Albspirit

Media/News/Publishing

Trump: Nuk kam thënë asnjëherë se kur do të kryhet një sulm ndaj Sirisë

Presidenti Donald Trump këmbëngul se ai nuk ka thënë asnjëherë se kur do të kryehet një sulm ndaj Sirisë, si përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik. Ai shkroi në Twitter se “sulmi mund të realizohet shumë shpejt, ose jo së shpejti”.

Një ditë pasi ai paralajmëroi Sirinë se “raketat do të vijnë”, Trump tha gjithashtu të mërkurën, se “Shtetet e Bashkuara, në administratën time, kanë bërë një punë shumë mirë, duke dëbuar nga rajoni grupin Shteti Islamik.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/984374422587965440))

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Presidenti Trump po shqyrton mundësinë ta godasë Sirinë me raketa, për t’u hakmarrë për sulmin e dyshuar me armë kimike, për të cilin fajësohen forcat qeveritare siriane.

Dhjetra njerëz u vranë dhe u plagosën pas sulmit të së shtunës në Duma, të Gutën lindore, në periferi të Damaskut. Siria ka mohuar të ketë përdorur armë kimike.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se Franca “ka prova” se armët kimike janë përdorur nga regjimi i udhëheqësit sirian Bashar al-Assad. Ai tha se Franca do të përgjigjet kur ta mendojë të arsyeshme.

Zyrtarë dhe analistë në Uashington thonë se brenda disa ditësh pritet të ketë një përgjigje të fuqishme nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, si reagim ndaj sulmit kimik.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo mbështet idenë për dërgimin e një mesazhi se përdorimi armëve kimike është një veprim i papranueshëm, por ajo shtoi se vendi i saj nuk do të marrë pjesë në një ndërhyrje ushtarake.

Në një bisedë telefonike me Presidentin Trump, kryeministrja britanike Theresa May ofroi mbështetjen e saj, por sipas zyrtarëve britanikë, u shpreh se Britania kërkon më shumë dëshmi se kush fshihet pas sulmit të dyshuar kimik të shtunën në një zonë në periferi të Damaskut që mbahet nga kryengritësit. Sulmi ka lënë të paktën 40 të vdekur dhe deri në 500 të plagosur.

Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) pritet të vizitojnë periferinë e Doumës, ku ndodhi sulmi.

Please follow and like us: