Albspirit

Media/News/Publishing

Çabej për Joklin: Dashuria për gjuhën shqipe, ia hangri kryt!

Me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Norbert Joklit Instituti Çabej boton veprën e parë monografike të këtij autori, në përkthimin e ish nxënësit të tij Eqrem Çabej, si një homazh për të dy albanologët më të shquar të shekullit XX. Vajza e gjuhëtarit lexon shënimin e Çabejt për Joklin!

 “Nuk është mbase një gjë e tepruar për të thënë, që bashë interesi, dashuria që ushqente për popullin shqiptar e për gjuhën e tij, qe një nga arsyet që ia hangrën kryet. Ai kishte vënë në dukje në të gjithë veprën pasurinë vetjake të shqipes, duke reduktuar me kritere shkencore objektive, si pjesë e latinishtes në leksikun e saj. Këtë rrugë ai e ndoqi edhe gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, gjatë të cilit u këput edhe filli i jetës së tij”. Ky është shënimi i gjuhëtarit të njohur Eqrem Çabej (shkruar me rastin e 100-vjetorit të lindjes Norbert Joklit), të cilin e lexoi dje gjatë prezantimit të librit “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” të Norbert Jokl në Akademinë e Shkencave, vajza gjuhëtarit shqiptar, Brikena Çabej. Takimin e organizuar nga Instituti Çabej dhe ASH në nderim të dijetarit, shqiptarofilit të madh Norbert Jokl ajo e cilësoi të vonuar.

Për vlerat dhe rëndësinë e librit referuan profesorët Seit Mansaku dhe Anila Omeri. Ndërsa, avokati Agron Alibali paraqiti disa të dhëna të reja, mbi hulumtimet, që ka bërë për jetën dhe veprimtarinë e Norbert Joklit dhe lidhjen e tij me Shqipërinë. “Shekulli” sot boton referimin e gjuhëtares Omari.

Anila Omari (gjuhtare)

Në rastin e 140-vjetorit të lindjes së Norbert Joklit botime “Çabej” (2017) nxorën veprën e parë monografike të këtij autori, në përkthimin e ish nxënësit të tij Eqrem Çabej, si një homazh për të dy albanologët më të shquar të shekullit XX.

Norbert Jokli, një nga etërit themelues të albanologjisë, krahas Hanit, Meyerit, Pedersenit, ishte doktoruar për jurisprudencë në vitin 1901, kur drejtoi vëmendjen në studimet gjuhësore indoevropiane, fillimisht me përqendrimin në romanistikë e sllavistikë, fushë në të cilën edhe u doktorua për herë të dytë në vitin 1908. Në këtë kohë atë e tërheq gjuha shqipe, si një gjuhë e rrallë edhe pak e njohur nga studiuesit, mësimit të së cilës iu kushtua, si autodidakt.

Ai e filloi studimin e shqipes në moshën 30-vjeçare, në kursin që zhvillohej në atë kohë në Universitetin e Vjenës nga Gjergj Pekmezi (1907), e mësoi në një kohë të shkurtër dhe e përsosi edhe me ndihëm e studentëve të tij shqiptarë në Universitetin e Vjenës, ndër të cilët ishte edhe pasardhësi më i denjë i tij, Eqrem Çabej. Krahas mësimit të shqipes ai iu kushtua studimit të thelluar të saj në aspekte të ndryshme: në etimologji e histori fjalësh, në fonetikë e morfologjisë historike, në prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve, në marrëdhëniet e shqipes me gjuhë fqinje, të lashta e më të reja, si me greqishten e vjetër, latinishten apo me sllavishten, në onomastikë si edhe në etnolinguistikë të shqipes.

Jokli la një trashëgimi të pasur studimesh për shqipen. Ndër veprat e tij monografike përmendim Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes (Vjenë 1911), Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fusha e shqipes (Berlin 1923) që është edhe kryevepra e tij, Kontribute gjuhësore për paleontologjinë e Gadishullit Ballkanik (Vjenë 1984) si dhe një varg punimesh e artikujsh në revista të specializuara.

Në studimet e tij ai i kushtoi vëmendje në radhë të parë leksikut të trashëguar të shqipes, duke arritur të shpjegojë burimin vendas të një numri fjalësh që më parë mbaheshin si huazime nga gjuhët e tjera. Në studimet për gramatikën historike ai përforcoi në mënyrë përfundimtare tezën e pohuar së pari nga Franc Bopi për karakterin indoevropian të gjuhës shqipe. Jokli kishte punuar shumë edhe për një fjalor etimologjik të shqipes, mbi bazën e fjalorit të Gustav Meyerit, mbi të cilin kishte bërë shumë shënime anash faqeve. Për fat të keq ky fjalor u zhduk në depërtimin e Joklit nga nazistët në kamp përqendrimi ku edhe vdiq në vitin 1942.

Jokli i bëri një shërbim të madh albanologjisë dhe njohjes së saj në botë edhe si bashkautor i Vjetarit indoevropian (Indogermanisches Jahrbuch) nga viti 1917 deri në vitin 1940, ku bëri një punë të madhe bibliografike, duke referuar mbi botimet më të reja të albanistikës.

Si profesor i jashtëm i Universitetit të Vjenës, Jokli, përveç leksioneve të sllavistikës dhe të gjuhëve baltike, mbajti edhe leksione për gjuhën shqipe, siç ishte lënda e Gramatikë e shqipes, Gramatikë historike e shqipes, Gramatikë e krahasuar e shqipes apo Gramatika historike e krahasuar e shqipes.

Në kuadrin e gjuhësisë indoevropiane, në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX lindi edhe u përhap në vendet gjermanishtfolëse, si Austri dhe Gjermani, lëvizja gjuhësore “Fjalët edhe sendet” (gjerm.Worter und Sachen), e ngritur nga Hugo Schuchardt dhe Rudolf Meringer. Kjo rrymë kërkonte që, në hulumtimet etimologjike e leksikore, fjala të studiohej e lidhur ngushtë me sendin apo konceptin kulturor që ajo shënon, me synimin për të arritur rezultate më të sigurta në studimin e të dhënave gjuhësore. Jokli përqafoi këtë metodë studimi dhe e zbatoi në studimet e tij. Vepra që përfaqëson më së miri metodën e studimit “Fjalët dhe sendet” është kryevepra e tij Kërkime gjuhësore-kulturhistorike nga fushat e shqipes, ku, siç e tregon vetë titulli, ai ndërthur metodën e studimit gjuhësor të leksikut të shqipes me aspektet historike e kulturore të koncepteve a sendeve që shënon fjala.

Për shembull, ai vë në dukje që leksiku i tokës, i relievit e i bimësisë, i blegtorisë e i produkteve blegtorale është në shumicën e tij me burim vendas, që lidhet me profesionet e lashta të shqiptarëve, ose që leksiku i bletarisë është me burim latin, gjë që shpjegohet me përhapjen e saj nga romakët. Në grupin e fjalëve të fushës së të drejtës, të zakoneve e besimeve, ai sjell në vëmendje disa zakone shumë të lashta të shqiptarëve, siç është ai i mërkoshit (couvade-s) që të shpie në një periudhë paraindoevropiane. Kështu pra ka vlera jo vetëm gjuhësore, por edhe etnografike e antropologjike për shqipen e shqiptarët. Për lëndën e etnografike Jokli u mbështet sidomos në veprat e baronit Franc Nopezsa, i cili la trashëgim mbas vdekjes materialet etnografike për Shqipërinë.

Studimi i tij monografik nga fusha e indoevropianistikës Studien zur albanischen Etymologie und Ëortbildung, ishte punimi me ë cilin Jokli u habilitua, me cilësimin lingusit, në vitin 1913.

Punimi merr në shqyrtim një numër fjalësh të shqipes të cilat i trajton në pikëpamje të etimologjisë e të prejardhjes së tyre. Ai nisej në këtë studim nga kritikat që u ishin bërë studimeve etimologjike të paraardhësit të tij të shquar Gustav Meyer, në radhë të parë nga Holger Pederseni, për ekzagjerimin e ndikimit të huaj në gjuhën shqipe dhe për përcaktimin e saj si një gjuhë e përzier gjysëmromane, por edhe nga sasia e madhe e fjalëve të mbetura pa shpjegim etimologjik në Fjalorin e Meyerit. Studiuesin e ndihmonte fakti që tashme ishte botuar një material i pasur për shqipen, si fjalorë, libra, lëndë folklorike, si dhe kthimi i vëmendjes në tekstet e vjetra.

Punimin e ndau në dy pjesë, ndër të cilat e para trajton leksik të trashëguar të shqipes, gjithsej 139 zëra, dhe e dyta leksikun e huazuar, me 36 zëra. Në leksikun e trashëguar janë përfshirë fjalë që më parë ishin trajtuar si huazime ose nuk ishin shpjeguar etimologjikisht. Aty bëjnë pjesë njësi leksikore të rëndësishme të thesarit leksikor të shqipes, si amëzë, anë/enë, bagëti, bane/banesë, blozë, bluzë, dalloj, danë/darë, dell, det, djathë, dasë, dredh, dukem, lumë etj. në pjesën e dytë përfshihen etimologji fjalësh që janë huazime nga gjuhë të tjera, qoftë të pashpjeguara më parë, qoftë që janë shpjeguar në mënyrë të mangët.

Qysh në këtë punim të parë monografik të tij ka përpjekje të zbatimit të metodës “Fjalët dhe sendet”. Në shumë raste, analiza etimologjike dhe fjalëformuese e leksemave të marra në shqyrtim përfshin edhe kontekstin historik e kulturor të përdorimit të fjalës bashkë me sendin apo nocionin që shpreh. Kështu veprohet p.sh. në trajtimin e fjalës djathë, ku bëhet krahasimi me fjalën i.-e. për “gjizë” dhe me këtë rast sillet shpjegimi i punimit të lashtë primitiv të djathit në epokën e hershme indoeruopiane, për kuptimet e fjalës “mih” përmenden funksionet e ndryshme që kishin veglat primitive etj. gjithashtu edhe elementet etnografike apo antropologjike merren në konsideratë për shpjegimin e prejardhjes së fjalëve.

Psh. për shpjegimin e foljes tregonj ai niset nga emri tregë me burim sllav, fillimisht me kuptimin “merrem me tregti të vogël” e pastaj edhe “nxjerr në treg, shpall, kumtoj”, dhe “rrëfej, kallëzoj”, duke u mbështetur në faktin se në kohët e vjetra e primitive tregu ishte njëkohësisht edhe vendi i mbledhjeve, ku rriheshin çështjen e përbashkëta, ashtu siç e pasqyrojnë edhe fjalët e greqishtes ayopa, “treg” etj., me raportet kuptimore që kanë mes tyre. Autori në hulumtimin e prejardhjes së fjalëve të shqipes përpiqet të zbulojë edhe pikënisjen e ndërtimit që ka shërbyer si model. Kështu, në shpjegimin e foljes shkoj nga emri shteg (shtrëngojë > shtkoj>shkoj) përsiat një ndikim të formës së brendshme nga ana e latinishtes viare “shkoj”nga via “udhë”.

“Gjuha letrare e asaj kohe qëndronte më afër gjuhës së folur”

Kjo vepër është një kontribut i rëndësishëm në studimet etimologjike të gjuhës shqipe prandaj i takonte të ishte në duart e gjuhëtarëve shqiptarë edhe në versionin shqip. Këtë detyrë e mori përsipër Eqrem Çabej, që në vitet e  para të punës së tij në Institutin e Shkencave, edhe si nderim kundrejt mësuesit edhe mikut të tij

Përkthimi i veprës së Joklit nga Çabej gjendet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë. Gjuha e përkthimit të Çabejt është e saktë, besnike e tekstit origjinal gjermanisht dhe njëkohësisht e kuptueshme dhe e rrjedhshme në shqip. asnjë nuancë kuptimore nuk mbetet jashtë vëmendjes së përkthimit, edhe pse e dhënë strukturës së shqipes së viteve ’50. Gjuha letrare e asaj kohe qëndronte më afër gjuhës së folur, prandaj ndërtimi i fjalisë është i shtjelluar në mënyrë perifrastike, duke iu shmangur konstrukteve të ngjeshura sintetike me emra prejfoljorë më ~im apo –je, fjalive të ndërkallura, me përemra të shumtë të rasteve të zhdrejta etj., që janë karakteristike për gjuhën e sotme. Pavarësisht se shumë terma të gjuhësisë asokohe nuk ishin shqipëruar dhe përdoren në tekst, sipas gjermanishtes apo gjuhëve të tjera ndërkombëtare, kjo nuk pengon aspak që teksti të jetë krejtësisht i kuptueshëm nga specialistët e historisë së gjuhës e më gjerë.

Në përkthim janë përfshirë korrigjimet dhe shtesat që ka sjellë Jokli në fund të veprës, nën titullin Berichtigungen und Nachtrage. Siç ndodh rëndom, autori në veprën e tij, dhe madje kjo punë vijon shpesh herë edhe mbas botimit të veprës. Kjo ka ndodhur edhe me tekstin e Joklit, siç duket nga shënimet e bëra me dorë nga autori anash faqeve të kopjes së tij personale, e cila është riprodhuar në botimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës një vitin 2014. Në botimin e tanishëm shtesat e Joklit të përkthyera nga Çabej janë paraqitur të integruara në mënyrë të rrjedhshme me fusnotat e tjera të tekstit me një shënim përkatës.

Gjithë puna për përgatitjen për botim të përkthimit të Çabejt u krye fillimisht në bazë të një kopjeje të dytë të daktilografuar dhe të pakorrigjuar nga autori i përkthimit, e cila kishte shumë boshllëqe në shembujt me alfabete të tjera nga ai latin, si dhe gabime të shumta leximi ose daktilografimi. Prandaj për plotësimin e boshllëqeve de ndreqjen e gabimeve të shembujve ilustrues nga gjuhët e huaja u bë ballafaqimi me origjinalin në gjermanisht, më ç’rast u vendosën edhe shenjat e veçanta diakritike për të gjitha gjuhët që sillen në tekstin e Joklit për krahasim në shpjegimin e fjalëve shqipe të analizuara. Si shenja digritike për fjalët e shqipes janë përdorur ato që përdoren zakonisht në filologjinë e sotme, si theksi cirkonfleks për hundorësinë, të njëjtën shenjë që përdoret për transliterimin me shkronja latine të zanoreve hundore në sllavishten e vjetër kishtare. Disa lexime të gabuara fjalësh të rralla ose të vjetruara të përdorura nga autori i përkthimit u ndreqën me konjekturë, duke njohur gjuhën dhe stilin e autorit.

Kur materiali ishte bërë gati për shtyp, një ë dhënë e Arkivit të ILGj, në vuri në dijeni për ekzistencën e dorëshkrimit të Çabejt si përkthim i veprës së Joklit dhe mbas një kërkimi në Arkiv u gjet dorëshkrimi origjinal i përkthimit. Ballafaqimi me origjinalin zgjidhi edhe disa probleme të drejtshkrimit të autorit dhe konfirmoi disa zgjidhje të hamendësua prej nesh. Disa trajta gege të variantit të daktilografuar, si këtyne, i frymë, i ndritun, u sajue, i pajisun, që i kishim lënë pa prekur duke i konsideruar si përdorime reale të autorit, ndoshta nën ndikim të drejtshkrimit të vitit 1923, mbas krahasimit me origjinalin u pa se ishin lexime ta gabuara edhe u ndreqën sipas toskërishtes letrare të autorit. disa luhatja drejtshkrimore të tipit të ndarjes e bashkimit të fjalëve në rrethanat e një gjuhe shkrimi ende të paformuar përfundimisht ( me gjith’atë ~ megjithatë, far’efis ~farefis, i drejtë për drejtë ~ i drejtpërdrejtë), janë ndrequr në botimin sipas variantit që përkon me drejtshkrimin e sotëm.

Me gjithë vlerësimin e lartë që gëzon emri i Norbert Joklit në hapësirat shqiptare, veprat e tij nuk kanë qenë të njohura për publikun e gjerë shqiptar, urojmë që dalja në dritë e kësaj vepre në shqipe të tërheqë pas vetes edhe punimet e tjera të Joklit që janë të përkthyera dhe ndodhen në Arkivin e IGJL.

Please follow and like us: