Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Arben Manasterliu: Arroganca Rama dhe impotenca Basha & Mona

Pas rënies së komunizmit vetëm dy momente do mbahen mend në historinë e këtij vendi, dhe vetëm pak njerëz do mbeten protagonist të kësaj historie: ata që kontribuan në rrëzimin e sistemit të Enver Hoxhës në vitin 1990, dhe ai, ajo, apo ata që do rrëzojnë Edi Ramën. Rrëzimi i Edi Ramës do jetë moment historik dhe cilido që do e arrijë këtë do hyjë pa asnjë dyshim në historinë e politikës Shqiptare.

Dihet nga të gjithë ata që e njohin që pavarësisht ambicieve personale për pushtet, privilegjeve, etj, Rama e nisi rrugëtimin e tij me bindjen që di ta qeverisë këtë vend më mirë e në mënyrë më moderne se sa paraardhësit e tij “të prapambetur e pa vizion” siç mund ti ketë konsideruar ai. Dhe, ishte i bindur që do bënte e do të hynte në histori. Rama është ende në qeverisje, dhe këtë dëshirë e aspiratë, ëndërr e fantazi, tashmë e ka të humbur. Ka dështuar përpara historisë dhe pritshmërive të tij për të qenë në të – dhe ky fakt po e çmend.

Si makievelist shembullor, Rama e di fare mirë këshillën e Makiavelit, që: Është mirë nëse populli të do dhe të ka frikë, por nëse nuk i arrin dot të dyja këto, është më mirë të të ketë frikë. Sepse frika është ndjenjë më e fortë se sa mirënjohja.” Dhe duke e ditur të vërtetën shumë të hidhur që populli nuk e do më, po përpiqet të qëndrojë ende në pushtet me anën tjetër të medaljes, me frikën. Por, ditët e fundit, madje sa herë bëhen protesta, është vetë Rama që frikësohet i pari.

Po kush do e hedhë nga pushteti Ramën? Nuk do jetë as Basha e as Mona, por vetë arroganca e Ramës. Ajo arrogancë kolosale e tij dhe e qeverisjes së tij do jetë edhe mundësia e artë për dikë pranë e tij, i cili si Kasius dhe Bruti do e eliminojnë politikisht Cezarin Edi Rama. Por ndryshe nga Cezari i Romës, kryeministrin e Shqipërisë nuk do e përmendë as historia e as ndonjë penë e artë për ti kushtuar dy rreshta. Thjeshtë do jetë subjekt shakashë e barsaletash nëpër kafenetë e shumta anë-e-mbanë Shqipërisë.

Ka zëra që puçistët janë shumë pranë tij dhe kanë bekimin e Vëllait të Madh. Le të presim e të shohim se si do shpaloset drama.

Në krahun tjetër kemi çiftin Basha – Mona, një shartim i çuditshëm opozitar. Të dy të tredhur përpara opinionit të shqiptarëve. Të dy impotentë për të rrëzuar një kryeministër që krahason popullin e tij me organin gjenital mashkullor, e të mos flasim për të tjerat, të cilat janë komentuar e stër-komentuar gjatë pesë viteve të fundit. Fatkeqësisht, kjo impotencë e çiftit opozitar prodhon një kosto të jashtëzakonshem mbi të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Madje është pikërisht ky çift që e ka mbajtur e vazhdon ta mbajë në këmbë Edi Ramën. Basha i dhuroi një mandat të dytë me marrëveshjen e 17 Majit, ndërsa partia e Monës punoi vetëm që të siguronte postin e Presidentit.

Rama, Basha, Meta, Mona. Të gjithë duken të lumtur. Me përjashtim të shqiptarëve të cilët duan me tërë zemër e gjithë shpirt të largohen sa më parë nga ky vend, e t’ua lënë Presidencën, Kryeministrinë, Opozitën, e çdo institucion këtyre hijenave e robëruesve të jetës së tyre.

Shqipëria është një skenë dhe teatër i bukur, por aktorët që e drejtojnë atë janë kaq të ligë e të paaftë. Të humburit në këtë histori janë shqiptarët të cilët po e shohin këtë shfaqje me një çmim shumë e shumë të lartë, me vetë jetën e tyre, dhe me të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Please follow and like us: