Albspirit

Media/News/Publishing

Frederik Ndoci: Një kujtim për Sherif Merdanin në ditëlindjen e motrës sime

 

Fotografia e Frederik Ndoci

Sot lexova një shkrim biografi të familjes Merdani!

E çfarë vlerë mund të marrë hapja e dosjeve, pas këtyre që lexova, urrej edhe vehten, që nuk imagjinoja as përqindjen më të vogël të vuajtjeve të tyre dhe megjithatë magjikërisht ndoshta intuitivisht doja dhe respektoja talentin e tij, Sherif Merdani.

Në vitin 1989 Sherifi gjendej spektator në sallën e Teatrit të Korçës, ndërsa jepnim koncert Rita Ndoci (që ka ditëlindjen sot më 20 prill), motra tjetër që njihet me emrin Juli dhe unë, kur në sallë nga e djathta e jonë, qëndronte në këmbë i mbështetur pas murit Sherif Merdani, artisti që unë admiroja. Ndërsa Juli po performonte, unë dhe Rita prisnim radhën dhe i them Ritës: A ta ftojmë Sherifin në skenë?

Dhe ashtu ndodhi, unë zbrita shkallët ndërsa Rita po tregonte se edhe ne kishim idolat tona dhe në momentin kur unë isha afër me Sherifin ajo pohoi: Ja psh vëllai im gjithmonë ka pëlqyer Sherif Merdanin… dhe në këtë kohë unë i fus krahun dhe e ftoj në skenë.

Pak si përdhuni, pasi ai hezitonte duke thënë: Mos se u morët në qafë?

Por ne insistuam dhe e ngritëm në skenë, euforia jonë por imagjinoni për spektatorin korçar, ata 500 veta atë moment u ngritën, puthnin skenën, na hidheshin në këmbët tona, fishkëllima e britma hareje për rreth 30 minuta, njerëzit ndoshta mendonin se filloi revolucioni dhe vërtet erdhi liria, gjersa hynë forcat e policisë, (duket të lajmëruara nga ndonjë komunist) dhe filluan të godisnin pa përjashtim të gjithë. Shfaqja u prish, skena u mbyll dhe pas 15 minutash, pat grupe të ndryshme jashtë në sheshin para teatrit që akoma brohorisnin emrat tanë dhe fishkëllenin…

Pas pak ra mbrëmja dhe neve na u anullua shfaqjet të tjera, por më pas vazhduan shfaqjet në Pallatin e Sportit edhe për disa ditë. E nxorra këtë ngjarje për emocionet që ndjeva nga shkrimi dhe me rastin e ditëlindjes së motrës mizore, Rita Ndoci.

Please follow and like us: