Luan Rama: Për Marcel Proust
Aimez-vous Proust?
Eric Chartier-in, aktor dhe regjisor e takova në takimin poetik në Entrepot të Montparnasit. Eshtë një pianist fjalësh, pasi që kur e kuptoi thellë veprën e Prustit dhe botën e tij, ai nuk iu nda veprës së shkrimtarit dhe me të udhëtoi nëpër skenat e botës, fillimthi në shtetet e Amerikës dhe pastaj në Francë e gjetkë. Ai nuk është ndarë nga ai. Jeton dhe është me të, dubluar në morinë dhe magjinë e fjalëve prustiane. Si të thuash, atë mbrëmjeai ishte Prusti mbi tastiera, me intonacione të habitshme që të rrëmbenin dhe të çonin diku gjetkë. Ah, ç’vështirësi të luash mbi këtë pentagram të vështirë e të pambarimtë. Kush tha se Prusti shkruan gjatë dhe është vështirë të ndjekësh udhëtimin e lodhshëm të tij? Eric Chartier na e dëshmoi dhe demostroi këtë me artin e tij edhe pse skena e asaj nate nuk ishte një skenë e mirëfilltë teatri, nuk kishte dekorin e tij dhe kostumi i tij ishte ai i përditshëm dhe jo ai i skenës. Por ç’rëndësi kishin këto. Prusti ishte brenda tij në ato intonacione që shoqëronin imazhe që vetë Prusti i kish imagjinuar, përjetuar, shkruar. Por ai i kishte harruar gjithë këto detaje, duke kujtuar se ishte në një skenë të vërtetë dhe se ishte një mesazher i vetë Prustit, madje Prusti vetë, ballë nesh, një grupi letrarësh e artistësh, ku për çudi ne pamë vërtetë hijen e Prustit dhe atë katedrale gjigande për të cilën shkruante që para tij Rimbaud, i cili e kishte treguar thjesht me një varg, “katedrale në qiell”. Kështu fjala nderej në lartësinë e asaj kubeje imagjinare ku Eric na fliste për vitrazhe dhe ëngjëj, për pelegrinë dhe besimtarë që kërkonin të pikëtakonin dikë nga Hyjnia apo vetë Hyjninë. Eric me zërin e tij luante piano, ishte kthyer në një Prust muzikal. Ishte fryma e tij që e drejtonte në peizazhin e fjalëve edhe pse ati i tij, Marcel Proust kishte gati një shekull që kishte vdekur.
– Aimez- vous Proust? (A ju pëlqen Prusti?) – më tha Eric kur u ul pranë meje.
– Padyshim… kam shkruar për të, – iu përgjigja, – por tani dëgjova dhe muzikën e tij… nga “moderato cantabile” në “bemolet” dhe “vibrationet” e tij që ende s’më janë shuar…
Unë ngrita sytë dhe shikoja ende kubenë e asaj katedrale imagjinare ku në mes, në vend të shenjtit, pashë fytyrën e zbehtë të Prustit, me mjekrën e tij të zezë, ashtu të ngrirë në shtratin e tij të vdekjes, ashtu siç e kishte fotografuar fotografi amerikan, i madhi Man Ray!