Dushko Vetmo i Arbërisë, poeti dhe misionari
Në Sarandë u promovuan dy libra të shtë pis botuese ‘Milosao’:
- Antologji letrare, krijimtari të F Solanos
- Rapsodi të një poeme shqiptare, sjellë në shqipen e sotme nga Agim Mato.
Shkrimtarë t e Sarandës, miqtë tanë, Agim Maton në veçanti i përgë zojmë.
Po risjell një shkrim të vitit 2002 për Solanon
Dushko Vetmo i Arbërisë, poeti dhe misionari
Frangjisk Solano, alias Dushko Vetmo (1914-1999), ishte poet; lindi në fshatin arbëresh Frasnitë; në Buenos Aires të Argjentinës u rrit, mësoi teologji, mësoi gjuhët spanjisht, portugalisht, anglisht, japonisht, rusisht; njihte mirë latinishten, greqishten e vjetër dhe atë bizantino-kishëtare (i pari që ka përkthyer shqip poezi klasike japoneze nga origjinali); u kthye në vendlindje si prift; u njoh dhe bëri emër si studiues i letërsisë dhe i folklorit arbëresh, prozator, fletorar, shef katedre për shqipen në Universitetin e Kalabrisë (atje dhe sot një nga aulat mban emrin e tij, aula Solano); ishte mik i Koliqit, Camajt, Çabeut e i gjithë studiuesve të letërsisë, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare, gramatikan, profesor, pjesëmarrës në kongrese e seminare për gjuhën dhe kulturën shqiptare, i dekoruar me urdhëra të lartë nga shteti shqiptar (mbase i vetmi prift në botë i dekoruar që për së gjalli nga komunistët shqiptarë), por … ishte poet.
Kur them poet, e kam fjalën për atë çka i kanë mbajtur tradicionalisht krijuesit në kulturën shqiptare: udhëheqës shpirtëror. Solano ishte prifti, domethënë misionari, i cili nuk krijon për tregun, as për lavdinë e vetes, por se kështu kryen një mision të trashëguar dhe të ngurosur nga shekujt.
Prift ishte Matrenga, Jul Variboba, Kamarda, Belushi, bir prifti ishte De Rada, priftërinj ishin Santori, Agostin Jordani dhe shumë veprimtarë të tjerë, arbëreshë të shquar, deri dhe poeti modern më i njohur ndër ne, Vorea Ujko.
Frano Solano dinte të gjente tituj simbolikë për krijimet e veta. “Burbuqe t’egra” e quan librin e tij të parë poetik. Shkurreja e rrëgjuar në vite e trëndafilit arbëresh po çelte burbuqe pas një dimri të gjatë heshtjeje, goditjes që mori kultura arbëreshe dhe e gjithë minorancave të tjera nga regjimi fashist. Po këto burbuqe nuk janë dhe aq të egra. Aty vërehet një shije e hollë, një ndjeshmëri e re dhe zbulojmë një mjeshtër të soneteve. “Te Praku”, e titullon të dytin. Tashmë ai është burrë në moshë. Janë poezi refleksive, meditime lirike të derdhura në formë të lirshme, me atë lirizmin e filigramtë e të njomë të poezisë së mesdhetarëve gjakngrohtë, lirizëm si një thikë e kaltër ajri që të ther thellë në zemër, karakteristikë kjo dhe e arbëreshëve të tjerë. Në poemën dramatike “Shkretëtira prej guri”, vjen me një poezi të lartë, nga faqet më të shënuara për krejt poezinë shqipe. Është një liturgji poetike, një realitet i simbolikes, një si shkrim apokrif, rezultat i një meditimi mbi njeriun dhe njerëzimin e sotëm mbetur pa një shteg shpëtimi, pa një qendër morale, një kthim te Kalderon de la Barka: jeta është ëndërr, frenezi, iluzion. E po hëna, poemi tjetër dramatik, ngjan se është një kthim te Çuang Cu, filozofi kinez i shekullit të tretë, i cili një natë pa në ëndërr se është flutur dhe të nesërmen kur u zgjua pandehte se tashmë është një flutur, e cila nga ana e saj e ëndërron veten se është Çuang Cu. Tregimet e lëmit, përmbledhja me tregime, ka një rrëfim ala Kutel, por i ndërtuar me konceptin e Borgesit: krijuesi nuk shpik gjë, ai veç shton, lëmon e korrigjon një paratekst. Shija e kësaj proze me një frazë punuar prej stilisti, me një narracion që dëgjohet (tregimet rrëfehen pranë lëmit nga Lalë Ndreu) kanë endjen e ngjizjen e dy indeve: realja nëpërkëmbehet lehtësisht në të mistertën.
