Prof. Bashkim Kuçuku: Çapriqi, bartës dhe risues i modernitetit
Ironia disa llojesh, posaçërisht ajo e paradoksit, është e dukshme në krijimtarinë e Basri Çapriqit (1960). Më e shpeshtë ironia është ndaj zhgënjimit prej tabuve e dogmave politike, idhujve dhe shenjtorëve, pritjeve të pafrytshme, besimit dhe mirëbesimit të djeshëm. Disa herë ajo strukturohet mbi përmbysjen e thënieve filozofike popullore, dhe, herë të tjera me ndryshimin e vargjeve të poetëve të njohur, që do të thotë se ironizohen, gjithashtu, vetëdija, mendësitë dhe morali tradicional, si dhe mendimi e konceptet estetike të tejkaluara, arkaike. Basri Çapriqi, formuar në mjedisin letrar të Prishtinës në të cilin është shkruar me përparësi poezia moderne, ka ndjekur vazhdën e saj, vetkuptohet, me lëndë, ndjeshmëri dhe veçori të tjera. Poezia e këtij bartësi dhe risuesi të modernitetit, është edhe më afër ezoterizmit, më saktësisht, hermetizmit. Mendimi zhvillohet nëpërmjet një loje këmbyese midis përcaktueshmërisë dhe papërcaktueshmërisë, me metonimi, metafora e simbole me një apo pa asnjë këmbë mbështetëse për konkretëslinë, pasi lidhjet me dukuritë jetësore janë të tërthorta e të largëta, jo rrallë parabolike. Në një pjesë të madhe të saj vrullojnë përjetimet e njeriut të atij mjedisi, ku mungesa e lirisë dhe dhuna po tkurrnin gjithçka nën koracën e heshtjes vetëmbrojtëse, mbushur plot me pasiguri, frikë dhe tmerr, prandaj, mund të cilësohet poezi e pasojave traumatike, e, posaçërisht, e ankthit të rrezikut ekzistencial, vetiak dhe kolektiv etnik, që është i rrallë ose edhe i panjohur në poezinë e modernitetit evropian të gjuhëve të tjera. Poezia me këto gjendje psikologjike dhe përjetime më shpesh është me strukturë kontrastuese dhe përmbajtje antonimike, në përngjasim me realitetin jetësor të mbingarkuar me konflikte, dukuri, prirje, qëndrime dhe filozofi skajshmërisht të kundërta. Në këtë antonimi figurash e përmbajtjesh me rezonancë të gjerë edhe për lexues jo shqiptarë, përbri simbolit të ombrellës së çelikut, shiut të kuq, siluetave të zeza të rrugës që shfaqen edhe në ëndërr apo hiperbolës ironizuese të botës së pshurrur nga frika e fëmijëve është leitmotivi metonimik i ndjenjës përtëritëse dritaren lëre hapur dhe lutja thirrore për katarsë, për pranim të fajit. Hapja e dritares së komunikimit me botën, tej hapësirës së vet, dhe mbyllja e derës për bishat e dhunës primitive ndryn në vetvete procesin historik tragjik, që sapo është mbyllur në Ballkan. Si poezi e ankthit të rrezikut ekzistencial, nën trysninë e të cilit gjithçka ndryshon përmasat e veta dhe bëhet flu, imazhet e saj janë si copëzat e një pasqyre të thyer. Lexuesi duhet t’i ngjitë e t’u rregullojë konvergimin për t’i kuptuar plotësisht.
Nga “Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore”Bashkim Kuçuku, Onufri, 2008