Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Miti i vetmisë – Maks Velo

 

Vendosja e regjimit totalitar në Shqipëri dhe aplikimi i luftës së klasave krijoi hendekun e madh midis fituesve dhe kundërshtarëve të tyre. Ne dhe Ata. Pas terrorit të ushtruar mbi Ata, pakëkush dëshironte të largohej nga Ne dhe të bashkohej me Ata. Për t’i shpëtuar persekutimit të gjithë dëshironin të fshiheshin nën përemrin vetor të vetës së pare, numri shumës: Ne, pavarësisht kundërshtive dhe kontrasteve, që mund të kishin me liderët e Ne. U futën në rrjedhën njerëzore që nuk synonte asgjë, veç fshehjes nga terrori. Kështu u krijua turma.

Hiperkolektivizmi në Shqipëri krijoi psikologjinë e turmës. Qytetarët shqiptarë që nuk kishin biografi të mirë, që do të thotë nuk ishin komunistë ose bashkëpunëtorë të tyre, u veçuan nga turma, u diferencuan duke mos i pranuar në kooperimet socialiste në fshat dhe qytet. Ata u thirrën individë, njerëz që punonin dhe jetonin të vetmuar. Pikërisht në këtë kohë fjala individ mori një konotacion negativ.

Maks Velo në librin e tij “Palltoja e burgut” tregon për relacionin që kishte me vetminë. Ai thotë se nga natyra ishte i  vetmuar, por kjo vetmi i kishte hapur mjaft telashe. Madje iu kthye edhe në akuzë kur u arrestua. Hetuesi i komunikoi se e kishin studjuar “metodën e vetmisë”, si kundërvënie ndaj sistemit.

“Sistemi ishte socialist, i përgjithshëm social dhe ti nuk mund të veçohesh. Kurse vetmia është veçim. Dhe kjo nuk pranohet.”- shkruan Maks Velo në librin e tij “Palltoja e burgut”. Ai e karakterizon vetminë të ndarë në tre faza: vetmia para burgimit, vetmia gjatë burgut dhe vetmia pas lirimit nga burgu. Vetmia e parë ishte veti individuale. Në këtë kohë policia e fshehtë të survejonte dhe të përgatiste dosjen e dënimit. Vetmia e dytë,  ajo e kampit, ishte vetmi e detyruar, ku jo vetëm të burgosurit që e kishin natyrë vetminë, por edhe të tjerë rrinin të vetmuar nga ndrojtja e spiunëve për t’i shpëtuar ridënimit. Vetmia e tretë përfshinte të gjithë të dënuarit që liroheshin. Ata qenë të dënuar me vetmi, si pasojë e burgut të kryer. Askush nuk u afrohej armiqve të partisë dhe të popullit. Maks Velo tregon se vetmia e fundit të ndiqte pas deri në vdekje. Turma gjatë diktaturës është masë gri, pa tru, e indoktrinuar deri në palcë. Turmat dilnin në rrugë në vitet e para të vendosjes së diktaturës me parrulla ku shkruhej: “tradhëtarët në litar”.

Ishte koha kur nisi dhe nuk u ndal më gjuetia kundër qytetarëve për shkak të luftës së klasave. Turmat mbushnin sallat e kinoteatrove, teksa luhej tragjedia e jetës së intelektualëve më të mirë të këtij vendi  dhe duartrikisnin dënimet me burg dhe dënimet me vdekje. Qendrimi në turmë kishte kosto të madhe. Humbje e tipareve individuale, rrafshimi i shijeve, i sjelljeve dhe qëndrimeve, deri te mospërdorimi fare i trurit, por rendja në turmë. Sistemet totalitare i shfrytëzojnë në maksimum turmat për terrorin ndaj kudërshtarëve realë dhe atyre potencialë. Ata e emërtojnë turmën popull, duke i dhënë  kështu një status të rremë asaj.

Në diktaturë turma është e verbër,  e frikshme, krejt e manipulur dhe kurdoherë e manipulueshme. Edhe në postdiktaturë turma vazhdon të ekzistojë për inerci. Artistit Maks Velo, qendrimin në vetmi dhe pamjen e pikëlluar të fytyrës, hetuesit ia vinin në dukje si protestë ndaj sistemit socialist. Qytetarët në diktaturë urdhëroheshin të ishin të lumtur.

“Është me ne apo kundër nesh ky njeri? Më shumë kish mundësi të ish kundër, se po të ishte pro nuk kish ç’i duhej vetmia. Dhe prandaj vetmia të çonte në kampin armik.”- shkruan Maks Velo te libri i tij “Palltoja e burgut”. Ai flet edhe për vetminë e grave të huaja të martuara me shqiptarë, të cilat në përgjithësi përfunduan në burg. Braktisja e turmës, ruajtja e cilësive individuale ishte mjaft e vështirë në diktaturë.

Në librin e tij me titull  “Spaci” Maks Velo tregon se diktatura kishte shpikur në mënyrë diabolike institucionet e turmës: kampi i pionerëve, kampi i rinisë, kampi i punëtorëve. Madje edhe burgu quhej kamp; Kampi i Spacit, Kampi i Qafë- Barit, Kampi i Ballshit, Kampi i Përparimit etj. Krijimi i burgjeve me një numër të madh të dënuarish politikë,  nuk mund të krijonte turmë, por thjesht ishte pjesë e strategjisë për të terrorizuar  qytetarët e tjerë, të cilët duhet të mbyllnin gojën, të duronin varfërinë ekstreme dhe izolimin total të vendit dhe të futeshin në turmë.

Natyrisht, vetmia është edhe meditim, edhe mendim, sikurse thotë Maks Velo në librin e tij “Palltoja e burgut”, por vetmia e detyruar, si vetmia e qelisë, vetmia e të burgosurit politik pas lirimit nga burgu, janë tortura.

Maks Velo, si një natyrë e vetmuar, thotë se përveç telasheve që i ka hapur vetmia, ajo e ndihmoi shumë për të përballuar kohën e gjatë në qeli, gjatë procesit të hetimit: “Kjo vetmi më krijoi shumë armiq në jetën e lirë, por bëri që ta kaloj më me lehtësi hetuesinë dhe kohën e gjatë të burgut. Nëqoftëse nuk je i zoti të rrish i vetmuar, burgu dhe sidomos hetuesia janë shumë të vështira”- shkruan Maks Velo në tekstet e tij me kujtime nga burgu.

Tablo e piktorit Aleksander Vreko

Please follow and like us: