Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Shqiptarët sytë i kanë kah Europa

Kontributi i Turqisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, nuk duhet të mbivlerësohet, siç po tentohet të mbivlerësohet nga disa gazetarë dhe politikanë.

Prandaj, leni përrallisjet dhe mos derdhni lot krokodili. Dhe shikojeni realitetin ashtu siç është.

Sot, shkapja e Kosovës nga kthetrat e Turqisë, është vepër madhore kombëtare.

Arbër Xhaferi, qëmoti shkruante për pasojat e akraballëkut, të cilat, sipas tij, janë në dëm të shqiptarëve. Si pasojë e këtyre raporteve nënshtruese, viteve të fundit, si komb, kemi pasë çorientim.

Në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën, që nga koha e Ibrahim Rugovës, Konferenca e Rambujës, bombardimet e NATO- s, rimëkëmbja e Kosovës, shpallja dhe konsolidimi i pavarësisë, Turqia nuk qe kurfarë faktori me rëndësi, prandaj edhe roli i saj është krejt periferik.

Rrëfimet e krijuara nga një grusht shqiptarësh, për gjoja mbështetjen e madhe turke për Kosovën, janë ireale. Janë rrjedhojë e një grushti shqiptarësh të dalldisur, që e kanë përqafuar erdoganizmin, si mendësi, dhe nuk mund t’ i durojnë vlerat që përfaqëson demokracia perëndimore.

Për më tepër, janë trille në funksion të pushtetit të një kaste që ka përfituar nga Turqia, duke u bërë vegël e zgjatim të pushtetit të Erdoganit në rajon.

Një gjë dihet mirë: Turqia, viteve të fundit, e ka shfrytëzuar Kosovën, për interesa të veta strategjike, duke përfituar në emër të një vëllazërie primitive, ndërkaq përfitimet e Kosovës nga kjo “vëllazëri” janë minmale.

Dhe krejt në fund, shqiptarët e etur për liri e përparim, sytë i kanë kah Europa. Atje ku e projektojnë tokën e premtuar.

Please follow and like us: