Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Sigurimi i Shtetit përndiqte intelektualët e Kosovës

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDËSHME Ekzeplar Nr 2
DREJTORIA E III

INFORMACION

Një burimi ynë informon:
Tre pedagogë kosovarë, të cilët ishin në vendin tonë gjatë muajit dhjetor 1976, sidomos njëri prej tyre Rexhep Ismajli u munduan “t‘i bënin një kritike” inteligjencës tonë pse kanë qenë “mashtruar” pas politikës që ndiqej ndaj BS në atë kohë (para prishjes së marrëdhënieve). Kështu, sipas tyre, intelektualët tanë u kanë vënë fëmijëve emra sllavë, apo janë martuar me gra sovjetike Konkluzioni i tyre në këtë aspekt ishte se “ne kosovarët i kemi qëndruar më mirë ruajtjes së emrave dhe mosmartesës me sllavë”. Sëkëtejmi delte tërthorazi se “ne kosovarët jemi ma patriotë”, se “po të ishin këta shqiptarët e këtushëm në kushtet tona, do të ishin asimiluar me kohë” etj. Me një fjalë thekson burimi delte ideja se ne jemi shtylla e kombit”, pozita këto të njohura të nacionalizmit e të intelektualizmit borgjez, të cilat, padyshim, reaksioni do të mundë të shfrytëzojë.

Lidhur me këtë çështje burimi mendon: Në borgjezinë e re Kosovare (e sëkëtejmi edhe me inteligjencën e Kosovës, me tendencë për t’i përhapur edhe më gjërë në popull), ekziston mania e “deheroizmit” të njerëzve që jetojnë në RPSSH, në mënyrë që “merita” t‘u lihet në çdo mënyrë atyre që jetuan në robëri. Kjo mani, sipas tij, do shndërrohet më vonë në “një kërkesë llogarie” ndaj njerëzve të këtushëm mbi këtë bazë, cipas ëndërrave të reaksionit, do të zhvillohet edhe lufta për pushtet në truallin e Shqipërisë në të ardhmen
Kjo sipas tij është një shprehje e tendencës së borgjezisë për të marrë pushtetin në vëndin tonë.
Një çështje tjetër e diskutuar me ata pedagogë, ishte ajo e botimeve reciproke, Rexhep Ismajli tregoi për pakënaqësinë që kishte shprehur Azem Shkreli (poet Drejtor i Teatrit të Prishtines, antar Komitetit Krahinor të L.K. të Kosovës) lidhur me zgjedhjen që u është bërë poezive të tij, në një vëllim të botuar këtu. Azemi dhe vete Rexhepi nuk ishin dakort për një zgjedhje të tillë. Ata ishin të mendimit që ne duhet tua botonim veprat të plota, ashtu siç bëhet edhe në Kosovë për shkrimtarët tanë. Këtij mendimi kolegët e tij iu kundërvunë .
Nga poetët e atjeshëm Rexhepi lavdëroi shumë Besim Bokshin, duke e quajtur një nga poetët më të mirë dhe Esad Mekulin për kontributin në përkthime nga shqipja në jugosllavisht dhe për ndihmën që u ka dhënë të rinjëve. Po ky pedagog, ndaj Mehemet Elezit gazetari Zërit të Popullit shprehu pakënaqësi që u marka me gazetari, pas një vëllimi mjaft të mirë që ka botuar njëherë. Për Ismail Kadarenë flisnin si për një shkrimtar të njohur mirë prej tyre dhe që e respektonin.
Për gjëndjen e sotme në RPSSH u prekën disa probleme. Konkluzioni bisedës ishte: Shqipëria është forcuar shumë ekonomikisht dhe populli jeton shumë mirë. Megjithatë, ata bënë një seri pyetjesh, gjë që tregon se kishin paqartësira deri në elementare, sidomos për kooperativat bujqësore. Krahas këtyre u interesuan edhe për çështje të tjera, disa prej të cilave po i citojmë më poshtë
1. Me B.Ballukun e të tjerë çfarë është bërë? A janë zhdukur fizikisht apo vetëm burgosur?
2. Marrëdhënjet me Kinën si janë? Përse nuk flitet për Kinën në shtyp si zakonisht? “Më në fund shqiptari duhet të zejë mend që të mos thurë elozhe askujt”.
3. Bedri Dedja pse është çuar në Elbasan? Androkli Kostallari a është kritikuar gjë kohët e fundit? Për Androkli Kostallarin shihe që kishin qejf të kritikohej, sepse “është bërë shkaktar” që të mënjanohet Selman Riza, të cilin sidomos Rexhep Ismajli e merrte në mbrojtje” si “të trajtuar keq”. Për profesor Eqerem Çabein ishte mendimi se ai është një nga intelektualët më të shquar të kombit tonë por që është sulmuar shumë nga disa të tjerë si Dh.Shuteriqi, A.Buda, A.Kostallari. Ndërsa shoku Enver e ka mbrojtur Çabejn.

Konkluzioni i përgjithshëm i burimit për ta:

Këta tre pedagogë kanë mjaft qëndrime të përbashkëta, që janë pasqyrë e qëndrimit në përgjithësi të inteligjencës së sotme Kosovare ndaj RPSSH, por kanë edhe dallime, gjë që shpreh në një farë mënyre grupimet në gjirin e kësaj shtrese. Gjëja e përbashkët ështe kjo:
Nuk e kuptojnë diktaturën e proletariatit dhe reagojnë ndaj saj secili në mënyrën e vet. Ndonjëri imagjinon edhe sëprapthi. Nga ky qëndrim, pastal lindin edhe qëndrime të tjera si ajo e çështjes së rrogave, ajo e qëndrimit të intelektualave „ të kulluar “ etj. Megjithsë e dinë që, në të ardhmen, problemi i Kosovës do ta zgjidhë rruga për në socializëm (revolucioni), për intelektualin e edukuar me frymën revizioniste, del se kjo rrugë ka „rreziqe“, prandaj dhe shoqërohet me ndrojtje.
Gjëja e veçante: Rexhep Ismajli dallohej për qëndrimin e tij të hapur disaprovues ndaj nesh. Një gjë është e dobishme këtu se ai nuk e fsheh qëndrimin e vet. Dy pedagogët e tjerë qëndronin më afër nesh, nëqoftëse nuk është ky rezultat i një maskimi të kujdesshëm.

DREJTORI I DREJTORISË III
(JONUZ MERSINI)
(Firma)

Please follow and like us: