Vangjush Saro: Shoku im Kujtim Hazizi
Përsiatje
1975-1977. Për të shkuar në “detyrë”, i bija nga Shëmriza; (pastaj: Nartë, Shëmbërdhenj, Ermenj, Vidhan). Ndonjëherë, nga Kodovjati, lumit përmes dhe përpjetë, disa orë orë udhëtim në këmbë, për të bërë një pushim në Bletëz; ishte një fshat i vogël, por që kishte një shkollë 8-vjeçare. Atje punonin e jetonin Kujtim Hazizi dhe gruaja e tij, Shkëndija; atëherë, me vajzën, Anilën, foshnjë. (Ata kishin kryer studimet në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, Kujtimi për Gjuhë e Letërsi, ajo për Histori-Gjeografi. (Ishte nga një familje me mbiemrin Zani, që përndiqej. Në fakt, vëllanë e saj, Tomorrin, e kisha koleg ca kohë; pastaj e dëbuan nga arsimi).
Nganjëherë, nuk e kuptoja ç’bënte Kujtimi atje, në atë kënd të humbur, me peshën e rëndë të përndjekjes mbi shpatulla. Ishte i zgjuar, i informuar gjerësisht në disa fusha, lexonte, luante shah, i pëlqenin fshehtësitë e gjuhës, diskutimi ynë ishte një kënaqësi, ndonjëherë, shpesh herë, një “ndalim”, që ne e dinim shumë mirë. Unë mbërrija atje në të errur. Me hapin e një krijuesi të brishtë, të një qytetari të parrahur me jetën dhe largësitë, më duheshin edhe nja dy orë deri në Vidhan. Bëja të ikja, por… edhe ata nuk më linin, edhe mua nuk më ikej. Shkëndija na shtronte një tavolinë të vogël, të thjeshtë, ku uleshim të tre… Pastaj diskutonim. Për jetën. Për librat. Për shumë gjëra që shkonin keq. Për karrierën e tyre të shuar…
Prapë pyesja veten. Si e lënë këtu, në këtë humbëtirë, kurse me njohuritë, me kulturën dhe politesën që ka, mund të shërbejë shumë mirë në një pozicion tjetër, në qytet pse jo… Unë isha naiv, deri diku edhe Kujtimi me Shkëndijën; sepse të tre “i jepnim gojës”. Koha tregoi që nuk ishim “nga ata” dhe kështu s’na gjeti gjë. (Këtë përvojë e pata edhe me miq të tjerë në ato kohë të vështira; mbase ishte fat, mbase rastësi…).
Kohë më pas, unë “zbrita” në Gramsh, punova në gjimnaz, anipse më shkoi jeta ndër hotele ose duke e ndarë banesën me të tjerë; edhe pse iu dhashë, me mish e me shpirt, punës, sa edhe jetës letrare dhe artistike atje, (për të provuar pas një dekade, një tjetër fat, në Tiranë…).
Ata, vetëm pas ndryshimeve të sistemit, e shkundën disi barrën e problemeve, që nuk kishte pse t’ua rëndonin jetën ashtu. Edhe pse provoi ndonjë detyrë tjetër, Kujtimin sërish nuk e pashë në atë lartësi që do ta dëshiroja unë dhe që ai e meritonte. Vdiq herët, pasi iu bë sebep zemra, që, fundja, shumë kishte duruar…
Mirënjohje për Kujtimin dhe për familjen e tij. Sado të flas, nuk i them dot të gjitha. Një emër i ndritur i asaj treve…