet ndërmarrë në këtë shoqëri që reja 19-vjeçare të mos i përsëritet./Koha.net

Please follow and like us: