Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Vendimi i plotë i Kushtetueses për marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi, 15 prill 2010

Vendimi nr. 15, datë 15.04.2010

(V – 15/10)

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vladimir Kristo, Kryetar, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto,  Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Berberi, Sokol Sadushi,  Admir Thanza, Xhezair Zaganjori, anëtarë, me sekretare Blerina Çinari, në datën 08.12.2009, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen nr.37/24 Akti, që i përket:

 

K Ë R K U E S:         PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË, e përfaqësuar nga z.Saimir Tahiri, z.Damian Gjiknuri, z.Myslym Pashaj, me autorizim.

 

SUBJEKTE TË INTERESUARA:

PRESIDENTI I REPUBLIKËS, në mungesë.

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, i përfaqësuar nga z.Lulëzim Lelçaj, me autorizim.

KËSHILLI I MINISTRAVE, i përfaqësuar nga znj.Marsida Xhaferllari, me autorizim.

MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME, e përfaqësuar nga znj.Ledia Hysi, me autorizim.

MINISTRIA E MBROJTJES, e përfaqësuar nga Kundëradmiral Kristaq Gërveni, z.Rezart Tërshana dhe znj.Miranda Zeka, me autorizim.

 

O B J E K T I:           Shqyrtimi i pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

 

BAZA LIGJORE:    Nenet 131 shkronja “b”, 134 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 52 i ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

 

GJYKATA KUSHTETUESE,

pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Xhezair Zaganjori; përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë, që kërkuan pranimin e kërkesës; përfaqësuesit e subjekteve të interesuara: Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes që kërkuan rrëzimin e saj, si dhe bisedoi çështjen në tërësi,

 

V Ë R E N:

I

  1. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, nëpërmjet Ministrave respektivë të Punëve të Jashtme, më datë 27.04.2009, kanë nënshkruar Marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Marrëveshja e lidhur i është dërguar Kuvendit për ratifikim, në përputhje me nenin 121 të Kushtetutës. Sipas relacionit që shoqëron marrëveshjen dërguar Kuvendit, lidhja e kësaj marrëveshje erdhi si nevojë jo vetëm e përcaktimit të kufijve detarë midis dy vendeve fqinjë por edhe e përdorimit dhe shfrytëzimit ekonomik të hapësirave detare nga ana e shtetit shqiptar. Pala shqiptare ka qenë e interesuar të lidhë këtë marrëveshje në kushtet kur marrëdhëniet midis dy vendeve zhvillohen në një klimë bashkëpunimi dhe të mbështetura në parimet e miqësisë së mirë. Të dy shtetet janë palë në konventën kuadër, Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit, e cila theksohet se ka shërbyer si bazë për lidhjen e marrëveshjes.
  2. Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) iu paraqit një kërkesë nga disa parti politike, konkretisht: Partia Socialiste e Shqipërisë, Partia Social-Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia “Ligj dhe Drejtësi” dhe Partia G 99, me objekt: “Shqyrtimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
  3. Gjykata, gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesës, me vendimin e datës 26.11.2009, marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 52/3 të Ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash 5 me 4, vendosi: a) kalimin në seancë të çështjes; b) legjitimimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, c) rrëzimin e kërkesës për subjektet e tjera kërkuese[1]. Në zbatim të nenit 52/3 të këtij ligji, kur çështja kalon për shqyrtim në seancë, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo Gjykatë.

 

  1. Kërkuesi, Partia Socialiste e Shqipërisë, pretendon se marrëveshja objekt kundërshtimi nuk është në pajtim me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës, pasi:

4.1 Mungon plotfuqia nga ana e Presidentit të Republikës për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes objekt shqyrtimi, gjë që vjen në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr.8371, dt.09.07.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” si dhe me parimet dhe frymën kushtetuese të kooperimit institucional. Presidenti i Republikës, si përfaqësues i vetëm i unitetit të popullit, është organi që në bazë të ligjit duhet të japë autorizimin për negocimin e marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar.

4.2 Grupi negociator i palës shqiptare është ngritur me Urdhërin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007 “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”, me qëllim përcaktimin e shelfit kontinental me Greqinë, ndërkohë që bisedimet janë zhvilluar përveçse mbi shelfin kontinental edhe mbi hapësira të tjera detare.

4.3 Titulli dhe përmbajtja e marrëveshjes janë të pazakonta. Titulli duhet të jetë i tillë që të pasqyrojë përmbajtjen e marrëveshjes, e cila mund të ketë për objekt përcaktimin e kufijve të ujrave territorialë, ose të shelfit kontinental, ose të zonës ekonomike ekskluzive apo të disa prej tyre. praktika ndërkombëtare nuk njeh raste ku titulli i marrëveshjes të jetë kaq i gjerë.

4.4 Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i barazlargësisë strikte për përcaktimin e kufirit detar, i cili ka sjellë pasoja të disfavorshme për shtetin shqiptar duke humbur padrejtësisht sipërfaqe të konsiderueshme hapësirash detare, për shkak se dy brigjet kanë kushte gjeografike të ndryshme. Në vend të tij duhej zbatuar parimi i barazlargësisë i kombinuar me ekitene (frëngjisht equite ose anglisht equity), i cili bën të mundur arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndërshem.

4.5 Nuk është përcaktuar paraprakisht vija bazë nga shteti shqiptar, e cila ka rëndësi në përcaktimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera. Rëndësia e vijës bazë qendron kryesisht tek fakti se brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë të njëjta, gjë e cila ndikon edhe tek përzgjedhja e parimit që do të zbatohet për vendosjen e kufirit ujor. Kështu p.sh, ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike të përshtatshme për palën greke, pasi futet në hapësirën ujore që duhej t’i takonte shtetit shqiptar. Gjithashtu, ishulli Othonoi krijon një tjetër zgjatim verior të hapësirës ujore greke në disfavor të palës shqiptare.

4.6 Delegacioni shqiptar nuk ka treguar kujdesin e duhur për përcaktimin e statusit dhe shtrirjes së gjirit të Sarandës dhe nuk ka bërë përpjekje që të njëjtin status të fitonte edhe gjiri i Sarandës, ndërkohë që ka pranuar kërkesën e palës greke që gjiri i Korfuzit të trajtohet si gji me statusin e ujrave të brendshme. Kjo ka çuar në zvogëlimin e hapësirës dhe për pasojë edhe afrimin e pajustifikuar të vijës së kufirit detar në drejtim të bregut të Sarandës, pra në disfavor të interesave kombëtare.

4.7 Shkëmbi Barketa nuk duhet të shërbente si pikë skajore bazë prej të cilës ka filluar matja e vijës së barazlarguar nga pikat më të afërta të bregdetit shqiptar, por si vijë ndarëse e kufirit detar greko-shqiptar, sepse nuk është shkëmb por cekinë shkëmbore. Nuk ka motiv që Barketës t’i njihej dhe t’i akordohej e drejta e hapësirës ujore, pasi kjo cekinë shkëmbore duket dhe zhduket në varësi të fenomeneve baticë-zbaticë.

4.8 Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë. Në Protokollin e Firences 1913 është pranuar se kufiri midis Shqipërisë dhe Greqisë në zonën e kanalit të Korfuzit kalon përmes ngushticës, gjë e cila nuk është kontestuar asnjëherë nga palët. Gjithashtu, me ligjet e miratuara nga parlamenti shqiptar (ligji nr.8771, dt.19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të RSH”, i shfuqizuar me ligjin nr.9861, dt.24.01.2008) janë parashikuar si pjesë të territorit shqiptar si ujrat territoriale ashtu dhe ujrat e brendshme.

4.9 Marrëveshja e nënshkruar nuk është shoqëruar me hartat përkatëse por vetëm me koordinatat e kufirit ndarës, gjë që e bën të paqartë pohimin se “vija e mesme që përcaktohet nga vija gjeodezike që bashkon pikat në tabelë (neni 1/2 i marrëveshjes) është vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë” (pika 1/1 e marrëveshjes). Mungesa e hartave lidhet edhe me parimin e transparencës që duhet të ishte zbatuar gjatë negocimit të marrëveshjes në fjalë.

4.10 Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës. Qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh edhe nga neni 23 i Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit. Nga ana e qeverisë nuk ka patur vullnet për të dhënë sqarime edhe kur u shfaq interesi i publikut për t’u informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.

 

  1. Presidenti i Republikës

            5.1 Institucioni i Presidentit të Republikës, me shkresën nr.1976/1, dt.3.12.2009 drejtuar Gjykatës, shprehet se e lë në çmim të kësaj Gjykate vlerësimin lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjes objekt gjykimi.

 

  1. Kuvendi i Shqipërisë

6.1 Kërkuesi nuk legjitimohet për arsye se partitë politike nuk janë subjekte të përgjithshme të parashikuara nga neni 134/1 i Kushtetutës. Vetëm subjektet e parashikuara në këtë dispozitë mund të fillojnë një kontroll abstrakt para Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht numrit të madh të votuesve të kësaj partie, ajo nuk legjitimohet në kërkesën e saj, pasi nuk arrin të justifikojë interesat që preken nga objekti i marrëveshjes. Partia Socialiste ka mundësi të shprehë kundërshtimet dhe rezervat e veta lidhur me marrëveshjen gjatë shqyrtimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo në rrugën e kontrollit kushtetues. Mungesa e kësaj partie në Kuvend nuk mund të zëvendësohet me mjete të tilla juridike siç është ankimi kushtetues në një procedurë abstrakte kontrolli.

6.2 Nuk ka prova që të vërtetojnë se kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë ka ekzistuar. Për më tepër, nëse kufiri midis dy vendeve do të kishte ekzistuar, nuk do të kishte dalë nevoja e lidhjes së kësaj marrëveshjeje.

6.3 Mungesa e hartave shoqëruese është një çështje teknike që nuk mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese, pasi koordinatat janë të mjaftueshme për të përcaktuar kufirin.

6.4 Marrëveshja e nënshkruar nga pala shqiptare dhe ajo greke ndodhet ende në fazat e shqyrtimit parlamentar në Kuvend, konkretisht në komisionet parlamentare. Në këto kushte, është e pamundur të paraqiten nga ana jonë parashtrime lidhur me disa aspekte të përmbajtjes së marrëveshjes.

 

  1. Këshilli i Ministrave

7.1 Kërkuesi nuk legjitimohet për të iniciuar një gjykim të kontrollit abstrakt të normës ligjore, për shkak se subjekte të tillë kanë detyrimin të argumentojnë lidhjen e çështjes me interesat e tyre, gjë të cilën kërkuesi nuk rezulton ta ketë bërë përmes kësaj kërkese. Kërkuesi nuk ka dhënë asnjë argument që provon interesin e prekur nga ligji objekt shqyrtimi.

7.2 Shqipëria dhe Greqia nuk i kanë përcaktuar asnjëherë më parë kufijtë detarë ndërmjet tyre dhe për këtë arsye faktet historike të paraqitura nga kërkuesi nuk janë të sakta.

7.3 Konsultimi publik nuk është standard kushtetues por lidhet me vullnetin politik, prandaj nuk mund të jetë shkak i tillë që të mund ta bëjë marrëveshjen antikushtetuese. Ky pretendim mund të ngrihet në rrugën politike të shprehjes së mendimit, konkretisht gjatë procedurave parlamentare. Kërkuesi i ka të gjitha mundësitë që në rrugë parlamentare të realizojë procesin e konsultimit, i cili, sipas tij, ka munguar në lidhjen e kësaj marrëveshje.

7.4 Nuk qëndron pretendimi për mungesë informimi dhe transparence, pasi vetë kërkuesi nuk ka pranuar të marrë pjesë në punimet e parlamentit. Është kjo arsyeja që ai nuk ka pasur mundësi të njihet nga afër me dokumentacionin lidhur me përgatitjen, negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes. Përveç kësaj, kërkuesi nuk paraqet asnjë provë që të vërtetojë se i është mohuar dhënia e informacionit pas kërkesës së bërë zyrtarisht prej tij.

7.5 Pretendimi për mungesën e hartave shoqëruese nuk është shkak për pavlefshmëri, pasi në periudhën e zhvillimit të teknologjisë dixhitale përcaktimi i koordinatave është më se i mjaftueshëm për të përmbushur funksionin e përcaktimit të kufirit.

7.6 Negocimi i marrëveshjes është shtrirë në një hark kohor prej 3 vitesh, megjithëse interesi i palës shqiptare për përcaktimin e saktë të kufijve ka qenë i dokumentuar që prej 1993. Nga ana e qeverisë janë bërë të gjitha përpjekjet që bisedimet të bëhen të njohura për publikun që prej momentit që ka pasur interesim për këtë çështje.

 

  1. Ministria e Punëve të Jashtme:

8.1 Nuk qëndron pretendimi se negocimet janë bërë në kohë të shkurtër dhe në mungesë të plotë të transparencës. Bisedimet për lidhjen e kësaj marrëveshjeje kanë filluar që prej vitit 2006 dhe me Urdhërin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007, për këtë qëllim, u krijuar grupi ndërinstitucional i punës. Janë zhvillur mjaft raunde bisedimesh dhe e gjithë procedura e negocimit deri në përgatitjen përfundimtare të marrëveshjes është kryer në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe praktikën diplomatike. Megjithëse bisedimet diplomatike të kësaj natyre janë përherë të rezervuara për publikun, kur ka pasur kërkesë për informacion, ai është dhënë në përputhje me ligjin nr.8457, dt.11.2.1999 “Për klasifikimin e informacionit “sekret shtetëror”.

8.2 Nuk ka pasur më parë kufij detarë të përcaktuar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Protokolli i Firences i vitit 1925 përcakton vetëm kufirin tokësor. Edhe legjislacioni shqiptar në vite nuk ka pasur asnjëherë një përcaktim të qartë sa i takon kufirit detar me Greqinë. Pretendimi i kërkuesit se koncepti i përfshirë në vendimin e GJND se “kufiri është midis bregdetit shqiptar dhe atij grek deri përmes kanalit të Korfuzit”, nuk qendron pasi ky koncept juridikisht dhe gjeografikisht nuk përcakton qartë se ku ndodhet kjo vijë ndarëse.

8.3 Fakti që nuk ka harta analoge bashkëlidhur marrëveshjes nuk do të thotë se mungojnë të dhënat gjeografike. Marrëveshja shoqërohet nga 150 koordinata, bashkimi i të cilave formon vijën ndarëse të kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Neni 16 i Konventës së III të OKB-së për të Drejtën e Detit parashikon se: “Shtetet bregdetare do të bëjnë publikimin e duhur të hartave ose listave të tilla të koordinatave gjeografike dhe do të dorëzojnë kopje të tyre tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB”. Për këtë qëllim është vendosur dhe një numër maksimal koordinatash, gjë që rrit sigurinë dhe përpikmërinë në përcaktimin e vijës ndarëse.

8.4 Pretendimi se vendndodhja e ishullit Barketa kalon vijën e mesit në ujrat tona, – nëse kjo vijë mesi do të ishte ndërmjet dy brigjeve – nuk është i saktë. Koordinatat tregojnë se ishulli Barketa është në perëndim të vijës së mesit të ndërtuar midis dy brigjeve. Për këtë arsye, ky shkëmb është marrë si pikë referimi për përcaktimin e vijës bazë.

 

  1. Ministria e Mbrojtjes:

9.1 Nuk ka pasur kufij të caktuar më parë midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi Protokolli i Firences ka përcaktuar vetëm kufirin tokësor dhe në këtë dokument nuk gjendet asnjë koordinatë që të përcaktojë vijën ndarëse të kufirit detar midis këtyre dy vendeve. Për rrjedhojë, nuk ka pasur ndonjë vijë tjetër ndarëse të përcaktuar më parë nga këto vende me marrëveshje, por kanë ekzistuar vija të përcaktuara në mënyrë të njëanshme nga secili vend.

9.2 Nuk qendron pretendimi se Shqipëria ka humbur territor, pasi vija ndarëse është e barazlarguar nga vijat bazë të vendeve respektive.

9.3 Mungesa e hartave analoge shpjegohet me faktin se sot përdoren më së shumti hartat dixhitale në përputhje me Sistemin Gjeodezik Botëror WGS84, sipas të cilit koordinatat pasqyrohen në rrugë elektronike dhe të saktë.

 

II

 

  1. Lidhur me çështjen e legjitimimit të kërkuesit.
  2. Subjektet e interesuar, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, pretendojnë se kërkuesi nuk legjitimohet, pasi ai është një parti politike, e cila, sipas nenit 134/2 të Kushtetutës nuk mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për një kontroll abstrakt të akteve. Sipas tyre, rastet kur partitë politike dhe subjektet e tjera të parashikuara në këtë dispozitë mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese janë të parashikuara shprehimisht në këtë dispozitë. Ato duhet të paraqesin argumente që justifikojnë cenimin e drejtpërdrejt dhe real të interesave të tyre, si rrjedhojë e veprimit të aktit që kundërshtohet.

11.Çështjen e legjitimimit të kërkuesit, (locus standi) Gjykata e vlerëson si një ndër aspektet kryesore që lidhen me inicimin e një procesi kushtetues. Në gjykime të kontrollit të kushtetutshmërisë së normës, subjektet inicuese që parashikohen në nenin 134/2 të Kushtetutës mund të bëjnë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

12.Pavarësisht se çështjen e legjitimimit të kërkuesit Gjykata e ka shqyrtuar paraprakisht dhe lidhur me të është shprehur me vendimin e ndërmjetëm të dt.26.11.2009 të Mbledhjes së Gjyqtarëve, me të cilin, me shumicë votash u vendos legjitimimi vetëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë, për shkak të pretendimeve të paraqitura në seancën gjyqësore të zhvilluar për këtë qëllim, ajo e sheh të arsyeshme të ndalet më gjatë tek arsyet që çuan në legjitimimin e kërkuesit në këtë gjykim kushtetues.

13.Gjykata vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae në kuptim të rregullimit të parashikuar nga neni 134, shkronja “f” i Kushtetutës dhe neni 52/2 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (më poshtë: ligji për Gjykatën Kushtetuese). Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) është një parti politike e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e krijuar me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë, nr.36/1, dt.15.08.1991. Aktualisht ajo është partia më e madhe opozitare në vend. Në hyrjen e statutit të kësaj partie parashikohet se: “PSSH vepron në respekt të Kushtetutës, të ligjeve, të shtetit të së drejtës dhe të formës parlamentare të qeverisjes për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, rendit dhe drejtësisë….PSSH ndjek objektiva politikë përmes të cilave synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave dhe të interesave kombëtare…”.

  1. Gjykata vlerëson se partitë politike janë organe kushtetuese në kuptim të nenit 9 të Kushtetutës shqiptare. Bazuar në nenin 1 të ligjit nr.8580, dt.17.02.2000 “Për partitë politike”, ato janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkët politikë, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit. Më tej, në nenin 2 të këtij ligji parashikohet se partitë politike “marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike, kryesisht nëpërmjet ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike, nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike dhe evidentimin e aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.”
  2. Partitë politike janë faktorë qendrorë të formimit të vullnetit politik të zgjedhësve duke marrë përsipër rolin ndërmjetës midis qytetarit dhe organeve shtetërore në një shtet demokratik. Ky rol realizohet jo vetëm nëpërmjet zhvillimit të fushatave zgjedhore për formimin e parlamentit nga i cili del edhe qeveria, por edhe gjatë gjithë periudhës së qeverisjes, sidomos nga partitë opozitare. Pra, partitë politike janë aktorë kryesorë të formimit të vullnetit të popullit, të cilin ato (partitë) përpiqen ta transformojnë në vullnet shtetëror, nëse fitojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Rezultatet e këtij procesi shfaqen kryesisht në zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes të cilave, çdo qytetar voton sipas bindjeve dhe vullnetit të tij të pavarur politik.
  3. Gjykata thekson se demokracia përfaqësuese nuk mjaftohet vetëm me mobilizimin e shtetasve për zgjedhje. Angazhimi i pandërprerë në procesin e krijimit të vullnetit politik dhe ruajtja e dinamikës së vetë demokracisë është detyrë e përhershme e të gjitha partive politike, si të atyre që janë në pushtet, ashtu dhe të atyre që janë në opozitë. Partitë politike opozitare luajnë një rol të rëndësishëm në kontrollin që ushtrojnë me mjetet e posaçme të parashikuara për këtë qëllim ndaj qeverisjes në përgjithësi. Ky kontroll realizohet nëpërmjet mjeteve të tilla si: pyetjet, interpelancat, komisionet hetimore, mocioni i mosbesimit, të cilat konsiderohen si mekanizma politikë të kontrollit. Gjithashtu, një mjet tjetër efikas konsiderohet edhe mundësia për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me qëllim kontrollin e akteve normative nëse janë apo jo në përputhje me Kushtetutën.
  4. Gjykata ka tashmë një praktikë të konsoliduar lidhur me çështjen e justifikimit të interesit të subjekteve që përfshihen ne nenin 134/2 të Kushtetutës. Interesi i një subjekti në një çështje në kuptim të shkronjave “dh”, “e”, “f” të nenit 134/1 të Kushtetutës quhet i justifikuar nëse arrin të provohet nga vetë kërkuesi se pasoja negative është e drejtpërdrejt, pra rrjedh direkt nga akti objekt shqyrtimi, është reale dhe, sipas rastit, është e lidhur ngushtë me funksionet e organizatës respektive[2].
  5. Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se mundësia e partive politike për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese ekziston kur ato kundërshtojnë dispozitat e akteve normative, të cilat cenojnë statusin e tyre kushtetues dhe bashkë me të edhe pjesëmarrjen e tyre në ushtrimin e vullnetit shtetëror. Për këtë arsye, Gjykatës i takon të shqyrtojë nëse një organ kushtetues ka cenuar të drejtat e partive politike nëpërmjet aktit normativ të nxjerrë prej tij. Në këtë rast, partia politike legjitimohet në kërkimet e saj, nëse bëhet fjalë për respektimin nga ana e një organi kushtetues të statusit të saj që rrjedh nga Kushtetuta, gjatë procesit zgjedhor, si p.sh financimi i partive politike nga shteti, dhënia e shansit të barabartë të gjitha partive për të marrë pushtetin, etj[3].
  6. Një mundësi tjetër e partive politike për të investuar Gjykatën lidhet me cenimin e të drejtave dhe lirive themelore që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në formimin e vullneti politik të zgjedhësve edhe në rastet kur këto cenime vijnë nga gjykata, zyra të administratës, duke përfshirë këtu të gjitha subjektet e së drejtës publike të ngritura nga shteti si p.sh cenimin e të drejtave themelore të trajtimit të barabartë sa i përket tatimit të dhuratave të partive politike ose (mos)vënies në dispozicion të kohës së transmetimit radioteleviziv etj.
  7. Për partinë politike, si subjekt i cilësuar nga dispozita e nenit 134/2, lidhen me interesat e tyre të gjitha ato akte përmbajtja e të cilave sjell pasoja negative për veprimtarinë e tyre kushtetuese në kuadër të formimit të vullnetit politik. Të tilla mund të jenë aktet që përcaktojnë deklarimin e pasurive, financimin e tyre nga shteti ose subjekte të tjera, mënyra e organizimit dhe ushtrimit të aktivitetit të tyre politik jo vetëm gjatë zgjedhjeve por edhe në periudhën midis tyre etj.
  8. Gjykata, për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit, sipas nenit 52 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, vihet në lëvizje edhe nga një ose disa parti politike, me kusht që çështja të lidhet me interesin e saj/tyre. Gjykata, për të vlerësuar interesin në çështjen në gjykim, nuk mbështetet vetëm në dokumentet e themelimit dhe statutin e partive politike, por edhe në shtrirjen e anëtarësisë, veprimtarinë dhe shkallën e përfaqësimit politik të tyre në organet e zgjedhura. Në këtë vështrim, si kriter referues, merret dhe e drejta që i është njohur nga kushtetutbërësi jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese të pakondicionuar me një interes të veçantë.
  9. Në çështjen në shqyrtim, Gjykata vëren se PSSH është një subjekt politik që në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit 2009 arriti të siguronte 65 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ky fakt e bën atë një subjekt të posaçëm midis partive të tjera politike. Bazuar në këtë nivel përfaqësimi, duke patur parasysh karakterin dhe rëndësinë e veçantë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, Gjykata çmon se PSSH ka interes legjitim në kuptim kushtetues për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshjeje.
  10. Për sa më lart, Gjykata vlerëson se kërkuesi, PSSH, legjitimohet në kërkimet e tij për kontrollin paraprak të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

 

  1. Lidhur me pretendimin për zhvillimin e bisedimeve pa pasur plotfuqi nga Presidenti i Republikës.
  2. Kërkuesi pretendon se, grupi negociator shqiptar, gjatë bisedimeve dhe në momentin e lidhjes së marrëveshjes nuk ka qenë i pajisur me plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Si rrjedhojë, grupi negociator nuk ka pasur autorizim nga organi kompetent për të hyrë në bisedime me palën greke dhe aq më pak për të lidhur marrëveshje mbi delimitimin e hapësirave detare. Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, e bën marrëveshjen antikushtetuese në kuptim të neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës dhe të paligjshme në kuptim të nenit 7 të ligjit nr.8696, dt.23.11.2000 “Për aderimin e Shqipërisë në Konventën e Vjenës për lidhjen e traktateve ndërkombëtare” dhe nenit 4 të ligjit nr.8371. dt.9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”. Ky i fundit parashikon pajisjen e delegacionit me plotfuqi nga Presidenti i Republikës për marrëveshjet ku Republika e Shqipërisë është palë, pikërisht për të garantuar respektimin e parimeve kushtetuese që shërbejnë si bazë themelore për funksionimin e shtetit, siç është edhe ai i shprehur në nenin 3 të Kushtetutës që lidhet me paprekshmërinë e tërësisë territoriale. Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, përbën cenim të një garancie kushtetuese.
  3. Subjekti i interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, duke kundërshtuar pretendimin e kërkuesit, argumenton se plotfuqia është një dokument që i paraqitet palës tjetër negociuese, nëse të dyja palët bien dakort për shkëmbimin e plotfuqive, me qëllim bërjen e njohur të emrave të negociatorëve ose nënshkruesve të një traktati. Plotfuqia është një element i të drejtës ndërkombëtare dhe nuk ka rëndësi për procedurat e brendshme të lidhjes dhe miratimit të një traktati. Ai konfirmon vullnetin e plotë të shtetit për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga traktati, duke shërbyer si një element sigurie për palën tjetër negociuese. Paraqitja e plotfuqive ka qëllim njohjen me personat kompetentë të palëve në negociata. Konventa e Vjenës njeh mundësinë që palët të mos paraqesin plotfuqi, nëse është e qartë nga praktika e tyre ose me rrethana të tjera që këta përsona janë përfaqësues të shtetit. Mungesa e plotfuqive, sipas tij, nuk është element që prek përmbajtjen ose formën e një marrëveshje të negociuar dhe për këtë arsye nuk mund të ngrihet si pretendim për pavlefshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare nga asnjë palë.
  4. Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për mungesën e plotfuqisë së lëshuar nga Presidenti i Republikës për grupin negociator shqiptar gjatë bisedimeve dhe lidhjes së marrëveshjes për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë është i bazuar dhe duhet pranuar.
  5. Bazuar në materialet e paraqitura nga subjekti i interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, Gjykata vëren se, si rrjedhojë e shkëmbimeve diplomatike ndërmjet palëve (shqiptare dhe greke) në vitin 2006, u ra parimisht dakord që të fillonin bisedimet me qëllim lidhjen e marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental. Me Urdhërin e Kryeministrit nr.135, dt.23.08.2007 “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje” u krijua grupi i punës në drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vijim, u zhvilluan disa takime midis anëtarëve të grupit të punës, si rezultat i të cilave u hartua një plan-strategji negocimi si dhe u përgatit një projekt-marrëveshje.
  6. Pas hartimit të strategjisë negociuese me palën greke, u krijua një komision i përbashkët shqiptaro-grek me përfaqësues të të dyja palëve dhe me ekspertë të fushës. Në reciprocitet me delegacionin grek, të njoftuar me anë të notës verbale nr.558, dt.26.03.2009, anëtarë të delegacionit shqiptar në komisionin e përbashkët ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Institutit të Gjeografisë Ushtarake dhe Ministrisë së Brendshme. Procedura e siglimit të marrëveshjes është bërë publike me dt.19.3.2009 nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.404, dt.22.04.2009 u miratua në parim kjo marrëveshje, duke i hapur rrugë nënshkrimit të saj. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrat e Punëve të Jashtme të të dy shteteve, me 27 prill 2009, në Tiranë. Pas nënshkrimit, me shkresën nr.7159, dt.2.6.2009, marrëveshja është depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë për të vazhduar me procedurën e ratifikimit të saj në përputhje me nenin 121/a të Kushtetutës.
  7. Gjykata e çmon të nevojshme që, në funksion të arsyetimit të saj, të ndalet fillimisht tek analiza e kuadrit kushtetues, konkretisht të neneve 4 dhe 7 të Kushtetutës si dhe tek roli i Presidentit të Republikës si përfaqësuesi më i lartë i shtetit në marrëdhëniet me jashtë parashikuar nga neni 92/ë i Kushtetutës. Gjithashtu, Gjykata do të analizojë edhe dispozitat konkrete të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve e 23 Majit 1969 dhe të legjislacionit të brendshëm lidhur me kriteret që duhet të plotësojnë delegacionet e shteteve përkatëse që duan të lidhin një marrëveshje ndërkombëtare.
  8. Përgjithësisht pranohet se kryetari i shtetit përfaqëson shtetin si të tërë, pra unitetin e tij, duke përçuar këtë ide edhe jashtë vendit. Ky qendrim mbahet edhe nga Kushtetuta, e cila në nenin 92/ë parashikon kompetencën e Presidentit të Republikës për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, sipas ligjit. Duke iu referuar kësaj dispozite dhe kuptimit të nenit 86/1 të Kushtetutës, rezulton se Presidenti i Republikës ka kompetencë të përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet me jashtë.
  9. Nga ana tjetër, neni 100/1 i Kushtetutës parashikon se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Pra, përcaktimi i thelbit të marrëdhënieve me jashtë bëhet nga ekzekutivi, i cili, në kuadër të realizimit të programit qeveritar, përcakton drejtimet kryesore të politikës së jashtme, përfshi edhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare apo lidhjen e traktateve dy ose shumëpalëshe[4]. Ndërsa shfaqja e këtij vullneti jashtë vendit, në emër të Republikës, bëhet nga Presidenti, duke iu përmbajtur politikës së përcaktuar më parë nga qeveria dhe/ose parlamenti, sipas rastit.
  10. Sa më sipër vlen vetëm në rastet kur bëhet fjalë për marrëveshjet me karakter politik, ndërsa për marrëveshjet e tjera të natyrës ekonomike, kulturore, të shkëmbimit tregtar etj, autoritetin e përfaqësimit dhe të lidhjes së tyre e ka qeveria. Kjo është dhe arsyeja që Ligji nr.8371, dt.09.07.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” bën dallim midis marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar dhe marrëveshjeve ku palë është qeveria shqiptare. Në doktrinën kushtetuese, marrëveshje me natyrë politike konsiderohen të gjitha ato marrëveshjeve që sjellin pasoja për ekzistencën e shtetit, integritetin territorial, pavarësinë e tij apo pozitën e vetë shtetit në arenën ndërkombëtare. Veçanërisht, konsiderohen si marrëveshje politike ato që lidhen direkt me shpalljen, sigurimin apo zgjerimin e pozitës së një shteti ndaj një shteti tjetër[5]. Të tilla janë: marrëveshjet për aleancë, marrëveshjet për bashkëpunim politik, pakte të mossulmimit reciprok, neutralitetit, çarmatosjes, përcaktimit të kufijve dhe të tjera të ngjashme me to[6]. Është kjo arsyeja që hyrja në fuqi e këtyre marrëveshjeve kondicionohet edhe me dhënien e pëlqimit nga ligjvënësi, pra ratifikimin, pasi të tilla marrëveshje duhet të jenë të mbështetura tek parimi i legjitimimit demokratik të organeve të brendshme të një shteti, në përputhje me parimin e demokracisë.
  11. Gjykata thekson se e drejta e Presidentit të Republikës për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare është një funksion kushtetues dhe këtë ai e ushtron ose vetë, ose duke i dhënë plotfuqi qeverisë me qëllim përfaqësimin e shtetit sipas të drejtës ndërkombëtare. Duke iu referuar fakteve të bëra të njohura nga përfaqësuesi i subjektit të interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, rezulton të jetë bërë praktikë e vazhdueshme që edhe në raste të tjera të zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me palë shtetin shqiptar, delegacioni shqiptar të mos ketë qenë i pajisur me plotfuqi nga ana e Presidentit të Republikës. Pra, është krijuar praktika e mospajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi, nëse pala tjetër në marrëveshje nuk e kërkon një gjë të tillë. Gjykata vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese ose ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim të paautorizuar nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë. Kjo sjellje institucionale e kthyer në një praktikë bie ndesh jo vetëm me nenin 92/ë të Kushtetutës që parashikon rolin dhe kompetencën e Presidentit për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe me nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës.
  12. Parimi i shtetit të së drejtës i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës nënkupton veprimin e të gjithë institucioneve shtetërore sipas së drejtës në fuqi si dhe supremacinë e Kushtetutës ndaj akteve të tjera normative. Çdo organ në një shtet të së drejtës duhet të veprojë për aq sa i lejon Kushtetuta dhe ligji duke mos i tejkaluar kufijtë e përcaktuar prej tyre[7]. Në këtë kuptim, çdo institucion shtetëror duhet të ketë të përcaktuar qartë fushën e kompetencave të veta brenda të cilave është i autorizuar të veprojë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore. Në zbatim të parimit të shtetit të së drejtës, në nenin 92 të Kushtetutës përcaktohen kompetencat e Presidentit të Republikës, një prej të cilave është dhe lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare sipas ligjit.
  13. Gjykata thekson se kryetari i shtetit ka kompetencë që të ushtrojë ius repraesentationis omni modae, pra të bëjë të njohur ndërkombëtarisht vullnetin e brendshëm shtetëror dhe të përfaqësojë unitetin e shtetit në skenën ndërkombëtare. Mënyrat se si Presidenti e ushtron këtë funksion mund të jenë: me pjesëmarrjen e vetë Presidentit në bërjen të njohur të qendrimit politik të shtetit në marrëdhënie me jashtë, ose me anë të transferimit të autoritetit përfaqësues, nëpërmjet plotfuqisë, tek organet e tjera, kryesisht tek qeveria. Në lidhjen e marrëveshjeve ku palë është shteti shqiptar, si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, është e pashmangshme pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, qoftë personalisht qoftë nëpërmjet plotfuqisë. Nga pikëpamja juridike, një përfaqësim i shtetit, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në marrëdhënie me jashtë nga ana e qeverisë, pa autorizimin paraprak të Presidentit, kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare me natyrë politike, nuk është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës.
  14. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.
  15. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës.
  16. Gjykata vlerëson se çështja e pajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi nga organi kompetent me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje, ndryshe nga sa pretendon subjekti i interesuar, Ministria e Punëve të Jashtme, pavarësisht se parashikohet edhe nga e drejta ndërkombëtare, është çështje e së drejtës së brendshme. Për t’i dhënë përgjigje argumentit të parashtruar nga Ministria e Punëve të Jashtme se mungesa e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës nuk është element që prek përmbajtjen ose formën e një marrëveshje të negociuar dhe nuk mund të ngrihet as si pretendim për pavlefshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare nga asnjë palë, Gjykata e sheh të arsyeshme t’i referohet edhe kuadrit ndërkombëtar, konkretisht Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve e 23 majit 1969 (më poshtë: Konventa e Vjenës), palë në të cilën është dhe shteti shqiptar.
  17. Në nenin 7 të Konventës së Vjenës, parashikohen si autoritete përfaqësuese të një shteti: kryetari i shtetit, shefi i qeverisë dhe ministri i jashtëm. Kjo Konventë konfirmon aftësinë e shteteve për të lidhur traktate. Traktatet i nënshtrohen negociatave mes palëve por kjo gjë nuk i ndalon sistemet e brendshme normative të shteteve të përcaktojnë rregullat e tyre lidhur me pëlqimin ose konsultimin nga organet e secilit shtet. Në kuptim të nenit 2/1a të Konventës së Vjenës, “traktat” do të thotë një marrëveshje e lidhur ndërmjet shteteve në formë të shkruar dhe e rregulluar nga e drejta ndërkombëtare nga personat që kanë autoritet të përfaqësojnë shtetin.
  18. Në nenin 8 të Konventës është përcaktuar se “një akt që lidhet me përfundimin e një traktati, i kryer nga një përson, i cili nuk mund të konsiderohet në bazë të nenit 7 se është autorizuar për të përfaqësuar shtetin për këtë qëllim, nuk ka pasoja ligjore në qoftë se nuk konfirmohet më pas nga ai shtet”. Sipas nenit 7, “një person konsiderohet si përfaqësues i një shteti për qëllimin e miratimit ose sigurimit të tekstit të një traktati ose për qëllimin e shprehjes së pëlqimit të shtetit për të qenë i lidhur nga një traktat në qoftë se: (a) ai paraqet fuqitë e plota përkatëse; ose (b) bëhet e qartë nga praktika e shteteve të interesuar, ose nga rrethana të tjera, se ato e konsiderojnë atë si përfaqësuesin e tyre për këtë qëllim dhe të pajisur me fuqi të plota. Konsiderohen si përfaqësues të shtetit të tyre, në bazë të funksionit që ata kanë dhe pa qenë nevoja e paraqitjes së fuqive të plota, kryetarët e shtetit, kryetarët e qeverisë dhe ministrat e punëve të jashtme, me qëllimin e kryerjes së të gjithë akteve që lidhen me përfundimin e një traktati”.
  19. Në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet shteteve, paraqitja e fuqive të plota, pra e dokumentit që rrjedh nga një autoritet kompetent i një shteti dhe që emëron një ose disa persona të cilët përfaqësojnë shtetin në zhvillimin e bisedimeve, miratimin ose sigurimin e tekstit të një traktati, për të shprehur pëlqimin e një shteti për të qenë i lidhur nga një traktat, ose për të përfunduar çdo akt tjetër që lidhet me një traktat, nuk është e detyrueshme për njohjen e përfaqësuesit të shtetit palë. Pra, dispozita përjashton vetëm paraqitjen e fuqive të plota ndaj palës tjetër në marrëveshje, por sipas të drejtës së brendshme kombëtare ajo nuk nënkupton edhe mënjanimin apo mosrespektimin e kërkesës ligjore të pajisjes me plofuqi për përfaqësuesin e shtetit.
  20. Gjykata thekson se e drejta ndërkombëtare e rregullon institutin e plotfuqisë në aktet e saj, por njëkohësisht u krijon mundësi shteteve të rregullojnë në kuadrin e tyre të brendshëm çështjen e organit kompetent dhe procedurat e pajisjes me plotfuqi, sipas vullnetit të vetë shteteve. Zhvillimi i bisedimeve midis delegacioneve të shteteve të ndryshme përmendet në Konventën e Vjenës si fazë e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, por procedurat dhe modalitetet për mënyrën se si formohet delegacioni i secilit shtet rregullohen nga e drejta e brendshme e çdo shteti. Përfaqësuesit e shtetit duhet të veprojnë në përputhje me plotfuqinë e lëshuar nga organet kompetente nëpërmjet të cilës përcaktohen personat që do të marrin pjesë në bisedime (të cilët mund të jenë ekspertë të fushës, nëpunës apo funksionarë të ndryshëm të shtetit), natyrën dhe hapësirën e çështjeve që do të negociohen. Pra, ky autorizim duhet të jetë i shprehur në çdo rast si deklarim i vullnetit shtetëror për të hyrë në negociata. Në këtë kuptim, Gjykata thekson se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare plotfuqia i shërben parimit të mirëbesimit dhe vullnetit të lirë të çdo shteti për të lidhur marrëveshje, me qëllim që ajo të konsiderohet e lidhur nga përfaqësues të autorizuar duke mos vënë në dyshim plotësimin e angazhimeve që rrjedhin nga marrëveshja e lidhur.
  21. Zhvillimi i bisedimeve midis delegacioneve shtetërore me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje ka për synim hartimin e një teksti, i cili më pas kthehet në një instrument ligjor të detyrueshëm në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare, vetëm nëse palët shprehin në nivel ndërkombëtar pëlqimin e tyre për të qenë të lidhur nga kjo marrëveshje. Kjo shprehje vullneti mund të bëhet me anë të: ratifikimit, nënshkrimit (kur nuk është i nevojshëm ratifikimi) dhe aderimit. Në secilin rast, shteti shpreh formalisht vullnetin e tij për të qenë i lidhur me marrëveshjen ose traktatin ku dëshiron të aderojë[8]. Në rastet kur legjislacioni i brendshëm e kushtëzon hyrjen në fuqi të marrëveshjes me ratifikimin nga parlamenti i secilit shtet, ky proces (ratifikimi) nuk mund të konsiderohet si akt i thjeshtë formal. Ai përbën një proces esencial të lidhur ngushtë me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së nënshkruar. Shteti palë në marrëveshje është i lirë, nëpërmjet organeve të tij legjitime, ta ratifikojë ose jo marrëveshjen.
  22. Gjykata e konsideron të nevojshme të theksojë se Konventa e Vjenës përcakton dy kritere kryesore në sferën e zbatimit të traktateve ndërkombëtare, parimin e pacta sunt servanda (neni 26), sipas të cilit çdo traktat në fuqi është detyrues për palët dhe duhet të kryhet prej tyre në mirëbesim, dhe parimin se një palë nuk mund të përdorë dispozitat e së drejtës së brendshme si justifikim për pamundësinë e tij për të zbatuar një traktat (neni 27). Ky rregull nuk cenon nenin 46 të Konventës që parashikon se, një shtet nuk mund të pretendojë faktin se dhënia e pëlqimit për të zbatuar një traktat është shprehur duke cenuar një dispozitë të së drejtës së tij të brendshme (p.sh duke cenuar kompetencën e organit konkret për të lidhur traktate). Një mungesë kompetence në aspektin e brendshëm të shtetit apo një antikushtetutshmëri për këtë shkak nuk prek detyrimet sipas së drejtës ndërkombëtare. Është e qartë se kjo dispozitë i shërben vlefshmërisë së marrëveshjes midis palëve, por nga ana tjetër lidhja dhe nënshkrimi i marrëveshjes nga autoriteti kompetent ka rëndësi edhe për të drejtën e brendshme, pasi ka të bëjë direkt me zbatimin e parimeve të tilla kushtetuese si: parimi i demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe i legjitimitetit të organeve për të përfaqësuar vendin në marrëdhënie me jashtë.
  23. E drejta ndërkombëtare qëndron neutrale sa i takon çështjes se cili organ vepron në emër e për llogari të shtetit, si formohet dhe shprehet vullneti i brendshëm politik si dhe për më tepër si sillet një shtet në raport me të drejtën e brendshme apo në lidhje me normat e së drejtës ndërkombëtare për aq kohë sa zbaton të drejtat e detyrimet e marra përsipër prej tij. Për këtë të fundit është me rëndësi që shtetet me veprimet e tyre të mëpasshme të mos tërhiqen nga detyrimet e marra përsipër, gjë e cila i shërben stabilitetit ndërkombëtar dhe zbatimit të parimit pacta sunt servanta. Ky parim nuk do të thotë se shtete të ndryshme nuk mund të zgjedhin mënyra dhe forma të ndryshme të zbatimit të normave të së drejtës ndërkombëtare në sistemet e tyre të brendshme ligjore. Kjo është e drejtë sovrane e çdo shteti. Në bazë të këtij parimi, ligji nr.8371, dt.9.7.1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” në nenin 4 parashikon pajisjen me plotfuqi të rregullta të përfaqësuesve të shtetit, që ngarkohen të zhvillojnë bisedime dhe të nënshkruajnë traktate ose marrëveshje me përfaqësuesit e shteteve të tjera. Plotfuqitë lëshohen përkatësisht nga Presidenti i Republikës, kur si subjekt i traktatit ose i marrëveshjes është shteti shqiptar dhe nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, kur si subjekt është qeveria shqiptare.
  24. Gjykata rithekson se konstatimi i mungesës së plotfuqisë nga delegacioni shqiptar në procesin e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare nuk bie ndesh me nenin 46 të Konventës së Vjenës për respektimin e detyrimeve të marra përsipër nga pala shqiptare, pasi në rastin konkret marrëveshja i nënshtrohet një kontrolli paraprak nga kjo Gjykatë, pra para se ajo të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Për këtë shkak, sipas së drejtës së brendshme shqiptare, marrëveshja nuk ka hyrë ende në fuqi dhe për pasojë nuk ka filluar të japë efekte për sa kohë nuk është ratifikuar nga Kuvendi, sipas nenit 121 të Kushtetutës. Nisur nga ky fakt, në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me shmangie nga detyrimet që vijnë si pasojë e lidhjes së një marrëveshje ndërkombëtare në përputhje me rregullat e gjithpranuara të së drejtës ndërkombëtare publike, pra rrjedhimisht as të parimit pacta sunt servanta.
  25. Gjykata vlerëson se mosmarrja e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës për lidhjen e marrëveshjes ose dhënien e plotfuqisë, sipas ligjit, bie ndesh edhe me nenin 7 të Kushtetutës, i cili garanton parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ky parim shtrihet jo vetëm ndaj tri degëve të pushtetit, ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, por edhe ndaj organeve të tjera kushtetuese të pavarura, kompetencat e të cilave janë të parashikuara nga dispozitat e Kushtetutës. Sipas këtij parimi, asnjë organ, në përbërje ose jo të një prej tre pushteteve, nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese[9]. Mospajisja e delegacionit me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës përbën cenim të kompetencave të Presidentit të Republikës të parashikuara nga neni 92 i Kushtetutës, rrjedhimisht edhe të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve garantuar nga neni 7 i Kushtetutës.
  26. Nisur nga titulli i marrëveshjes objekt shqyrtimi, Gjykata konstaton se delegacioni shqiptar jo vetëm nuk ka marrë plotfuqi nga organi kompetent për fillimin e bisedimeve e më pas nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Greqisë, por, nga pikëpamja formalo-juridike, edhe autorizimi përkatës i lëshuar nga Kryeministri nuk është respektuar sa i takon objektit të tij. Kështu, Urdhëri nr.135, dt.23.08.2007 i Kryeministrit përmban titullin “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje”. Ndërsa nëse i referohemi marrëveshjes përfundimtare të lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, në titullin e saj, rezulton se objekt i marrëveshjes nuk ka qenë vetëm përcaktimi i shelfit kontinental por edhe “…i zonave të tjera që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Pra, rezulton që pala shqiptare të ketë negociuar për një objekt më të gjerë sesa ishte e autorizuar, duke kapërcyer kufijtë e autorizimit të dhënë për objektin e bisedimeve dhe më pas të konkretizimit të një marrëveshjeje midis dy palëve. Ky tejkalim i objektit të autorizimit nga grupi negociator e bën marrëveshjen të papajtueshme me parimin e shtetit të së drejtës i garantuar nga neni 4/2 i Kushtetutës.
  27. Gjithashtu, Gjykata çmon se edhe procedura e parashikuar nga ligji për traktatet lidhur me miratimin nga Këshilli i Ministrave i tekstit të marrëveshjes nuk rezulton të jetë respektuar. Neni 5 i këtij ligji parashikon se “për marrëveshjet, ku si palë janë shtetet ose qeveritë dhe iniciativa është e palës sonë, ministritë përkatëse marrin më parë mendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore të interesuara, para se t’i propozohet Këshillit të Ministrave lidhja e traktateve dhe marrëveshjeve”. Këshilli i Ministrave jep miratimin në parim për traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen në emër të shtetit ose të qeverisë.
  28. Më tej, neni 6 parashikon se “kur iniciativa për lidhjen e traktateve dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe merret nga shteti ynë, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore përkatëse hartojnë tekstet e projekteve, për të cilat marrin mendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë dhe të ministrive të interesuara. Vërejtjet që mund të bëjë shteti tjetër, të cilat ndryshojnë përmbajtjen e projektit të palës shqiptare ose kundërprojekti që mund të paraqitet nga ana e tij, pasi studiohen nga ministria ose institucioni tjetër qendror përkatës, i paraqiten Këshillit të Ministrave për miratim në parim, së bashku me mendimet e ministrive dhe të institucioneve të tjera qendrore të interesuara, si dhe mendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme”.
  29. Nga materialet e paraqitura gjatë gjykimit të çështjes rezulton që nga ana e Këshillit të Ministrave të jetë lëshuar vendimi nr.653, dt.11.06.2009 “Për propozimin e projekt-ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet RSH dhe RG, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Nuk pasqyrohet procedura e miratimit në parim të marrëveshjes nga ky organ duke e bërë procesin jo të pajtueshëm me kërkesat e nenit 5 dhe 6 të ligjit për traktatet.
  30. Nga sa më lart, Gjykata vlerëson se mospajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës ka sjellë si pasojë cenimin e kompetencës së kreut të shtetit si organi kompetent për përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhënie me jashtë. Mungesa e plotfuqisë së rregullt nga delegacioni shqiptar bie ndesh me kuadrin e brendshëm kushtetues dhe ligjor lidhur me përcaktimin e kritereve formale për negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Si rrjedhojë, kjo papajtueshmëri prek edhe thelbin e marrëveshjes së lidhur nga shteti shqiptar, i cili, në çdo rast, duhet të shprehë vullnetin e tij në përputhje me kërkesat e legjislacionit të brendshëm. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se marrëveshja e nënshkruar midis RSH dhe RG për delimitimin e hapësirave detare midis dy vendeve është lidhur në kundërshtim me kërkesat e neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës.

 

III. Lidhur me parimet dhe kriteret e kontrollit kushtetues të marrëveshjes ndërkombëtare nga Gjykata Kushtetuese.

  1. Para se Gjykata të shprehet për bazueshmërinë e pretendimeve të kërkuesit që lidhen me përmbajtjen e marrëveshjes objekt gjykimi, e vlerëson të nevojshme të bëjë të njohur fillimisht kriteret e kontrollit ku ajo do të mbështetet gjatë shqyrtimit të tyre.
  2. Nisur nga objekti i kërkesës, Gjykata, bazuar në nenin 131/b) të Kushtetutës, kontrollon marrëveshjet ndërkombëtare para ratifikimit nga Kuvendi lidhur me pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën. Në ushtrimin e këtij kontrolli Gjykata mban parasysh të drejtën e brendshme dhe konkretisht dispozitat e Kushtetutës, si akti më i lart normativ në vend. Konkretisht, për çështjen në gjykim, Gjykata do të bazohet në nenin 3 të Kushtetutës, i cili garanton ndër të tjera tërësinë e territorit, pasi objekti i marrëveshjes që kontrollohet është përcaktimi i hapësirave detare që i përkasin Shqipërisë. Për më tepër, pavarësisht nga titulli i marrëveshjes, praktikisht, siç do të arsyetohet edhe në vijim, bëhet fjalë kryesisht për përcaktimin e ujrave të brendshme dhe ujrave territoriale në jug të Shqipërise. Këto ujra konsiderohen nga e drejta e brendshme dhe ajo ndërkombëtare si pjesë ekskluzive e territorit shtetëror dhe për këtë arsye i nënshtrohen sovranitetit territorial të Republikës së Shqipërisë.
  3. Gjithashtu, duke patur parasysh që çështjet e përcaktimit të kufijve në tërësi dhe atyre detarë në veçanti nuk janë vetëm çështje të së drejtës së brendshme por edhe të së drejtës ndërkombëtare, për shkak të njohjes dhe pranimit të kufijve jo vetëm nga shtetet palë por edhe nga institucionet ndërkombëtare, Gjykata për këtë qëllim do t’i referohet gjatë kontrollit të saj edhe akteve ndërkombëtare që rregullojnë parimet, mënyrat, procedurat e delimitimit të kufijve detarë midis shteteve. Konkretisht, akti ndërkombëtar kryesor që rregullon këto çështje është Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit e vitit 1982 (e njohur si Konventa e Montego Bay-it). Gjithashtu, Gjykata gjatë kontrollit të saj do t’i referohet edhe akteve të tjera dhe parimeve të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare si dhe praktikës së gjykatave dhe arbitrazheve ndërkombëtare lidhur me parimet e ndjekura në delimitimin e hapësirave detare në çështje të përafërta apo të ngjashme me çështjen objekt shqyrtimi.
  4. Kontrolli i marrëveshjeve ndërkombëtare është një nga kompetencat më të veçanta të Gjykatës Kushtetuese, për faktin se i duhet të vlerësojë respektimin e normave dhe parimeve kushtetuese në fushën e marrëdhënieve me jashtë. Marrëdhëniet me jashtë janë jo vetëm çështje të rendit të brendshëm kushtetues të një vendi por edhe të së drejtës ndërkombëtare, për aq sa shteti merr përsipër të drejta dhe detyrime. Në fushën e marrëdhënieve me jashtë dallojmë dy anë: formimin e vullnetit dhe shprehjen e tij. Vlerësimi i nevojës apo interesit për lidhjen e një marrëveshje ndërkombëtare është një akt politik. Çështja nëse ky akt politik është në përputhje me kuadrin e brendshëm normativ (kupto: kushtetues) dhe me interesat shtetërore në tërësi është e natyrës juridike. Pikërisht këtu përqendrohet kontrolli kushtetues që bën gjykata kushtetuese.
  5. Ky kontroll në rastin e marrëdhënieve me jashtë është kompleks, pasi në disa raste marrëdhëniet me jashtë paraqesin vështirësi, aq më tepër që kontrolli kushtetues mbi akte politike mbart në vetëvete rrezikun e ndërhyrjes në çështje që prekin jo vetëm interesat politike të brendshme por edhe ato në marrëdhënie me vende të tjera apo organizata ndërkombëtare, ku shteti konkret është palë. Megjithatë, është tashmë praktikë e konsoliduar në përgjithësi që gjykatat kushtetuese ushtrojnë kontroll edhe mbi aspekte të vendimmarrjes së ekzekutivit ose ligjvënësit që lidhen me marrëdhëniet me jashtë duke marrë si kriter kontrolli parimet themelore kushtetuese.
  6. Gjykata thekson se gjatë kontrollit kushtetues të një marrëveshje ndërkombëtare është e rëndësishme të mbahet parasysh respektimi i parimit të shtetit të së drejtës, i cili merr përparësi ndaj një mundësie për të rënë ndesh me rregullat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, i njohur sot me termin “international rule of law”. Kur para një gjykate kushtetuese shtrohet për shqyrtim interpretimi i një marrëveshje ndërkombëtare, është i pashmangshëm aplikimi i parimeve të përgjithshme për këtë qëllim. Sipas këtyre parimeve, çdo marrëveshje duhet interpretuar në mënyrë të tillë që palët të arrijnë atë objektiv për të cilin kanë vendosur të lidhin këtë marrëveshje. Nga ana tjetër, duhet të mos rezultojë nga marrëveshja një detyrim më i madh ose më i gjerë nga ai për të cilin kanë shprehur vullnetin fillestar palët.
  7. Kur gjykata kushtetuese interpreton përmbajtjen e marrëveshjes dhe arrin në një përfundim sa i takon përputhshmërisë së saj me kushtetutën kombëtare, atëherë ajo mbështetet vetëm në verifikimin e respektimit të parimeve themelore kushtetuese në tekstin e marrëveshjes. Gjykata Kushtetuese, në këtë rast, mban parasysh parimin se organet politike të shtetit janë mbështetur në parimet kushtetuese për të hyrë në një marrëveshje dhe kanë pasur vullnetin për të arritur një rezultat në përputhje me to[10]. Pra, prezumohet kushtetutshmëria, mirëbesimi dhe vullneti i mirë në lidhjen e marrëveshjes, për sa kohë që nga kontrolli kushtetues nuk është arritur në një përfundim të ndryshëm. Mbi bazën e parimeve dhe kritereve të përmendura më sipër do të mbështetet kontrolli kushtetues i Gjykatës për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes objekt gjykimi.
  8. Nga gama e gjerë e pretendimeve të palëve, përveç çështjes së legjitimimit të kërkuesit dhe të mungesës së plotfuqisë të trajtuara më sipër, Gjykata vlerëson se duhet të përqendrohet dhe grupojë kryesisht ato që kanë rëndësi kushtetuese për çështjen në gjykim dhe konkretisht pretendimet lidhur me: a) titullin dhe përmbajtjen e marrëveshjes si dhe nevojen e përcaktimit të hapësirave detare respektive, b) zbatimin e parimit të barazlargësise strikte për ndarjen e hapësirave detare që u përkasin të dy vendeve, c) ndikimin e ishujve dhe të masave shkëmbore në përcaktimin e hapësirave detare dhe ç) mosparaqitjen e hartave analoge si pjesë shoqëruese të marrëveshjes. Gjykata thekson se pretendimi për mungesë të transparencës gjatë zhvillimit të bisedimeve për lidhjen e marrëveshjes, për çështjen në gjykim, nuk paraqitet në dimension kushtetues.

 

III

  1. Mbi titullin dhe përmbajtjen e marrëveshjes si dhe nevojën e përcaktimit të hapësirave detare respektive.
  2. Kërkuesi pretendon se titulli dhe përmbajtja e marrëveshjes objekt gjykimi janë sui generis dhe devijim nga standartet dhe praktika ndërkombëtare. Në këtë kuadër, sipas tij, duhej që objekti i saj të ishte përcaktuar më qartë e më mirë, në përputhje me kërkesat dhe nevojën për delimitimin e hapësirave detare respektive.
  3. Gjykata thekson se e drejta ndërkombëtare detare, si tërësi e normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare (traktatet dhe normat e së drejtës ndërkombëtare zakonore) që rregullojnë çështjet e përdorimit të detit (përfshirë edhe shtratin dhe nëntokën e tij), shfrytëzimit të burimeve të tij si dhe çështjet e juridiksionit mbi hapësirat detare, anijet, instalimet dhe aktivitetet brenda këtyre hapësirave, ka njohur zhvillime të rëndësishme në përiudhën pas Luftës së Dytë Botërore[11]. E drejta ndërkombëtare detare bashkëkohore është rezultat i ballafaqimit të interesave të ndryshme, dialogut, lëshimeve dhe kompromiseve mes shteteve për çështjet që kanë të bëjnë me ndarjen e hapësirave detare si dhe me përdorimin dhe shfrytëzimin sa me efektiv të tyre në interesin kombëtar.
  4. Regjimi juridik i deteve dhe oqeaneve është bazuar për një kohë të gjatë në të ashtuquajturën doktrinë e “detit të lirë” apo “lirisë së detit të hapur”, në themel të së cilës qëndronte ideja që të gjitha hapësirat e deteve dhe oqeaneve nuk i përkisnin askujt, prandaj ato duhej të ishin të hapura dhe të lira për lundrim dhe shfrytëzim për të gjitha shtetet pa dallim. Përjashtim bëhej vetëm për një rrip të ngushtë ujor (detar) që rrethon bregdetin, i cili vlerësohej se për efekte sigurie dhe shfrytëzimi duhej të ishte nën sovranitetin e plotë të shtetit bregdetar. Po në këtë periudhë, gjerësia e këtij rripi ujor u përcaktua 3 milje detare, pasi në atë kohë e tillë ishte edhe distanca e qitjes me top[12].
  5. Parimi i “lirisë së detit të hapur” u zbatua në shkallë të gjerë nga shumica e shteteve për shekuj me radhë. Ai u njoh si një normë e së drejtës ndërkombëtare zakonore dhe parim themelor mbi bazën e të cilit ngrihej i gjithë regjimi juridik i deteve dhe oqeaneve. Për më tepër, si të tillë atë e gjejmë edhe në Konventën Ndërkombetare mbi Detin e Hapur të vitit 1958, si dhe në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982 (nenet 86-115), por tashmë në kushte të reja, pasi hapësira e Detit të Hapur ka ardhur duke u tkurrur (zvogëluar) vazhdimisht, për shkak të interesit permanent të shteteve bregdetare për të shtrirë gjithnjë e me shumë sovranitetin dhe të drejtat e tyre sovrane si në Detin Territorial, ashtu edhe në hapësirat e tjera detare që lagin brigjet e tyre.
  6. Interesi i shteteve bregdetare për të shtrirë sovranitetin dhe të drejtat sovrane në drejtim të Detit të Hapur ka patur si qëllim kryesor shfrytëzimin më të mirë dhe ekskluziv prej tyre të hapësirave të caktuara ujore për interesa ekonomike, siguri kombëtare, kërkim shkencor, mbrojtjen nga ndotja, etj., të cilat u bënë veçanërisht evidente rreth mesit të shekullit 20-të. Zhvillimi i teknologjive moderne bëri të mundur që deti, fundi dhe nëntoka e tij të shfrytëzoheshin për qëllime të ndryshme dhe me efektivitet gjithnjë e më të madh, veçanërisht për peshkim, nxjerrjen e naftës dhe të gazit, nxjerrjen e noduleve të pasura me minerale të shumta, shfrytëzimin për rërë, zhavor, etj. Mbi këtë bazë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shumë shtete bregdetare deklaruan në mënyrë të njëanshme jo vetëm zgjerimin e ujrave territoriale nga 3 deri në 12 milje detare (në disa raste me pak ose më shumë se kaq)[13], por edhe shtrirjen e juridiksionit kombëtar mbi shelfin kontinental dhe hapësirën ujore respektive deri në 200 milje detare[14].
  7. Deklarimi i njëanshëm dhe zgjerimi i konsiderueshëm i sovranitetit dhe të drejtave sovrane të shteteve bregdetare në hapësira të konsiderueshme detare dhe oqeanike krijoi mjaft probleme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Detet dhe oqeanet gjeneronin gjithnjë e më shumë mosmarrëveshje dhe konflikte mes shteteve. Për menaxhimin e kësaj situate, që në fillimet e aktivitetit të saj, u angazhua seriozisht edhe OKB. Pas një pune përgatitore disa vjeçare, në vitin 1958 u mbajt Konferenca e Parë Ndërkombëtare e OKB-së për të Drejtën e Detit, në përfundim të së cilës u bë e mundur të miratoheshin 4 Konventa, konkretisht Konventa mbi Ujrat Territoriale dhe Zonën e Puqur; Konventa mbi Shelfin Kontinental; Konventa mbi Detit e Hapur dhe Konventa mbi Peshkimin dhe Ruajtjen e Burimeve të Gjalla në Detin e Hapur[15].
  8. Ndërkaq, numri i shteteve që konsideronin të papranueshme mjaft nga problemet dhe zgjidhjet e ofruara në kuadër të 4 konventave të adoptuara në Konferencën e Parë të OKB-së mbi të Drejtën e Detit të vitit 1958, rritej gjithnjë e më shumë. Në këtë drejtim ndikoi dukshëm edhe zgjerimi i OKB-së me shtete të reja anëtare, kryesisht për shkak të procesit dekolonizues të viteve 60’ të shekullit të kaluar, i cili bëri të mundur lindjen e mjaft shteteve të reja sovrane, të cilat kërkonin krijimin e një rendi të ri ekonomik ndërkombëtar, në themelet e të cilit do të kishte më shumë barazi, drejtësi dhe ndershmëri. Në këtë kuadër, problemet e të drejtës ndërkombëtare detare dhe konkretisht ndarja, përdorimi dhe shfrytëzimi racional, efektiv dhe në mënyrë sa më të drejtë e të barabartë i hapësirave detare dhe burimeve të tyre, kishin prioritet të veçantë. Vlerësohej me të drejtë se duhej thirrur një konferencë e përgjithshme ndërkombëtare, e cila do të diskutonte dhe rregullonte në tërësi dhe mbi një bazë e filozofi të re të gjitha problemet e të drejtës ndërkombëtare detare.
  9. Konferenca e Tretë e OKB-së mbi të Drejtën e Detit i filloi punimet në vitin 1973 dhe i përfundoi ato me adoptimin e Konventës në vitin 1982[16]. Kjo Konventë është një nga dokumentet më të rëndësishme dhe më me vlerë të hartuara në kuadër të OKB-së. Ajo konsiderohet si “kushtetuta e së drejtës së detit”, si pika kryesore e referimit për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare detare. Përmes saj krijohet një regjim i ri dhe i plotë juridik mbi detet dhe oqeanet, i cili përshtat dhe pajton interesa të ndryshme të shteteve. Konventa harmonizon mjaft mirë normat ekzistuese të së drejtës ndërkombëtare detare (të traktateve dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore) me normat e reja që ndryshojnë ose afirmojnë koncepte të panjohura dhe të patrajtuara më parë nga e drejta ndërkombëtare detare tradicionale, duke reflektuar kështu nevojat, tendencën dhe interesat e grupimeve të ndryshme të shteteve sovrane. Përmes 320 neneve dhe 9 anekseve që sipas nenit 318 të Konventës konsiderohen pjesë integrale të saj, rregullohet një gamë e gjerë problemesh të larmishme e delikate të së drejtës ndërkombëtare detare. Në bazë të saj, shtetet bregdetare kanë të drejtë dhe interes të drejtpërdrejtë të ndërmarrin, sipas rastit, hapat e nevojshme që bëjnë të mundur shtrirjen e sovranitetit, të drejtave sovrane apo juridiksionit kombëtar në hapësira të caktuara detare.
  10. Gjykata vëren se Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit përcakton parimet dhe rregullat bazë, të drejtat dhe detyrimet e përgjithshme të shteteve palë në fushën e të drejtës ndërkombëtare detare. Zbatimi i saj në çdo rast konkret kërkon marrjen parasysh të rregullimeve kuadër të Konventës, si në hartimin e legjislacionit kombëtar, ashtu edhe në dialogun apo bisedimet që kanë për qëllim përfundimin e marrëveshjeve përkatëse mes palëve të interesuara në fushën e të drejtës detare, veçanërisht lidhur me ndarjen, përdorimin dhe shfrytëzimin e hapësirave të ndryshme detare. Po në këtë kuadër, në funksion të zgjidhjes se çështjes që shqyrton, normat dhe parimet e Konventës shërbejnë si orientim qendror edhe për vendimmarrjen e gjykatës apo të një arbitrazhit ndërkombëtar mbi konfliktet apo problemet e të drejtës ndërkombëtare detare.
  11. Pra, Konventa mbi të Drejtën e Detit është dokumenti bazë që ka përparësi mbi çdo rregullim tjetër juridiko-ndërkombëtar në këtë fushë, përfshirë këtu edhe katër konventat e Gjenevës të miratuara në Konferencën e Parë të OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Megjithatë, ka rëndësi të theksohet se Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit nuk ndryshon të drejtat dhe detyrimet e mëparshme të shteteve palë që rrjedhin nga marrëveshje të tjera ndërkombëtare të cilat janë në pajtim me të (shih paragrafin e dytë të nenit 311 të Konventës). Marrë në tërësi, hapësirat detare që rikonfirmohen apo sillen si risi në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit mund të ndahen në hapësira detare në të cilat shteti bregdetar ushtron sovranitet ose të drejta sovrane dhe hapësira detare në të cilat shteti bregdetar nuk ushtron asnjërën prej tyre. Konkretisht, në kategorineë e parë bëjnë pjesë: Ujrat e Brendshme, Ujrat Territoriale (Deti Territorial), Shelfi Kontinental, Zona e Puqur dhe Zona Ekonomike Ekskluzive, ndërsa në kategrorinë e dytë: Deti i Hapur dhe Zona.
  12. Gjykata e konsideron të rëndësishme që në funksion të pretendimeve të kërkuesit, të ndalet shkurtimisht për të sqaruar kuptimin, gjerësinë dhe natyrën juridike të hapësirave detare që hyjnë në kategorinë e parë, pasi Deti i Hapur, ajo pjesë e detit që nuk përfshin asnjë nga hapësirat detare të peërmendura në kategorinë e parë (shih nenin 86 të Konventës) është i lirë dhe i hapur për shfrytëzim për të gjitha shtetet në përputhje me dispozitat e Konventës (nenet 87-115 të Konventës), ndërsa Zona, si koncept i ri në Konventën e OKB-së mbi të drejtën e Detit, e cila përfshin shtratin e detit e të oqeanit si dhe nëntokën e tij përtej kufijve të juridiksionit kombëtar (shih nenin 1 të Konventës), konsiderohet dhe trajtohet si pasuri e përbashkët (res communis) e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
  13. Ujra të Brendshme (detare), sipas nenit 8 të Konventës, konsiderohen ujrat në drejtim të tokës, nga vija bazë ku fillon të matet gjerësia e Detit Territorial. Gjerësia e këtyre ujrave përcaktohet në varësi të metodës së zgjedhur për heqjen e vijës bazë. Si metoda të tilla, sipas Konventës, janë dy: a) vija bazë normale, që është vija e zbaticës më të madhe gjatë gjithë bregdetit (neni 5 i Konventës) dhe b) vija bazë e drejtë, e cila formohet nga bashkimi i pikave më të dala të tokës në det (neni 7 i Konventës). Kjo metodë përdoret veçanërisht në rastet kur bregdeti është shumë i përthyer ose i prerë. Nga sa më sipër, rezulton se bëhet fjalë për Ujra të Brendshme në këtë kuptim, veçanërisht në rastet kur për matjen e Detit Territorial zbatohet metoda e vijës bazë të drejtë. Në një kuptim më të përgjithshëm, në nocionin Ujra të Brendshme përfshihen edhe ujrat e gjireve (sipas kritereve të nenit 10 të Konventës), ujrat e porteve në bregdet, deltat e lumenjve etj. Për shkak të afërsisë me tokën si dhe rëndësisë që paraqesin në këndvështrim të sigurisë dhe shfrytëzimit për qëllime ekonomike e tregetare, Ujrat e Brendshme konsiderohen si pjesë e territorit të shtetit bregdetar. Sovraniteti territorial i këtij shteti shtrihet plotësisht në këto ujra, në hapësirën ajrore mbi to si dhe në shtratin e detit dhe nëntokën e tij poshtë këtyre ujrave (neni 2 i Konventës). Megjithatë, në raste dhe pjesë të caktuara të Ujrave të Brendshme, anijeve të shteteve të treta mund t’u njihet e drejta e kalimit paqësor.
  14. Det Territorial (Ujra Territoriale) është ai rrip ujor pranë bregdetit, në të cilin shteti bregdetar ka të drejtë të ushtrojë sovranitetin e tij. Sipas nenit 2 të Konventës, edhe këto ujra konsiderohen si pjesë integrale e padiskutueshme e territorit të këtij shteti, si dominium i tij. Asnjë shtet nuk mund të mohojë apo vërë në dyshim të drejtat dhe detyrimet e shtetit bregdetar mbi Detin Territorial, të njohura e ushtruara në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Gjerësia e Detit Territorial mund të shkojë deri në 12 milje detare, nga vija bazë që përcaktohet në përputhje me dispozitat e Konventës (neni 3 i Konventës). Po sipas Konventës, sovraniteti i shtetit bregdetar shtrihet plotësisht edhe në hapësirën ajrore mbi Detin Territorial si dhe në shtratin e detit dhe nëntokën e tij poshtë këtyre ujrave (neni 2/2 i Konventës). Eshtë me rëndësi të theksohet gjithashtu se edhe në këtë rast, anijeve të shteteve të treta u njihet e drejta e kalimit paqësor në kuptim të Konventës (shih nenet 17-20 të Konventës). Shteti bregdetar mund të miratojë ligje dhe rregulla lidhur me kalimin paqësor të këtyre anijeve në Detin e tij Territorial, por gjithnjë në përputhje me standardet dhe kërkesat e Konventës (shih nenet 21-32 të Konventës).
  15. Shelfi Kontinental në kuptimin juridik është nocion i njohur dhe i zbatuar për herë të parë në praktikën e ndërkombëtare vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim shfrytëzimin e tij për qëllime ekonomike, veçanërisht për nxjerrjen e naftës, gazit, minerale të ndryshme, etj. Në kuptimin gjeologjik, Shelfi Kontinental është njohur shumë kohë më parë, duke nënkuptuar atë pjesë të fundit (shtratit) të detit që shtrihet si zgjatim i tokës nga pika ku kjo e fundit takon (prek) detin, gjer në pikën ku shtrati i detit pëson një ulje të menjëhershme. Kjo distancë normalisht mund të shkojë deri në rreth 80 kilometër nga bregu i detit. Megjithatë, ajo mund të ndryshojë nga një vend në një tjetër. Në zonat detare ku shtrati i detit fillon menjëherë në thellësi tepër të mëdha, praktikisht nuk ka fare Shelf Kontinental në kuptimin gjeologjik. Pasi mbaron Shelfi Kontinental në kuptimin gjeologjik, fillon e ashtuquajtura pjerrësi kontinentale (continental slope), që normalisht shtrihet deri në 100 kilometra nga bregu dhe thellësi që shkon deri në rreth 5 mijë metra, dhe pas saj e ashtuquajtura platformë kontinentale (continental rise) me pjerrësi më të vogël dhe shtrirje deri në rreth 4 mijë kilometër dhe thellësi të ndryshme, por jo shumë më të madhe nga ajo e pjerrësisë kontinentale. Me përfundimin e platformës kontinentale, normalisht fillon shtrati i thellë i oqeanit. Të tre pjerrësitë e fundit të detit të marra së bashku, shelfi kontinental në kuptimin gjeologjik, pjerrësia kontinentale dhe platforma kontinentale, formojnë sipas Konventës teë ashtuquajturën kornizë kontinentale (continental margin).
  16. Kuptimi gjeologjik i nocionit të Shelfit Kontinental ka shërbyer si pikënisje për përcaktimin e natyrës juridike të tij si në Konventën mbi Shelfin Kontinental të vitit 1958, ashtu edhe në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Në të parën, Shelfi Kontinental përkufizohej si “….shtrati i detit dhe nëntoka e tij bashkëngjitur me bregun por jashtë hapësirës së Detit Territorial, deri në pikën ku ajo arrin thellësinë e menjëhershme prej 200 metra….”[17]. Konventa e vitit 1982 e ndryshon dukshëm këtë përkufizim, si përsa i përket shtrirjes, ashtu edhe sa i takon kufijve të jashtem të Shelfit Kontinental në kuptimin juridik. Konkretisht, në nenin 76 të kësaj Konvente theksohet ndër të tjera se “ Shelfi Kontinental i një shteti bregdetar përfshin fundin e detit dhe nëntokën e tij … që shtrihet përtej hapësirës së Detit Territorial të tij si zgjatim i territorit tokësor…gjer në cepin e jashtëm të kornizës kontinentale, ose gjer në distancën prej 200 milje detare nga vija bazë prej së cilës është matur gjerësia e Detit Territorial, nëse cepi i jashtëm i kornizës kontinentale nuk e kalon këtë distance” (shih pikën 1 të Nenit 76 të Konventës). Sipas Konventës, në asnjë rast Shelfi Kontinental në kuptimin juridik nuk duhet ti kalojë 350 milje detare (shih pikën 6 të nenit 76 të Konventës).
  17. Gjykata vëren se, sipas Konventës, nocioni gjelogjik i Shelfit Kontinental ndryshon mjaft nga nocioni juridik i tij. Ndërsa Shelfi Kontinental në kuptimin gjeologjik fillon në pikën ku toka takon detin, Shelfi Kontinental në kuptimin juridik fillon në pikën e shtratit të detit ku mbaron gjerësia e Detit Territorial. Nga ana tjetër, Shelfi Kontinental në kuptimin juridik, sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit, mund të përfshijë edhe pjerrësinë kontinentale dhe platformën kontinentale, si nocione të ndryshme në kuptimin gjeofizik[18]. Shteti bregdetar ushtron mbi Shelfin Kontinental të drejtat e sovranitetit, me qëllim eksplorimin dhe shfrytëzimin ekskluziv të burimeve të tij natyrore. Askush tjetër nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, pa pëlqimin e shprehur të vetë shtetit bregdetar (shih pikat 1-3 të nenit 77 të Konventës). Ushtrimi i këtyre të drejtave nga shteti bregdetar nuk duhet ngatërruar me sovranitetin territorial, pra sovranitetin që çdo shtet ushtron mbi territorin e tij, përfshirë këtu edhe Ujrat e Brendshme Detare dhe Detin Territorial[19].
  18. Megjithatë, duhet theksuar gjithashtu se të drejtat e shtetit bregdetar mbi Shelfin Kontinental nuk varen nga asnjë lloj titulli mbi këtë hapësirë. Përcaktimi i kufijve të tij, sipas rastit, përmes një akti të njëanshëm apo marrëveshjeve me një apo disa shtete të tjerë përballë apo bashkëngjitur, nuk ka për qëllim krijimin e kësaj të drejte, por vetëm konfirmimin e ekzistencës së saj mbi Shelfin Kontinental. Në vendimin e saj mbi çështjen e Shelfit Kontinental në Detin e Veriut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) theksoi ndër të tjera se të drejtat e shtetit bregdetar mbi Shelfin Kontinental ekzistojne ipso facto dhe ab initio[20]. Në ndryshim nga regjimi i Detit Territorial, të drejtat sovrane të shtetit bregdetar mbi Shelfin Kontinental nuk shtrihen edhe mbi ujrat dhe hapësiren ajrore mbi të. Nga ana tjetër, në ushtrimin e të drejtave të tij ekskluzive mbi Shelfin Kontinental, shteti bregdetar nuk duhet të cenoje në mënyrë të pajustifikuar lundrimin si dhe të drejtat dhe liritë e tjera që kanë të gjitha shtetet, në përputhje me rregullimet e Konventës (shih nenin 78 pikat 1, 2 të Konventës).
  19. Zona e Puqur (ose në Vazhdim) është hapësira detare në vijim të Detit Territorial, në të cilën shteti bregdetar ka disa kompetenca të kufizuara, kryesisht të natyrës administrative. Gjerësia e Zonës së Puqur mund të shkojë deri në 24 milje nga vija bazë ku fillon gjerësia e Detit Territorial (shih nenin 33/2 te Konventës). Pra, Zona e Puqur mund të shtrihet deri në 12 milje të tjera pas mbarimit të kufirit të jashtëm të Detit Territorial. Sipas Konventës, në këtë hapësirë, shteti bregdetar mund të ushtrojë kontrolle të ndryshme që kanë për qëllim zbatimin e legjislacionit të tij për çështjet doganore, fiskale, shëndetësore ose të imigracionit, brenda Teritorit apo Detit të tij Territorial (shih nenin 33/1a të Konventës). Për më tepër, shteti bregdetar ka juridiksion ekskluziv mbi objektet me rëndësi historike dhe arkeologjike që mund të gjenden në Zonën e Puqur (shih nenin 303/2 të Konventës). Eshtë e qartë që sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit, Zona e Puqur nuk mund të konsiderohet më si pjesë e Detit të Hapur, por si pjesë e Zonës Ekonomike Ekskluzive.
  20. Koncepti i Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE) është një nga risitë më të rëndësishme të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Ajo përcaktohet prej saj si hapësira përtej dhe pranë Detit Territorial dhe që nuk i kalon 200 milje detare nga vija bazë ku fillon Deti Territorial. Sipas Konventës, ZEE përbëhet nga ujrat prej sipërfaqes ujore deri në shtratin e detit, si dhe vetë shtrati i detit dhe nëntoka e tij (shih nenin 56/1 të Konventës). Megjithatë, të drejtat e shtetit bregdetar në ZEE përsa i përket shtratit të detit dhe nëntokës së tij, duhet të ushtrohen në përputhje me dispozitat e Pjesës së Gjashtë të Konventës që i kushtohen tërësisht Shelfit Kontinental (shih nenin 56/3 të Konventës). Në ZEE, shteti bregdetar ushtron të drejtat e sovranitetit me qëllim shfrytëzimin ekonomik (kryesisht peshkim), eksplorimin, ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve natyrore të gjalla e jo të gjalla, etj. Krahasuar me regjimin e Detit Territorial, autoriteti i shtetit bregdetar në ZEE, ashtu si edhe në Shelfin Kontinental, është më i kufizuar. Shtetet e tjera, në çdo kohë, gëzojnë të drejtën e lirisë së lundrimit dhe të fluturimit mbi këto ujra, të drejtën e vendosjes së kabllove dhe tubacioneve nënujore si dhe çdo përdorim tjetër të tij që është në përputhje me regjimin e Detit të Hapur. Për këtë shkak, përgjithësisht theksohet se ZEE ka një regjim juridik sui generis [21].
  21. Gjykata rithekson se në këndvështrimin kushtetues, konsiderohen si pjesë të mirëfillta të territorit shtetëror edhe Ujrat e Brendshme dhe Deti Territorial deri në 12 milje detare nga vija bazë, hapësira ajrore mbi to si dhe shtrati i detit dhe nëntoka e tyre. Në këto hapësira zbatohet padyshim legjislacioni i brendshëm i shtetit bregdetar. Në Shelfin Kontinental dhe ZEE, shteti bregdetar ushtron të drejta sovrane vetëm përsa i përket përdorimit dhe shfrytëzimit ekskluziv për qëllime ekonomike (nenet 56 dhe 77 të Konventës), kërkim shkencor dhe për mbrojtjen e tyre (neni 61 i Konventës). Pra, në dallim nga regjimi i Ujrave të Brendshme dhe i Detit Territorial, të drejtat sovrane të shtetit bregdetar në ZEE dhe Shelfit Kontinental ushtrohen vetëm për veprimtaritë që përmenden shprehimisht në Konventë, pavarësisht mendimeve apo tendencës që kuptimi i nocionit “të drejta sovrane” të zgjerohet në drejtim të ngjashmerisë me nocionin e “sovranitetit territorial”[22].
  22. Nga sa me sipër, duhet dalluar mirë që kur bëhet fjalë për përcaktimin e Detit Territorial të një shteti bregdetar kemi të bëjmë njëkohësisht me caktim të kufijve shtetërore të tij në kuptim të mirëfilltë, ndërsa kur bëhet fjalë për caktimin e hapësirave detare si Shelfi Kontinental dhe ZEE, ku shteti bregdetar ushtron vetëm disa të drejta sovrane, mund të flitet për kufij detarë. GJND shprehet qartë për këtë problem në çështjen e shqyrtuar prej saj lidhur me ndarjen e Shelfit Kontinental në Detin e Zi ndërmjet Rumanisë dhe Ukrainës, duke deklaruar ndër të tjera se: “… kufiri detar që delimiton Shelfin Kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive nuk duhet ngatërruar me kufirin shtetëror që ndan territore. I pari përcakton limitet e hapësirave detare në të cilat shteti bregdetar, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ushtron disa të drejta sovrane për qëllime të caktuara. I dyti përcakton limitet territoriale të sovranitetit të shtetit[23].
  23. Referuar standardeve të mësipërme, Gjykata konstaton se në marrëveshjen objekt gjykimi ka disa shkelje kushtetuese, të cilat në mënyrë të grupuar janë si më poshtë :

82.1 Përpara zhvillimit të bisedimeve duhej të ishin përcaktuar qartë hapësirat detare që duhej  të delimitoheshin si dhe brigjet detare respektive mbi bazën e të cilave do të bëhej ky delimitim. Në këtë kuadër, duhej të ishte patur mirë parasysh natyra dhe statusi juridik i secilës prej hapësirave detare që do të delimitohej.

  • Marrëveshja objekt shqyrtimi mban titullin “Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në fakt, siç rezulton edhe nga hartat respektive të paraqitura, në rastin konkret, të paktën përsa i përket Republikës së Shqipërisë, rreth 90% e hapësirave detare të ndara me Republikën e Greqisë janë Ujra të Brendshme dhe Det Territorial. Konkretisht, nga 150 rrathet që shërbejnë për delimitimin e kufirit detar nga pjesa fundore e Kanalit të Korfuzit deri në veri të tij, 140 prej tyre kanë rreze më të vogël se 12 milje detare. Pra, marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujrat e Brendshme dhe Detin Territorial. Mbi këto ujra, në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujrave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar, në një kohë që shteteve të tjera u njihet e drejta e lundrimit paqësor apo të drejta të tjera në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejten e Detit. Eshtë e qartë se për shkak të distancës relativisht të vogël ndërmjet brigjeve respektive, marrëveshja objekt shqyrtimi në thelb merret kryesisht jo me caktimin e kufijve detarë në kuptim të përgjithshëm, por me përcaktimin e kufijve shtetërore në kuptim të mirëfilltë ndërmjet dy vendeve.
  • Në këtë kuptim, veçanërisht në zonën e Kanalit të Korfuzit, pala shqiptare duhet të kishte qartësuar paraprakisht natyrën dhe efektet e akteve ndërkombëtare mbi delimitimin e kufijve shtetërore të Republikës së Shqipërisë, si dhe praktikën e ndjekur në këtë drejtim. Kufijtë shtetërorë, përfshi natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, kanë ekzistuar (në Protokollin e Firences dt.27.01.1925 për Delimitimin e Kufirit Jugor të Republikës së Shqipërisë theksohet, ndër të tjera, se “…kufiri tokësor pret Detin Jon në Gjirin e Ftelias sipas një vije pingule me drejtimin e përgjithshëm të bregut, deri në kufirin e ujrave territoriale…“). Prandaj, duhet të ishin verifikuar vetëm rastet e mbivendosjeve të pretenduara ose nevoja e saktësimit të këtij kufiri shtetëror (vijës së jashtme të Detit Territorial), në përputhje me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit.
  • Në ndarjen e hapësirave detare, rol të rëndësishëm luan përcaktimi i vijës bazë nga të dy shtetet palë. Ndonëse nuk përmendet shprehimisht në marrëveshjen objekt shqyrtimi, nga dispozitat e saj dhe hartat respektive, rezulton se në rastin e Republikës së Shqipërisë si kriter në përcaktimin e kësaj vije është marrë ai i vijës bazë normale, që është vija e zbaticës gjatë bregdetit respektiv. Në të kundërt, në rastin e Republikës së Greqisë praktikisht është marrë si kriter ai i vijës bazë të drejtë. Kjo rezulton jo vetëm për shkak të mbylljes së Gjirit të Korfuzit (me sipërfaqe mbi 8 miliard m2), por edhe në pjesën veriore të Kanali të Korfuzit ku vija bazë bashkon brigjet e jashtme të të gjithë ishujve apo masave shkëmbore të palës greke pa përjashtim, duke u dhënë atyre efekt të plotë, pavarësisht vendosjes, madhësisë, të qenit i banuar ose jo, etj. Kjo duket qartë nga rrathët e hequr për përcaktimin e Vijës së Mesit. Po në këtë kuadër, nga pala shqiptare është dashur të saktësohej baza e brendshme ligjore si dhe studioheshin, verifikoheshin dhe përcaktoheshin paraprakisht kriteret kryesore të Konventës mbi heqjen e vijave bazë.
  • Duhej të merreshin parasysh karakteristikat e bregdetit shqiptar dhe, në këtë kuadër, duhej të ishte përcaktuar gjithashtu edhe hapësia (sipërfaqja) e Ujrave të Brendshme detare që përfiton secila palë për shkak të heqjes së vijave bazë. Duket qartë që sipas marrëveshjes objekt shqyrtimi, në rastin konkret, ka një disproporcion të theksuar në disfavor të palës shqiptare.

 

  1. Lidhur me pretendimin për zbatimin e parimit të barazlargësisë strikte.
  2. Kërkuesi pretendon se në përcaktimin e kufijve ujorë me Greqinë nuk duhet të ishte zbatuar parimi i barazlargësise strikte, pasi për shkak të brigjeve të thyera të territorit grek, ky parim ka passjellë një rezultat të disfavorshëm për shtetin shqiptar, i cili rezulton të këtë humbur sipërfaqe të konsiderueshme ujore.
  3. Gjykata vë në dukje se hapësirat detare që përcakton Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit dhe mbi të cilat shteti bregdetar ushtron sovranitet apo të drejta sovrane, kanë natyrë, gjerësi dhe regjim të ndryshëm nga njëra tjetra. Megjithatë, e përbashkëta për këto hapësira është interesi i madh dhe shumëdimensional që ato kanë për shtetin bregdetar. Disa prej tyre konsiderohen pjesë integrale e territorit të shtetit bregdetar. Në të tjera shteti bregdetar ushtron të drejtat e sovranitetit dhe ka ekskluzivitetin e shfrytëzimit në përputhje me dispozitat e Konventës. Në këtë kuptim, është  mëse e nevojshme përcaktimi i ratione materia dhe ratione loci të shtetit bregdetar në hapësirat detare që i përkasin atij. Për këto arsye, saktësimi i këtyre hapësirave, apo në një kuptim më të përgjithshëm përcaktimi  i qartë i shtrirjes së juridiksionit të shteteve bregdetare me brigje pranë apo përballë njeri tjetrit, është një çështje sa e rëndësishme aq edhe e vështire e delikate. Ajo i shërben njëkohësisht edhe shmangies së mosmarrëveshjeve apo situatave të pasigurta në marrëdhënieve mes shteteve që lagen nga ujrat detare.
  4. Delimitimi i hapësirave detare paraqitet megjithatë mjaft i ndërlikuar për shkak të shtrirjes së konsiderueshme të këtyre hapësirave, afërsisë s shteteve bregdetare me njëritjetrin, konfigurimeve të ndryshme e të larmishme të brigjeve detare, pranisë së ishujve apo faktorëve të tjerë që mund dhe duhet të merren në konsideratë në përcaktimin e kufijve detarë, apo për prioritetet dhe interesat e kundërta që shpesh kanë shtetet bregdetare, etj. Pikërisht për këto arsye, Konventa e OKB-s mbi të Drejtën e Detit përcakton disa nga parimet, rregullat dhe metodat e përgjithshme që duhet të shërbejnë si orientim kryesor për ndarjen e hapësirave detare në terësi. Në këtë drejtim, përveç dispozitave të Konventës, janë ndihmë me vlerë të madhe edhe normat e së drejtës ndërkombëtare zakonore, të përpunuara e të zbatuara përmes vendimmarrjeve konkrete nga gjykatat ose arbitrazhet e ndryshme ndërkombëtare (shih nenin 287 të Konventës).
  5. Në bazë dhe për zbatim të normave dhe parimeve të mësipërme, në radhë të parë është detyrë e vetë shteteve të interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë që me mirëkuptim e përmes dialogut, të përfundojnë marrëveshjet përkatëse mbi përcaktimin hapësirave detare. Nëse kjo për një sërë arsyesh nuk bëhet e mundur, me mirëkuptim, ato ia referojnë çështjen e përcaktimit të kufijve detarë një gjykate ndërkombëtare (GJND, Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit (ITLS – International Tribunal for the Law of the Sea) ose një arbitrazhi ndërkombëtar të zgjedhur prej tyre. Si rregull, për çdo hapësirë detare duhet të përcaktohen kufij të veçantë. Megjithatë, në praktikë ka raste kur palët bien dakort që çështja e kufijve të disa hapësirave detare të trajtohet e zgjidhet sëbashku. Kjo ndodh veçanërisht atëherë kur hapësirat detare kanë natyrë dhe regjim juridik të përafërt, siç është rasti i ZEE dhe Shelfit Kontinental. Në rastin e Ujrave të Brendshme dhe Detit Territorial përsërisim se sovraniteti i shtetit bregdetar është i plotë dhe shtrihet edhe mbi hapësirën ajrore si dhe shtratin e detit dhe nëntokën e tij, deri në 12 milje detare.
  6. Për delimitimin e hapësirave detare, në shumicën e rasteve fillimisht është zbatuar parimi i Vijës së Mesit, si vijë e barazlarguar në çdo pikë të saj nga vija bazë apo nga brigjet detare të shteteve të interesuara. Megjithatë, zbatimi strikt i kësaj metode, si në rastet kur brigjet e shteteve të interesuar janë përballë (vija e mesit) ashtu edhe kur ato janë bashkëngjitur (vija barazlarguar) me njëri tjetrin, tregoi se shpesh nuk jepte një rezultat të drejtë e të ndershëm. Kjo kryesisht për shkak të një sërë rrethanave e veçorive që konstatohen jo rrallë në çdo rast të veçantë. Për këtë arsye, në dy nga 4 Konventat e OKB-së të vitit 1958 mbi të drejtën ndërkombëtare detare, konkretisht në Konventën mbi Detin Territorial dhe në Konventën mbi Shelfin Kontinental, parashikohet shprehimisht se në delimitimin e këtyre  hapësirave detare duhej të ndiqej metoda e Vijës së Mesit, por që merr parasysh edhe rrethanat e veçanta (respektivisht në nenin 12/1 të Konventës mbi Detin Territorial dhe nenin 6 të Konventës mbi Shelfin Kontinental). Me rrethana të veçanta, të paktën në rastin e Detit Territorial, kuptohej konfiguracioni i bregut, prania ose jo e ishujve, etj[24].
  7. Gjykata Kushtetuese e sheh me interes të evidentojë se GJND, në vendimin e saj të vitit 1969 mbi delimitimin e kufijve të Shelfit Kontinental në Detit e Veriut ndërmjet Danimarkës, Hollandës dhe Gjermanisë, theksoi, ndër të tjera, se zbatimi strik i medotës së Vijës së Mesit krijon shpesh pabarazi të theksuara, të cilat shtohen gjithnjë e më shumë me kalimin nga toka në drejtim të detit. Prandaj, sipas saj, në delimitimin e kufijve detarë duhet të zbatohen parimet e drejtësisë e ndershmërisë (equitable principles), përmes të cilëve bëhet e mundur arritja e një zgjidhje të drejtë e të ndershme (equitable solution) mes palëve. Sipas saj, është pikërisht ky parim që reflekton të drejtën ndërkombëtare zakonore, në një kohë që metoda tjetër, ajo e Vijës së Mesit, bie në kundërshtim të hapur me të. Ky qendrim i GJND do të rikonfirmohej po prej saj edhe në vendimin e vitit 1982 mbi ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Libisë dhe Tunizisë. Për më tepër, në këtë vendim ajo saktëson me tej se “… Ekite (Equite) është një parim i përgjithshëm që duhet zbatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë si normë e së drejtës ndërkombëtare” prandaj, si e tillë, ajo është e detyrueshme për gjykatën[25].
  8. Gjykata thekson se në funksion të argumenteve të dhëna nga GJND në këto vendime, është e qartë se problemi i delimitimit të hapësirave detare bëhet edhe më i komplikuar në kuadër të Konventës së Tretë, pasi siç u evidentua edhe më sipër, ajo zgjeron dukshëm juridiksionin kombëtar të shteteve bregdetare në drejtim të detit. Pikërisht për këto arsye, Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, për herë të parë dhe përmes një sërë dispozitave, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, përcakton qartë parimin e Ekitesë[26] si parim themelor që duhet të zbatohet në ndarjen dhe shfrytëzimin e hapësirave detare. Konkretisht, përveç përmendjes në paragrafet 4 dhe 5 të Preambulës, Konventa kërkon zbatimin e saj edhe në delimitimin e Detit Territorial (neni 15), të Zonës Ekonomike Ekskluzive (neni 74/1), të Shelfit Kontinental (neni 83/1), etj. Për më tepër, parimi i Ekitesë përmendet shprehimisht edhe si kriter kryesor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi ndarjen e hapësirave detare, si në rastin e ZEE (neni 59), etj.
  9. Në fakt, në nenet 74/1 dhe 83/1 të Konventës thuhet shprehimisht dhe në mënyrë identike, ndër të tjera, që “Delimitimi i ZEE (respektivisht edhe i Shelfit Kontinental) … duhet bërë në bazë të normave të së drejtës ndërkombëtare, ashtu siç përcaktohet në nenin 38 të Statutit të GJND, me qëllim që të arrihet një zgjidhje e drejtë dhe e ndershme (equitable solution)“. Në nenin 38 të Statutit të GJND nuk bëhet gjë tjetër veçse radhiten sipas rëndësisë burimet e së drejtës ndërkombëtare, të cilat shërbejnë si bazë për zgjidhjen e çështjeve nga kjo gjykatë. Sipas saj, këto burime janë: konventat ndërkombëtare (neni 38/1a), zakoni ndërkombëtar (neni 38/1b) dhe parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare të njohura nga kombet e qytetëruara (neni 38/1c). Në pikën 1c te nenit 38 të Statutit jepen edhe disa burime ndihmesë të së drejtës ndërkombëtare.
  10. Për sa më sipër, duket qartë që Konventa evidenton Ekitenë si normë të së drejtës ndërkombëtare zakonore, si parim kryesor të saj për delimitimin e ZEE dhe Shelfit Kontinental dhe jo thjesht si metodë në përcaktimin e këtyre hapësirave. Ndërkaq, në ndryshim nga nenet 74/1 dhe 83/1, në nenin 15 të Konventës përcaktohet si metodë për delimitimin e Detit Territorial ndërmjet shteteve përballë apo pranë njëri tjetrit Vija e Mesit (ekuidistante). Megjithatë, ashtu si në nenin 12/1 teë Konventës mbi Detin Territorial të vitit 1958, në fjalinë e dytë të po këtij neni (neni 15 i Konventës) theksohet se nuk mund të zbatohet kjo metodë, nëse në hapësirat respektive është e nevojshme të merret në konsiderate ndonjë titull (e drejtë) historik apo rrethana të tjera të veçanta. Me titull historik kuptohet e drejta e një shteti për të mbajtur në zotërim të tij një tokë apo hapësirë të caktuar detare, e cila, në kushte normale, nuk do t’i përkiste atij sipas normave të së drejtës ndërkombëtare. Rasti më tipik në të drejtën ndërkombëtare detare është ai i gjireve historike, të cilët konsiderohen si ujra të brendshme detare, pavarësisht se nuk i plotësojne kriteret e “gjirit”, sipas nenit 10 të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (kriteri i gjysmërrethit dhe i distancës hyrëse më të vogël se 24 milje detare).
  11. Përveç kësaj, siç u theksua me sipër, me rrethana të veçanta përgjithësisht kuptohet konfigurimi i bregdetit, prania e ishujve, etj. Për këtë arsye, pavarësisht debatit teorik lidhur me dallimin ndërmjet kuptimit të shprehjes “rrethana të veçanta” të nenit 15 të Konventës dhe “parimeve të Ekitesë”, me të drejtë theksohet se përmes nocionit “rrethana të veçanta” edhe në këtë rast synohet të shmangen padrejtësitë që mund të vijnë si rezultat i zbatimit mekanik të metodës së Vijës së Mesit (ekuidistante). Pra, në thelb, nëse konstatohen rrethana të tilla (të veçanta), edhe në delimitimin e Detit Territorial kërkohet zbatimi i parimit të Ekitesë. Kjo konfirmohet edhe nga praktika dhe jurisprudenca ndërkombëtare[27].
  12. Ekiteja si koncept juridik është njohur e përshkruar si drejtësi korrektive, si mundësi e korrigjimit apo plotësimit të ligjit gjatë zbatimit të tij në praktikë. Mbi këtë bazë, u mendua se bëhej e mundur arritja e objektivave të përgjithshme të ligjit, brenda një situate konkrete, e cila nuk mund të parashikohej në kohën e miratimit të tij (të ligjit). Thënë ndryshe, përmes saj synohej një rezultat sa më i drejtë, të cilin ligjvënesi supozohej se do të kishte dashur ta arrinte, nëse vetë do të kishte patur mundësi të parashikonte rastin konkret (përjashtimor)[28]. Përkrahësit e këtij koncepti parashikonin tri mënyra të ndryshme për zbatimin e Ekitesë në të drejtën ndërkombëtare, konkretisht: 1) intra legem, që do të thotë zbatimin e tij brenda kufijve të normës ndërkombëtare, 2) praeter legem, si mundësi për të plotësuar boshllëkun ligjor dhe 3) contra legem, ndonëse si përjashtim dhe për këtë arsye tepër rrallë, si mundësi veprimi në kundërshtim me rregullimet e përgjithshme të normës ndërkombëtare[29]. Megjithatë, parimi i Ekitesë si parim i përgjithshëm i të drejtës ndërkombëtare, i njohur nga kombet e qytetëruara, për herë të parë në mënyrë të shprehur zë vend të rëndësishëm në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982. Ai paraqitet aty si kriter themelor, si pikë qendrore orientimi dhe referimi që duhet marrë në konsideratë për ndarjen dhe shfrytëzimin e hapësirave detare. Si i tillë, ai ka fuqi detyruese me karakter të përgjithshëm.
  13. Gjykata verën se parimi i Ekitesë është marrë si pikë referimi edhe nga gjykatat dhe arbitrazhet ndërkombëtare. Në këtë kuptim, kur gjykatat ndërkombëtare zbatojnë parimin e Ekitesë, ato zbatojnë një normë të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk veprojnë ex aequo et bono, pra kur me pëlqimin e palëve në konflikt, në mungesë të normës ndërkombëtare konkrete, të kenë të drejtë të gjejnë një zgjidhje sa më të ndershme e të balancojnë sa më mirë interesat e tyre[30]. Sidoqoftë, përmbajtja e parimit të Ekitesë, mënyra e zbatimit të tij në praktikën ndërkombëtare, bëhet i mundur vetëm nëpërmjet marrëveshjeve mes shteteve apo vendimeve të gjykatave ose arbitrazheve ndërkombëtare. Vetëm përmes tyre ai merr jetë, merr vlerën, rëndësinë dhe kuptimin për të cilin është krijuar. Ato shërbejnë si bazë për përcaktimin e parimeve apo elementët që duhen marrë në konsideratë në çdo rast të veçantë, për të arritur rezultatin final që dëshirohet, zgjidhjen e drejtë e të ndershme (equitable solution).
  14. Gjykata konstaton gjithashtu se nisur nga praktika ndërkombëtare në delimitimin e hapësirave detare në përputhje me rregullimet e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit, është e nevojshme të ndiqet një metodologji e caktuar. Fillimisht përcaktohet hapësira apo hapësirat detare në kuptimin juridiko – ndërkombëtar që do të delimitohen, si dhe verifikohet nëse ka mbivendosje apo pretendime të ndryshme nga shtetet që lagen prej tyre. Në këtë  kuadër, përcaktohet edhe vija e bregdetit respektiv, në bazë të së cilës buron edhe e drejta për të patur hapësira të caktuara detare. Më pas vendoset një vijë ndarëse provizore, duke përdorur “një metodë objektive nga pikpamja gjeometrike dhe të përshtatshme me gjeografinë e zonës në të cilën do të realizohet delimitimi”[31]. Si rregull, kjo vijë provizore është Vija e Mesit apo Vija Ekuidistante nga brigjet e dheut kontinental të shteteve respektive. Pas kësaj, në funksion të parimit të Ekitesë, bëhet korigjimi i vijës kufitare provizore në bazë të një sërë rrethanave konkrete, në mënyrë që të garantohet një ndarje sa më e drejtë dhe e ndershme e hapësirave detare mes palëve. Në fund, për të verifikuar nëse elementet e marrë në konsideratë kanë garantuar ose jo zgjidhje të drejtë e të ndershme, zbatohet i ashtuquajturi test i proporcionalitetit, si aspekt i kontrollit të parimit të Ekitesë, i cili merr në konsideratë apo vendos në raport të drejtë hapësirat detare të përfituara nga secili shtet bregdetar, në përputhje me kriterin respektiv të zbatuar, që zakonisht është gjatësia e bregut, madhësia e ishullit, etj[32].
  15. Gjykata konstaton se edhe në rastet kur zbatohet parimi i Ekitesë, jo rrallë si pikënisje është përdorur parimi i Vijës së Mesit apo Vijës së Barazlarguar, por tashmë i korrigjuar në një fazë të mëvonshme, në funksion të arritjes së një zgjidhjeje sa më të drejtë e të ndershme mes palëve. Për më tepër, në praktikë mund të ketë raste kur si vijë ndarëse mes hapësirave detare mund të përdoret ende edhe Vija e Mesit strikte, që do të thotë zbatimi i saj pa qenë nevoja për të bërë korigjimet përkatëse, por gjithmonë nëse vetëm përmes kësaj metode (pra Vijës Mesit Strikte) arrihet rezultati i dëshiruar, pra zgjidhja e drejtë dhe e ndershme, e cila është synim final i parimit të Ekitesë.
  16. Kjo ka ndodhur veçanërisht në rastet kur brigjet e dheut kontinental janë përballë dhe në distancë të konsiderueshme nga njëri tjetri dhe në hapësirën detare mes tyre nuk ka ishuj apo rrethana të tjera që do të duhej të merreshin në konsideratë sipas dispozitave të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit. I tillë është p.sh. rasti i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë “Mbi përcaktimin e Shelfit Kontinental”, nënshkruar në Ankona të Italisë më 13 korrik 1991. Në rastet e tjera, mund të kemi Vijë Mesi të Thjeshtuar, e cila “gjarpëron” në mes të hapësirave detare për të garantuar “zgjidhjen e drejtë e të ndershme”, ndërsa në rastet më të shumta të ashtuquajturën Vijë Mesi të Modifikuar, e cila merr në konsideratë elementët apo faktorët konkretë që duhet të mbahen parasysh për të garantuar parimin e Ekitesë[33].
  17. Gjykata konstaton se zbatimi vetëm i parimit të barazlargësisë strikte në marrëveshjen objekt gjykimi është në kundërshtim me standartet ndërkombëtare si dhe me detyrimet që burojnë nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Konkretisht, në nenin 1 të marrëveshjes theksohet ndër të tjera se kufiri detar ndërmjet dy vendeve do të caktohet në përputhje me parimin e barazlargësisë, që shprehet nga vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e barazlarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore) nga e cila matet gjerësia e ujrave territoriale detare. Ky parim përmendet edhe në hyrje të marrëveshjes. Duket qartë që në këtë rast është synuar zbatimi i Vijës së Mesit strikte, e cila nuk merr parasysh asnjë prej rrethanave të veçanta që mund të konstatohen kur bëhet delimitimi i hapësirave detare. Për më tepër, thuhet shprehimisht se ky parim do të zbatohet edhe në përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet hapësirave ishullore. Zbatimi i këtij parimi vlerësohet nga Gjykata si në kundërshtim të hapur me dispozitat e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit, me praktikën e shteteve dhe me vendimet e gjykatave ndërkombëtare apo gjykatave të arbitrazhit ndërkombëtar.
  18. Konventa dhe praktika ndërkombëtare bashkëkohore përcaktojnë si parim bazë për ndarjen e hapësirave detare atë të Ekitesë, synimi i së cilës është të arrihet një rezultat sa më i drejtë dhe i ndershem ndërmjet palëve. Në funksion të tij mund të zbatohet fillimisht edhe parimi i Vijës së Mesit, por që më pas korrektohet në bazë të rrethanave të veçanta që konstatohen në çdo rast konkret. Më sipër është theksuar gjithashtu se parimi i Ekitesë zbatohet jo vetëm për ndarjen e Shelfit Kontinental dhe ZEE, në zbatim të neneve 74/1 dhe 83/1 të Konventës, por edhe në ndarjen e Detit Territorial ndërmjet brigjeve ballë për ballë dhe në afërsi me njeri tjetrin, pasi me nocionin “rrethana të veçanta”, sipas nenit 15 të Konventës, kuptohet prania e rrethanave të tilla si gjatësia e bregut, forma e tij, ekzistenca dhe natyra e ishujve apo masave shkëmbore, etj.
  19. Parimi i zgjedhur në marrëveshjen objekt shqyrtimi për caktimin e kufirit detar (Vijës së Mesit strikte) ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, nuk i merr parasysh të gjitha këto rrethana. Ky qëndrim bëhet edhe më problematik po të kihet parasysh se në rastin konkret nuk bëhet fjalë për caktim të kufirit detar në kuptim të përgjithshem, por kryesisht për caktim apo saktësim të kufirit shtetëror ndërmjet dy shteteve fqinje.

 

  1. Lidhur me pretendimin e mosmarrjes parasysh të pranisë së ishujve apo masave shkëmbore në përcaktimin e kufijve ujorë.
  2. Kërkuesi ka pretenduar se në funksion të parimit të ekitesë, në delimitimin e kufijve ujorë, marrëveshja objekt gjykimi duhet të kishte patur mirë parasyh ndikimin që kanë me këtë rast ishujt apo masat shkëmbore. Mbi këtë bazë, sipas tij, veçanërisht problematik paraqitet rasti i ishullit (shkëmbit) Barketa, vija e kufirit përballë gjirit të Sarandës, etj.
  3. Gjykata vëren se ndër faktorët kryesorë që duhen patur parasysh për të garantuar zgjidhjen e drejtë e të ndershme, të cilën synon parimi i Ekitesë për të gjitha hapësirat detare, janë prania e ishujve natyrorë, konfigurimi i bregut[34] dhe gjatësia e tij[35], struktura fizike dhe gjeologjike e fundit të detit, burimet natyrore dhe akcesi në këto burime[36], etj.
  4. Prania e ishujve natyrorë është një element shumë i rëndësishëm që ndikon dukshëm në delimitimin e kufijve (hapësirave) detare. Në fakt, në nenin 121 të Konventës, pasi përcaktohet në paragrafin e parë kuptimi i ishullit natyror, theksohet se edhe ato gjenerojnë si rregull të njëjtat hapësira detare si pjesët e tjera të territorit. Paragrafi i tretë i këtij neni bën qartë dallimin mes ishujve dhe shkëmbinjve, duke saktësuar së këto të fundit (pra shkëmbinjtë), kur nuk janë të banuar apo kanë aktivitet ekonomik, nuk mund të kenë ZEE apo Shelf Kontinental.
  5. Në këtë kuadër, mund të përmendet edhe neni 13 i Konventës në të cilin thuhet se një lartësim zbatice (praktikisht një masë shkëmbore), nëse tërësisht apo pjesërisht ndodhet brenda kufijve të Detit Territorial “mund të përdoret si vijë bazë për të matur gjerësinë e Detit Territorial” dhe nëse është  jashtë kësaj gjerësie, ajo nuk mund të këtë  Det të tij Territorial (Neni 121/2). Qenia e kësaj mase shkëmbore në cekinë, pra pranë bregut, mund të ndikojë që ai të merret parasysh në përcaktimin e vijës bazë, ndërsa prania e tij pranë kufirit të jashtëm të Detit Territorial, padyshim që nuk duhet të ndikojë në përcaktimin e saj.
  6. Megjithatë, Gjykata rithekson se në çdo rast konkret duhet të merren në konsideratë parimet e përgjithshme të Konventës, praktika dhe jurisprudenca ndërkombëtare si dhe doktrina e së drejtës ndërkombëtare në këtë fushë. Mbi këtë bazë konstatohet qartë se masa e këtij ndikimi varet nga një sërë faktorësh, si madhësia e ishullit, konfiguracioni i tij, të qenit i banushëm apo me jetë ekonomike ose jo, pozicioni (vendodhja) i tij (pranë brigjeve, pranë kufirit të jashtëm të Detit Territorial, në Shelfin Kontinental apo ZEE), etj. Normalisht këto rrethana duhet të vlerësohen individualisht për çdo ishull (përderisa nuk formojnë arqipelag (shtet arqipelagjik) në kuptim të Konventës) dhe gjithnjë në funksion të parimit të Ekitesë, me synimin e arritjes së një rezultati sa më të drejtë e të ndershëm, ashtu siç përcakton vetë Konventa (posaçërisht përmes preambulës dhe neneve 15, 74 dhe 83 të saj).
  7. Teoria dhe praktika gjyqësore ndërkombëtare ka treguar se sipas rrethanave, një ishulli mund t’i jepet efekt i plotë, efekt i pjesshëm, asnjë lloj efekti ose asnjë lloj efekti por përfiton pak hapësire detare neë delimitimin e hapësirave detare[37]. Ka raste ku ishujve u është dhënë efekt i plotë[38] dhe këtu, si rregull, vija e kufirit kalon në mes të ishujve që u përkasin respektivisht të dy palëve. Por ka dhe raste kur ishujve u është dhënë efekt i pjesshëm[39] ose nuk u është dhënë fare efekt por kanë përfituar një hapësirë të kufizuar detare[40], ose kur ishujve nuk u është dhënë as efekt e as hapësirë detare[41].
  8. Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të konceptit “rrethana të veçanta” dhe në funksion të parimit të Ekitesë, nga pala shqiptare, në përcaktimin e vijës së kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë, duhej të ishin marrë në konsideratë karakteristikat e bregdetit të të dy vendeve dhe veçanërisht prania e ishujve apo masave shkëmbore në hapësirat ujore objekt delimitimi. Ndikimi i tyre në përcaktimin e kësaj vije, siç kemi evidentuar edhe më sipër nga praktika dhe jurisprudenca ndërkombëtare, duhej të ishte bërë individualisht, në funksion të arritjes së një rezultati përfundimtar sa më të drejtë e të ndershëm për të dy shtetet. Konkretisht, Gjykata çmon se procesi i delimitimit duhet të kishte kaluar përmes disa fazave të cilat çojnë në adoptimin e një vije kufitare provizore që më pas korigjohet në funksion të parimit të Ekitesë. Në këtë kuptim, duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit. Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.
  9. Nuk është rastësi që sipas marrëveshjes për ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Republikës Greke dhe Republikës Italiane dt.24.05.1977, ishujve Othonoi dhe Erikuza u është dhënë efekt i pjesshëm. Nga ana tjetër, problem tjetër shumë i rëndësishëm i marrëveshjes objekt shqyrtimi është trajtimi i masës shkëmbore apo cekinës Barketa, të cilit rezulton t’i jetë dhënë gjithashtu efekt i plotë, duke e barazuar me dheun kontinental shqiptar, pavarësisht se kemi të bëjmë thjesht me një masë të vogël shkëmbore të pabanuar dhe pa jetë ekonomike. Për më tepër, për vetë pozicionin e tij, ai ka ndikuar ndjeshëm në spostimin e vijës kufitare që ndan Detin Territorial të të dy vendeve.

 

VII. Lidhur me pretendimin për mosparaqitjen e hartave analoge si pjesë shoqëruese e marrëveshjes.

  1. Kërkuesi pretendon se grupi negociator gjatë zhvillimit të bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe nuk ka qenë i pajisur me harta analoge me qëllim pasqyrimin e vijës që përcakton delimitimin e hapësirave detare midis dy vendeve.
  2. Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit nuk është i bazuar dhe për këtë shkak nuk duhet pranuar. Neni 16 i Konventës për të Drejtën e Detit parashikon se “shtetet bregdetare do të bëjnë publikimin e duhur të hartave ose listave të koordinatave dhe do të depozitojnë një kopje të secilës prej hartave ose listave përkatëse tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara”. Përderisa kjo dispozitë parashikon si alternativë hartimin dhe publikimin (dorëzimin) e hartave dixhitale (nëpërmjet koordinatave gjeografike dixhitale), rezulton se shteti shqiptar e ka përmbushur detyrimin e tij në kuptim të nenit 16 të Konventës. Për këtë arsye, nuk konstatohet mungesë e hartave shoqëruese të marrëveshjes së lidhur midis RSh dhe RG.

 

VIII. Lidhur me kushtetutshmërinë e nenit 2 të marrëveshjes.

  1. Pavarësisht se nuk është pretenduar nga kërkuesi, Gjykata vëren gjithashtu se neni 2 i marrëveshjes objekt shqyrtimi shfaq probleme kushtetuese. Ky nen parashikon se: “Në zbatim të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, Republika e Greqisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Shqipërisë dhe Republika e Shqipërisë në anën e kufirit detar që ndodhet pranë Republikës së Greqisë, nuk do të kërkojnë apo ushtrojnë për asnjë qëllim sovranitet, të drejta sovrane ose juridiksion mbi ujin, shtratin e detit ose nëntokën”.
  2. Ky rregullim jo vetëm që nuk konstatohet në ndonjë prej dispozitave të Konventës në fjalë apo nga fryma e përgjithshme e saj, por nuk ndeshet as në praktikën normale të shteteve apo jurisprudencën ndërkombëtare mbi çështje të së drejtës detare. Vetëkuptohet që shtetet nuk kanë të drejtë të ushtrojnë sovranitet, të drejta sovrane apo juridiksion në hapësirat detare që u përkasin shteteve të tjera. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, aq më pak kur bëhet fjalë për Detin Territorial, në të cilin padyshim që shteti bregdetar ka sovranitet të plotë jo vetëm mbi ujrat, por edhe në hapësirën ajrore mbi to si dhe në shtratin e detit dhe nëntokën e tij, pasi të gjitha sëbashku, në këtë rast, konsiderohen si pjesë integrale e territorit të shtetit bregdetar. Në rastin konkret praktikisht kemi të bëjmë kryesisht me caktimin e vijës së kufirit ndërmjet Detit Territorial të të dy vendeve. Për sa më sipër, jo vetëm që kuptimi dhe qëllimi i kësaj dispozite është i paqartë, por, ashtu siç është  formuluar, mund të krijojë probleme e paqartësi në praktikën e të dy shteteve.
  3. Për sa më sipër, Gjykata çmon përfundimisht se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me: a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

 

PËR KËTO ARSYE:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131 shkronja “b”, 134 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neneve 49/2 e 51 të ligjit nr.8577, dt.10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri,

 

 

V E N D O S I:

– Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

– Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

[1] Në vendimin e dt.26.11.2009, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që votuan pro legjitimimit të PSSH janë: F.Abdiu, K.Puto, P.Plloçi, S.Sadushi dhe S.Berberi. Kundër legjitimimit të kërkuesit votuan anëtarët: V.Kristo, Xh.Zaganjori, V.Tusha dhe A.Thanza.

[2] Vendimi i GJK nr.40, dt.16.11.2007.

[3] Kështu p.sh Gjykata ka legjitimuar Partinë Bashkimi i Pensionistëve Demokratë, e cila kundërshtonte nenin 71 të Kodit Zgjedhor që parashikonte mbledhjen e 10.000 firmave para noterit ose para KQZ për partitë e reja që kërkojnë të hyjnë në garën për zgjedhjet parlamentare. Sipas kërkuesit, një numër i madh firmash dhe para noterit ose KQZ vështirësonte ose bënte të pamundur realizimin e të drejtës së tyre për pjesëmarrje në zgjedhje, pasi financiarisht bëhej e pamundur për të mbledhur 10.000 firma para noterit ose detyrimi për dërgimin e të gjithë mbështetësve të partisë para KQZ krijonte vështirësi praktike, duke i hequr në realitet të drejtën e konkurrimit kësaj partie të re.

[4] Edhe në nenin 65/1 të Kushtetutës austriake dhe nenin 59 të Ligjit Themelor gjerman parashikohet që të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat nevojiten të ratifikohen nga parlamenti lidhen nga Presidenti i Republikës, ose nga autoriteti i deleguar prej tij që nënkupton Kancelarin (Kryeministrin) ose Ministrin e Jashtëm. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e marrëveshjeve që lidhen me Bashkimin Europian, i cili paraqet veçanti për shkak të mënyrës së funksionimit duke u bazuar tek vullneti i kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare.

[5] Vendim i GJKF gjermane dt.29.07.1952 mbi të ashtuquajturën “Marrëveshja e Petersbergut midis Francës dhe Gjermanisë”. Çështja shtrohej nëse marrëveshja e tregtisë e lidhur midis dy vendeve ishte vërtetë e tillë (pra tregtare) apo fshihte nën rreshta kontekst politik. GJKF argumentoi se kjo marrëveshje ishte e pastër ekonomike, pavarësisht faktit se përfshinte edhe çështje delikate si p.sh shfrytëzimi i pasurive të krahinës së Saarlandit, krahinë kjo që ka qenë pike kyçe në marrëdhëniet midis dy vendeve. Shih më poshtë çështje të ngjashme.

[6] Neni 121/1 i Kushtetutës shqiptare parashikon pikërisht këtë kategori marrëveshjesh si të detyrueshme për ratifikim nga ana e parlamentit pas nënshkrimit të tyre.

[7] Vendimi i GJK shqiptare nr.14, dt.21.07.2008.

[8] Shabtai Rossene, Treaties, Conlcusion and Entry into force, në: Encyclopedia of Public International Law, Vol.7 (1995), fq.465.

 

[9] Vendime të GJK të RSH nr.25, dt.05.12.2008; nr.19, dt.03.05.2007; nr.11, dt.02.04.2008.

[10] Vendimi i GJKF gjermane lidhur me marrëveshjen e nënshkruar midis Francës dhe Gjermanisë sa i takon statusit të krahinës Saar, dt.4.5.1955.

[11] Günther Jaenicke, Law of the Sea, në: Encyclopedia of the Public International Law, Vol.11, Northholland-Oxford (1989), fq.174.

[12] I ashtuquajturi rregull i qitjes me top – “canon shot rule” – “Terrae potestas finitur ubi finitur armorum vis”, që do të thotë se pushteti i armëve përcakton edhe pushtetin e tokës në det. Ky rrip ujor me gjerësi prej rreth 3 milje detare do të konsiderohej si pjesë e territorit të shtetit bregdetar me emrin Det Territorial.

[13] Kështu p.sh Republika e Shqipërisë, me Dekretin e vitit 1976 kishte përcaktuar gjerësine e ujrave të saj territoriale 15 milje detare.

[14] Siç është rasti i disa vendeve të Amerikës Latine.

[15] Mjaft probleme dhe paqartësi që konstatoheshin në 4 konventat e Konferencës së Parë të OKB-së të vitit 1958, u tentua të zgjidheshin apo plotësoheshin përmes Konferencës së Dytë të OKB-së mbi të drejtën e detit të thirrur në vitin 1960, në të cilën morën pjesë 88 shtete dhe disa Agjensi të Specializuara të OKB-së. Për shkak të mosmarrëveshjeve dhe interesave të kundërta të shteteve për disa nga çështjet kryesore të trajtuara aty, ndryshimet e propozuara nuk u arritën të miratoheshin nga shumica e kërkuar e shteteve pjesëmarrëse në këtë konferencë. Pra, Konferenca e Dytë e OKB-së mbi të drejtën e detit e vitit 1960, nuk dha asnjë rezultat konkret.

[16] U çel për nënshkrim me 10.12.1982 në Montego Bay të Xhamajkës. Për 9 vjet me radhë, përfaqësues të rreth 160 shteteve anëtare të OKB-së përmes bisedimeve maratonë, diskutuan, debatuan dhe arritën kompromiset e nevojshme që bënë të mundur  suksesin e kësaj konference. Konventa ka hyrë në fuqi më 16 nëntor 1994, një vit pasi Republika e  Guajanës u bë shteti i 60 që e ratifikoi atë. Republika e Shqipërisë e ka ratifikuar këtë Konventë me 23 qershor 2003, duke u bërë shteti i 143 palë, ndërsa Republika e Greqisë e ka ratifikuar me 21 korrik 1995, duke u bërë shteti i 78 palë. Aktualisht Konventa e OKB-së mbi të Drejteën e Detit ka 158 shtete palë. Ratifikimi më i fundit është ai i Zvicrës i datës 1 maj 2009.

[17] Shih United Nations Treaty Series, Vol.499, fq.311.

[18] Më hollësisht shih. Christos L. Rozakis : “Continental Shelf “, Encyclopedia of Public International Law, Vol.1. (1992), fq.783-792.

[19] Ian Brownlie, Principles of Public International Law, Bot.7 Northholland-Oxford (2008) fq. 107.

[20] Ibid fq.787.

[21] Shigeru Oda “Exclusive Economic Zone”, në: Encyclopedia of Public International Law, Vol.2, (1995) fq.305-312.

[22] Shih shënimin 17, fq. 787.

[23] Vendimi i GJND (ICJ) Rumani/Ukrainë, dt.3.02.2009, paragrafi 217.

[24] Lucius Caflish, Maritime Boundaries Delimitation ne: Encyclopedia of Public International Law, Vol.11 (1989) fq.213.

[25] Shih ICJ Reports 1982, paragrafi 71 i vendimit.

[26] Equity (eng) Equite (freng) – sipas të drejtes natyrore, do të thotë drejtësi dhe ndershmëri që merr në konsideratë interesat e palëve. Webster’s Third International Law Dictonary Vol.I (1993) fq.769.

[27] Çështja Francë-Britani e Madhe në 1977, Çështja e vendosur me arbitrazh midis Dubait dhe Sharjah ku ishulli Abu Musa u trajtu si rrethanë e veçantë, etj. Për më tepër shih: Lucius Caflisch, Maritime Boundaries Delimitation, EPIL Vol. 11. fq. 213.

[28] Shih: Equity in International Law në: Encyclopedia of Public International Law Vol.2 (1995), fq.109.

[29] Shih Ibid, fq.109 (referuar vendimit të GJND për çështjen e detit të Veriut 1969).

[30] Shih nenin 38/2 të Statutit të GJND – Shih paragrafin 85 të vendimit të GJND në çështjen për përcaktimin e Shelfit Kontinental në Detin e Veriut 1969.

[31] Vendimi i GJND për çështjen Rumani-Ukrainë, 2009, pg.116.

[32] Shih: Maritime Boundary cituar më lart, fq.800. Në vendimin për përcaktimin e Shelfit Kontinental ndërmjet Tunizisë dhe Libisë, GJND thekson ndër   të tjera se ajo “e fillon analizën me evidentimin e parimit që toka dominon detin, e me specifikisht, bregu i secilës palë”.

[33] David Andër  son, Modern Law of the Sea, Selected Essays, Mrtinus Nijhoff Publishers, Leiden, Boston, Negotiating Maritime Delimitation Agreements, fq.370-382.

[34] Çështja e Detit të Veriut në vitin 1969, Tuinizi-Libi në 1982, Libi-Maltë në 1983, Guine-Guine Bisao në 1977 etj.

[35] Çështja e Golfi Maine Kanada/ShBA në 1984, Libi –Maltë në 1985 etj.

[36] Çështja e Detit të Veriut në 1969 etj.

[37] Shih më hollësisht dhe Derek W.Bowet “Islands”, në Encyclopedia of Public International Law, Vol.2 (1995) fq.1455-1457).

[38] P.sh përcaktimi i hapësirave detare mes ShBA dhe Meksikës; Venezuelës dhe Britanisë së Madhe.

[39] Rastet e përcaktimit të hapësirave detare ndërmjet Hollandës dhe Venezuelës, Greqisë dhe Italisë (ishulli Othonoi dhe Erikuza), Iranit dhe Arabisë Saudite (ishulli Kharg), Libisë dhe Maltës, etj.

[40] Rastet e përcaktimit të hapësirave detare midis Italisë dhe Tunizinë, Irlandës dhe Britanisë së Madhe (Rockall), Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (Abu Dhabi-Dalyina), Australisë dhe Papua Guinene e Re.

[41] Rastet e përcaktimit të hapësirave detare midis Kanadasë me Danimarkën (Greenland – ishulli Hans), Francë- Spanjë (gjiri i Biskajës – ishujt e vegjël dhe hapësirat shkëmbore në të dy anët), etj. Ishujt Schilly përfituan gjysëm efekt sipas nenit 6 të 58’, rasti i Rumanisë me Ukrainën, Dubai Sharah etj.

Please follow and like us: