Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: EKONOMI, POLITIKË, ZHVILLIM

Ekonomia botërore zhvillimin e saj nuk e sheh tek kapitali i grumbulluar pa u vënë në lëvizje, por lëvizjet e këtij kapitali ruajnë fuqishëm eksponentë që tregojnë kurbën e zhvillimit të monedhës jo ndërkombëtare, por atë individuale, e cila siguron fitime të qëndrueshme në sektorë fitimprurës.
Fuqia e kapitalit lëvizës është tregues i monitorimit nga drejtues që sigurinë e kanë dhe e përdorin si kusht themelor në lëvizje të përcaktuara sipas interesit jo global por vetjak. Ky interes bëhet shkak i distancimit të politikave jo bashkëpunuese, jo fitimprurëse, por të njëanshme, thënë me gjuhën e së vërtetës, politika përçarëse që dëmtojnë rrënjën e besimit të bashkëpunimit.
Ekonomia globaliste është fuqizuar nëpërmjet distancimit të marrëdhënieve me të tretë, që do të thotë, se fusha e veprimit, ndikohet nga manipulatorë që kërkojnë të zhvatin të dobëtit dhe ata që janë të pasigurt. Këto elementë i gjejmë të karakterizuar në ato vende, ku fuqia e prodhimit është tregues i mirëqenies apo i varfërisë. Varfëria nuk është tregues që balancon shifra dhe fakte, përkundrazi, është tregues, i cili shpalos rënien dhe shitjen e interesave të një vendi që nuk ka fuqi të ecë me këmbët e tij. Patericat që ofrohen nga grabitqarë shumash dhe shifrash të pakonkurueshme, gllabërojnë ç’të mundin fuqipakët që nuk kanë forcë kundërshtie, sepse nevoja për mbijetesë bëhet kusht i prangosjes së frymës së tyre të lirisë.
Shumë vende ofrojnë ndihmë në nevojë, por nevoja për ndihmë është hapi që hidhet jo për të ndërtuar ura bashkëpunimi por skllavërimi. Kemi parë se si ndikimi i të fuqishmit tek të dobëtit jep efekte anësore. Këto efekte janë bllokimi i frymëmarrjes në kohë të plotë, pasi gjysma e kohës ju falet atyre që bëjnë ujdi për gjysmën e mbetur.
Skllavërimi nuk quhet kusht paradoksal, por është mjet i cili përdoret si fuqi moderne në kohë zhvillimi.
Skllevërit e sotëm janë ata që shpresën e varin në majën e stilolapsit të atij, që planet e fuqisë i përdor për peshën dhe kohën e fuqisë me të cilën sundon në emër të vetvetes. Ky sundim është shpartallimi i ekonomisë së çdo vendi, kur fuqinë e tij e mat me kohën e sigurisë për të ruajtur mirëqenien nga sulme tranzitore.
Kemi të bëjmë me politika psikoanalitike, ku gjuha që përdoret është si tramvaji që ecën nëpër shina të pasigurta. Përplasja nuk vonon të vijë. Tramvaji lëviz në saj të mendjes që e drejton, e kësisoj, mendja përpilon edhe sigurinë, por nëse siguria bëhet mjet për të shkëputur ecjen ose qëndrimin në vend, atëherë kemi kuptuar, se gjithçka lëviz ose qëndron në vend jo nga mendja njerëzore, jo nga vullneti njerëzor, jo nga plane dhe strategji njerëzore, por ekuilibrohet, udhëhiqet, ruhet dhe drejtohet nga një forcë që zotëron krijimin deri në fundin e kohërave!