Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Një poezi në kampin e Vlashukut

 

 

Maj 1953. Kampi i Vlashukut. Një të dielë, ndërsa po rrinim duke   biseduar, afrohet Gjon Shllaku, përkthyes dhe dramaturg i disa veprave klasike, njeri nga mësuesit e mi që formuan karakterin tim dhe na thotë:

– Djelmosha, sot do organizojmë nji konkurs letrar në prozë dhe poezi. Me këterast do të shpërndajmë edhe dy çmime për fituesit. Prandaj letër dhe laps dhe filloni.

Në shkollë kam qenë i shkëlqyer në hartime. Ato i zhvilloja gjithmonë në formë tregimi. Kurse atë ditë më shkrepi ideja që të bëja një poezi. Sidoqoftë, u ula dhe shkruajta poezinë e mëposhtme:

Pas një jave u mblodhëm përsëri për të bërë ndarjen e çmimeve. Gjoni shpalli si fitues në prozë Vangjelin, një djalosh nga Korça. Ai kishte shkruar një prozë poetike shumë të bukur për lirinë. Në poezi u shpall fitues një djalë nga Dibra, Hektori. Premiot ishin dy kuti duhani të bëra prej një mjeshtri nga gaveta italiane. Në kapakun e secilës ishte gdhëndur një shqiponjë dhe poshtë saj shkruhej: RROFTË SHQIPËRIA!

Pas disa ditësh Gjoni u afrua dhe na tha:

– Djelmosha, ngulitini mirë në mendje ato qi keni shkrue, në mënyrë qi të mos i harroni dhe mandej shkyeni letrat. Ato mund të paraqesin rrezik.

Ashtu bëmë. Poezia u ngulit në trurin tim dhe mbeti e tillë edhe pas gjashtëdhjetë e pesë  vitesh.

 

ROBËRIA

 

Në çdo anë  e në çdo cep,

Moj e dashur Shqipëri!

Që nga Korça në bregdet

Ndodhesh ti në robëri.

 

Nëpër burgje të tmerruar,

Njerëzit vuajnë pa mëshirë.

Janë shtypur, robëruar,

Pse kërkojnë  jetën e lirë.

 

Nëpër kampet gjakatare,

Ndihet huri dhe dajaku.

Vuajnë zemrat shqiptare,

Porsi lum u vete gjaku.

 

Bujku atje tej punon,

Është këputur lodhur shumë

Arën me mundim lëron,

Edhe natën rri pa gjumë.

 

Nëpër male shkon  bariu,

Bashkë me dhentë e tij,

Vuan shumë gjithmonë i ziu,

Pasi është në robëri.

 

Shqipëri o moj e mjerë!

Pse nuk ngrihesh përsëri?

Të tregosh se kësaj herë,

Liria shpejt do tëvijë!

 

Please follow and like us: