Sadik Bejko: Sterio Spasse dhe miqtë
Në këto shënime do të ndalem mbi marrëdhëniet e Sterio Spasses me rrethin e tij miqësor. Në çfarë do të them, mbështetem mbi përvojën time dhe mbi sa kam lexuar në librin e Ilinden Spasses “Im atë Sterio”. E quaj privilegj që kam qenë mik i afërt me IIindenin në vitet e shkollimit në Tiranë dhe prej kësaj miqësie më është hapur dera në atë shtëpi. Dua të them se ka pasur periudha në miqësinë tonë të viteve studentore, kur unë shkoja pothuaj për ditë në atë shtëpi në rrugën Him Kolli nr 12, në një rrugicë të Tiranës tradicionale, në lagjen aty pranë kishës katolike. Kjo shtëpi njëkatëshe, e ngritur nga toka me dy-tri shkallë, me verandën ku vareshin vilet e rrushit, me oborrin, pemët, portokallet dhe lepujt e butë fshehur në kaçubet zbukuruese, me kakarisjen e pulave pas rrjetës së telit qepur anash në sfondin e mureve kishte një hijeshi e një të ndjellë të ëmbël, sikur të fshihte në një kënd qetësie dhe largësie nga jeta përtej saj. Aty vepronin ca marrëdhënie po kaq të fshehura e të ndryshme prej botës disa qindra metra larg saj. Atje më tej fillonte bota e ashpër, një botë në gërryerje të gjithëçkaje të qëndrueshme, nga e kaluara, nga traditat jetëgjata me qenë se këto quheshin tipare të botës së vjetër.
Shtëpia e Spasseve mbeti një kënd ku të çlodheshin veshët nga gjithë ajo rropamë daullesh e tam-tamesh gjasme revolucionare, ishte strehë e mburojë e humans, miqësores… strehë qëndrueshmërie ndaj asaj lloj jete nën tronditje të përhershme politike.
Ishte meritë e një njeriu, meritë e të zotit të shtëpisë, e Sterio Spasses, që midis ngricës dhe acarit të pandërprerë të atyre viteve, ia arriti që t’ia ruajë ngrohtësinë prej oazi kësaj shtëpie. Ishte e bukur, e ngrohtë kjo shtëpi. I kishin lezet kafja, gota e rakisë, kafshata e bukës, shija e kripës dhe e gotës së verës shoqëruar me ca cironka të thara prej të Prespës. I kam shijuar. Të jepje një provim dhe pastaj bashkë me Ilon të uleshe si i përkëdhelur i fatit në këtë shtëpi… Me gotën e verës në dorë Sterjo Spasse na uronte që morëm provimin. Nuk kishte rëndësi çfarë na ishte shtruar në tryezë. Gjërat ishin aq të pastra sa buzëgazi i atij zotërisë që ishte mbi tridhjetë vjeç më i madh se ti, që ishte një shkrimtar i shquar, e që nuk e mbante dot për vete gëzimin që ne të dy me Ilon e kishim marrë dhe një provim. Im atë nuk e dinte se me sa mund e nëpër çfarë emocionesh kishim kaluar për të arritur deri te ai çast, te ajo ditë, Sterio Spasseja e dinte… Dhe me thjeshtësi e mirësi puro, si vera e pa trajtuar me ujë, si buka e pjekur në furrën e shtëpisë… me verën e Prespës me cironkat e thara të Prespës njomur në vaj ulliri, ai vetë na përshëndeste, na përgëzonte, na uronte. Një gjë që atë ditë duhet t’ma kishte bërë im atë. Dhe kanë kaluar kaq vjet… harrohet vallë diçka e tillë?
Shtëpia e Spasseve në Tiranë ishte një nga vendet ku zbarkonin gjithë ata të Prespës, me hallet, sëmundjet a me dëshirat për një vizitë në kryeqytet. Një herë, Andoni e Gjeroja, studentë prej Prespës në atë kohë, më thanë për njërin që po pinte kafen në verandën e shtëpisë me Sterion: “E njeh atë? Ai është Rako Ferra.” Rako Ferra? Rakoja ishte dhe është një nga personazhet e quajtura negative të romanit “Ata nuk ishin vetëm”. Ky që po pinte kafe, na qenkej ai i keqi? Po. Te Spasset njerëzit bujtnin lirshëm, i miri dhe i keqi, nuk kishte ndalesë për asnjërin. Ishte ruajtur një nga zakonet bazë të së shkuarës tadicionale: dera e shtëpisë është e hapur, mikpritja është virtyt i shenjtë.
Në vijim të mendimit se kjo shtëpi kishte hijeshinë e sjelljeve të së shkuarës, do thënë se aty mblidheshin disa nga ata shkrimtarë që erdhën në fushën e krijimtarisë që nga vitet ’30. Në stilin e këtyre kishte një sharm të së mohuarës, të së përmbysurës. Ja, Mustafa Greblleshi, shkrimtari që u anatemua herët, ai që ishte diplomuar në Itali, që kishte qenë publicist i fjalës me ngjyrë locale dhe me ironi të butë, autor i “Gremina e dashurisë”, i një romani dekadent, siç thuhej atëherë. Ky nuk e kishte marrë veten. Dhe nuk e mori dot kurrë. Aty vinte Dhimitër Pasko. Librat e tij të tregimeve atëherë shiteshin në gjithë kioskat e cepat e rrugëve të Tiranës, shiteshin hapur, por autori i tyre jetonte nën hije. Atij i ndalohej të shkruante në shtypin e kohës. Ky stilist që ishte një klasik i gjallë I letërsisë, që kishte shkollën e tij të rrëfimit me ndjekës si S. Andonin etj, nuk kishte vend në elitën e re të emrave, librat e tij nuk i gjeje në libaritë e reja në krah të shkrimtarëve të poemave me 20 pendë qe e me “ashtu Myzeqe”. Familja Spasse, dhe këtu rreshtohet në krah të Sterios, e zonja e shtëpisë, Nikolina, nikoqire duarartë, e çalltisur, një grua shumë e mençur, ndonëse jo e arsimuar, pra, çifti i Spasseve, e kishin në rrethin e miqve më të ngushtë Mitrush Kutelin. Steriovica dinte të fliste si e barabartë dhe me Nonda Bulkën, Chri-chriun e ndieshëm, satirikun melankolik të skicave “Kur qante dhe qeshte bilbili”, një njeri i mprehtë si brisku nga mendja dhe i dashur si prindi me miqtë. Në atë shtëpi dhe doktori i letrave Zijaudin Kodra i zymtë do të zbraste dertet e mbase dhe pengjet e jetës së tij familare. Steriovica u shtronte bukën, kafen, rakinë, mezet, por, kur duhej, edhe fjalën nuk ua kursente. Mençuria e përvojës së trashëguar, takti i një njeriu që rreh ta shëndoshë e jo ta sëmurë një situatë, e njeriut që di të flasë dhe, po aq shpejt, di të tërhiqet, di ta gjejë ku e ka vendin, e bënte të kërkuar një mbasdite te Spasset për këta burra të ngarkuar nga hallet krijuese, politike, por dhe nga ato dobësitë njerëzore të gjithëmotshme.
Aty do të vinte dhe një njeri i famshëm në të dy kohët, Odise Paskali. Prej këtij grupi ai ka realizuar një bocet ala Volter të portretit të Nonda Bulkës dhe emblemën e profilit të S. Spasses. E kujtoj Llazar Nikollëën për gjestin aq delikat në dhuratën e tij për përvjetorin e 50-të të ditëlindjes së Sterios: një bocet allçie me figurën e Sterio Spasses rrethuar prej kokës te këmbët nga një pikëpyetje e madhe, një referencë kjo ndaj romanit “Pse?”, roman emblematik për Spassen dhe për gjithë krijimtarinë e atij brezi të talentuarish të vieve ’30. Mbasdite mund të vinte dhe Pjetër Elezi, mësues i talentuar nga Shpati i Elbasanit. Ky tentoi tërë jetën të botojë një fjalor të shqipes dhe nuk ia arriti. Ai jetonte bashkë me gruan e tij në “Kasollen e Xha Tomit”, një shtëpi prej mësuesi të varfër e pa fëmijë. Kjo miqësi lidhej me punën e Sterios si normalist i Elbasanit, e Sterios mësues e hartues tekstesh shkollore të gjuhës e të letërsisë. Pasioni për shkollën dhe pë librin shkollor e lidhën S. Spassen në bashkëpunim e miqësi të gjatë me mësuesin e tij të Normales, me prof Aleksandër Xhuvanin, me Lirak Dodbibën dhe me prof Jup Kastratin. Këta miq pune ishin dhe miq shtëpie të Spasseve. Në grupin katërsh i atyre që kishin krijuar “Revistën Letrare” bashkë me Dh. Paskon e V. Kokonën ishte dhe Nexhat Hakiu, poet nga Vlora, i ndikuar nga Ali Asllani e folklori lab, autor i një libri me komente të shumë teksteve nga program i shkollave të mesme të kohës, njeri që ra pre e atyre të përjetshmeve dobësi njerëzore: u dashurua me ish-nxënësen e tij dhe e pagoi shumë shtrenjtë. Sterioja iu gjend mik në ditë të zezë, siç thuhet. Profesor Mahir Domi do të ishte mik shtëpie i Sterios. Korça, Elbasani, interest e përbashkëta shkencore… natyra e shtruar e njerëzve që me vullnete durim e marrin jetën në sy larg bujës e zhurmës së ditës i bënin bashkë këta njerëz.
Zonja Greblleshi do të ishte bujtësja më e bukur e atij rrethi miqsh. Me shtatin e lëkundur, me supet e zbuluara në ngjyrën e karameles, me bustin e rrumbullt ajo ishte hijeshia vetë.
Nga grupi i shkrimtarëve të ditës aty do të shihje Fatmir Gjatën, LLazar Siliqin, Petro Markon etj… ishin vite kur sot për sot mund te ishe i suksesshëm e nesër pa pritur e pakujtuar mund të të rrëshqiste toka nën këmbë. Kështu Fatmir Gjata, fatmirosh në fillimet e tij, më pas do marrë për tëposhtë, do të degdiset në baltërat e fshatrave të Beratit. Llazari dinte të ishte njeri buzëgas, me humanitet të buruar, i ekuilibruar dhe me një sens prakticiteti jo besdisës, përkundrazi, të lakmuar. Petro Markoja ishte e kundërta e tij. Petro Marko tha në një mbledhje të Lidhjes më 1966 se dua të shkoj në fshat, e ndiej veten si një karav i pranguar në liman, dua të dal në det. Shkoi në Himarë ku bëri një të pabërë, dhe desh e pësoi. Ngriti fshatin kundër kryetarit të kooperativës. E hoqën andej për në fshatrat malore të Tiranës, ku shkroi romanin “Ara në mal”. Mbasdite te Spasset erdhën dhe disa nga ata shkrimtarët e asaj mbledhjes në Lidhje, por tani flitej pak më ndryshe. Flitej me këmbët në tokë. Po ku do t’na çojnë, sa do të rrimë? Ç’vepra do të shkruajmë që t’na kthejnë prapë në Tiranë? E tillë ishte koha. Të duhej një mënçuri për të folur në mbledhje, një tjetër në kafe mbas mbledhjes dhe një tjetër në mjediset e ngushta me shokët e afërt. Të duhej një moral i ditës, i “revolucionit”, i politikës që nuk falte, dhe një tjetër morali i ligjeve të përjetshme, më të fshehta e më të thella se ujërat që rrjedhin pa u ndjerë nën tokë. Te Sterjo Spasse ruhej fort kjo verigë e pashkëputur me moralin e përjetshëm, me rendin e pandryshkur të vlerave. Mbase në këto ndikonte karakteri i një njeriut me gjak të ujdisur si me dorë, një njeri i fortë dhe njëherësh po aq i butë, e njeriut Sterio Spasse. Ai e donte Zisa Cikulin, jo vetëm se I lidhte Korça, por edhe letërsia e mirësia. Tasi Gusho një korçar tjetër do t’ia skaliste romanin e ndaluar PSE? dhe do t’ia dhuronte në mermer me rastin e 70 vjetorit. S Spasse i donte sivëllezërit e tij shkrimtarë në të gjitha moshat, e donte I. Kadarenë, D. Agollin, Nasho Jorgaqin, Dh. Xhuvanin… Më pas vijnë dhe ata të një brez të tretë shkrimtarësh. Puna e tij si redaktor në Nëntori, e bëri të njohë në thelb edhe brezin më të ri.
Në këto rreshta shkrova se si një njeri, një shtëpi kanë ditur të jenë si institucione të vogla të shoqërisë në një kohë të dhënë, të bashkojnë shumë drejtime në krijimtari, në shkencë, të bashkojnë breza të ndryshme dhe të orientimeve të ndryshme të stilit dhe të ideve, një shtëpi ku jetojnë bashkë krahinat, fetë, temperamentet po edhe gjuhët. Gjuhë e familjes Spasse ishte gjuha e Prespës, gjuhë e kulturës ishte shqipja. Në fundvitet 60, kur po bëhej Kongresi ll i Shkrimtarëve, bashkë me shkrimtarin e minoritetit grek Pano Çuka, takojmë Sterion te shtypshkronja Mihal Duri, pranë shtëpisë së tij. Na ktheu për një konjak. Duke e falënderuar Panon për përkthimin e një tregimi në greqisht, tek po ngrinim gotat, Sterioja tha: “Gëzuar, unë jam sllavi, ti, Pano, je greku, Sadiku, (e kam mik të djalit) është shqiptari, ne jemi Ballkani. Po të shkojmë mirë ne të tre, Ballkani do të prehet, do të dëliret nga hijet e deliret, do të bjerë në paqe. Gëzuar! (Tokëm gotat.) Sadiku është më i riu, ky mbase do t’ia arrijë kësaj dite”. Kështu tha Sterio Spasse. Kjo ka qenë një ëndërr e brezave. Dhe është. Ata të dy nuk janë. Unë po e sjell këtë dëshmi nga një takim me S. Spassen dhe Pano Çukën.
Këtu dua ta mbyll me një homazh për gjithë këta emrat që përmenda. Koha ishte ajo që ishte. Por shoqëria shqiptare i dha këta emra për lavdinë e vlerave që ata krijuan dhe që i mbeten thesarit të kulturës së saj. Duke folur për një anë tjetër të tyre, për anët e tyre jo aq të njohura, ne i bëjmë një shërbim kujtimit të tyre, por edhe historisë së kulturës sonë, histori që është krijuar në ca mjedise dhe në ca sjellje të cilat rrjedha e kohës i merr dhe i fshin pa mëshirë. Kjo që shkrova, është një dëshmi dhe homazh njëherësh. Homazh për jetën e një brezi, për libra, sjellje, mjedise, për ato gjëra që i bënin njerëz në përditësi, dhe për vlera që i bëjnë ata të përhershëm, të pakohë, vlera që lindin mu atëherë kur çasti i së përditshmes prek kohën e pa kohë, prek në përjetësi.