Anissa Markarian: 24 PRILL…
Këtë rrëfim të shkurtër – një pikël uji në detin e hidhur të dëshmive – e rregjistrova me rastin e 100-vjetorit të gjenocidit armen në shenjë respekti e nderimi për vuajtjet e të parëve.
Muaji prill më është i zorshëm. Ringjallen kujtimet e dalin në sipërfaqe gjurmët e pashlyeshme të nostalgjisë që ndrydh përbrenda qëherthi. Sepse në prill, më shumë se kurrë, ndihem fëmija e nanurisur me rrëfenja të dhimbshme që më therin shpirtin e më brishtojnë.
Jam bija e një armeni që u mbijetoi masakrave otomane, marshimit rraskapitës drejt shkretëtirës, skamjes dhe epidemive vdekjeprurëse.
Nuk e dëgjova tim atë të kërkonte kurrëfarë privilegji në emër të torturave e të padrejtësive që kishte pësuar.
Nuk e pashë kurrë të qaravitej. Kur përmendte prindërit e vdekur rrugës së mërgimit brengosej në heshtje, me nofullat shtrënguar.
Kur na tregonte dëbimin e dhunshëm nga vendlindja përsëriste si refren: mendonim se ushtarët turq sillnin ujë për të shuar flakët, por ishin bidona me vajguri që shtëpitë armene të shkrumboseshin fare.
Kur e qesëndisnin se ç’iu desh të zgjidhte Shqipërinë për të imigruar përgjigjej: më zgjodhi Shqipëria mua.
Ky ishte im atë.
Në përvjetorin e 103-të të Krimit të Madh (Մեծ Եղեռն), uroj e shpresoj që sakrifica supreme e një milion e gjysmë armenësh të vlejë për të mos harruar kurrë faktet e pamohueshme të gjenocidit. Të të gjithë gjenocideve. Të atyre të kryer, të atyre që po kryhen përpara syve tanë, të atyre që mund të kryhen në të ardhmen nëse mbyllim sytë, veshët, gojën…
KURRË MË!
A.M.© 24 Prill 2018