Elfride Jelinek: From Austria to Albania with Love
Viti kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë, hedh edhe një tjetër hap, duke përuruar edicionin e dytë të programit “Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love”. Kartolina e dytë letrare, që pasoi botimin e ballinës së revistës “Fryma”, 1944, ku u botua një poezi e Rainer Maria Rilke-s, vijon me autoren austriake Elfriede Jelinek, laureate e Çmimit “Nobel”, 2004.
Kartolina me portetin dhe tekstin provokues të Elfriede Jelinek vjen si ftesë dhe nxitje ndaj lexuesit, por edhe si një format i leximeve shëtitëse, që fillojnë në Ditën Botërore të Librit, për një vit të plotë me ngjarje kulturore. Teksti që i ofrohet lexuesit së bashku me kartolinën “Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love ” – Elfriede Jelinek, Prill 20187, është një prozë e shkurtër, me titullin “paula, gjatë leximit të një libri, ku historia zhvillohet në fshat dhe ku ajo luan rolin kryesor”. Rrëfimi, që përmban tipare të spikatura të prozës së Elfriede Jelinek, është përkthyer nga origjinali nga Admira Poci.
Në muajt e ardhshëm programi Poetry Card – Nga Austria me dashuri – From Austria to Albania with Love” do të vijojë me kartolinën e shkrimtarit dhe gazetarit të mirënjohur austriak Joseph Roth – shënime nga Shqipëria, veshur me kostum shqiptar…
(fragment)
Elfriede Jelinek – paula, gjatë leximit të një libri, ku historia zhvillohet në fshat dhe ku ajo luan rolin kryesor më parë bëja ende gjimnastikë që shërbente për të pasur bark të sheshtë dhe të fortë dhe për ta mbajtur atë. më pas ndjeva një shtatzani që po afronte dhe hoqa dorë sërish nga këto ushtrime të rëndësishme, të cilat i kisha prerë nga një revistë. isha si e krijuar për t’u bërë nënë, kështu isha një njeri i plotë. Kështu thonë, një shtatzani kërkon një njeri të plotë. Ndoshta bëra gabim që i lashë ushtrimet, kur e ndjeva se po bëhesha nënë, sepse nuk duhet t’i lësh ushtrimet, madje kur e ndien se po bëhesh nënë, duhet t’i bësh ato. përndryshe, në vend të një njeriu të plotë, je më shumë një gjysmak apo i ndarë.
Ndoshta kjo ndikoi disi që nisa të bëhesha e huaj për burrin tim, çka u shpreh me një krizë martesore. druaj se e lashë veten pas dore, kur e ndjeva se në mua po rritej një jetë e re. Nuk duhet të përqëndrohesh aq shumë tek jeta e re që po rritet në ty, duhet t’i përkushtohesh edhe burrit, sepse përndryshe ai ndihet i lënë pas dore. ai nuk duhet të mendojë se tani ai luan rol dytësor e jo më parësor. Jeta e re në mua rritej pra dhe rritej, ndërsa unë shpërfytyrohesha gjithnjë e më shumë, në përpjesëtim të drejtë me jetën e re që rritej. Shto dhe detyrën e vështirë të kursit që në fakt nuk e pengonte jetën e re të rritej, mua ama më mbante larg e më larg kujdesit të përditshëm minimal që duhet të kryeja. Unë s’isha as 16 vjeçe, por sa më e madhe bëhej jeta e re në mua, aq më shumë flokë dhe dhëmbë më binin nga koka, çka nuk do të kishte ndodhur nëse do t’i kisha ndjekur ato hilet e vogla të kozmetikës që duhen ndjekur për t’i mirëmbajtur flokët dhe dhëmbët.
Nuk isha fare e shpërfytyruar. Isha përpjekur gjithmonë për shembull ta mbaja në punë trurin nëpërmjet programeve televizive, por tani më duhej që në kohën kur mund të shihja televizor, gjithnjë e më shpesh të merrja bashkëshortin tim nga kafeneja e ta sillja në shtëpi, në kohën e programit të mbrëmjes, ai ishte gjithmonë tapë.