Punët e Solanos janë të nxjerra nga një dorë mjeshtri. Ai ishte për një gjuhë shqipe të njësuar; për këtë ka shkruar dhe një gramatikë. Në tekstet e tij kjo gjuhë e njësuar vjen e ngjyruar me arbërizma në leksik, sintaksë dhe në frazeologji.
Një tjetër lartësi e përulur
Më lart thashë se ishte kryesisht poet. Ndonjëherë në mjediset tona kjo fjalë merr dhe kuptime të tilla si: njeri që nuk i vë shumë rëndësi anës materiale, që jeton për botën e ndjenjave, që është shpirtmadh…Mendoj se Dushko Vetmo i kishte të gjitha këto cilësi, por ai ishte i pajisur me atë që romakët e quanin kultura animi: ta duash të bukurën, ta duash urtësinë si vlerë universale e si urtësi krejt origjinale të një tradite vendore dhe më e rëndësishmja (po sipas romakëve), t’i kultivosh, të përkujdesesh dhe ta duash të bukurën dhe të urtën, nuk është veprimtari më e paktë se sa ajo që t’i shpikësh, që t’i krijosh ato.
Në fshatin tim të lindjes, një Xhelo, vajti në Argjentinë, fitoi para dhe, në vitet ’20, u kthye dervish drejt e në teqenë e fshatit, ku la gjithë paratë e kurbetit, la jetën e tij, arriti të ngrihet gjer në shkallën e një ati bektashi dhe vdiq po aty, duke i braktisur gjithë gëzimet dhe interesat e tjera të një njeriu të gjallë. Kjo m’u kujtua para disa viteve në Frasnitë, në fshatin e Solanos. Solanoja, i kthyer nga Argjentina, pasi kishte botuar në Buenos Aires librin e parë me poezi “Burbuqe t’egra”, të parin libër të letërsisë arbëreshe të re, të pas luftës së dytë botërore, u vendos si prift në fshatin e vet. Ai ishte shtatpakët, po me një pamje fisnike dhe shumë mbresëlënëse. Në shtëpinë e tij, ku tashmë jeton Maria, e motra, dhe kjo e pamartuar, ka lënë shumë dorëshkrime: studime, leksionet e tij si titullar i katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Kozencë, katedër të cilën e themeloi ai, ku janë mbrojtur me qindra diploma e me dhjetra doktoratra mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe e shqiptare. Në fshat e thërrisnin “zot”, “erdhi zoti”- kështu arbëreshët i drejtohen priftit- , por kjo Solanos i shkonte. Ai ishte njeri kulture dhe kishte atë virtytin e mentalitetit të zgjeruar, të gjykimit të shëndoshë, mentalitet që sjell pajtimin nga që mpreh aftësinë që t’i shohësh sendet dhe fenomenet jo vetëm nga një pikëpamje e ngushtë, jo vetëm nga pikëpamja jonë; kishte dhe virtutin e shijes, rreptësinë për të qenë një personalitet i ngulët, por me dashuri të padallimtë e të pakufizuar për gjithçka që është e bukur dhe me vlerë.
Kështu, i pajisur me shumë njohuri dhe me shumë talente, mbi të gjitha me dy virtytet që vumë në spikamë më sipër, ky njeri ka prodhuar kulturë, ka sjellë cilësi të reja ndër arbëreshët dhe për krejt atë që e quajmë botë shqiptare. I mëshuam pak anës personale të “sjelljes” së tij intelektuale për dy arësye. Së pari, për t’ia dalë tej asaj që nuk ishte vetëm mik i Koliqit, po edhe i shumë studiusëve dhe profesorëve shqiptarë marksistë ose jo të tillë. I lidhnin punët pastaj dhe shijimi nazik i verës dhe i të ngrënave tradicionale arbëreshe: Koliqit sa herë që i binte në kokë për verë të mirë, të kuqe, ia behte te Solanua; Çabeut nga kjo verë i përskuqeshin lehtësisht mollëzat paksa të dala të faqeve, dhe së dyti, asaj tjetrës, që ky “zot” u dekorua nga stalinistët tanë, ndërkohë që, po të jetonte në Shqipëri, do t’ia kishin thyer kërbishten diku andej nga këneta e Maliqit a e Hoxharës. Dushko Vetmo, siç thotë Konica për Gjeçovin, dinte të ishte një lartësi e përulur.
Drama ‘Shkretëtira prej guri’ e Dushko Vetmos
Drama “Shkretëtira prej guri” është një vepër e karakterit metafizik; ajo shtron pyetjen universale për gjithë qytetërimet dhe religjonet: a ka shpëtim për njerëzimin? Në plan artistik ajo është dramë e imazhit dhe e simbolit; jeta e personazheve dhe e tablove është plot fantastikë dhe simbolikë si realitet më vehte. Për të hyrë në dramë, do të jepte dorë deshifrimi i kësaj lënde, ndriçimi i thelbeve simbolike. Nisur nga kjo rrugë, pa mëtuar t’ia shterr me fund të gjitha kuptimësitë, po paraqes më poshtë një nga leximet e mundshme. Simbolet kryesore janë: shkretëtira prej guri, kukuvajka e sorrat, lakuriqi, skeletet.
Kukuvajka që del që në këngën e parë, skenën e parë, simbolizon profetin a priftin e zi të humnerës. Lakuriqi, dhe pse merr formën e kryqit, të aeroplanëve, adhurohet nga korbat dhe nga sorrat për atributet e tij shfarosëse. Korbat dhe sorrat, hyjnë në skenë si metamorfozë e tymit të oxhaqeve, ato evokojnë kufomangrënësit.
Gjithë ngjarja vendoset ne shkretëtirën prej guri, një rrafshinë e gjerë, rrasë e gurtë, e mbushur me kaçube skeletesh, në një natë me hënë, me malet prej nefriti(?) në sfond, më të prapë është një qytet i shtangur ndaj ëndërrimeve të reve.
Imazhi i shkretëtirës prej guri e çon në ekstrem realitetin simbolik, në atmosferën e një nate ogurkeqe, skeleteve, forcave të ferrit në valle dhe në këngë, nën kërcënimin e vazhdueshëm të lakuriqëve vrasës. Skeleti i parë, ëndërrimtari, është në pritje të ringjalljes së premtuar, prêt amëshimin, shenjtërimin e humbur dhe të kërkuar rishmëz nga njeriu.
Skeleti i dytë, skeptiku, evokon një figurë të njohur, poetin dhe dramaturgun e shquar spanjoll të shekullit të 16-të, Kalderon de la Barkën. Sipas këtij jeta është ëndërr, hije, frenezi, iluzion; më të njëmendtë janë sorrat dhe korbat në kërkesën për gjellën (jetën) e përditshme të pasosshme.
Koha objektive e dramës është 24-orëshi klasik, kryesisht nata, nën hënën e plotë të fundit të shekullit, kur sa zë fill Mosha e re ( të tjera simbole mitikë a enigmatikë këto) , por relativiteti i shprehësisë moderne të shkrimit të krijon iluzionin e kohës pa fund dhe pa anë.
Veprimi me dy fjalë është ky: skeletet e shkretëtirës presin zotin shpëtimtar; në vend të tij vjen një lakuriq metalik në formë kryqi; skeletet ndëshkohen nga qentë e verdhë (instumente të dhunës), forcat e ferrit hedhin një valle triumfuese nën marrshin e shifruar në një pentagram muzikor që në vend të notave ka koka figurash të përçundshme me një bombë H që bën buum.
Margaret Jursenar e quan H. L. Borgesin fatthënës, profet që flet me enigma. Nëse e rimarrim këtë për poetin tonë, fantastika e kësaj drame të çon te përplasja e dy mënyrave të ndryshme të të menduarit e të jetuarit. Në njërën anë dëshira për shpëtim me ndërhyrjen e së mbinatyrshmes dhe, nga ana tjetër, realiteti i kënaqësisë së ulët, kalbëzimi si kënaqësi.
Shkretëtira prej guri është ndëshkimi për zgjedhjen tonë. Përplasja figurohet dhe me dy temat muzikore: këndej, kërkëllimë skeletesh nën daulle të zymtë, andej, marsh ushtarak nën tingëllimat e monedhave, rublave dhe dollarëve të artë. Me që drama është botuar më 1974, me pak guxim, teksti do të sugjeronte edhe tmerrin e kërcënimit atomik dhe përballjen e mundshme të dy blloqeve ushtarake të athershme. Ky është vetëm njëri nga intrigimet e shumta që imponon teksti.
Fantazmagoria dhe simbolika e krejt dramës-grafikisht drama mbyllet me një pentagram që meriton të shqyrtohet më vete për tekstin e padeshifrueshëm me notat- simbole si: skelete, skelete me kryq, kosë e vdekjes, gjysmë hënë, Ylli i Davidit, drapër dhe çekan, prift me kryq, kokë demi, kokë qeni, kryq i thyer, kokë gjeli etj, me tekst në shkrim hebraisht, greqisht, rusisht, me simbole monedhash dhe bombash në shpërthim- e gjithë kjo lëndë universalizon dhe mitizon kuptimësitë, kohën, hapësirën, i bën më të prekshme e njëherësh të pezullt e të parrokshëm. Në substancë qytetërimi ynë i sotëm nuk ka asgjë të re, format dhe rekuizitat vazhdimisht ndërrohen dhe mbase jemi qytetërimi më i shqetësuar se kurrë ndonjëherë më parë: Kemi mbetur pa një qendër morale dhe shpirtërore.
Drama me ritualet, skeletet dhe elementet e tjerë fantastikë ë të mistertë të sjell ndërmend “Natën e Valpurgës” së Gëtes dhe tekste të dramaturgjisë dhe të poemave të poetëve modernë të shekullit të 20-të. Dinamika e fantastikes provokon forcë dhe thellësi. Frakturat e tekstit janë të ndërrueshme. Remarket, shënimet e autorit në hyrje të skenave, janë si të tonuar, si blloqe hijesh, si plani i dytë në pikturën moderne. Proza poetike e këtyre shënimeve me një shtrirje të tonalizuar qetë e butë, pasurojnë atmosferën dhe kontrastojnë me ritmikën e ankthshme të skenave dramatike.
Në këtë dramë të tri uniteteve klasike, me skena të shkruara në vargje e në prozë, dramë unike, vetëm me një akt, proza e ndërkallur e remarkeve, ka tejdukshmëri; si në stil dhe në sintaksë kjo prozë të jep shijen e klasikes, pa qenë asnjëherë larg nga natyra simbolike mbizotëruese. Në strukturën dramatike, skena e parë përbën prologun. Vallja e tablosë së dytë të fut në veprimin dramatik. Kjo është nga skenat më poetike. Simboli i zambakëve të rënë nga yjet në gojën e korbave dhe të sorrave është i një shprehësije të lartë. Replikat e kukuvajkës në vallen e korbave, afirmuese dhe përgjithësuese pas çdo blloku tekstor, të kujtojnë marrëdhënien e priftit me korin në një ritual liturgjik.
Fjalë dhe shprehje në greqishten bizantine si agnosto theo (zoti i panjohur), pasurojnë shtresimin tekstor dhe theksojnë iluzionin e liturgjikes, një liturgji e zezë. Dialogu filozofik në prozën dramatike të skenës së tretë me shprehjen Maran atha (do të vijë), në kontrast me tekstin në poezi të Kalderon de la Barkës në spanjisht, aludimet nga liturgjia e shën Gojëartit, pasurojnë karakterin dituror, nivelin e ngritur tematik dhe stilistik. Evokimet e Dodonës, Adamit, Sinait, Ulkonjës së Romës, të çojnë tek tekstet apokrife, mitizojnë imazhet, shumëdimensionojnë planet, temat. Simbolika ngjyrohet nga një humor i zi i gjithëpranishëm edhe në liturgjinë e korbave dhe kukuvajkave, dhe në dialogët e filozofëve tashmë skelete. Në atmosferë, në ritmikën e ndërrimit të skenave masa është peshuar hollë, s’ka asgjë të tepërt, tensioni vjen përherë në ngritje. Dy tablotë e fundit sjellin katastrofën në përplasjen e gjithë elementeve e gjithë simboleve gati një dramatikë e kozmikes. Forcat e përtej varrit, të metalit e të dhunës arrijnë një triumf të groteskut. Në fund ia bën Buum një bombë H.
Në llojin e vet “Shkretëtira prej guri” është një nga poemat dramatike më të rralla dhe më të arrira në krejt letërsinë shqipe. Vizioni i një kleriku diturak i jepte Prof. Solanos dimensionin e filozofit; intuita e poetit në sintezë me urtësinë e profesorit e çuan atë drejt një letërsie të toneve madhore, kjo sidomos në tregimet dhe në dramat.