Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: AVNI RUSTEMI, ESAT TOPTANI – HERONJ APO TRADHTARË?

 

Po shpreh mendimin tim rreth disa qëndrimeve në shtypin e shkruar ndaj figurës së Avni Rustemit dhe të Esat Pashë Toptanit.
Nuk kam ndonjë simpati të veçantë për Avni Rustemin, por më duket se atë duan ta nxijnë për të rehabilituar dikë tjetër. Për mua Avni Rustemi nuk është figurë politike me peshë. Ka qenë gjithsej 3 vjet në politikë (qershor 1920-prill 1924), një i përdorur në lojërat politike të luftës për pushtet.
As miti i Avni Rustemit hero, për mua, nuk qendron.
Përgjithësisht nuk ka heronj të tipit të pastër, (ta zëmë, as dhe Azem Hajdari). Nuk ka heronj të panjollë, vetëm të bardhë për sot, për nesër dhe përjetë. Ka heronj që shkëlqejnë në një fragment kohor. Nuk ka hero jashtë konteksteve. Nuk ka hero përmbi kohët. Engjëjt në qiell janë veç dritë që digjet në altaret hyjnore. Engjëjt si dritë nuk i përfillin kohët, rrethanat, interesat. Engjëjt kurrë nga askush nuk u shfrytëzuan.
Më 1920 kur Avni Rustemi u përdor nga historia, (nga aktorët e interesuar politikisht) për të qëruar Esatin, të gjithë e pëlqenin këtë akt. Ndër disa kandidatë është hedhur me short kush do ta vriste Esatin, dhe ka fituar Avniu. Mandej atë e financuan: para, pasaportë shqiptare, bursë shtetërore si student. Pra, ka pasur një marrëveshje mbi-e-nën-tavolinë për ta bërë këtë vrasje (për interesa shtetërore).
Të gjithë xhentëlmenët shqiptarë të kohës, zotërit e lartë të politikës së atëhershme, heshtën, e mbyllën njërin sy. Kjo se vrasja e Esatit u shërbente interesave të pushtetit të tyre (heshtën bejlerët e mëdhenj Vlorajt, Verlacët, Vrionët, Zagollët, Libohovat, heshtën deputetët e Kongresit të Lushnjës, ministrat edhe vetë Zogu). Të gjithë e shfrytëzuan Avniun.
Sot hero po shpallet Esati, Esati që… veç të tjerësh, Drashkoviçi, politikan, ish-ministër i Jashtëm, shkrimtar, personalitet serb, thotë se, sa herë shkoj në Paris, i çoj lule këtij Esatit. Po rehabilitohet Esati që dhe pas rreth njëqind vjetësh nga vdekja varri në Paris i sajdiset me lule të freskëta nga politika e lartë e Serbisë. Sot madje shembullin e tij si mik pa kushte i Serbisë ia propozojnë indirekt Edi Ramës.

Këtu shumëçka nuk shkon.
Nuk e kuptoj dhe pse ata që rreken të rehabilitojnë Esat Toptanin, më parë duan të rrëzojnë monumentet dhe virtytet historike të Avni Rustemit. Nuk jam historian e në këto që po them mbase më udhëheq inercia. Një mit është e vështirë ta rrëzosh duke i kundërvënë një tjetër, aq me tepër t’i kundërvësh Esatin.
Kur them më udhëheq inercia, shtampa e krijuar, kurrë nuk e justifikoj vrasjen e Esat Toptanit nga Anvi Rustemi. Është një krim. Prapë në inercinë e vlerësimit të A. Rustemit nuk bazohem në dijet që vijnë vetëm nga vitet enveriane. Shkoj më thellë. Mbi varrin e këtij Rustemit ka folur Atë Gjergj Fishta (siç dinte të fliste ai), ka folur imzot Noli. Ka telegrame nga L. Gurakuqi… Nuk besoj se Fishta e Noli do të flisnin mbi varrin e Esatit… as të Zogut, as të… Enverit.
Avniu na qenka një vrasës me pagesë… dhe kjo nuk qendron. (Noli e Fishta mbi varrin e tij nuk thanë kështu).
Në ato vite për gjiithë opinionin shqiptar, me a pa të drejtë, ishte rrënjosur ideja se Esati ishte gjëma, sëmundja vdekjeprurëse e Shqipërisë. Dhe kjo e keqe duhej qëruar me plumb kokës. Një opinion ky në elitën dhe poshtë në shuallin e shoqërisë.
Ky ishte niveli i mendimin politik. Si mjet në tranzicionin e pushtetit nuk përjashtohej as vrasja me plumb e kundërshtarit politik.
Eliminimi fizik i tjetrit në politikë, ushtrohej jo vetëm në Shqipëri.
Në ato vite dhe Rusia Sovjetike, dhe Musolini (Çështja Matteoti), dhe Hitleri vrisnin deputetë, ministra si kundërshtarë politikë.
Zogu për pushtetin e tij, për stabilitet politik, vrau Rustemin, Kryeziun, Totot, Currin, Prishtinën, Gurakuqin etj.
Enveri jo thjesht për pushtet, më shumë për paranojë, vrau qindra e qindra vetë si rivalë imagjinarë, vrau deputetë, ministra, gjeneralë.
Edhe gjyqi francez që e kapi në flagrancë me armë në dorë, që kishte përpara dhe kufomën e Esatit, e fali Avni Rustemin. Atmosfera e kohës brenda e jashtë Shqipërisë Avniun e bëri hero. Koha e justifikoi vrasjen shtetërore të Esatit.
Më tej…
Avniu më tej, duke mos qenë politikan race, gaboi.
Edhe për Esat Toptanin vazhdoj të gjykoj për inerci. Më vijnë ndër mend, por nuk dua t’u referohem historianëve komunistë. Edhe libri i I. Konomit nuk më bëri të ndryshoj mendjen për Esatin, një pasha turk, që nuk bëri asnjë betejë për Shqipërinë. Veç luftës në kuadër të Turqisë, nuk u përplas ushtarakisht me serbët, me grekët a italianët. Ky kryeministër e ministër mbrojtjeje i Shqipërisë, ka intriguar e flirtuar me gjithë ato ushtri që para syve të tij pushtonin tokat e atdheut të vet.
Eqrem Vlora dhe i ati e përçmojnë Esatin. E akuzojnë si hajdut ordiner që vodhi orenditë e shtrenjta deri lugët e fajancat në pallatin princëror të Vidit.
Një historiane angleze në librin për Konferencën e Paqes së Parisit, thotë se ai nuk dinte asnjë gjuhë evropiane, por ua njihte ngjyrat gjithë parave të shteteve evropiane.
Sot, datë 23. 04. 2017, në gazetën “Dita” dr. Marenglen Kasmi sjell dokumente të panjohura gjermane. Në to Esat Pasha vizatohet si një analfabet i hurit dhe i litarit. Në biografinë e një shkrimtari austriak ai vizatohet me ngjyrat pikante të pashait oriental. Nga ky biograf për vdekjen e Toptanit thuhet se në një ditë qershori 1920 atij “iu mor jeta plot stil… nga një patriot shqiptar”.
Ata që duan ta rehabilitojnë, nuk duhet të ulin Avniun, nuk duhet të shajnë historiografinë enveriane. Duhet të na bindin se pse arkivat e huaja, përveç atyre serbe, sjellin kaq dëshmi të zeza për këtë korb që me zor duan ta bëjnë të bardhë.

 

Please follow and like us: