Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Manjani: Bashkitë politike duhet të kenë një fund

Është e papranueshme që edhe përgjedhja e kandidatëve për Kryetarë bashkish të mbetet në pronësi të partive!

Veçanërisht Bashkia Tiranë përceptohet si fat-vendosja për drejtuesit e partive kryesore në vend, që do të thotë edhe e qeverisë. Është e padrejtë kjo sjellje politike! Shumë e padrejtë madje! Pse duhet të vendosin partitë për pusetat e pastrimin e rrugëve? Po për lejet e ndërtimit apo planet urbane, përse?!

Si ka mundêsi që qytetet tona nuk prodhojnë kandidatë jo politikë për të administruar punët e qytetit?! Po pse u dashka të harxhojmë kohë publike me debatin: “do kandidojë Erioni apo jo”?!

Erioni, meqe ra fjala, është pjesë e politikës. Pjesë aktive madje! Ai është talent i lindur për politike dhe për mua një kandidat i denjë për të marrë drejtimin e PS-së. Prandaj dhe duhet ti hapet rruga qytetarëve të Tiranës të propozojnë njerëzit e tyre jo politikë, që të merren me qytetin pa e pasë mendjen tek PR politik për llogari të partisë dhe të ardhmes së tyre në parti!

Kjo është vetqeverisje vendore! Nuk ka vetqeverisje me “dorën e ngrohtë” të partisë mbi supe! Ky model na e çpifi! Mjaft më me lojën e bashkisë për partinë! Opozita veçanërisht ka në dorë të “diktojë” standartin e qytetarisë, duke mbeshtetur kandidatë të qytetit dhe jo të forumeve.

PS të bëjë si të dojë, por ja vlen përplasja e standarteve: qytetari përballë politikës! Opozita nuk mund të harxhojë kohë me analiza të kandidatëve politikë! Opozita ka shancin të rrjeshtohet me standartin: bashkitë në duart e qytetarëve dhe jo politikanëve. Është koha për të ndarë partitë nga bashkitë! Kush e bën këtë do ta mbështes me të gjithë fuqinë!

Please follow and like us: