Emil Asdurian: MBLEDHËS-GJAHTARËT DHE PARTITË (1)
(Pjesa e parë)
Ese
U
“U”, kështu e thërrisnin, kundronte yjet.
I pëlqente ta bënte këtë, majë atij shkëmbi që binte thikë mbi det, ku valët përplaseshin me zhurmë dhe piklat e kripës i lagnin fytyrën. Pak më tej, grupi rreth zjarrit përgatitej të flinte. Burrat, si përherë vinin qark për ndonjë ndjellëftesë, si fëmijët gjumin. Por, ai e dinte se ku duhej të shkonte, lajmin e kish marrë me erë. Do priste dhe pak, sa të fshihej hëna…
Kish disa ditë që i vërtitej në mendje, një fjalë e re: “kundroj”. Ridhte vetiu nga “kund”, shpesh kumbonte nën hundë, por tregonte dhe vendvendosje,“ku”, nga pritej të vinte diçka drejt teje apo ti drejt saj. Ballas, q’atje, këtu. Yjet rrëzoheshin, nga rrëzë e qiellit poshtë, si shkëndijat e zjarrit, që shuheshin sa preknin tokën. I kish parë si binin me një bisht të gjatë drite. Kish parë dhe si lëviznin, disa me trokth e disa zvarrë, dhe ca, që vështronin, nga kubeja, të ngrirë. Aty mendja, lëkundej sa tek njeri tek tjetri, përkundej e kundej (tutej), nga e panjohura, vdekja, në prite tek çdo cep dhe cast.
Pse e thërrisnin ‘U’? Ndoshta se klithëte si ujk kur i shkrepej apo se si foshnjë kish qenë qaraman. S’ish i veçantë. Po të ish kështu, do ta kishin quajtur Ua, (pak i gjatë si emër). Veten e kish kundruar në pellgun e ngrirë, flokët e drejtë në dregëza balte dhe pluhuri. Sy të vegjël, hund pak të kthyer si sqep, me disa fije të gjata, që nga brenda dilnin lart kryeneçe, si degë të reja hardhie, dhe kaq. Me tofije ndjente, çdo dridhje nate, ngrohtësinë e flladit, idhësinë e gjetheve në pranverë, erën e mishit që kalbej diku larg dhe mbi të gjitha afshin e grave. Oh, sa herë e kish pësuar për ketë ndjesi qimesh, se ish ai i pari të parandjente rrezikun me to. Flinte gjithmonë në hyrje të guvës, andej nga pritej rreziku. Që kur luani i malit kish shqyer vëllanë A, (emrin ia kishin vënë jo se kish lindur i pari, por se qè i bardhë dhe i bukur si hënë dhe që tani e kujtonin me nje tingull të veçantë “A-hhh”, midis dhembjes dhe psherëtimës, se të gjorin nuk kishin mundur ta shpëtonin. Ndaj s’flinte kur flinin, kundronte yjet dhe erën kundërmonte me kujdes. Ecte dhe vraponte mbi dy këmbë. Vidhte mishin e bishave si korb. Ngrinte kurthe, ngjitej në pemë, notonte, mihte në kufoma dhe për rrënjë te shijshme. Dinte të bënte hushta me majë kocke a guri. Bënte sëpata stralli dytehshe. Pëlqente të ngjyente muret e guvave me ngjyre të kuqe. Gjurmën e dorës e kish lënë ku mundte. Kundrimtar, kur të tjerët mbyllnin sytë a syhapur nuk shikonin. Fshehurazi, kënaqej me atë, në afsh, deri sa zbardhte agu. ‘U’ ish ‘U’ i veçantë nga era, zëri, pamja dhe nga sjellja. Bënte sikur, por nuk gënjente, ende.
Diku, në një ultësirë në brinjë të malit të Dajtit, nga prurjet e përroit Lanë, në fillim të viteve 40-të, një ekspeditë paleontologjike italiane, kish zbuluar disa vegla guri, më vonë datuar si të paleolitit të poshtëm, por çuditërisht asnjë ashtgur.
Se cili ishte ai që mjeshtërisht krijoi me duar këto vegla guri, në shoqërinë e parë njerëzore, pasi lëçitën gjithë të dhënat, e mbledhës-gjuhetarëve (hunter-gatherers), as q’u munduan ta zbulonin, por se:
- Ish përshtatja e parë dhe më e suksesshme e njerëzimit, zë 90 për qind të historisë së tij. Sistem strategjik mbijetese i Homo Erectus dhe Sapiens, që zgjati për 1.8 milionë vjet. Shoqëri e cila mbahej me tagjitje (foraging) kërkim, mihje, mbledhje, vjedhje, gjueti.
- Ish kulturë me ethos egalitar. Gratë e barabarta, shpesh më të zonjat se burrat dhe në gjueti. Bashkësi, e cila ndryshonte kryekëput nga “mbretërimi prej një mashkulli” në grupin e majmunëve primatë, (jo Priamatë), sa argumentohet, se ishte “mosbindja ndaj nënshtrimit, (liria) faktori kryesor që çoi në zhvillimin e ndërgjegjes, gjuhës dhe shoqërisë”. Barazia ish pasojë e mungesës së tepricave, lëvizshmëri-mërgimit. Ish barazi ekonomike dhe shoqërore.
- Fisi qè baza e asaj shoqërie. Vendqëndrimi pas martese, matriarkal. Nënat ndihmonin bijat e tyre, rishtazi nëna. Lidhjet në fis, të lirshme, më të fortat nga ana e nenës.
- Nuk kishin udhëheqës të përhershëm, çdo njeri, që do të merrte inisiativën në varësi të aftësive dhe detyrës që duhej kryer. Ndarja shoqërore e punës sipas aftësive, por dhe gjinisë.
- Punonin më pak se 6 orë në ditë. Jetonin e ushqeheshin mirë. Kënaqeshin me pak, me gjëra të natyrës materiale, por për ta, hapësira shpirtërore shtrihej në çdo gjë. Shkëmbimi i ndërsjelltë, i menjëherëshëm dhe i barabartë i të mirave materiale, sistemi i vetëm, “ekonomi e dhuratës”.
- Përgjithësisht të heshtur, komunikonin më shumë me gjeste dhe mimikë. Flisnin, gjuha ende e paformuar mirë, vetëm pas meditimit të gjatë, apo kur duhej të merrnin vendime të rëndësishme. Klithnin në luftë dhe frikë.
- Ishin ata Promethetë e parë, ata që zbutën zjarrin.
Që atëhere diçka, diku u prish dhe s’ndreqet më. Cila ishte dhe të mendojmë, se ndoshta duhet të mendojme, sa shumë dhe cfarë kemi humbur në këtë zhvillim gjatë këtyre tre mijevjetëve.
Sokrati-Sofist (10,000 vjet pas U)
“Bukuria s’mund të jetë kurrë e shëmtuar. Cilësi në vetvete, hyjnore dhe e përkryer. Ndryshojnë ndjesitë tona për të, padija…” dhe mendjen humbi, e dërgoi, në ato forma të harkuara, tek ato të pasme ndjellëse në dridhjen e ecjes, me përpjestime krijuar diku përtej Qiellit, që si Ganimedi, të bënin për vete Zeusin, si Pelopi, Posedonin, si Qiparisi trup-drejtë, Apollonin, Dionisin e marrosur pas Ampelonit (verës), të gjithë përveç Aresit, i cili pinte vetëm gjak lufte, ishin të dashuruar me “djelmtë e dashtun”, pse jo ai? Këtë e dinte. Të tjerët e besonin.
“Ajo hyjneshe, që veten hedh kudo atje ku prek, përveç se është e përkryer, e pëlqyeshme, një afsh këndje, një tërheqje urie, si ëmbëlsia, etje jep më shumë, shkëmbehet midis trupave si drita e ngjyrat. E pse jo, ai, kaq i kundruar të mos magjepsej me të njejtën formë, të fortë, si një frut ende i paarirë, gjoksin e një vashëze, kryelartë majë gritur, për veten e për sytë e djegur…” dorën e ashpër, që s’kish shkruar kurrë, i lumtur për këtë gjetje, mendimi, të perkuar me një kujtim të këndëshëm, lehtazi e kaloi mbi bark. “Ah!”
Ajo që po luhej aty, dhe pse e zymtë si një dramë, ishte një komedi gjasish të gabuara. Askush s’ish, ç’ishte. Nga fjalët dhe toni i lartë i zërit, të denja për një theatërreth, si ai në qender të Athinës dhe për atë sofër në odën e pritjes së Kokës,(Cephalus) një sipërmarrës batakçi, i cili kish “dalë në pension”, kur në të vërtetë, dihej se s’ish tjetër veç një “sikur” për të mos paguar taksat. Për bashkëbisedimin e zjarrtë nga avujt dehës dhe rëndësinë e temës. Vendi dhe personazhet. Të gjitha. Drejtësia, në fjalë jo!
Në një cep, pranë Kokës dhe në qendër, i biri i gurëgdhendësit dhe i mamisë Fenarete (Fiqerete), nga fisi i Antiokëve, nga Atika, në anë të Spartës. Dikur vetë ai, Sokrati, kaq i njohur për gjuhën vrastare, kish skalitur në mermer Mëshirat, vendosur në tregun e Athinës, por askush asnjëherë s’e mbajti mend për këtë.
Platoni, shkroi ç’dëgjoi dhe pa, por dhe shumë nga e vetja! (Pse për të qenë më e besueshme, veprën tënde duhet ta shkruajnë, si për Jesunë, të tjerët?) As emri Republike s’është, i saktë, por një formë e menduar “ideale” qeverisje, ku dhe ajo vetë s’është e përsosur. Apo e gjitha ish vetëm një himn për Dijen? Ajo, e cila përcakton Bukurinë dhe më shumë të Drejtën. “Padrejtësia më e madhe në shoqëri, (ashtu si në bashkësitë e mbledhës-gjahtarëve), ish të fusje hundët dhe të bëje punët e të tjerëve, ato për të cilat s’kishe as talent as aftësi”! E thënë kjo nga skalitësi filozof? Kush tjetër, në atë rrëmujë? Arkondë me kohë dhe para?
Ç’kish mbetur prej gjithë ketij vargu bisedash, ish bashkësia, e vullnetshme dhe e domosdoshme për të gjithë. Pa të cilën njerëzit nuk mund të egzistonin. Të vetëm, e pamundur të mbijetonin. Grupimi, i pa mundur pa Drejtësi. Gjeniale! Vazhdimi i ndarjes fillestare shoqërore të punës, jo aq nga gjinia, por nga aftësitë. Të menduarit konsiderohej aftësi si gjithë të tjerat. Shumica, mbi të gjithë e të gjitha, për miliona vjet thërmonte unin, jo vetëm në marrëdhëniet me grupin, por dhe brenda vetes. Humbja e parë e lirisë. Kolonia e milingonave vuri poshtë Gorillën e plotfuqishëm. Drejtësia: “së pari mos bëj keq” (primam non nocere) dhe së dyti, secili të bëjë atë që bën më mirë (prirje).
Ndarja e të mirave, e “barabartë” a e barazpeshuar. Sundimtarët, të drejtët, gjakartët, pushtet dhe forcë vendimi. Jo pasuri. Të tjerët, mjeshtër, gjakhekur, punëtorë, (qoftë dhe poetë si Homeri), mblidhnin ar, pronë e pasuri. “Ndryshimet midis klasave, ishin jo në privilegje, por në Funksion”. (Ruajtësit mbronin shtetin e bashkësinë, mjeshtërorët prodhonin). Për Platonin apo Sokratin, të mirat dhe të këqiat e përkatësisë së çdo klase, barazonin e fshinin njëra-tjetrën. Drejtësi dhe Barazi. Shteti s’ish ndërtuar për të mirën e sundimtarëve, por për lumturinë e grup-bashkësisë, (njësi më e madhe se fisi, ndërsa përfshinte të gjitha mjeshtëritë), e shumicës.
Fati i çdo njërit përcaktohej nga gjaku. Lindte dhe vdiste në klasën e vet. Ruajtësit/sundimtarë nuk kishin pronësi. Jetonin të gjithë bashkë. Nuk kish familje. S’kish as e imja dhe as e jotja. Të gjithë konsideronin më të vjetrit at dhe mëmë, moshatarët vëllezër dhe motra. Në vend të martesës, “Festivale Riprodhimi”. Fëmijët vendoseshin në klasën që u përkiste sipas gjakut, nëse ndonjë nga prindërit në marrëzi e sipër kish bërë dashuri me dikë të një klase tjetër. Nuk kish zgjedhje vetjake, që fëmijët të ishin më të mirët (eugenics?), por kjo do bëhej në mënyrë të tillë që të zgjedhurit, të kujtonin se zgjidhnin, ndryshe do bënin të kundërtën, për të prishur rregullin. Siç thotë Platoni në Librin/Akt III: “Të gjithë duhet të besojnë në një ‘gënjeshtër të madhe dhe të fisme’ se janë të lumtur në gjendjen shoqërore që kanë, sipas gjakut që u rrjedh ndër deje”.
“Kjo shoqëri do të jetë me të vërtetë kur filozofët do të bëhen sundimtarët e kësaj bote ose kur ata që i quajmë mbret dha zot të bëhen filozofë të vërtetë, kështu që fuqia politike dhe filozofia të jenë në të njejtat duar”. Plato Libri/Akt V, Pjesa 15. (Se cilët janë këta filozofët do e shohim më vonë).
Darka për ndër të deas Bendis, paraprirëses ilire të Artemisës, perëndeshës së Hënës dhe të gjuetisë, e cila pat filluar me stafeta kalorësish me pishtarë, po mbaronte me gërrhitje, në shkrepëtimën e parë të agut. Festë për një perëndi barbare ilire në zemër të Greqisë. Ndërsa ai plak dinak, që rrinte ashtu duke vështruar ngultazi, përtej pragut të derës, sikur kërkonte të gjente dicka, që flokët e renë ballin i ngrinin më lart si shpat mali, syve u jepnin një picërrim e shkëlqim të errët, ndërsa hunda mishore kokën mbante lart me kryeneçësi, mjekra e dendur pakëz me yndyrë, ndiqte rrezet e diellit, mendonte se çfarë do t’i thoshte Ksanthipit gjakënxehtë, që pa asnjë dyshim do të mendonte se e kish kaluar natën mes epshit të shfrenuar, kur ajo e priste e shqetësuar!
Tashmë i lodhur nga të ngrënët e tepërt dhe biseda e gjatë për “shtetin e drejtë ideal”, miku dhe këshilltari i Tridhjetë Tiranëve të Spartës, Sokrati, dijetari që s’diti asgjë, veç dashurisë, siç e kish thënë dhe vetë, ra të flerë i fundit.
Vijon