Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Të zbulosh Sterjo Spassen…

 

(Shënime mbi librin “IM ATË, STERJO” të Ilinden Spasses)

 

      Në historinë e mendimit estetik, e cila përveçse lidhet shumë me tekstin e shkruar nga shkrimtari apo poeti, një vend të rëndësishëm, veçmas pas shfaqjes në zhanrin e biografisë të shkrimtarëve dhe artistëve në botë, të biografëve të kalibrit botëror siç është Stoun apo Stefan Cvajg, ky zhanër ka marrë një rëndësi jetike për të studiuar dhe interpretuar drejt dhe më së miri veprat e shkrimtarëve të dëgjuar, jo vetëm të se kaluarës por dhe ata të kohës sonë. Në këtë kuptim, letërsia moderne, duket se i është përafruar akoma më shumë perceptimit të letërsisë klasike, e cila ka pasur kriteret e veta lidhur me studimin e veprave letrare, të të gjitha zhanreve, të cilën e mban të referuar me jetën dhe të dhëna të tjera të rëndësishme të veprimtarisë së tij.

      Në letërsinë shqiptare, e cila në shekullin e XX, pavarësisht vështirësive dhe kufizimeve të natyrës komplekse, që nga vitet e fillimshekullit e deri në vitet 1945, kur ajo mori një angazhim të dukshëm me zhvillimet kulturore dhe politike të vendit, ka pasur shkrimtarë, poetë, novelistë, tregimtarë dhe njerëz të mendimit estetik të kapaciteteve të rëndësishme, që kanë përbërë dhe korpusin themelor të zhvillimit kulturor dhe të themelimit të letërsisë shqiptare me tiparet e saja të rëndësishme tematike, tipologjike dhe estetike. Por, pavarësisht këtij zhvillimi të konsiderueshëm, prodhimi të rëndësishëm letrar të të gjithë zhanreve, i cili plotësonte nevoja të ngutshme të shkollës dhe edukimit shoqëror, nuk u praktikua kultivimi i zhanrit të jetëshkrimit të shkrimtarëve apo poetëve të njohur.

     Autori Ilinden Spasse, djali i shkrimtarit të shquar të shekullit te XX, Sterjo Spasse ka provuar dhe ka sjellë një libër, i cili duket se pjesëzon zhanrin e monografisë me atë të romanit biografik, i titullar “Im atë, Sterjo!” Është një libër që nuk ngjan me asnjë lloj monografie apo biografie të letrarizuar apo në standardin klasik të njohur, pasi libri ndjek rrjedhën jetësore të shkrimtarit nëpër etapat jetësore nga njëra anë, por nën ndarjet e mëdha, që janë kapitujt e librit në të vërtetë, autori përdor mekanizmin e syzheve, një mënyrë për të thyer vështrimin kompleks të veprës dhe për të pasur mundësinë e leximit vertikal, të cilat autori i shënon me numra.

       Në faqet e kësaj vepre letrare, ashtu si në mendimin kritik e letrar shqiptar, autori na shfaq personalitetin letrar dhe shoqëror  të shkrimtarit Sterjo Spasse, i cili e nisi krijimtarinë e vet letrare në vitet ’30 të shek. XX si nxënës i Shkollës Normale dhe pastaj si mësues në Derviçan të Gjirokastrës ku shkroi dhe botoi romanin e vet “Pse” (1935). Asokohe romani shqiptar ishte në hapat e para, ishin botuar veç ndonjë roman nga Foqion Postoli a Ndoc Nikaj, andaj romani “Pse” si dhe “Afërdita” (1944) lanë gjurmët e tyre të thella në mjediset letrare dhe intelektuale të kohës.

     Sterjo Spasse ishte fort i ri, 20-vjeçar, me mendime e ideale të mëdha për jetën kur nisi të shkruajë romanin “Pse” në të cilin nuk qe rastësi që kryepersonazhi Gjon Zaveri, mbartet prej pseudonimin  letrar të shkrimtarit, i përplasur me dallgët e kreshtuara të jetës. Pikërisht Gjon Zaveri = autori, ky intelektual i ri, i kulturuar dhe i pashëm dritësohet në faqet e romanit mes ëndërrimeve dhe zhgënjimeve të romanit të kohës.

     Duke e bërë një lloj strukture të natyrës moderne veprën, natyrisht nevoja dhe arsyetimi i parë i lexuesit është çelësi i veprës, pasi gati në të gjithë veprën, ka një “stil agresiv”, ku stili monografik ekuilibrohet apo barazohet me natyrën krijuese të shkrimit dhe sjelljes apo evidentimit të jetës së shkrimtarit të çmuar. Duke qenë një vepër, e cila të kujton kërkimin e mistereve, i përfshirë në qerthullin e rrugëtimit jetësor të Sterjo Spasses, lexuesit i ndodh se gjendet në leximin e një romani me personazhe, ngjarje, linja të qëndrueshme ngjarjesh dhe veprimtarie, të përshkruara dhe sendërtuara më së shumti artistikisht.

     Duke ndjekur parimin e rëndësishëm të shkrimit për librin e lexuar, i çdo lloj zhanri qoftë ai, çka nënkupton se vepra nuk duhet zbuluar plotësisht për t’i konsumuar asaj lexuesit e vet, mendoj se libri i kolanës “skripta mament” është i llojit të veçantë dhe i shkruar mjeshtërisht, qoftë për strukturën, mënyrën se si është përdorur materiali jetësor, por dhe për raportet “konfidenciale” të vendosura mes materialit jetësor dhe biografik me kolorin dhe shqisën artistike me të cilën është përcjellë kjo lëndë.

     Krijimtaria e njohur, studiuar dhe përcjellur gjerësisht nga kritika dhe studiuesit shqiptar e Sterjo Spasses ka dy gjëra të rëndësishme për një njeri që kërkon të shkruajë për të, ka dy skaje që nëse nuk di t’i bësh bashkë ato largohen pamëshirshëm prej njëri tjetrit. Jeta, personazhet, tematika, stili, gjerësia, mëvetësia, tipizimi, dhe çështje të tjera që Sterjo Spasse ka sjellë përmes prozës së tij, kërkojnë po të njëjtën cilësi, nivel dhe zbulim jetësor- psikologjik në një libër të kësaj natyre, ndryshe nuk ke bërë asgjë. Pavarësisht rëndësisë që autori Ilinden Spasse ka në këtë rast, përgjegjshmëria për një vepër të tillë nuk mund t’i shmanget dhe pse vepra “Im atë, Sterjo” është e një niveli të arrirë mjaft mirë.

Sterjo Spasse hyn në radhën e shkrimtarëve dhe veprimtarëve të kulturës dhe arsimit shqiptar, të cilët përveçse sakrifikuan dhe hapën ata të parët “brazdat”, duke lënë emrin dhe veprën e tyre, ai veçmas ka një profilitet të dallueshëm, specifik dhe të ndërtuar përmes një pune vërtetë të veçantë, e cila ngjan me një mjeshtëri, ku nuk vlen mundi dhe puna nëse atë nuk di ta ndërtosh. Si asnjë tjetër, por në radhën e parë të shkrimtarëve shqiptarë të cilët arritën të nxjerrin nga thellësitë ngjarje, karaktere, histori, heronj, njerëz të thjeshtë, por që përbënin bazamentin kombëtar dhe kulturor të njërit nga popujt më interesant dhe më të vjetër të Ballkanit, Spasse nuk mund të anashkalohet kurrsesi.

     Sterjo Spasse përveç publicistikës ka shkruar kryesisht në zhanrin e prozës; tregime, novela dhe romane, të cilët shquhen për ringjalljen e kohës shqiptare përmes marrëdhënieve dhe karaktereve, por prerjet psikologjike të mjediseve dhe personazheve, duket se afrojnë një zbulesë të thellë, të cilën nuk mund ta arrinte dhe ta shndërronte në një strukturë letrare të komunikimit kushdo tjetër.

Në një periudhë 50 vjeçare, pena e Sterjo Spasses nuk pushoi kurrë të shkruarit letërsi, krahas punëve të tjera jetësore dhe të profesionit që shkrimtari ushtroi gjatë gjithë kohës. Ai ka shkruar kronologjikisht këto vepra:”Kurorë rinie” (1934), “Pse”?! (roman 1935), “Afërdita” (roman 1944), “Ata nuk ishin vetëm” (roman 1952), “Afërdita përsëri në fshat”(roman 1955), “Buzë liqenit” (roman 1965), “Sokolesha”(1966), “Të fala nga fshati” (1968), “Zjarre” (roman 1972), “Zgjimi” (roman 1973), “Pishtarë” (roman 1975), “Ja vdekje, ja liri” (roman 1978), “Kryengritësit” (roman 1983), “O sot, o kurrë” (roman 1989), “Kuvendim me nipin” (origjinal)”Letra nipit tim Arian nga Maqedonia dhe Kosova” (1975), (monografi 2000)“.

     Siç shihet në vargun e veprës së shkruar dhe të botuar të shkrimtarit Spasse, bie në sy gjinia e romanit, e cila në kushtet e letërsisë shqiptare përbënte një nga angazhimet më të rëndësishme të letërsisë nga njëra anë, por dhe të krijimit të një përvoje të nevojshme për romanin shqiptar. Spasse shquhet për marrëdhëniet e forta dhe vepruese me kohën dhe zhvillmet e saj, kështu që romanet e tij sjellin një pamje në përmasën dhe në kolorin e vet. Ilinden Spasse e njeh mirë letërsinë artistike, e duke ruajtur një lloj qetësie të shtrirë për jetën e shkrimtarit, në të vërtetë i ka dhënë lexuesit çelësin për ta kuptuar akoma më thellë shkrimtarin Sterjo Spasse pavarësisht kohës.

       Në këtë pleksje të mrekullueshme, pasi biografët në të shumtën e rasteve nuk mund ta njohin letërsinë apo gjininë e romanit, por në këtë rast koincidenca ka qenë vërtetë fatlume. Pjesa më e madhe e lexuesit të këtij libri të jashtëzakonshëm, jo vetës pse ai sjell një “fotografim” të mrekullueshëm për jetën e shkrimtarit Sterjo Spasse, përfton një lidhje të fortë me shkrimtarin dhe krijimtarinë e tij, kështu që libri arrin të mbaje të lidhur një fakt jetësor dhe një strukturë artistike. Dhe pse pas  kaq kohësh kjo marrëdhënie duket si një lloj verifikimi, ajo është e rëndësishme.

     Është gjithmonë e nevojshme të mësosh rrugët, mjediset, shkuar-ardhjet, brengat dhe gëzimet, shkollën dhe kohën e lirë, pasionin dhe detyrimet, përfytyrimet, njerëzi e afërt, familjen dhe njerëzit e zakonshëm, të cilët kanë qenë pjesë e jetës dhe rrugës së shkrimtarit, pasi ata janë kudo dhe pse duken si të aty-këtushëm në një vepër artistike. Në një vepër artistike personazhet real, ata që janë thellësisht në modelin e shkrimtarit, shfaqen si thjerrëzat që përthyejnë rrezet e dritës.

Fshati i Gllomboçit dhe pse ngjan i vogël për një personazh të tillë si Sterjo Spasse, ai është vendlindja e cila ka mbetur gjatë gjithë jetës së shkrimtarit një nga gjërat më të nevojshme dhe të rëndësishme, kështu që shkrimtari kudo që shkoi e ka mbajtur kokën pas nga vendlindja e tij. Në sytë e fëmijës, Spasse, në Gllomboç ishte një univers i mjaftueshëm për të besuar, për të qenë romantik, për të prekur dashurinë hyjnore të prindërve, për të prekur mrekullinë e natyrës në çdo stinë, për të dashuruar dhe urryer dhe ajo më e rëndësishmja, për të patur një mundësi shpirtërore dhe intelektuale për të ecuar përpara.

      Sterjo Spasse është rritur në një familje, e cila e njihte mirë se ç’kishte përtej hapësirës së kufizuar për shumë arsye të Gllomboçit, kështu që fëmijët e Spasses (babait të Sterjo Spasses), nuk u ndjenë kurrë të kufizuar për të kapërcyer vendlindjen apo përtej vendlindjes në shtegtime dhe më të largëta, kryesisht për dije dhe arsim. Në traditën dhe në familjen e Sterjo Spasses ka pasur një edukim të rëndësishëm të besimit, i cili e ka ndihmuar shumë pasionin për shkollim. Nga një shkollë në tjetrën, nga një mësues në një tjetër, nga një fshat në një tjetër, nga një qytet në një tjetër, Sterjo Spasse falë këmbënguljes së familjes dhe intelektit të tij të jashtëzakonshëm, ai mbaron shkollimin e nevojshëm për të mos u penguar për të ardhmen.

     Fëmijëria, me gjithë romantizmin që fsheh brenda vetes kjo moshë, po ashtu dhe penelatat si përshkruhet vendlindja, raportet me prindërit, moshatarët, gjykimi për jetën, shoqërinë, librat, shkrimtarët, zgjimi i prirjeve krijuese, kujtimi për mësuesit, e që të gjitha ngjajnë me një novelë të bukur, por që është e vërtetë. Në sytë e fëmijës Sterjo Spasse ka mbetur mjaft mirë dhe njerëzishëm besimi në zot, ritualet dhe ritet, ditët e kishës, bujqit, sakrifica për të pritur dimrin e ftohtë, të afërmit dhe njerëzit e tjerë, gëzimi dhe mërzia e babait apo nënës, vëllezërit, liqeni, kodrat, dielli dhe hëna që zhduken dhe shfaqen pas kodrave dhe shkëmbinjve, bisedat dhe debatet familjare, kujtimet për të parët, histori të ndryshme të të parëve që vinin nga mërgimi, pra një formim interesant për një fëmijë që do t’i kapërcente shumë i njomë kufijtë e fshatit dhe larg familjes.   

       Pavarësisht gjithë këtyre vështirësive, ky intensitet ngjarjesh dhe kohe të ngjeshur, në këtë qerthull kohor do të formohej më së shumti karakteri i Sterjo Spasses, këmbëngulës, i durueshëm, pasionant dhe kërkues. Në kohën e fundit Sterjo Spasse shkon për t’u shkolluar në qytetin e Korçës. Pavarësisht vështirësive, qyteti i madh dhe me një kulturë qytetare është një fat dhe mundësi e madhe për të. Atje do të shihte dhe do të takonte njerëz të dijes, e cila i kapërcente kufijtë e Korçës dhe të Shqipërisë. Krahas mësues Pandeliut, tashmë kishte mësues dhe Ilo Mitkë Qafëzezin e të tjerë që dinin shumë gjëra për psikologjinë e nxënësit të klasës së gjashtë Sterjo Spasse.

      Në ditarin e tij ka një vlerësim interesant për këtë kohë:”Si m’u duk Korça kur e pashë për herë të parë? Fillo shqiptarja e madhe Miss Edith Durhami ka ardhur në Korçë për herë të parë në vitin 1904 dhe në librin e saj “Brengat e Ballkanit”, midis të tjerave shkruan:” Korça është një qytet i habitshëm. Është i pastër, shumë i pastër, më i pastri qytet që njoh unë në Perandorinë Turke; me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa sgarë e plehra…”(Ilinden Spasse, “Im atë, Sterjo!”, botoi UETPRESS, Tiranë 2016, fq. 20) Dhe, siç do të shihet gjatë gjithë jetës më vonë, Korça e kishte përgatitur Sterjo Spassen për rrugë më të gjata dhe më të mëdha.

     Studimet e mesme në shkollën Normale të Elbasanit janë një mundësi e mirë për aftësitë dhe rrugëtimin në jetë të Sterjo Spasses. Me konkurs, ai fiton të drejtën e një burse, që do t’i lehtësonte shumë familjen dhe babain e tij Spassen. Në Elbasan, nxënësi i zellshëm Spasse dhe pse vinte nga një zonë e thellë, përfshihet shpejt në mjediset qytetare dhe ato të librave, të cilat i përpinte me një zell të madh. Kontaktet me Aleksandër Xhuvanin, Lef Nosin, Mahir Domin kanë një rëndësi të madhe. Gjatë kësaj kohe Sterjo Spasse ka një letërkëmbim të vazhdueshëm me familjen, veçmas me babanë, të cilat janë të gjerësishme dhe kanë një informacion të rëndësishëm. Në to ka një veçori interesante, pasi djaloshi i ri ka një përjetim të gjerë për familjen dhe njerëzit, për fshatin dhe kohën. Kur ishte nxënës i Normales, Sterjo Spasses i shfaqet dhe fati i jetës së tij, ai fejohet me vajzën që do ta kishte gruan e tij, Nikolinën e Llazo Dudes, e cila përshkruhet si drita e diellit.

     Elbasani është një shteg i gjerë për interesat e Sterjos. Takimet me Aleksadër Xhuvanin ishin një mundësi dhe një shkollë më vete për një nxënës të ardhur nga zona e Prespës. Siç kuptohet, për kohën dhe aftësitë që Sterjo kishte duke qenë normalist, besimi në vete, të nxënit jo i pakët nga leximet, kontakti me jetën e njerëzve në qytet, vështirësitë ekonomike të familjes kishin zgjuar tek ai nevojën dhe arsyen për të shkruar. Kështu, shkrimin e parë të titulluar “Problema” e botoi në gazetën “Ora” të Tiranës, ndërsa filloi të bashkëpunonte me “Normalistin”.

      Në rrethana të befta burgoset në Elbasan. Është një moment i rëndësishëm në jetën e shkrimtarit të ardhshëm, pasi gjithçka e rrethonte, ai e shihte me atë syrin e thellë të tij, por me këtë rast kupton se ka shumë miq dhe shokë që i gjenden në këto momente të vështira. Të kësaj kohe janë letrat e Sotir Kolesë (drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut të Shqipërisë) dhe letra e Drejtorisë së Entit  Kombëtar “Djelmënia Shqiptare”, e cila i njofton një çmim në konkursin e novelave, kryesisht për novelën “Kryengritësi shqiptar”.

         Është një moment i rëndësishëm në jetën e tij, pasi Sterjo Spasses po i rritej personaliteti në një hapësirë gati kombëtare. Në këtë kohë ai shkruan me pseudonime të tilla si: “Hamleti i shqipes”, “Gjon Zaveri”, “Galiçica”, “P. Leci”, “B. Petriti”, “K. Lame”, “N. Miti”, “M. Sh”, “Dip-Ama”, “a-jo”, “Z”, (st.r), “M. Kume”, “P. Bega”, “Luani” etj. Të kësaj kohe janë përjetimet e thella, të cilat ai i ka derdhur në ditarin e tij, gjatë ekskursioneve nëpër atdhe, si normalist, ku shihet një lidhje e fortë e natyrës me historinë, me figura të njohura të lashtësisë me kulturën, përjetime dhe konceptime të maturuara, që shpjegojnë prozatorin dhe intelektualin e ardhshëm.

      Sterjo Spasse ka pasur prirje të hershme për të njohur botën, fenomenet shoqërore dhe ato të filozofisë, që në mendjen e psikologjinë e të riut vinin përmes dilemave dhe pyetjeve të dyshimit filozofik si “Pse lind?”, “Pse vdes?”, “Pse martohesh?”, “Pse vuajnë njerëzit?”, “Pse kjo?” dhe “Pse ajo?”, pra dilema: pse jetë, e pse dashurinë?! Larmia e pyetjeve të kësaj natyre me “pse” kuptohet mjaft mirë se, ç’vërtitej në mendjen e Sterjo Spasses,ndaj  ai më vonë do të shkruajë romanin e njohur “Pse?!”

       Pas mbarimit të studimeve në Elbasan, Sterjo Spasse do të ketë një hapësirë të madhe, jo vetëm për të lëvizur nga një vend në tjetër, por dhe kontaktet me njerëzit dhe angazhimi me punë të nevojshme për vendin është i madh. Kështu menjëherë shkoi mësues në Derviçan të Gjirokastrës, ku ra në kontakt me një kulturë të veçantë dhe interesante, plot gjallëri dhe kolor të këtyre anëve. Spasse shpejt arriti të depërtojë në jetën dhe shpirtin e brendshëm të njerëzve. Gjatë kësaj kohe ai ishte prezent në shtypin e kohës dhe shumë aktiv në korrespondenca me shokë dhe me miq, përmes të cilave kishte dhe një lloj debati dhe rrahje mendimesh për kohën dhe kulturën, pasi Spasse shquhet për mjeshtërinë e letërkëmbimit me njerëzit dhe familjen. Kjo periudhë është disi specifike për Sterjo Spassen, pasi në këto kushte, në marrëdhënie më të hapura dhe më shumë problematike, autori fillon të krijojë dimensionin e intelektualit të kohës, pasi shfaqet shqetësimi për problemin jetik të kombit, ai i shtrembërimit dhe prishjes së gjuhës shqipe. Refleksionet e tij në gazetën “Demokratia” apo ndonjë gazetë tjetër kanë natyrë gati debatuese.

      Përjetim interesant sipas kujtimeve të tij është dita e dasmës së tij, të cilën e përshkruan me detaje dhe një kolor të ndritshëm. Gruaja e tij qe një mrekulli e ndritshme shpirtërore, një lloj mrekullie hyjnore, të cilën e “pjesëzon” në romanin me personazhin e Afërditës. Spasse ishte i lidhur shumë me kulturën dhe librin e shkruar. I aftë për të depërtuar thellësisht ne radhët e tyre, kultura për librin bëhet një tipar i rëndësishëm për të dhe njerëzit e dimensionit të tij. Gjatë kësaj kohe ai lexon Shopenhauerin, Tolstoin, kulturën dhe filozofinë ekzistencialiste, por ndërkohë ka nisur të shkruajë dhe romanin “Pse!?”

      Në Derviçan, ashtu si në të gjithë vendet ku ai shkoi, krijoi kontakte dhe kuvendim miqësor me shokë dhe miq të shumtë. Atje ka takuar Vangjel Koçën dhe Petro Markon, me të cilët ka debatuar mbi romanin “Pse” dhe çështje të tjera filozofike. Derviçani i shërbeu shumë për të mësuar greqishten, punoi shumë në gjuhën frënge dhe në gjuhën italiane. Nga Derviçani botoi mbi 16 shkrime në shtypin e kohës dhe dy përmbledhje: “Kunorë rinie” dhe “Në krahët e një femre”, po ashtu mbaroi dhe romanin “Pse?!”

      Tashmë vizioni për jetën ishte zgjeruar dhe në ndërgjegjen e talentin e Spasses ishte konsoliduar problematika e kohës, që kishin të bënin me temat sociale, për gjuhën, arsimin fillor, edukimin e djalërisë, si “shpresa e bardhë”e çdo kombi. Ai do të vazhdonte të shkruante tema të mprehta të kësaj natyre në gazetat “Demokratia”, “Gazeta e Korçës”, “Besa”, revista “Rilindja”. Në shtypin e kësaj kohe do të gjente pasqyrim gjithashtu debati për letërsinë.

      Spasse krijoi që në fëmijëri një lidhje të fortë me qytetin e Korçës. Aty kishte gjetur një mishërim të madh shpirti dhe interesat e tij për kulturën, librat, letërsinë dhe sensi qytetar i djaloshit të ri. Korça i kishte afruar mundësi të mëdha studimi dhe vërtet të gëzuar. Këtu lexon Turgenievin, Tolstoin, Dostejevskin, Andrejevin, Gorkin e të tjerë. Njeh krijimtarinë e Cvajgut, Leopardit, Pirandelos dhe veprën interesante “Kështu foli Zarathusta”.

       Sterjo Spasse është një nga kontribuesit e arsimit shqiptar. Ai kuptonte thellësisht se ky ishte një front i domosdoshëm për progresin e shoqërisë. Pasi i studion mirë, ai arrin të fusë në “Bibliotekën Pedagogjike” Fjalorin dhe Gramatikën e Kristoforidhit, “Bletën shqiptare” të Mitkos, “Valët e Detit” të Dines dhe në shtyp do të bënte shkrime kritike dhe opinione për gjuhën shqipe. Ndërsa vijon të shkruajë tregime, në të cilat gjen pasqyrim jeta e rëndë e popullit. i kësaj natyre duket se është dhe tregimi “Babai”, ku reflekset mbi familjen e tij janë prezente.

      Romani “Pse” kishte marrë rrugën e tij të gjatë tashmë. Ai kishte arritur të kalonte dhe kufijtë e Shqipërisë. Këtë e njofton dhe korrespondenca me dijetarin francez Andre Manzoni, i cili i shkruan Spasses. (Burim i cituar, fq.75). Të kësaj kohe janë dhe korrespondenca me personalitete të kohës, siç është dhe ajo me albanologun e shquar N. Joklin. Vdekja e të bijës Kristinë, në një moshë të mitur dhe befasisht e trondit thellë. Ndërkohë ai po shkruante romanin “Afërdita”, personazhit të të cilës i ka dhënë një dimension hyjnor, ku duken përjetimet e forta për të bijën Kristinë. Në këtë kohë shtohen akoma më shumë njohjet me njerëz të dijes dhe të letërsisë, si: Nonda Bulka, Petraq Pepo, Manol Konomi, me të cilët bisedonte për kulturën e Parisit dhe Vjenës, kulturën perëndimore në përgjithësi.

      Ardhja në Tiranë në vitin 1939 ishte një dimension tjetër i nevojshëm dhe i rëndësishëm për Sterjo Spassen. Punon si sekretar në Ministrinë e Arsimin, por shpejt shkon në Itali, në Peruxha, për të mësuar gjuhën italiane. Atje njihet nga afër me Andrea Varfin dhe Stavri Marjanin, njerëz të dijes dhe kulturës. Tirana ishte një marrëdhënie tjetër për mësuesin dhe shkrimtarin Spasse. Në sytë e tij janë njerëzit, shkolla, librat, lëvizjet mendore, pushtuesit fashistë, i cili qe një pushtim kompleks, të cilin na e njofton në letërkëmbimin me Tasi Gushon.

       I lidhur fort me çështjet e shkollës dhe të gjuhës, Spasse është pjesëmarrës në Kuvendin e Parë Albanologjik në vitin 1940, me rastin e krijimit të Institutit të Studimeve Shqiptare, senator i të cilit ishte Mustafa Kruja. Emërimi i tij Drejtor Didaktik pranë Ministrisë së Arsimit është një angazhim tjetër lidhur me problemet e arsimit. Në njohjet e Spasses në këtë kohë shtohen miq të rëndësishëm të tij si: Vedat Kokona, Mitrush Kuteli, Nexhat Hakiu, të cilët krijuan një vizion të rëndësishëm për aftësitë e tij në përkthimin nga letërsia e huaj, ndërsa në “Revistën letrare”, ku ai shkruante vazhdimisht, kishte të pranishëm autorë që shkruanin për problemet e kohës ajkën intelektuale të vendit si: Ali Asllani, Aleksandër Xhuvani, Manush Peshkëpia, Andon Frashëri, Kol Ashta, Ziaudin Kodra, Stavro Frashëri, Chri-Chri [psedonim i Nonda Bulkës], Faik Konica, Muzafer Xhaxhiu, Fan S. Noli, Rrem Vogli, Ismet Toto, Hasan Ceka, Sadi Pejani, Koço Semini, Besim Qorri, Vehxhi Buharaja, Jup Kastrati, Fejzi Dika, Drita Kurtezi, Selman Riza, Lasgush Poradeci, Lirak Dodbiba, Sotir Caci, Migjeni e të tjerë.

        Sterjo Spasse nuk pati hyrë në parti dhe pse miq të tij të ngushtë i kishte në të gjithë spektrin politik të kohës, por ai nuk ngurroi të dilte në mal, ku gjeti njerëz të kulturës dhe dijes si Shefqet Musarajn, Zihni Sakon, Kolë Jakovën, Dhora Lekën, Andrea Varfin e të tjerë.  

       Çlirimi i vendit nga pushtuesit nazifashistë e gjeti atë si një intelektual të kompletuar për kohën. Nga puna në pedagogji dhe në mësimdhënie e deri në profesionin e shkrimtarit Sterjo Spasse do të ketë një jetë intensive dhe të mbushur me lëvizje jashtë vendit, në Beograd, në Bullgari, në Mongoli, në Kinë, në Suedi, në Rusi, të cilat i dhanë atij një raport jetësor dhe qenësor mbi zhvillimin e shoqërisë, veçmas pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

       Në Tiranë ai vazhdonte të shkruante krijimtari të suksesshme artistike, duke u nderuar me çmime kombëtare, por nuk i largohet asnjëherë publicistikës dhe shkrimeve problemore qoftë si redaktor në revistën “Shkolla e re” apo ndonjë tjetër. Ndërkaq në një klimë vërtetë të dyshimtë përjeton arrestimet e miqve të tij të ngushtë, të Mitrush Kutelit, Mustafa Greblleshit, Petro Markos Nexhat Hakiut etj., të cilat ishin dhe një lloj “vërejtje” dhe për të në sytë e politikës së kohës. Ndërkohë kritika e kohës e vlerësonte krijimtarinë e tij që nga Fehmi Gogaj, Bashkim Kozeli, Simon Gjoni, Javer Malo, Dalan Shapllo, Jakov Xoxa etj.

       Sterjo Spasse vlerësonte jashtëzakonisht shumë udhëtimet jashtë vendit. Kjo kishte të bënte me dimensionin e epërm të një krijuesi, i cili i përjetonte leximet e autorëve të huaj me një ndjeshmëri të habitshme. Këtë shqisë sipërore ai e manifeston në të gjithë udhëtimet e tij, me të cilat përpiqej të mishëronte ngjarje dhe personazhe që nga letërsia ruse, e deri në atë kineze, franceze, bullgare, serbe, amerikane etj.Studimet dy vjeçare në Institutin “Gorki” janë të rëndësishme për Spassen, pasi në një “kolegj” shkrimtarësh gjithmonë ka një marrëdhënie dhe një mjedis krijues për të cilin ka nevojë çdo shkrimtar.

       Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, vendi, po ashtu dhe shkrimtarët, intelektualët, u përplasën me situata të shumta të kurbës politike, qoftë për shkak të metodës, të parimeve dhe tematikës që iu kërkua letërsisë artistike në përgjithësi. Në librin “Im atë, Sterjo!” të Ilinden Spasses, pjesa e pasçlirimit të vendit, ndërkohë dhe dëshmitë për jetën dhe veprimtarinë e Sterjo Spasses ngërthehen në kapitujt “Në Moskë”, “1960- 1969” “Pjekuria e plotë”, “1980- 1989”, “Viti 1989”, përmes të cilëve shihet një ndarje që lidhet më së shumti me veprimtarinë e shkrimtarit se sa referencës që e lidh me zhvillimet brenda dhe jashtë vendit dhe pse ato janë të pranishme dhe vijnë nga një sy i thellë i biografit Spasse.

       Në kushtet e njohjes së thellë, “anatomike”, të një shkrimtari gjithçka thuhet rreth tij është e rëndësishme, por vitet ‘45-së e gjejnë gati të formuar shkrimtarin Sterjo Spasse, po ashtu e gjejnë të pjekur në lidhje me mësimdhënien dhe çështjet e tjera pedagogjike. Nga korpusi i krijimtarisë së Sterjo Spasses, pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij është e pas-çlirimit, por dhe duke qenë si e tillë ajo ka tharmin fundamental të formimit të tij të viteve ‘30-të, me ç’kuptohet dhe mbijetesa e tij në rrjedhën e shtrënguar të ideologjisë së kohës.

        Në këtë pjesë të librit “Im atë, Sterjo”, ka një lloj relievi me “kodra të vogla” për një shkrimtar ,i cili ka një përzgjedhje tematike të fondamentit kombëtar historik nga njëra anë dhe temën e mprehtë sociale, të cilën e përcjell metafora kontekstuale, e mjediseve të njerëzve të thjeshtë. Sterjo Spasse u nderua gjatë gjithë kohës për shkakun e aftësisë për të qenë i pëlqyer në kohë nga lexuesi. Në shënimet e tij, të cilat duket se mbajnë të gjithë jetërrëfimin e tij në libër, ka një lexim të dytë, një lloj “transhendenti” interesant, që reflekton thellësisht jo vetëm krijimtarinë e tij nga njëra anë, por dhe mjetet e ekuilibrave të tij, që reflektonin marrëdhëniet e tij me kohën, politikën, kulturën dhe gjithë krijimtarinë  e tij.

       Shkrimtari i shquar Spasse, siç shihet ka lënë një jetëshkrim të tij, që më së shumti referon jetën e tij familjare, ndërsa pjesën tjetër, pas të cilës janë të prirur biografët, e ka më të pakët, apo të ndërthënë. Përjetimet për njerëzit, të afërmit, miqtë, shokët përveç dimensionit njerëzor, duken se kanë një përthyerje për pamjet e kohës. Është ndërkohë dhe një lloj procesi i rëndësishëm që tregon për formimin e tij, ç’ka përbën gjënë më të rëndësishme për profilitetin dhe anatominë e një shkrimtari, i cili ka shkruar në dy kohë me hendeqe të thella kulturologjike dhe të qasjeve politike.

       Letërkëmbimi dhe korrespondencat, të cilat përcjellin pjesën më të rëndësishme të librit, përbëjnë një libërth më vete, pasi në pjesën e tyre dominuese është një lloj udhëtimi i pandërprerë i shkrimtarit dhe objeksioneve të tij, po ashtu është udhëtimi i gjerësishëm i një personazhi, i personazhit Sterjo Spasse, që librit “Im atë, Sterjo!” i jep trajtat e një romani të çuditshëm.

        Ilinden Spasse, duke qenë më afër se kushdo me Sterjo Spassen na ka sjellë një Sterjo të gjallë, komunikues, një fëmijë dhe një të ri në udhëtimin e tij, një shkrimtar, jo vetëm me romanet e personazhet e tyre, por me hapësirën e kohës, me ato personazhe që nuk duken në vepër, por kanë qenë para syve të shkrimtarit. Libri “Im atë, Sterjo!” nuk e sheh shkrimtarin përmes trajtës artistike “veprave të shkruara”, por në “vetën e parë”, e kjo është e nevojshme dhe e rëndësishme. Është një model që nuk ngjan më askënd tjetër, që duhet studiuar dhe jo vetëm lexuar.               

 

Tiranë- Vlorë, dhjetor-janar  2018

Please follow and like us: