Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Podrimja: Basri Çapriqi, poet i veçantë

Në kohë të mëdyshjeve, përplasjeve e kërkimit të së resë zbriste një i ri nga cepi verior i Ilirisë, i cili artin do e kuptojë, para së gjithash, shpalim të vetes e kënaqësi estetike si dhe mjet për të dëshmuar identitetin; do u shmanget skemave banale e streotipeve, verbi i tij poetik do lëvizë nga poezia imazhiste me nuanca mitike e deri te poezia e revoltës dhe e asaj konceptuale. Përballemi me një krijues, i cili veçohet nga brezi i tij për ndjeshmëri e artikulim bashkëkohor, koncepte e ide si dhe për guxim intelektual edhe ndaj temave tabu…. Vënia e problemeve qenësore në spikamë e shkëput Barsi Çapriqin nga poezia e hershme imazhiste me nuanac mitike, të cilat më vonë do i reflektohen si drita nostalgjike…. Ndeshemi me shenjat e para të poezisë konceptuale. Artikulimi është shpesh dhe dramatik. Prpblemet marrin shtrirje të gjerë, ku shenjat dhe mesazhet do i lexojmë si fatkeqësi njerëzore. Poeti thekson: “të ndjek Muri se Ti Dheun At bart nën gjuhë”, pra, shtrohet pyetja: Mos erdhi koha që gjërat të shikohen në copëza dhe liria na qenka mbyllja në vetvete nga frika e Murit Gjigant?… Në një situatë të tillë vërejmë se Muri i ngritur rreth tij e që e shkruan me shkronjë të madhe do e sjellë te një përfundim jo bash i lehtë. Përballja me të shkakton dhembje, se dritarja vazhdon të zbehet dhe shikimi të mbetet diku te korniza e fatkeqësisë. Vërtet ç’duhet bërë të lirohemi nga ajo dhe Muri lëvizës? Shikimin nga dritarja që zbehet poeti e mbyll me një buzëqeshje të skajshme ironike: “njerëzit janë të përktyer/ e bartin nën gjuhë Dheun At”. Ligjërimi u drejtohet shpërbërjeve jo vetëm të sistemeve, por edhe popujve. Sintagmën Dheun At linguistika bashkëkohore do e interpretojë si diçka të çrëndomtë, siç do të veprojë edhe me titullin “Burimi nën gjuhë”, një sintagmë jo e zakonshme. Ky çrëndomtësim gjuhësor shpalos ironinë e tij rrënuese, asnjë sistemi karakteristikë e krijuesve që nuk pajtohen me kanune Kujtoni njeriun e ri të diktaturës, pas rënies së sistemit ai nuk do të mund të gjendet në hapësirën, se kishte problem me hapësirën. Poeti e vë në tallje regjimin dictatorial dhe ndjen dhembje për njeriun që esksperimentohej me të në laboratorin e tij. Dhe morali pa etikë poeti na e thotë përmes një lavireje dhe dy ministrave, njëri i ushqimeve dhe tjetri i industrisë së rëndë, i vendos përballë raportet njerëzore dhe nxjerr kontradiktat si barazim grotesk mes sistemeve. Në një mjedis tjetër njeriu, i ashtuquajturi i ri, na del figurë tragjike, ku morali shndërrohet në monedhë (Vajza nga Lindja prostitutë në Romë). Zhgënjimi është më se njerëzor, se mbyllja hermetike ishte katastrofale. Pajtohesh edhe me turpin, krimin, vandalizmin. Tëhuajzimi ishte i thellë dhe lypset të kthehen gjërat në normalitet…. Ja, deri ku Muri Gjigant i çoi popujt, që ishin shkëputur për një kohë të gjatë nga grigja njerëzore dhe ishin të detyrurar të fshehin nën gjuhë Dheun At, që është njëherazi dhe pezmi i poetit ndaj tkurrjes së vazhdueshme të hapësirës së tij.
(Parathënia Çapriqi, poet i veçantë nga libri Basri Çapriqi Burimi nën gjuhë, poezi të zgjedhura, Toena, Tiranë, 2005)
BASRI ÇAPRIQI
MURI GJIGANT
Njerëzit janë të përkryer
mbështesin krahun për mur
vënë një vijë duke bërë limitin e vet
në jetën plotësisht të pranueshme
muri s’është aty për t’u kapërcyer
për t’u ndarë më dysh
rruga zgjatet e ne jemi këtu për të shkuar pranë
gjithnjë pranë kalon deri në fund
ku të humbet guximi për ta bluar në mendje.

Njerëzit janë të përktyer
e bartin nën gjuhë dheun At
s’çlirohen nga harresa nga shpresa e pafund për triumfin
një mijë vjet janë vënë nën faqe të Murit
duke trashur terrin në kujtim të një dritareje të zbehur.

Muri që rri aty s’të ndan ty nga barbarët
ti je këndej andej dashuria të digjet
netët e errëta në mes drunjtë e përkulur deri në tokë
shirat që bien shtojnë lëmashk mbi gurët e mbi terrin
kudo që hap derën ti veç mbështet fytyrën kah Muri
e lakon qafën në atë faqe të drunjve
ti vetëm dheun zbraz At a Murin mbulon
të ndjek Muri shikimin se ti dheun At bart nën gjuhë.

DRITAREN LËRE HAPUR
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të hyjë ajri nga rruga
flaka t’i dalë.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ta përpish frymën
të dalë erë e keqe e trupit.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të thyhet vizioni në sy ta spastrosh shpirtin
nga hapësirë e mbyllur.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ushton zë epik i poetëve nxitojnë fëmijët të ikin
nga terri nga tingujt e mprehur.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
zbrsin bishat nga malet
shkelin mollët në gratë e vdekura.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
shi bie pak ujë sidomos pak ujë
në buzë të plasur vëre.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
çlirohu nga epshet nga faji
përfalu me të vdekurit tuaj sidomos.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
me qentë ta bësh gjumin me insektet
me shpirtrat e territ me zërat e largët.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
kufomat janë bashkudhëtarët tuaj të sinqertë shih
ata s’të vrasin s’të zënë kalimin frymën.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
para se të niseni në atë udhëtim të fundit
me nga një ombrellë të çeliktë shi i kuq pikë.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
thyeje pasqyrën katrore me fytyrën tënde
në kënd të dhomës e nisu.

Dritaren lëre hapur dritaren lëre
se ti je i vdekur në ushtrinë që marshon nga qielli
mbylle derën mbylle

mos të dalin bishat dhe njerëzit.

LIRIA
Asgjë e re s’ndodh dhe do të shkojmë në fund
në fund të fundit
liria është një mut i madh dhe s’e vlen më as jetën
ta japësh për të as atë cikrrimë lirie si s’i lodh
ata hanë hekur me dhëmbë liria është një faj
i rëndë që bartim lidhur në qafë e shpiem diku larg
ku s’dinë as ata që hedhin hapa mamutësh liria
është një mut i madh të lodhin heronjët dhe kurvat
të mbesin në qafë ata hanë hekur me dhëmbë ato hanë
hekur me dhëmbë dhe të shtrydhin me fjalime të gjata
për paqen dhe pastërtinë e racës ata i lodh paqja
ma sjellin lirinë në pjatë dhe thikën në tryezë
ma marrin frymën kur u pëlcet lëvozhga nga qetësia.

ÇKA I SHKROVA BABAIT NGA PARGA
Baba a na janë mbaruar fiqtë në kopësht a kanë
mbetur të thatë
sa arrita në Igumenicë në Pargë rashë nga fiku
ullinjtë nuk do t’i sjell as limonë si më ke
porositur
nga ata janë që i kemi në Ulqin s’bëjnë
kokrra shumë
do të marr diku nga Jugu nga Peloponezi
Peshkopi Joakim më do shumë do të më
përtërijë
ai i sharton baba ullinjtë i bën të racës së
zgjedhur kokërrmadh
kokërrmadh kokërrmadh baba ti s’di gjë kanë
emër porofesional
veç Thanasit këtu s’i mbushet rradakja sikur ty
ai do të piqet shpejt baba do të bjerë nga dega
do të bjerë në tokë
kështu më thotë Peshkopi Joakim që më do
shumë baba
për Zotin që (s) është një do të bjerë.
Pargë, tetor 1986.

Please follow and like us: