Pse Kazantzakit nuk iu dha Nobeli?
Lidhja ndërkombëtare e Miqve të Nikos Kazantzakis ka celebruar 30-vjetorin e krijimit të saj në Tiranë, në një konferencë shkencore kushtuar shkrimtarit grek. Studiues nga Greqia dhe Shqipëria, ku prej 20 vitesh ka degën e saj, kanë referuar profilin e një shkrimtari të pambaruar, në histori e letërsi duke qenë një prej autorëve më të përkthyer të Ballkanit. Për një paralele mbi “refuzimin” e Nobelit, bashkë me Kadarenë edhe Kazantzakis sipas Stavri J. Dajo, dr. i shkencave historike në Universitetin Aristotelis Thessaloniki, janë përballur me letrat anonime dhe denoncimet nga vendet e tyre të lindjes.
Nikos Kazantzakis përbën rast unik në historinë e letërsisë botërore: u imponua në opinionin letrar dhe të institucionalizuar të vendit të tij përmes karrierës dhe vlerësimit ndërkombëtar(!). Megjithëse u luftua pa mëshirë dhe për motive të dobëta nga ekstremi i majtë dhe i djathtë politik i kohës, Nikos Kazantzakis dhe vepra e tij triumfoi: sot përbën pasuri shpirtërore për miliona lexues kudo në botë. Stavri Dajo, profesori i Universitetit Aristotelis Thessaloniki, e bën këtë pohim në rastin e konferencës shkencore, mbajtur në Tiranë në 30-vjetorin e Lidhjes Ndërkombëtar të Miqve të Nikos Kazantzakis ku mbajti kumtesën me temë “Përse Nikos Kazantzakis nuk fitoi çmimin Nobel: ngjashmëri me rastin Kadare. Hulumtim arkivor”.
“Shumëdimensionali Kazantzakis” duket se e nuk e ka mbyllur historinë e jetës së tij edhe pas 60 vjetësh, të ndarjes nga jeta. Nuk arriti të fitojë edhe pse ishte i nominuar mbi 14 herë për çmimin Nobel në Letërsi nga viti 1937-1957 me propozime kryesisht nga organizma ndërkombëtarë, personalitete të lartë të letrave si Albert Kamy (Albert Camus, 1913-1960) por dhe nga vetë Akademia e Shkencave e Suedisë dhe e Norvegjisë. “Fakti që nuk e fitoi këtë çmim sipas studiuesve të Kazantzakis lidhet vetëm me faktorë jashtëletrarë, me mëri tinëzake të kolegëve ose me ndërkëmbje të administratës dhe interesa meskinë të grupeve të ndryshme politike të kohës. Megjithatë, mosfitimi nuk zbeh kurrsesi prestigjin e lartë ideoestetik të shkrimtarit.
Këtë e dëshmon më së miri romani i tij i mirënjohur Zorba, i cili rreshtohet në 100 librat më të dalluar letrarë të të gjitha kohërave të letërsisë botërore, sipas sondazheve të Qendrës Norvegjeze të Librit (2002)”. Profesor Dajo thotë se kohët e fundit një studim i hollësishëm arkivor tregon fakte të reja pse ky shkrimtar nuk e ka fituar çmimin Nobel. “Arsyeja e prapaskenat janë një histori e gjatë, ku gjithashtu gjejmë një pikëtakimi dhe arsye mjaft interesante në ngjashmëri me shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadarenë, i cili është nominuar për shumë vite, por ende nuk e ka fituar Nobelin”, thotë Dajo. Profesori merr në krahasim edhe shkrimtarin shqiptar, Kadarenë si raste të ngjashme i cili duke iu referuar jetës, dhe veprës së të dy shkrimtarëve, statistikat e tyre dalin pothuajse të përafërta; numri i gjuhëve të huaja të përkthyera në botë, dhe gjithashtu botime dhe ribotime të veprës së tyre. “Ka dhe arsye të tjera të cilat lidhen me jetën dhe veprën e tyre, me mëritë si dhe indiferentizmin e akademisë suedeze, ose për letrat denoncuese që janë bërë për të dy këta shkrimtarë”.
Profesori duke iu referuar enigmës së madhe pse këto dy shkrimtarë të Ballkanit janë “refuzuar” nga Nobeli, thotë se Akademia Suedeze vendos vlerësimin mbi parimet e saj kryesore, të cilat nuk janë bërë asnjëherë të qarta dhe publike. Ndaj shpesh “arsyet” mbeten si jashtëletrare. “Por dimë, gjithsesi, se letrat denoncuese që janë bërë si për njërin dhe tjetrin shkrimtar, madje për Kazantzakin ka më shumë letra denoncuese me përmbajtje shpifëse kundër jetës dhe veprës së tij, nuk mund të mos jenë marrë parasysh si një nga faktorët nga Akademia Suedeze. Gjithashtu, nga një studim publicistik edhe për Kadarenë është e pamundur të mos jenë marrë parasysh nga Akademia Suedeze”.
Dajo tregon se nga një studim i hollësishëm arkivor mbi Kazantzakis janë gjetur letra me përmbajtje shpifëse kundër jetës së shkrimtarit, letra të dala si nga arkivat të shtetit grek, ashtu dhe sigurimi, e shoqata të ndryshme letrarësh. “Për Kadarenë materiali arkivor nuk është deklasifikuar akoma, por ka studime e hulumtime publicistike të cilat janë serioze dhe mund t’u referohemi pa asnjë rezervë.
Dajo është i bindur nga këto dokumente se për rastin e Kazantzakis ishte një prapaskenë shumë e detajuar, madje thotë se faktorët që kanë penguar marrjen e çmimit Nobel është vetë shteti grek, që ka qenë kundër kandidaturës së Kazantzakit në periudhën deri në vitin 1957, kur autori vdiq. Dajo thotë se kundër ka qenë edhe kisha greke. “Në përgjithësi për veprën dhe jetën e tij, Kazantzakis është konsideruar si njeri me bindje komuniste ndërkohë s’ka qenë i tillë. Ai është akuzuar përmes letrave edhe si njeri i cili ka qenë organizator i turbullirave të vitit 1944. Por, Kazantzakis kurrsesi nuk ka qenë i tillë”.
Nikos Kazantzakis (1883-1957) është, pa dyshim, një shkrimtar dhe dijetar i madh i shekullit të 20-të. Prozator, poet, publicist, dramaturg, politikan, muzikant, eseist, përkthyes i letërsisë, filozof, studiues, kritik letrar dhe, më së pari, një udhëtar i përjetshëm, la një trashëgimi shpirtërore të vyer dhe një vepër të begatë letrare, poetike dhe përkthimore lexues-ndjellëse. Kualifikohet si shkrimtari bashkëkohor grek më i vlerësuar dhe më i përkthyer, i promovuar në listën e emrave më të shquar të letërsisë botërore.
“Kazantzakis u takon autorëve të paktë klasikë botërorë që interesi leximor dhe tregtar i veprës së tyre mbetet dhe sot e gjithë ditën i papakësuar, madje me një përshkallëzim rritës (në kundërvënie me Stendalin apo dhe Herman Hesse p.sh.) dhe si i tillë mbetet aktual dhe aktiv”.
Nikos Kazantzakis drejtësisht thotë profesor Dajo evidentohet si shkrimtari bashkëkohor grek më me shumë përkthime në botë, madje bashkë me Orhan Pamukun (çmimi Nobel, 2006) dhe Ismail Kadarenë janë tre shkrimtarët më të përthyer të Ballkanit. Sipas studiuesve vepra e përfaqësuese e Kazantzakis mbetet, padyshim, Zorba. Duke iu referuar regjistrimeve të Qendrës Kombëtare të Librit në Athinë, janë evidentuar më shumë se 580 botime të librit në botë, përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme, duke u klasifikuar në vendin e parë të librave të letërsisë greke, përkthyer në botë. Ky numër shtohet vazhdimisht duke e shndërruar librin në një libër klasik aktiv. Në vitin 1954 Zorba u shpall romani më i mirë i huaj i botuar në Francë. Romani u vlerësua lart dhe nga shkrimtarë të mirënjohur botërorë, si Albert Schweitzer (Shvajcer) (1875-1965), Thomas Mann (1875-1955), Albert Camus (1913-1960), të cilët e vlerësojnë si një nga shkrimtarët më të mëdhenj europianë. Së fundmi, në Shqipëri Nikos Kazantzakis u botua për herë të parë në vitin 1973, dy vjet pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve (Kapedan Mihali, nga frëngjishtja Enver Fico). Në vitin 1978 u botua në Kosovë “Jeta e Zorbës” (përkthyer nga serbokroatishtja nga Nazmi Rrahmani). Sot është përkthyer pjesa më e madhe veprës së Nikos Kazantzakis në gjuhën shqipe, me Zorbën në vend të parë (ka tri botime: 1995, 2005, 2017, përkthyer nga origjinali tashmë).
Kush ishte Nikos Kazantzakis?
U lind në Irakleio të Kretës dhe vdiq në Frajburg (Freiburg) të Gjermanisë, pas një udhëtimi në Kinë.. Në vitin 1919 kryeministri Eleftherios Venizelos e emëron drejtor të përgjithshëm të Ministrisë së Asistencës Sociale me mision të posaçëm riatdhesimin e grekëve të dëbuar nga Kaukazi pas ndjekjeve dhe spastrimeve etnike të qeverisë bolshevike. Ishte një përvojë e hidhur të cilën Kazantzakis e shfrytëzon si lëndë të parë për romanin “Krishti rikryqëzohet” (1954).
Për një periudhë të shkurtër u emërua ministër pa Portofol në qeverinë e Sofulis-it (nëntor 1945- janar 1946) dhe më vonë (1947) specialist në UNESCO për gjuhët klasike. Gjatë gjithë jetës së tij la një numër të madh veprash letrare të të gjitha gjinive dhe zhanreve. Por, megjithatë, kjo pjellori letrare (romane, poezi, studime, përkthime, ese, shënime udhëtimi etj.), nuk cenoi aspak nivelin e lartë cilësor të letërsisë së tij.
Sipas një studimi të detajuar të Qendrës Kombëtare të Librit në Athinë -pa qenë mbarështerues dhe i paaktualizuar, me të dhëna deri në 2007- vepra letrare e Nikos Kazantzakis rezulton e përkthyer në 41 gjuhë të huaja. Vendin e parë e zotërojnë botimet në gjermanisht: 64 botime titujsh të ndryshëm, në anglisht 57 tituj, në frëngjisht 43, portugalisht 30, turqisht 22, italisht 13, rusisht 12 etj. Është kontradiktore por statistikisht e saktë: dy fituesit grekë të çmimit letrar “Nobel” Giorgos Seferis (1963) dhe Odiseas Elytis (1979) nuk kanë arritur të kenë këtë dallim ndërkombëtar; i afrohet vetëm poeti Konstantinos Kavafis, i cili është përkthyer në 29 gjuhë ose të folme dialektore.
Interes të posaçëm paraqet vepra publicistike e Kazantzakis si korrespondent i medias greke të kohës në vende të ndryshme (në mënyrë të veçantë në Spanjë, 1936) me një prurje gazetareske të bollshme dhe të një niveli të lartë kulturor, e kualifikuar dhe me përgjegjësi të madhe qytetare.