Respublica: Një çertifikatë për të gjithë
Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë një tjetër goditje sot kur ka deklaruar zyrtarisht se deputetit Tomë Doshi dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA për shkak të akteve serioze të korrupsionit.
Si akt I dytë pas atij të Adriatik Llallës, vendimi në fjalë pasqyron tashmë se ndalimi personave dhe marrja e masave sipas ligjit amerikan për zyrtarët shqiparë që konsumojnë vepra korruptive nuk është skenar i ambasadës në Tiranë, por politikë e SHBA. Kjo davarit edhe atë pretendim të ish-prokurorit Llalla që tha se vendimi kishte ardhur si pasojë e keqinformimit nga Donald Lu.
Për këtë arsye është e udhës të lexohen mesazhet që vijnë me këtë vendim.
Së pari ai bën pjesë në angazhimin e SHBA për reformën në drejtësi.
Së dyti ai vjen ndërkohë që z. Lu ka bërë thirrja disa herë për peshqit e mëdhenj për të cilët drejtësia shqiptare dhe qeveria nuk kanë lëvizuar gishtin e vogël.
Së treti njoftimi vjen një ditë para zbardhjes zyrtare të raportit të KE-së për hapjen e negociatave dhe pak ditë pasi u publikua raporti tejet kritik I Freedom House.
Një element që ka rëndësi thelbësore është fakti se z. Doshi, në ndryshim nga z. Llalla, është nga radhët e legjislativit dhe i afërt me shumicën qeverisëse. Nëse z. Llalla sipas ambasadorit amerikan po hetohet për pastrim parash, Doshi me “certifikatën” që ka marrë sot, njollos të gjithë qeverisjen shqiptare të Edi Ramës. Pas korrupsioni, duke besuar se të dhënat e DASH janë shumë serioze, nuk mund të konsumohet vetëm. Për këtë arsye akuza ndaj Doshit transmetohet edhe në segmente të qeverisjes, pa folur këtu se Lu përshëndeti edhe largimin e tij nga Grupi Parlamentar i PS-së, gjatë kohës së çështjes Doshi-Meta.
Bie në sy se as PS-ja dhe as PD-ja nuk kanë komentuar vendimin, njësoj siç mbajtën një heshtje kompromentuese për raportin e Freedom House.
Këto janë zhvillime politike me rëndësi shumë të madhe, që prekin jo një apo dy politikanë, por klasën politike dhe projektin e vetëm të saj: akaparimin e çdo pasurie publike.
Për këtë arsye hapja e negociatave, që është vetëm një rekomandim, nuk është alibi, pasi vendimi DASH sot ka ngrirë buqëqeshjen e sforcuar të qeverisë dhe ka paralizuar propagandën e saj. Ndryshe do të ishte puna nëse ndaj z. Doshi apo dikujt tjetër do të kishin vepruar organet shqiptare të hetimit, të cilat edhe sot që flasim as nuk pohojnë dhe as nuk mohojnë atë që thotë ambasadori Lu: ka apo jo hetim për Adriatik Llallën.
Qytetarët kanë rastin të shohin dhe kuptojnë se askush në këtë skenë politike nuk e do reformën në drejtësi, përderisa të gjithë kanë qepur gojën. Të gjithë duan vetëm të shtyjnë, të fitojnë kohë dhe të shmangin përgjegjësinë nga njëri-tjetri. Me në krye Edi Ramën që sot akuzohet hapur.
Rasti i Doshit dhe Llallën kanë peshë politike, por vlera e vërtetë e këtyre njollave ndërkommbëtare për Shqipërinë do të ishte kur të ndalohej hyrja e biznesmenëve të preferuar të qeverisë, të pjesëtarëve milionerë të mediave, në mënyrë që maska 27 vjeçare të bjerë edhe për ata që nuk duan të kuptojnë.