Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Rekomandimi i tretë

Dje, për herë të tretë, Komisioni Europian i dha Shqipërisë rekomandimin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Partia “Zgjidhja” e përshëndet këtë vendim shumë të rëndësishëm të Komisionit Europian.

Dje pamë kryeministrin e vendit, njësoj si në nëntorin e vitit 2016, të deklaronte se ai po përmbush amanetet e Skënderbeut që nuk mundën t’i përmbushnin shekujt! Në fakt asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar për mirë nën qeverisjen e Ramës. Përkundrazi, edhe vende si Gjermania që kanë qenë mbështetësit tanë më të mëdhenj në rrugëtimin drejt BE-së janë më shumë se të zhgënjyer. Vendi është mbërthyer nga kthetrat e korrupsionit dhe krimit të organizuar, më shumë se kurdoherë. Shefja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini dhe komsioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn në raportin që prezantuan dje, etiketuan si hap të madh Reformën në Drejtësi, por çuditërisht harruan Reformën Zgjedhore që do t’i hapte rrugë çlirimit të vendit nga ky rregjim hibrid që ka kapur shtetin dhe e ka zhytur popullin tonë në varfëri ekstreme.

Nuk ka për të pasur kurrë një Shqipëri më afër Europës, nëse nuk përmbysen partitë e vjetra, nëse nuk demokratizohet qeverisja dhe nuk instalohen liritë politike, ekonomike dhe njerëzore në këtë vend, përmes reformave të thella politike.

Ne urojmë që gjeopolitika dhe përplasja Perëndim-Rusi mund t’i bëjë vendet europiane të miratojnë hapjen e negociatave në qershor dhe të ndihmojnë popullin shqiptar që të çlirohet nga kjo elitë e kalbur dhe e kriminalizuar politike që ia ka dalë ta mbajë Shqipërinë jashtë BE-së që në vitet ‘90.

ZGJIDHJA uron edhe njëherë, që për hir të shqiptarëve që janë njëzëri pro Europës, 28 vendet anëtare, të firmosin për hapjen e negociatave. Qytetarët kanë të drejtë të jenë skeptikë për këtë, sepse vende si Gjermania, Franca apo Holanda, tashmë e kanë bërë të qartë se nuk mund të pranojnë në gjirin e tyre vende me qeveri të kapura nga krimi i organizuar dhe që korrupsionin dhe plaçkitjen e taksapaguesve e kanë kthyer në sistem.

Prandaj edhe dje, gjatë prezantimit të raportit, zonja Mogherini nuk i dha dot përgjigje gazetares së “Financial Times” e cila e pyeti: “Si do të bindni shtetet e mëdha si Franca dhe Gjermania për të hapur negociatat me Shqipërinë, kur dihet se krimi i organizuar është në nivel të lartë?!”

ZGJIDHJA është e bindur se vetëm nëpërmjet rrëzimit të kësaj klase politike që ka 28 vjet që bllokon me qëllim integrimin e vendit drejt Europës, shqiptarët do të mund të shpresojnë seriozisht për t’u bërë pjesë e BE-së.

Please follow and like us: