Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Jashari: Kush do ta mbrojë Luginën e Preshevës?

 

Ditëve  të fundit, shihet  ngjarje dhe veprime politike dhe ushtarake, që vështirë të kuptohen nga  popullata, madje edhe për faktin që ato shtrembërohen dhe interpretohen sipas qëllimeve të ngushta politike, ideologjike etj! Veprime dhe ngjarje këto që lidhen me Republikën e Kosovës, me Luginën e  Preshevës dhe së fundmi edhe me shtetin amë- Shqipërinë (në shkatërrimin e pikëpagesave të Rrugës së Kombit) në njërën anë dhe Serbisë dhe Turqisë në anën tjetër!

U arrestu dhe u dëbu nga Kosova Marko Gjurqi; u prenë në besë 6 qytetarë turq që u rrëmbyen nga  Kosova; mbi Luginë të Preshevës vërshojnë avionët ushtarakë të Serbisë dhe makineri ushtarake; pikëpagesat në Rrugën e Kombit shkatërrohen (madje edhe duke marrë pjesë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë nga Lugina e Preshevës)!

Kush do e mbrojë Luginën e Preshevës!?

Këto ditët e fundit, mbi qiellin e Luginës së Preshevës, në vazhdimësi sipas lajmërimeve të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, zhvillojnë manovra ushtarake! Avionët e tillë ushtarakë janë të  vjetër, nuk përdoren më në ushtritë europiane, por Serbia arrin ta frikësojë popullatën civile! Edhe në Luftën e UÇPMB-së, dy avionë të tillë kanë bombarduar në Brijë të Bukocit, së paku nga lartësia mbi 1500 metra (shkaku i rrezikut që mund t’ia goditnim me kundërajror)! Asnjë reagim as nga politikanët e Luginës së Preshevës, duke e pranuar një veprim të tillë si diç normale! E mos të  flasim më për reagim të institucioneve të  shteteve  shqiptare (Kosovës, Shqipërisë)! Organizata të vetëquajtura, vetëformuara pa asnjë  legjitimitet dhe me veprimtari në pajtim me Serbinë, që thirren gjoja të Luftës së UÇPMB-së, heshtin!

Askush s’do e mbrojë Luginën e Preshevës, pos bijëve të vërtetë  të saj!

E keqja filloi më parë, madje fillet e saj mund t’i rrëmojmë edhe më larg deri tek tjetërsimi kombëtar që  na shkaktoi Perandoria Osmane dhe pushtuesit sllavo-grek!

Me mbarimin e Luftës së Kosovës, partitë politike-bandat politiko-kriminale të partive të ndryshme, filluan plaçkën e luftës ( uzurpimin e  banesave dhe pronave), luftën politike për pushtet e deri qërim hesapesh e hakmarrjesh!

Harruam se Lufta më lehtë  fitohet, por më vështirë Paqja ndërtohet (siç na porositi edhe miku ynë, Bill Clinton!

Në tetor-nëntor 2000-2001 filloi marrja e kompetencave nga  Misioni i UNMIK-ut, ndarja e Mitrovicës veriore, kapitullimi i UÇPMB-së etj! E më pas edhe procese të tjera politike që nuk ishin të gjitha në favor ose ishin pjesërisht të favorshme për shqiptarët e Kosovës, madje pa përfshirë edhe ndërlidhjet dhe  ndikimet që patën në trojet e tjera shqiptare (edhe në Luginë të Preshevës)!

Madje jopak ndikim kishin partitë  e mëdha politike të Kosovës, në kapitullimin e UÇPMB-së (fakt ky që tentohet të mohohet dhe t’i ngarkohet kundërshtarëve politikë)! Ndikim negativ kishin edhe  në proceset dhe periudhat e mëvonshme!

Terrori dhe terrorizmi  i Serbisë dhe shërbëtorëve të saj kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i ndihmuar dhe bashkërenduar edhe me spastrimin dhe tjetërsimin kombëtar edhe nga organizata islamike të dyshimta nga vendet arabe dhe Turqia. Për më keq, institucionet e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, heshtën nuk vepruan mjaft, në parandalimin dhe ndalimin e dukurive të tilla, e aq edhe  ishin të zëna në luftën e tyre të ndyrë për pushtet!

Për më keq, bisedimet gjoja teknike mes Kosovës dhe Serbisë, bisedohet për Sovranitetin dhe Integritetin territorial të Republikës së Kosovës (territor ky i aneksuar pas vitit 2001), derisa  Çështja e  Luginës së Preshevës, harrohet plotësisht! Madje në disa raste sërish trajtohet si çështje e brendshme  e Serbisë (edhe përkundër faktit që Lugina e Preshevës është pushtuar më 16-18 tetor 1912, nga  forcat  pushtuese serbe dhe që është ndarë nga  Kosova më 1945 gjegjësisht me  ligje të mëvonshme)! Nga e kaluara, kemi pa që mjaft  kemi akuzu të tjerët që trojet e Atdheut tonë, i kishin bërë mjet këmbimi p.sh: në Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës etj!

Ne shqiptarët edhe sot, si edhe më parë,  jemi duke pranuar hapur apo edhe heshtur bërjen mjet këmbimi të tokave tona!

 

 

 

Skender Jashari,  i burgosur politik nga  EULEX, për rastet  e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin, komuna e Bujanocit. Ky shkrim është  pjesë e marrë nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!

Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.

Please follow and like us: