Albspirit

Media/News/Publishing

TRAGJEDIA E “MENDJEVE TE MBYLLUNA”

Sami Repishti , Ph.D.*

Në kujtimet e tij, historiani i ndjerë Arben Puto, tregon se gjatë demonstratave studenteske të 8 dhetorit 1990, në nji vizitë tek e motra, Nefo Myftiu, bashkëshorte e kriminelit Manush Myftiu, -ish-kryetar i Komisionit për Internimet e familjarëve të personave të arratisun, kryesisht fëmijë, gra e pleq,- ajo e priti me britma histerike: “More Arben, ku të vemi tani? I kemi duart e lyera me gjak”!

Vëllau bani perpjekje me e qetësue, se nuk do të ngjante nji e keqe me ndryshimin e gjendjes. Dhe ashtu doli! Asnji pjesëtar, përsëris asnji, nga anëtarët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë në Shqipëri, nuk u arrestue, burgos, torturue, internue, dënue e natyrisht as pushkatue. As edhe familja e diktatorit E.Hoxha. Shembull qytetnimi të njimendtë, dhe unë, i persekutuemi, jam kryenalt!

Në Shqipëri, ky parim themelor i së drejtës civile, (vetëm “personi” që kryen krimin ashtë përgjegjës për krimin), nuk respektohej. Në vendin tonë, komunistët kishin zgjedhë “të drejtën zakonore” që konsideronte “anmik” të gjithë familjen, dhe fisin e “fajtorit”. Nji tjetër “udhëheqës”, mesjetari Haxhi Lleshi, edhe ai ish-kryetar i Komisionit për Internimet, e përcaktonte: “internohen të gjithë ata që kanë ngranë në nji sofër me fajtorin”. Kështu veprohej në Shqipëri në fund të shekullit njizetë. E pabesueshme!

“Shembulli i qytetnimit të njimendtë” jepej mbas nji periudhe 45 vjeçare të diktaturës së proletariatit në vendin tonë: ma shumë se 7.000 shqiptarë, burra e gra, të pushkatuem me gjyq e pa gjyq, dhjetëra mijëra të burgosun e të torturuem dhe ma shumë se 50.000 të internuem, kryesisht fëmijë, gra e pleq, mjaft prej tyne për nji periudhë 45 vjeçare! Nji bilanc i pabesueshëm për nji vend të vogël si Shqipëria e jonë. Shprehja e frikës së zonjës Nefo vjen nga nji personë që ka qenë plotësisht në dijeni të krimeve të bame në Shqipëri nga rregjimi komunist. Si bashkëshorte e kriminelit, ajo ka pa dhe ndigjue ma shumë se të tjerët. Ajo e dinte se nuk ka pasë lagje qyteti, as fshat të rretheve e malësive tona ku te mos kishte nji ose ma shumë të vramë, arrestuem, torturuem, burgosun, internuem ose te shpronësuem me dhunë, kur “partizanët” zbriten nga mali dhe u vendosën me terror në shtëpitë e “reaksionarëve”. Shprehja e zonjës Nefo ishte shprehja e frikës së përsëritjes së ngjarjeve të viteve 1944 dhe 1945. Për hir të frymës njerëzore që ushqejshin ish të persekutuemët, ajo katastrofë nuk u përsërit. Nji fitore e madhe morale për shqiptarët!

Heshtja që i mbuloi këto krime, ka qenë nji fyemje kriminale, vrasje e dytë për viktimët, nji qendrim i pandershëm i “udhëheqësve” të vendit, pabesueshmënisht jo-koshientë të seriozitetit të katastrofës së pësueme, të plagëve të hapuna, të familjeve të sakatueme për jetë…e për qindëra mijëra jetësh njerëzore të damtueme pa shpresë shërimi. Akoma sot, këto viktima të terrorit të kuq nuk besojnë atë që shohin e ndigjojnë rreth e rrotull tyne. Kur e paprituna kalon kufijtë e arsyes normale, bota hynë në fushën e absurdit, ku gjithçka ashtë e mundun, edhe heshtja që vret e që mbulon krimin komunist. Ky ashtë absurdi që përballojmë sot në Shqipëri! e gjendjes së sotme në Shqipërinë tonë ai shkruen:

Në edicionin e ditës 11 prill, gazeta Panorama botoi opinionin  e nji mendje të ndritun, atë të Dom Gjergj Metës, i Ipeshkvisë së Mirditës. Tue trajtue “absurditetin”…

”Po! Ai sistem ishte kriminal, anti-shqiptar e anti-njerëzor. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë , në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyne biologjikë e ideologjikë. Deri tani, një njeri kam hasur që ka qenë i qartë, i vendosur, fisnikërisht njeri me një sens përgjegjsie për t’u admiruar, e ky është Bashkim Shehu”. (Shenim: djali i kryekriminelit Mehmet Shehu-SR). Ai shton:

”Me vetëdije apo pa vetëdije, shohim nji përpjekje për krijimin e një nenstarti të ri, në të cilin idetë komuniste të vlerësohen përsëri e të kenë mundësi të ri-propozohen edhe politikisht”.

Nji gjykim i matun dhe korrekt i këtill më kujtoi esejen e filozofit françez Bernard Henry-Levy: “Të mbetun në kohën e errësinës”. Ai shkruen:

”Unë jam i bindun se me kolapsin e kështjellit komunist pothuej kudo në botë, në disa raste kemi pasë edhe efektin anësor e të papritun me shlye gjurmët e krimeve të tij, bile disa shenja të dukshëm të deshtimit tij, që kanë lejue disa persona me rifillue andrrimet për nji komunizëm të papërlyem, të pakomprometuem nga krimet dhe të lumtun”. Në anormalitetin e gjendjes sonë, a ka mundësi të përjetojmë nji paturpësi të këtill?

Fatkeqsisht po! Sidomos me polemikat e këtyne kohëve të fundit. Për shumë shqiptarë që mendojnë dhe për shumë shqiptarë që kanë vuejtë randë nga krimet komuniste kjo ashtë nji tragjedi. Por, njikohësisht, kjo ashtë nji tragjedi sidomos edhe për elementë me përgatitje intelektuale por “mendje-mbyllun” (“close-minded”) që, tue mohue të kaluemen terroriste, “ri-andrrojnë” nji komunizëm të pafaj dhe të lumtun. Dhe ky fenomen ashtë shqetësues, me tone tragjike personale dhe kombëtare që rrjedh nga “pika e dobët” në formimin e andrruesve, shkaktare e tragjedisë së tyne të paevitueshme.

Tragjedia, shprehjet e saj, u çƒaqen që në ditët e para të qytetnimit, Teorikisht, Aristoteli na mëson se ajo provokon terrorin dhe mëshirën. Mëshira lindë nga fatkeqsia e pameritueme e viktimës. Dinjiteti i viktimës rritet nga fisnikëria e kauzës që ai mbron me rrezikun e jetës, qoftë ai  qytetar i thjeshtë, qoftë si masë popullore që ngren kokën.

Fisnikëria e kauzës na shërben si mësim i historisë, si nji shembull moraliteti suprem, si nji shpalosje e psikologjisë sonë që na udhëheq, dhe si fortësi e karakterit me ndjekë pa u lëkund imperativët e kauzës. Nji fisnikëri të këtill e kemi përjetue gjatë ditëve të pushtimit të huej, në vitet e Luftës së Dytë Botënore, në vitet kur rezistenca naltësonte shpirtin tonë të luftës për çlirim, në luftën kundër të huejit dhe kundër shnjerëzimit që kërcënonte personalitetet tona. Kështu u krijue nji përkrahje e plotë e luftës çlirimtare nga zgjedha e të huejit me të gjitha zhvillimet tragjike që ajo luftë solli në vendin tonë, e që na pranuem me mendje të hapun e zemër të përgatitun për flijim.

Kanë qenë ditet e lavdishme që premtuen të nesërmet plotë kangë, “bukë e paqë edhe liri!” e që realiteti komunist i mohoi mbas “çlirimit”, tue i zevendsue me vajin, dnesën e ulurimën e viktimës së pafajshme, dhe urrejtjen e përpunueme me shkencë. Shumë shqiptarë të ndershëm ranë viktimë e kësaj kurthe monstruoze dhe e ndertesës së re që i mbështjelli pa asnji mëshirë!

Tragjedia ashtë edhe ma e randë për ata që janë të arsimuem, për ata që mendojnë si qenie të pavaruna, për ata “që dialogojnë me elementë që tejkalojnë forcat e tyne”. Në luftën e tyne të mbrendshme, ata përfundojnë ose me nënshtrimin tue pranue logjiken që jepet dhe aksionin që imponohet, për hir të nji jete me konforte, ose në nji konflikt të mbrendshëm me njohë vetëveten, e që përfundon “me nji dashuni për botën, e zbulimin e nji farë harmonie në mes vetes dhe botës për rreth”(Jacques Morel) ose me nji akt revoltues që i jep aksionit tonin e nevojshëm tragjik që merr përpjekja me u afirmue në momentin me nji akt të veçantë, që shpesh herë ka karakter dëshprimi. Tragjedia e përgjithëshme përvehtësohet nga heroj individ që pranon konfliktin e mbrendshëm, që krijon situatën kur ai ndërgjegjsohet me dhimbje për fatin ose fatalitetin që e pret, e natyrën e saj.  Ashtë fryma e rezistencës kundër së keqes që na imponohet e nuk pranohet. Me marrjen e nji aksioni që e shkatërron, qytetari rezistues kryen aktin ma sublim të jetës: luftën kundër fatit dhe siguron, qoftë edhe për nji minut, lirinë e tij absolute. Qenie e lirë!

Kjo ashtë madhështia e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën në rezistencën kundër të huejit që i vrau gjatë pushtimit të vendit tonë, dhe ma vonë, e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën kokën kunder diktaturës së proletariatit që i dërmoi pa mëshirë!

*****

Nji ndryshim i shpejtë nga nji botë e mbyllun në nji shoqëni të hapun nuk mund të kalonte pa rrjedhime negative, njena nga të cilat ashtë fenomeni i “mendjeve të mbylluna” në kallepin ideologjik ku ata u formuen dhe pranuen pa rezistencë. Kjo kategori ashtë, për vetë qendrimin e tyne, i nji natyre ”konservative” pavarësisht se nominalisht ata kanë jetue nen “socializëm” ide teorikisht përparimtare me rezultate shgënjyese. Ky negativitet shihet në qendrimet e tyne në kulturë, art, letërsi e tjera. Ata  frikësohen nga spontaneiteti ose ndryshimi i botës së tyne.

Personat “me mendje të mbylluna” mund të jenë si rezultat i nji sistemi politik të veçantë që i prodhon ata ose përforcon tek ata ideologjinë e vet, siç ashtë rasti i jonë “komunist”. Nga nji herë kjo rrjedh edhe nga nji situatë traumatike në jetë; si rrjedhim, ata izolojnë vehten nga emocionet, afeksionet e  tjera.

Për ma tepër, ata mendojnë ngushtësisht në “kategori” që nuk mund të hapen (e bardhë ose e zezë!) gjatë procesit të mendimit tyne. (P.sh. të gjithë ata që ishin “ballistë” ose ‘”zogistë” dje, ose “komunistë” sot, janë njerëz të këqij”. “Të gjithë ata që nuk binden, duhen ndeshkue” e tjera). Psikologët mendojnë se “mendjet e mbylluna” nuk shërohen lehtë,  sepse ata mendojnë që kanë të drejtë kur çfaqin nji mendim, nji qendrim,  nji ide,  nji përceptim etj.

Por, ata duhet të ekspozohen me ndihmën e personave që kanë qenë viktima të nji rregjimi të veçantë politik; ata duhet të ndigjojnë rregullisht historitë e njerëzve që kanë vuejtë. (Ky sistem quhet “hypothesis of contact” -hipoteza e kontaktit”). Ky ashtë nji sugjerim për shërimin e tyne, tue i ndihmue ata të vijnë në kontakt me realitetin. Megjithate, dyshohet në se ata kanë mundësi të “shërohen plotësisht”.

Pak ditë ma parë, unë tregova në këte fletore dy raste ekstreme torturash shnjerëzore. Qellimi? Me ndihmue “mendjet e mbylluna” të ri-konsiderojnë pozicionin e tyne. Sot do të shtoj dy raste tjera, të njohuna ma shumë:

1)Në muejin tetor 1946, oficerët e Sigurimit Kolonel Vaskë Koleci dhe Majori Zoi Themeli, torturuen avokatin shkodran, të ndjerin Myzafer Pipa, me hekur te skuqun në zjarr të vendosun në shtyllën kurrizore. Zyrtarisht, “ai u vra sepse tentoi arratisjen”. Në vitin 1949, i pyetun nga Gjykatësi, Kolonel Koleci tha se ka marrë udhëzime nga Koçi Xoxe. I pyetun “trockisti” Koçi Xoxe, deklaroi se ka pasë “udhëzime nga Komandanti”…!

2)Mbas  dënimit me vdekje të ish Admiralit Teme Sejko, (1961) u dhanë udhëzime të torturohet përsëri me qellim që të nxirrnin të reja nga ai. Tre oficerë, kryekrimineli Nevzat Haznedari, nji nga torturuesët ma të frikëshëm në Shqipëri, tregon se e morën viktimën (ishin tre shokë), e shpunë në nji shtëpi afër Shijakut, porositën disa shkopij të fortë, dhe e vranë fare. Për të qenë të sigurtë se ka vdekë, shkruente ai në shtypin shqiptar te mbas 1991-it, ‘morëm nji kazëm dhe dërmuem kafkën e tij’.

Përsëri, unë tregoj këto shembuj me ndihmue “mendjet e mbylluna” me ardhë në kontakt me realitetin.

*****

Në fund të L2B, Gjenerali D. Eisenhower, kryekomandant i forcave aleate në kontinentin europian, detyroi forcat ushtarake amerikane dhe autoritetet lokale gjermane, si dhe popullsinë e vendit me vizitue kampet e përqendrimit, dhe me deshmue egërsinë e pabesueshme naziste; për ushtarët amerikanë me pa dhe me u njoftue me natyrën e anmikut nazist kundër të cilit ata luftojshin. Efekti ka qenë i fortë dhe i pa harrueshëm.

Përse jo edhe në Shqipëri? Le të zbulohen zonat e shumta të krimeve komuniste:qendra torture, ekzekutime, varreza, kampe internimi, faltore të shkaterrueme e klerikë të vramë, e pronarë të pafajshëm e të shpronësuem padrejtësisht me dhunë, djegje librash e biblioteka të shkatërrueme…e  le të deklarohen ata “objekte shenjte” për popullsinë në përgjithësi, veçanërisht për nxanësit e shkollave. Le të bahen objekte pelegrinazhi e reflektimi, e sidomos reflektimi… për të gjithë! Na do të zbulojshim shembujt ma fisnikë të historisë shqiptare, dhe të karakterit sublim të shqiptarit që guxoi të luftojë deri në sakrificë të huejin pushtues dhe shqiptarin shtypës të pamëshirëshëm, shembullin ma të ulët e ma të urrejtun të shoqënisë shqiptare…!

Le të organizojmë nji fushatë për mbledhjen, koleksionimin, klasifikimin, dhe ma në fund paraqitjen publike të të gjitha krimeve komuniste, të çdo natyre qofshin ata, si dokumentacion të domosdoshëm me shkrue ndershmënisht historinë e trishtë të 45 vjetëve të terrorit komunist në vendin tonë. E mirë ose jo e mirë, ajo ashtë historia e jonë, dhe duhet ta pranojmë. Ata që paguen me çmimin ma të naltë rezistencën e tyne, e kerkojnë! Dekomunizimin shoqënia shqiptare e kerkon; breznia e re në shkollët tona, e kerkon; dhe tekstet tona presin momentin kur ata të plotësojnë këte mision. Nji veprimtari e këtill ashtë nji imperativ kategorik!

Nji përpjekje e organizueme, nga Qeveria dhe organizatat jo-qeveritare me identifikue vendet, me ndihmue, me këshillue dhe me dhanë burime financiare –shtëpi, punë, pensione etj.- dhe sidomos me krijue mundësitë për arsim- kryesisht arsimin e naltë- për viktimët e familjet e tyne të harrueme, për të gjithë ata që dhanë çdo gja për vendin e popullin e tyne, ashtë nji imperativ kategorik

Kështu, qellimi i arsimit progresiv ka mundësi të ketë suksesin e pritun, vumjen e theksit në nxitjen e kuriozitetit tonë për ngritjen e zemërmirësisë sonë të mbrendshme, dhe përjashtimin e  mbrapshtisë së ideologjive totalitare.

Në “Botën e Lirë”, tregu i ideve ashtë i gjanë, dhe eventualisht zgjidhen ato që janë ma të “mira”, në shërbim të njerëzimit pa dallim, pa përjashtim, nji sistem që na sjellë në mendje “darwinizmin” dhe zgjedhjen e “ma të përshtatshmes”. Por, në nji treg ideshë të këtilla, eksperienca na mëson se fashizmi, nazismi, komunizmi, militarizmi japonez dhe “-izmat” tjera me karakter totalitar, – siç ishte ‘enverizmi’ në Shqipëri, -forma ma e mbrapshtë e “humanizmit” marksist- nuk kanë vend.

Ka ardhë koha edhe për ne me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetëvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjsisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta, dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përmbrenda”. Le të bajmë përpjekje me rindertue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”. Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir.

Identifikimi i “të metave tona” ashte hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta dhe bashkëpunimi me të gjithë”.

Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

——————————————————————————-

* ish i burgosun politik (1946-56)

Please follow and like us: