Jozef Radi: Emigrimet e trishta të hipokrizive tona!
Deri në këtë shfaqje të fundit të saj, Ornela Vorpsin, e kam parë si një vetvete në rrethana të tjera, si një vajzë që e ka ngjitur me mundim të përpjetën e siziftë të jetës dhe e kam përcjellë me sa kam mundur, me një dashamirësi të skajme si jetën, edhe ngjitjen dhe ngjizjen letrare e artistike të saj… Besoj se vetëm një fëmijë që i ka jetuar krejt privimet e një fatkeqsie kolektive, mund ta kuptojë një sivetje të tij, dhe të ruajë ashtu në heshtje konsideratën për një të ngjajshme të tij, në kohën e madhe të fatkeqsive Pse Vorpsi është ende një grua sharmante, një femër me sjellje dhe kulturë joshëse, një zonjë që mundet t’i shprehë me lehtësi krejt emotivitetet e veta dhe t’i komunikojë ato me delikatesёn e një buzqeshjeje në rrafshnaltën cinike tё opinioneve tona, e qё befas zbret me aq koketëri tё shkujdesur në rrafshultën e atyre shërbimeve që dukshëm bien erë… Mbetem keq (dhe jo vetёm unё) kur e thekson në vazhdimësi atë mendimin parizien a francez, për gjëra që i trishtojnë, mendjet tona tё ngёrçosura dhe sofrat tona të pastolisura si duhet, përmes fjalësh dhe fjalish, për të cilat jam i sigurt se nuk i beson as vetë; me ato mahnitje që na paskan lёnё pa frymë ato botë të rafinuara me kulturë e aristokraci të lartë… me ato dërdëllima nostalgjike pёr kohrat kur e keqja nuk ishte edhe aq e keqe!! Oh Jo, mjaft tё lutёm…! Unë nuk arrij ta kuptoj si një grua, një zonjë, po edhe një cilado qoftë që e konsideron veten intelektuale, mbasi shpërndan kësi gjepurash gjigande sa malet, duhet tё ndalet dhe kqyret paksa përpara pasqyre, pёr çka reciton!!!
Dashuritë platonike në ditët e shkollës
Dashuria platonike, s’ka asnji lidhje me konceptin vulgar “ma var s’ma var”. Dashuria platonike është konteplimi i thellë deri në adhurim i një objekti apo subjekti, pa pretenduar asgjë prej tij… Përndryshe është dashuri karnale, si gjithë të tjerat e kësaj bote. Zonja Vorpsi, dashurinë karnale të saj, kur s’e ka realizuar ashtu si dëshironte (sё paku kёshtu thotё), ia ka faturuar me padrejtësinë më të madhe platonikes, duke i bërë një shërbim të keq kulturës së vet…Kurse dashuria nxënës-mësues, është diçka e bukur, që meriton të trajtohet pak më gjerë, pasi është e njohur, e shumëkujt prej nesh mund t’i ketë ndodhur nji lloj magjepsje e tillë. Ekziston te pothuaj çdo nxënës një lloj adhurimi për mësues të veçantë përgjat rrugëtimit të shkollimit. Kjo më së shumti nuk ka lidhje me seksin, po me efektin që mjeshtër të vërtetë të pedagogjisë dhe komunikimit krijojnë përgjat mësimdhënies. Kjo magjepsje, nga një anë jeton brenda secilit prej nesh, po nga ana tjetër kam vërejtur se ashtu si mësuesit magjepsin nxënës të tyre, me kalimin e viteve ka mjaft mësues që magjepsen prej nxënësve të tyre, kështu që ky adhurim me kohë ndodh që të ndërrojë edhe kah!! Ndaj s’kam asgjë kundra kësaj reciprokësie të spostueshme adhurimi. Shqetësohem seriozisht kur ky adhurim esklamativ mbas tridhjetë vitesh shpërthen dhe mbush ekranet me një paftyrësi të lëbyrtë mediatike; e kur ky adhurues i magjishëm na qenka pikërisht ftuesi i zonjës në fjalë, i cili befas “Hapu Sezam!” ia ka shpërthyer gjitha portat e parajsës publicitare (PPP) kësaj zonje, e cila na shfaqet po aq dorëlëshuar në shprehje të pashijshme sa ne mbetemi pafjalë, dhe me urgjencë kërkojmë të kuptojmë fenomenin. As sharmi i saj i dikurshëm, as inteligjenca jashtzakonshme e profesorit të saj, as ajo “rini rebele”, “as mahnitja ndërkombëtare” nuk mund ta fshehin më këtë shkëmbim favoresh të vona në reciprokësi fyese, që mund të konsiderohen asgjë më shumë se një tejkalim i dukshëm i qesharakes, një bojatisje e vonë e mureve të laskarueme të moshës, një tallje me situatën ku ndodhetnje vend buzë gremine, një grua jashtë kohe dhe një kryeministër jashtë realiteti…
Të përndjekur qe lëvdojnë përndjeksit
Ornela përfaqëson edhe atë shtresë shoqërore që vjen pësuese nga trauma e diktaturës. Sipas fjalëve të saj, ajo ka qenë 7 vjeçe kur i arrestuan të jatin; ka qenë diku te 8 o më shumë kur ka parë për herë të fundit humnerën e Spaçit dhe mori në letër dhëmbët e thyer të të atit nën tortura; ka qenë 9 o më shumë vjeçe kur prindët e saj u ndanë “për të shpëtuar të shpëtueshmen”, ndoshta nën kërcënimin e Sigurimit apo Partisë; pra elemente të mjaftë për të qenë përjetsisht e traumatizuar, po edhe një vajzë kokforte ndaj atij vendi që s’e ka dashur kurrë!! Pastaj vjen adoleshenca e mungesave, shfaqja e bukurisë rebele, gjimnazistja që besonte në Artin si shpëtim, pastaj studentja që shkëlqen… jo veç me rininë dhe bukurinë e saj, po me të qenit e shlirtë dhe këmbëngulëse në realizimin e saj… Pastaj vjen ikja, ajo ikje pakthim, ku braktiset gjuha e tragjedisë, futet ndër botë imazhesh po që s’mundën kurrë ta rikthenin në nji formë a në nji tjetër te atdheu që dikur e kishte përjashtuar…E vërtetë është që atdheu s’i ka dashur kurrë ata që i ka përzënë, ndoshta i nevojitet veç pak prej lavdisë së tyre, ashtu si nji make-up mbi tragjedinë që ai e prodhon vetë me shumicë. Ai nuk fton pothuaj askënd, veç ata që pikëtohen si fjalëmirë të qeverive…
Nuk ka ndodhur në asnji rast në këto 28 vite, si ajo që ndodhi Konicës me Zogu!! kurrë qeveritë postkomuniste s’i kanë ftuar oponentët e tyre, shpirtrat kritikë, që edhe të mund të përmirësoheshin edhe t’u mundësonin komunikimin ndryshe qytetarëve të saj… Në kët pikëpamje asgjë s’i dallon qeveritë e postkomuniste tëkëtyre 28 viteve nga qeveritë e diktaturës. Kjo e dëmton rëndë demagogjinë e tyre të lirisë, të Europës, dhe të demokracisë në kët vend… Pikërisht, përballë kësaj së vërtetë të dhimbshme, shfaqet Ornela Vorpsi, si artiste komplekse, që mbas derdh kova me bojë të ndezur mbi pushtetin që e ftoi me zulme, nis e kujton përndjekjen, traumat, dhëmbët e thyer të babait, “duart e zgjatura” drejt nënës së saj, po asnjëherë nuk merr përsipër të thotë një fjali rebele si dikur: fjala vjen: “Të ngrihet Muzeu i Spaçit…!” dhe ajo të linte aty si dëshmi (nëse i ka end të ruajtur), dhëmbët e thyer të babait në hetuesi, të cilat ia dhuroi kur ajo ishte vetëm 8 vjeçe!! Këtë ajo s’mundi ta bëjë, sepse është e robinjë e pushtetit (haremit) të tepsive dhe legenave… Prandaj ajo shfaqet sot më afër Sindromës së Stokholmit, se sa heroizmit të nji Zhan d’Arke… prandaj ajo na u shfaq më shumë si një grua sallonesh e cikërrimash emocionale, një e dashuruar arti dhe burrash, dhe askund s’u gjend tek ajo përballje qoftë edhe fluide me problemet e një shoqërie tashmë në krizë të thellë…
Dhimbje për intelektualin e blerë
Nji nga problemet më të thella të shoqërise shqiptare, është shitblerja intelektuale! Shqipëria prej kohësh që nuk mbahen mend, zërat jashtë pushtetit nuk i ka dashtë, bile mund të them se ajo ka investimet e saj më të mëdha në blerjen intelektuale, duke i shëndrruar ata në kacabunj të zinj që paguhen mirë për çdo fjalë të shërbyer… Qeveritë postdiktaturë vazhdojnë ta përpunojnë me heshtje “teorinë e armiqve”, ndaj gjithë atyre që janë oponencë intelektuale, që mbeten mendim kritik ndaj pushtetit dhe “heronjve” të tij. Intelektualët e vërtetë, ata i mbajnë larg universiteteve, larg teksteve shkollore, larg projekteve kulturore, larg ftesave promovuese… me një ndryshim të vetëm nga diktatura e djeshme, që nuk u vë mbrapa Sigurimin e Shtetit, në vendet ku ata jetojnë dhe kontribuojnë…!! Për pushtetin, ka shumë rëndësi të heshtet për gjithë ata që rrëmbejnë llokma gjithnji e më të mëdha të këtij vendi, për gjithë ata që mbushin mëngjes e mbrëmje ekranet me begati e lumturi, e që shihet qartë që e kanë humbur komunikimin me shtresat e rëndësishme sociale, dhe me atë realitet gjithnjë e më të zymtë që po u zë sytë e që vetëm ata nuk e shohin!