Albspirit

Media/News/Publishing

“Beteja” Siri-Iran dhe si implikohet Shqipëria?

Sulmet ajrore të 14 prillit kundër infrastrukturës kimike të regjimit sirian mund t’i konsiderojmë si pikë pa kthim në lidhje me zhvillimet e ardhshme të këtij vendi. Për shumë vite, Bashar Assadi dhe Irani kanë mundur të përfitojnë maksimalisht nga politika paqëtuese e administratës së Obamës dhe kështu i hapën rrugën hyrjes së Rusisë në Lindjen e Mesme. Viktimat kryesore kanë qenë drejtpërdrejtë popujt e Sirisë, Irakut, Jemenit dhe të shteteve të tjera të rajonit.

Irani kërkon të reagojë ndaj këtyre sulmeve, si për të ngritur moralin e forcave të veta ushtarake dhe të sigurisë në mbarë vendin, ashtu edhe për balancën e pushtetit në rajon. Ndërkaq, duke u përballur me rritjen e protestave antiqeveritare dhe me pasojat e tyre, Teheranit i mungon kapaciteti për të marrë masa jashtë kufijve.

Duke e konsideruar veten përkrahësin kryesor të Asadit ngaqë ka shpenzuar dhjetëra miliarda dollarë në Siri, përpara këtyre sulmeve Irani ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se një iniciativë e tillë e udhëhequr nga SHBA nuk do të mbetet pa përgjigje.

Megjithatë, Teherani ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim pas sulmit ajror në të gdhirë të 14 prillit, ndërsa raportet e mëtejshme në vendet e Lindjes së Mesme tregojnë se bazat e tjera të lidhura me regjimin e Asadit dhe milicitë e mbështetura nga Irani në Siri janë në shënjestër.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei përshkroi në mënyrë të padëgjuar ndonjëherë udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar si “kriminelë”, duke shkelur çdo normë diplomatike. A mund të konsiderohen këto thënie si dritë jeshile për sulme terroriste nga Irani dhe/ose bashkëpunëtorët e tij?

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve “Tasnim”, e lidhur me Forcat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), thotë se Asaeb al-Haq, një grup milicie prej 40,000 vetash, i lidhur me Forcën e Mobilizimit Popullor në Irak (PMF), me marrëdhënie afatgjata me Iranin, ka disa njësi që aktualisht kanë rrethuar forcat amerikane të vendosura në bazën ajrore të Al Zahra, e cila gjendet në veriperëndim të Bagdadit.

Sundimtarët e Teheranit po e kuptojnë qartë se si ka përfunduar politika paqëtuese e Obamës përballë krimeve të këtij regjimi brenda vendit dhe atyre të milicive të lidhura me të jashtë vendit. Që kur administrata e Trump-it ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, kemi parë veprime të forta kundër qëndrimit luftënxitës të Iranit, që kanë dhënë rezultate të rëndësishme.

Prej kohësh nuk po dëgjojmë raporte mbi anijet e IRGC, që sulmojnë luftanijet amerikane në ujërat ndërkombëtare të Gjirit Persik. Kanë kaluar muaj që kur Teherani bëri një provë lëshimi të një rakete balistike. Në vend të kësaj, ata po përdorin Houthisët e Jemenit për të lëshuar raketa iraniane në Arabinë Saudite që të mbulojnë çdo gjurmë dhe të shpëtojnë prestigjin sa për sy e faqe deri në një farë mase.

Në kryengritjet mbarëkombëtare të muajve të fundit, të cilat tronditën shumë nga shtyllat e krejt aparatit të Teheranit, populli iranian po proteston gjerësisht ndaj ndërhyrjes së regjimit në Lindjen e Mesme. Kjo, paralelisht me krizën e fundit monetare, po e pengon regjimin iranian që të ndërmarrë nisma të gjera ushtarake në rajon.

Politika e fortë e Trump-it ka detyruar gjithashtu Korenë e Veriut që të bjerë dakord për të pakësuar ndjeshëm programin e armëve bërthamore dhe raketat balistike. Rusia, duke qenë në gjendje për të paraqitur kërkesa vitet e fundit për shkak të dobësisë së Obamës dhe të marrjes së një pike të rëndësishme të Lindjes së Mesme përmes fushatës së vet në Siri, nuk pranoi t’u përgjigjej sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër forcave të Asadit.

Irani përfitoi nga dobësia e politikës paqëtuese duke ndërmarrë sulme ushtarake, që synonin eliminimin fizik dhe gjithashtu demonizuan opozitën, ndërsa Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe në veçanti Organizata e Popullit Mojahedin e Iranit (PMOI/MEK), janë pjesëtarë të këtij koalicioni politik, që konsiderohet si alternativë ndaj regjimit iranian.

Në Irak, anëtarët e PMOI/MEK kanë qenë objektiva sulmesh të shumta tokësore dhe raketash nga milicitë e lidhura me Iranin. Teherani i përdori këto metoda për të kompensuar humbjet rajonale, duke përfshirë sulmin vdekjeprurës të shtatorit 2013 ndaj bazës kryesore të PMOI/MEK në Irak, pasi negociuesit bërthamorë të Teheranit filluan bisedime sekrete për të frenuar programin e tyre bërthamor.

Pas transferimit të të gjithë anëtarëve të PMOI/MEK në Shqipërinë ballkanike, aftësia e Teheranit për të kryer sulme ushtarake kundër tyre është e kufizuar. Megjithatë, Irani ka vënë në lëvizje një makinë propagandistike shumë aktive dhe e ka zgjeruar së tepërmi misionin e ambasadës së vet në Shqipëri.

PMOI/MEK ka pritur në Shqipëri personalitete të larta amerikane, si këshilltarin e ri të Trump-it për sigurinë kombëtare, John Bolton; këshilltarin e Trump-it për sigurinë kibernetike, Rudy Giuliani; senatorin John Mçain dhe delegacione të larta të Kongresit në raste të veçanta. Lobistët e Teheranit, veçanërisht ata në SHBA, i etiketojnë këto zhvillime si “prirje e SHBA për luftë kundër Iranit”. Kjo është përpjekja e Teheranit për të larguar vëmendjen nga çështja aktuale kryesore, që është ekzistenca e një lëvizjeje popullore të rezistencës dhe e një alternativë demokratike iraniane, që përfaqëson vullnetin e vërtetë të popullit iranian për ndryshimin e regjimit.

Në përgjigje ndaj figurave të larta të SHBA-ve që mbështesin PMOI/MEK dhe politikën e ndryshimit të regjimit në Iran, Teherani po i përqendron masat e tij demonizuese kundër kësaj organizate për të dëmtuar simpatinë shqiptare në lidhje me praninë e PMOI/MEK në Shqipëri dhe duke pretenduar se regjimi iranian nuk ka alternativë.

“Duke marrë parasysh përvojën e tyre me diktaturën dhe shtypjen, shqiptarët e kuptojnë dhimbjen dhe vuajtjen e PMOI/MEK”, tha ish-deputeti shqiptar Namik Kopliku. “Ne jemi krenarë që u japim një strehë të sigurt PMOI/MEK, të cilat kërkojnë liri për Iranin. Nga ana tjetër, po shohim një gamë të gjerë masash nga lobistët e Iranit në mediat shqiptare, tek përpiqen të përhapin gënjeshtra dhe të dëmtojnë imazhin e PMOI/MEK në sytë e popullit tonë”.

Si rezultat, ekziston mundësia që Irani t’u përgjigjet vështirësive në Siri, duke nisur një fushatë të re mediatike kundër anëtarëve të PMOI/MEK në Shqipëri nëpërmjet lidhjeve të tij me mediat perëndimore, duke u përpjekur ta delegjitimojë këtë alternativë dhe ta paraqesë çështjen e Iranit si një zgjedhje thjesht midis luftës dhe paqëtimit.

Nëse Uashingtoni synon ta konkretizojë politikën e tij të fortë në Lindjen e Mesme me rezultate të rëndësishme, duhet t’i vërë kufi Iranit. Kjo nuk është thirrje për një luftë të re dhe të panevojshme në Lindjen e Mesme. Në të vërtetë, kjo është thirrje për të mbështetur popullin iranian dhe lëvizjen e organizuar të rezistencës në protestën e vazhdueshme antiqeveritare, së bashku me vendosjen e sanksioneve dobësuese ndaj IRGC dhe Bankës Qendrore të Iranit. Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin ka sinjalizuar kohët e fundit kthimin e mundshëm të sanksioneve “shumë të forta” kundër Iranit.

Këto masa të koordinuara do ta dobësojnë dukshëm Teheranin brenda dhe jashtë vendit dhe do të lehtësojnë ndryshimin e vërtetë nga ana e popullit iranian dhe të opozitës së qëndrueshme.

https://www.forbes.com/sites/heshmatalavi/2018/04/18/how-will-iran-respond-to-the-syria-attacks/#573043a46f8e

Please follow and like us: