Shkarkimi i punonjësve të drejtësisë nga KPK dhe pikëpyetjet për ILDKPKI
Aktualisht në Shqipëri veprojnë dy institucione, një i kahershëm i quajtur Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe tjetri i krijuar rishtas, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), që kanë pak a shumë të njëjtin fokus veprimtarie, por mbajnë qëndrime të ndryshme për të njëjtët persona.
Në institucionin e parë, përpos shumë zyrtarëve të tjerë, edhe gjytarët dhe prokurorët kanë detyrim ligjor të deklarojnë vit pas viti pasurinë e tyre dhe të justifikojnë burimin e saj. Ku ritual ka filluar qysh me ngritjen e këtij institucioni (ligji nr. 9049, date 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”), por edhe kur drejtohej nga Partia Demokratike, edhe sot që drejtohet nga Partia Socialiste nuk ka qoftë edhe një rast që një punonjës shteti i nivelit të lartë të jetë kallzuar në prokurori për fshehje pasurie apo për dëshmi të rreme. Në shoqërinë tonë, ku integriteti i institucioneve është shumë i brishtë, nuk gjen gjithashtu qoftë edhe një rast nga kampi kundërshtar kur ka qenë në qeverisje për ta vënë përpara përgjegjësisë.
Pra në fund të fundit është një institucion-dordolec që nuk frikëson e tremb askënd, aq më pak të ndëshkojë abuzuesit e mëdhenj me pronat dhe postet publike, përfshi ministra dhe ish ministra, zëvendësministra dhe ish zëvendësministra, deputete dhe ish deputetë, kryebashkiakë dhe ishkryebashkiakë, drjetues institucionesh, ish kryekomunarë, gjyqtarë, prokurorë, etj
Pa bërë shumë histori duam të rikujtojmë se disa gjyqtarë dhe prokurorë që dalin “të larë” nga institucioni i parë shtetëror, nuk dalin të tillë nga tjetri që i nxjerr me mosjustifikim pasurie dhe i shkarkon. Natyrish nëse është një rast edhe mund të mos vihej re, por kur ndodh shpesh atëhere kuptohet lehtë se me ILDKPKI të gjithë dalin të pastër, çka në fakt tregon se ky institucion nuk ka asnjë vlerë dhe duhet të shkrihet tërësisht.
Ballafaqimi i pasurisë në deklarimet e ILDKPKI dhe vendimi i KPK
- Pasuria e Fatos Lulos që del i pastër në ILDKPKI
- Të ardhura nga paga si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, 1 896 470 lekë.
- Bashkëshortja, të ardhura nga paga si mësuese pranë shkollës private “Faik Konica”, 24 000 lekë.
- Gjendja e llogarisë në një bankë të nivelit të dytë, 5 991 lekë, pjesa takuese 50%.
- Gjendja e llogarisë në një bankë të nivelit të dytë, 20 281 lekë, pjesa takuese 50 %.
Vendimi i KPK për gjyqtarin e Kushtetueses, Fatos Lulo
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës degjimore më datë 21.03.2018 për subjektin e rivlerësimit, z. Fatos Lulo, bazuar në ligjin nr.84/2016, sot, më datë 23.03.2018, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Fatos Lulo, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Genta Tafa (Bungo), znj. Etleda Çiftja relatore dhe znj. Brunilda Bekteshi anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë, vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
- Pasuria e Besim Trezhnjevës që del i pastër në ILDKPKI
Në pasuritë që ka deklaruar gjyqtari BesimTrezhnjeva renditen një apartament në Tiranë, një në Durrës dhe afro 1300 m2 truall në zonën e Mulletit në Tiranë. Për këto pasuri gjyqtari në vetëdklarim pohonte se i kishte vënë me punë të ligjshme nga të ardhurat përgjatë viteve 1981-1994.
Vendimi i KPK për gjyqtarin e Apelit në Durrës, Besim Trezhnjevës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 11.04.2018 për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Trezhnjeva, bazuar në ligjin nr.84/2016, sot, më datë 13.04.2018, vendosi: Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Besim Trezhnjeva, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës.
- Pasuria e Besa Nikëhasani që del e pastër në ILDKPKI
Bisa Nikëhasani kishte vetëdeklaruar dy apartamente, njëri në Tiranë dhe tjetri në Lezhë, dy garazhe si dhe një makinë fuoristradë. Vlera e kësaj të fundit ishte 20 mije euro. Nikehasani ishte emëruar prokurore në vitin 1993, fillimisht në Lezhë dhe më pas në Shkodër, në gjykatën e Apelit.
Vendimi i KPK për prokuroren në Shkodër, Besa Nikëhasani
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë17.04.2018 për subjektin e rivlerësimit, znj. Besa Nikëhasani, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 20.04.2018, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Besa Nikëhasani, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër.
- Pasuria e Altina Xhoxhaj që del e pastër në ILDKPKI
– Të ardhura nga paga si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, 1 894 950 lekë.
– Të ardhura si pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës, 112 500 lekë.
– Të ardhura si trajnuese, projekti i BERZH-it për trajnimin e gjyqtarëve, 1 500 euro.
– Të ardhura nga qiraja e apartamentit në Tiranë, 3780 euro, kontrata e lidhur më 1 nëntor 2013, rifreskuar më 1 nëntor 2014.
– Bashkëjetuesi Arben Idrizi, të ardhura neto nga paga si sekretar i Përgjithshëm në institucionin e Presidentit të Republikës, 1 490 880 lekë.
– Bashkëjetuesi, Arben Idrizi dieta, shërbime jashtë vendit në funksionin e sekretarit të Përgjithshëm, 1 885 dollarë.
– Kursime nga të ardhurat nga paga e vitit 2014, 1 100 000 lekë.
Vendimi i KPK për gjyqtaren në Kushtetuese, Altina Xhoxhaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi shqyrtoi deklaratat e pasurisë së saj, thotë se nga hetimi administrativ nuk justifikohet origjina e të ardhurave për një shtëpi 101 metra katrorë në Tiranë. Gjithashtu, për KPK deklarimet e të ardhurave për vitin 2003 dhe 2004 janë të pasakta dhe mungojnë 4 milionë lekë.
Edhe në shqyrtimin profesional, KPK përmend denoncimin e një shtetasi me inicialet B.C., i cili është dënuar nga babai i Altina Xhoxhajt, gjithashtu gjyqtar, por në Gjykatën e Apelit. Ky shtetas është ankuar në Gjykatën Kushtetuese, ku çështja e tij është shqyrtuar pikërisht nga Altina Xhoxhaj.
KPK ka gjetur gjithashtu edhe zbardhje me vonesë të arsyetimeve të vendimeve, si dhe raste të zgjatjes së afateve për dosje në gjykim.
Altina Xhoxhaj është gjyqtarja e tretë nga Gjykata Kushtetuese që i nënshtrohet sitës së vettingut.