Kambana e kishës së Zojës Nunciatë në Karpen të Kavajës
Dr. Dorina Arapi
Në Muzeun Historik Kombëtar, në pavijonin e mesjetës janë të ekspozuara dy kambana. Njëra e ka prejardhjen nga fshati Shelcan i zonës së Shpatit, ndërsa kambana e dytë e ka prejardhjen, ashtu është siç shënuar në etiketën e objektit të paraqitur në pavijon, nga kisha e Karpenit, Kavajë, por pa cilësuar kishën nga vjen objekti. Kambana e Shelcanit mban datën 1455, ndërsa ajo e kishës së Karpenit, sipas etiketës të muzeut 1465 (ndonëse unë mendoj se i përket viteve 1450-1455).
Në kambanën e kishës së Shën Kollit të Shelcanit, paraqitet ikonografia e Shën Anës Trinitare. Shën Ana paraqitet e ulur në fron e në duart e saj mban dy flamuj me kryq, e pranë saj Shën Marinë. Për këtë ikonografi, të cilën e kemi paraqitur në një artikull të mëparshëm, kemi hamendësuar jo vetëm për prejardhjen e saj nga vendet e Italisë, por dhe duke e cilësuar si një ikonografi e veçantë, e përhapur gjatë Rilindjes italiane e veçanërisht duke hasur shembuj ikonografik në artin e rilindjes fiorentine.
Po të shfletojmë relacionet e Propaganda Fides gjatë shekullit XVII në viset shqiptare ( shih: Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të mesme në shekullin XVII (1634-1650), teksti original dhe përkthimi nga Injac Zamputti, red. Aleks Buda, Vëll. I-II, 1965), kuptojmë se shumica e kishave katolike kishin patur kambanare e kambanë, por dhe që shumë prej tyre ishin të dëmtuar nga turqit, nga mospërkujdesja ndaj tyre, nga situatat kishtare etj.
Në këto relacione shënohen të dhëna të shumta rreth numrit të kishave të ritit katolik roman, pikturave murale e tabllove të tyre, dekorimit e emërtimit të kishave. Por sigurisht që kishte kisha të pikturuara e ndoshta të ndikuara nga kultura italiane, ku lehtësisht dalloheshin për stilin e artit perëndimor, jo vetëm në mënyrën e pikturimit, por ndoshta dhe në frymën e korpusit dekorativ dhe organizimit të elementëve artistikë e sigurisht arkitektonikë.
Dhe në fakt në një përmendet kisha e një manastiri me një bukuri të tillë “si kishat e Italisë”. Këto relacione flasin dhe për bukurinë e tyre, zbukurimet me gurë, me mermer e gjendjen e mirë të disa prej tyre; mbishkrimeve me tekste në gjuhë të ndryshme; objekte kishtare me gurë të cmuar, kryqe argjendi, burime pagëzimoresh, e objekte të tjera liturgjike. Kisha e Shën Marisë në Brar, e punuar me gurë të mirë, me dysheme me mermer të cilësisë së lartë, këmbanarë me gurë të punuar bukur e terrakotë, (228-230) apo kisha e Kurbinit, me altar të punuar bakër e kristal, ku mbahej një pikturë me korniza të arta, ku ishte e pikturuar Nëna e Zotit (241).
Kjo kishë kishte një kambanare të mëdhe, me një kumbonë të madhe, e me 3 altarë të lëvizshëm. Të tre altarët ishin bërë “që të mbylleshin sipas mënyrës së disa kishave në Itali”. (241). Në këto relacione përmendet dhe kisha e Karpenit, nga e cila mendojmë se mund të ketë origjinën dhe kambana e ekspozuar pranë MHK.
Sipas relacionit të Mark Skurës drejtuar Kongresist të Propaganda Fides mbi vizitën nëpër dioqezën e Shqipërisë së Mesme, me datë 20 dhjetor 1641, Mark Skura përmend në shënimet e tij, kishën e Shën Marisë e të Falunit të Karpenit (Santa Maria Nuntiata di Corpeni). Nuntiata, Nunziata ose “del Annunciazione” (it.), që nënkupton Shën Marinë e Lajmërimit ose ndryshe e Zojës Nunciatë. Ai shkruan se kisha ishte pothuajse e rrënuar, pasuritë e grabitura nga turqit dhe se popullsia ishte kthyer e tëra në besimin islam. (f. 233).
Gjithashtu në një relacion të dytë, po të Mark Skurës, rreth vitit 1644 (ose pas gjysmës së dytë të shekulllit XVII), Skura përmend përsëri kishën e Shën Marisë e të Falunit të Karpenit. (343) Ndërsa Skura na jep këto të dhëna për këtë kishë dhe asnjë të dhënë për kambanën e kishës, por në dy raporte cilësohet vetëm kjo kishë në Karpen të Kavajës.
Për momentin, me të dhënat e disponueshme, na bëjnë të ngrejmë hipotezën se kambana e ekspozuar pranë pavijonit të Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar, vjen pikërisht nga kisha “Santa Maria Nuntiata di Corpeni”, nga kisha e Zojës Nunciatë e Karpenit. Në këtë kambanë paraqiten mjetet e torturave që iu ushtruan Krishtit gjatë kryqëzimit të tij në kryq (Arma Christi), siç janë kryqi, pincat e 3-4 gozhdat.
Në ikonografi janë gjithashtu dhe heshta, mandili i Veronikës ku sipas teksteve është portreti i tij i fiksuar mbi një pëlhurë, që i dha Veronika për të fshirë fytyrën gjatë kalvarit të kryqëzimit; kurora me gjemba, të kuptuar si emblema të vuajtjes së tij tokësore. Në një kuptim të dytë ato simbolizonin ikonografinë e Pesë plagëve – plagët në brinjë, tek duart dhe këmbët, si shenjat e vuajtjes së tij.
Arma Christi u kthye në një kult akoma më me rëndësi dhe popullaritet gjatë Mesjetës së vonë, por duke arritur kulmin e saj në shekullin XV. Këto elemente kanë marrë një kuptim figurativ si armët, të cilat ishin ndërmjetëse të shpëtimit, sepse nëpërmjet tyre Krishti dha jetën e tij për njerëzimin.( Shih: Saporiti 2010, 1-32) Por në fillim të shkrimit të kambanës janë të gdhendura gërmat IHS, monograma e emrit të Jezuit.
Kjo monogramë u risoll në shekullin XV nga një rregulltar Shën Bernardini nga Siena, (1380–1444). Gjatë shekullit XV kur ai zhvilloi dhe misionet e tij, shumë nga predikimet e tij u shkruan dhe u ruajtën. Ai është më i njohur për predikimin e tij në përkushtimin ndaj Emrit të Shenjtë të Jezusit. Dhe në këtë mënyrë për të ndihmuar në promovimin e Emrit të Shenjtë të Jezusit, Bernardini krijoi një simbol që ai mbante gjatë predikimit, monogramën IHS me rrezet e diellit. Ai kërkoi ndihmën e piktorëve për të bërë kopje të simbolit në mënyrë që t’ua jepte të tjerëve për të promovuar Emrin e Shenjtë të Jezusit.
Shën Bernardini e popullarizoi këtë monogramë dhe kërkonte që çdo familje e besimtar të mbante këtë simbol kudo. Ky simbol u përdorur shpesh në veshjet dhe objekte të kishave përgjatë shekujve, ashtu sic është dhe në këtë rast. Pavarësisht se monograma në kambanë nuk ka rrezet e diellit, pra nuk është e në formën të cilën Shën Bernadini promovoi, përsëri ajo vjen si një dëshmi e kohës, që i detyrohet ndikimit të rregulltarit në promovimin e Emrit të shenjtë të Jezusit. Së bashku me Arma Christi, këto simbole u kthyen në ikonografi të kohës, që u përhapën gjatë shekullit XV.